Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Xhevat LLOSHI: Skënderbeu në rimuret e Islandës

(Marrë nga libri “Skënderbeu në vendet nordike” me autorë Xhevat Lloshi dhe John Quanrud, botim i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante, Tiranë 2018).

Dramaturgu dhe historiani norvegjez-danez Ludvig Holberg (1684-1754) më 1739 botoi një “Histori të krahasuar të heronjve të mëdhenj” në dy vëllime. Në vëllimin e parë një kapitull i kushtohet Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Rreth vitit 1800 kjo pjesë u përkthye islandisht dhe në Departamentin e dorëshkrimeve të Bibliotekës Kombëtare të Islandës ndodhen rreth 15 dorëshkrime të tilla.

Mbi bazën e përkthimit në prozë imzot Hannes Bjarnasoni (1777-1838) hartoi një poemë kushtuar Skënderbeut në vitet 1821-1825, e cila u botua më 1861. Janë rreth 1000 vargje me një prolog dhe 10 pjesë. Ky tip i poezisë epike islandeze quhet rimur. Studiuesi britanik W. Craigie ka botuar më 1950 një punim mbi poezinë romantike të Islandës, ku ka trajtuar hollësisht ndërtimin e rimureve.

Njoftimet për Holbergun dhe për pasurinë e dorëshkrimeve islandeze rreth Skënderbeut i ka dhënë dr. F. Gudhmundsoni, studiues i letërsisë islandeze dhe për shumë kohë drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Islandës.

 

1.

Islanda, një ishull prej 103 mijë kilometrash katrorë në veriperëndim të Europës, kishte gjithsej 270 mijë banorë dhjetë vjet më parë. Megjithatë ky popull ka histori të gjatë. Norvegjezët e shtinë në dorë ishullin më 1262 dhe së bashku hynë nën sundimin e kurorës daneze më 1380, kurse më 1397 u krijua Bashkimi i Kalmarit, duke përfshirë edhe Suedinë. Ky bashkim u prish më 1532 dhe më 1814 Norvegjia kaloi nën sundimin suedez. Rrjedhimisht, për një kohë të gjatë Islanda ishte nën Danimarkën. Lëvizja kombëtare për pavarësinë e Islandës ia arriti të rivendoste parlamentin (Althing) më 1845, iu dha autonomi e kufizuar më 1874 dhe më 1918 vendi fitoi pavarësinë, ndonëse si mbret vijoi të kishte atë të Danimarkës deri më 1943.

Këto të dhëna janë të nevojshme për të kuptuar lidhjet e ngushta kulturore dhe gjuhësore të popujve skandinavë, si dhe ndërthurjet e dukurive, që do të trajtohen më poshtë. Gjuha islandeze vjen nga nordishtja e vjetër, e cila mund të krahasohet kundrejt gjuhëve të tjera skandinave si latinishtja kundrejt gjuhëve të reja romane. Pikërisht islandishtja është më afër gjuhës së vjetër veriore.

2.

Krijimtaria letrare në Islandë i ka fillimet e dëshmuara që në shekullin XII me rrëfimet e quajtura saga, kushtuar fiseve kryesore të vendit. Sagat islandeze nga përmbajtja shkojnë pas deri në shek. IX-X me bëmat heroike të vikingëve, që u ngulën atëkohë në ishull.

Eposi islandez mori formën e vet të veçantë dhe përbëhej prej rimureve. Emri rimur lidhet me termin e njohur të vjershërimit, me rimën. Rimuret ishin ritregime në vargje të sagave ose të përmbajtjes së baladave.

Subjekti i tyre zakonisht ishte romantik ose i trilluar dhe rrallë trajtonte ngjarje a personazhe historike. Studiuesi britanik Sir W. Craigie mbajti në Universitetin e Glasgout më 1949 një ligjëratë për poezinë romantike të Islandës, të cilën e botoi më 1950 Universiteti i Glasgout. Në punimin e tij, të cilin e kemi dhënë për botim në revistën “Studia Albanica”, është shprehur, se mund të përkufizoheshin si poezi romancash.1 Por nga shek. XVII e më pas gama e temave u bë më e gjerë dhe më e larmishme.

Rapsodi, pasi zgjidhte sagën ose një rrëfim tjetër, merrte fillimin dhe e vinte në vargje, zakonisht me metrin e vjetër, që vinte nga baladat. Kur e quante se ky episod i hyrjes mund të qëndronte në vete, e mbyllte këtë pjesë, që përbënte një rimë. Ajo kishte afër 100 vargje, por shkonte edhe deri te 200 vargje. Pas kësaj rapsodi merrte një episod vijues dhe thurte rimurin tjetër, i cili ndërtohej me tjetër metër. Ndryshimi i metrit tregonte se kishte nisur një rimur i ri, por edhe këngëtari e përmendte se po niste një rimë të re. Në këtë mënyrë ndërtohej një cikël me rima, i cili quhet islandisht flokkur. Një cikël përfshinte 10-12 rimure, por nga shek. XVII arritën deri në 30-40 dhe në raste të veçanta edhe më shumë.

Në rimuret e hershme vargjet hyrëse ishin pak, dy ose deri 5-6. Shpesh poeti i drejtohej një vashe të bukur, ose asaj që kërkonte t’i fitonte zemrën. Vargje të tilla përgatitore quheshin mansongur, në kuptimin e këngës së dashurisë. Siç e ka shpjeguar W. Craigie, nga fundi i shek. XVI mansonguret morën tjetër natyrë, u bënë hyrje më vete, një lloj prologu. Këto hollësi të teknikës poetike na ndihmojnë për të rrokur edhe ndërtimin e poemave islandisht për Skënderbeun.

Gjatë pesë shekujsh, rimuret ishin poezia popullore e Islandës, ato thureshin nga njerëz të të gjitha shtresave dhe pjesa më e madhe e popullit “i dëgjonte me interes e kënaqësi, i këndonte, i lexonte e i mësonte përmendsh, u bënte kopje të panumërta.” (W. Craigie) Prandaj ato ishin pjesë e gjallë e kulturës popullore deri në mesin e shek. XIX, madje pjesërisht edhe deri në ditët tona.

Rreth 50 nga sagat e vjetra islandeze kanë gjetur shprehjen në rimure. Por me kohë tematika e tyre u zgjerua edhe me letërsinë e vjetër islandeze e të vendeve të tjera, sidomos me romanet mesjetare, duke e mbajtur të gjallë e në trajtë tërheqëse këtë produkt letrar. Në të njëjtën epokë në vendet e tjera europiane historia, legjendat dhe veprat letrare ishin të kufizuara vetëm për ata që mund t’i mësonin nga librat. Kurse islandezët kështu njihnin mirë emrat dhe bëmat e heronjve të tyre të së shkuarës, por edhe të mbretërve, kalorësve e njerëzve të tjerë të shquar të Veriut. E njëkohësisht ata kështu mësonin për Karlin e Madh dhe kalorësit e tij, për Rolandin dhe Oliverin, për legjendat e vjetra frënge, të cilat madje ishin harruar edhe në vetë Francën. Prandaj W. Craigie arrin në përfundimin: “Në njohjen e një pjese të madhe të letërsisë mesjetare asnjë popull pas vitit 1600 ose madje edhe më parë, nuk mund të krahasohet me islandezët dhe këto njohuri në pjesën më të madhe ata ua detyrojnë rimureve.” Rreth 10 rimure lidheshin me Norvegjinë, kurse jashtë trevës skandinave afër 30 romane e rrëfime të tjera u kanë shërbyer si burim poetëve islandezë.

Në shek. XVII-XVIII u zgjerua rrethi i letërsisë së huaj, që u bë i njohur në Islandë. Në disa raste u ritreguan në rimure edhe legjendat e botës antike e të historisë së lashtë. I përmendur ka qenë Guthmundur Bergthorssoni, i cili ritregoi në 70 rimure një romancë, me titullin Olgeir danski. Në shek. XIX poeti islandez Sigurthur Breithfjord hartoi “Numarimurin”, të mbështetur në përkthimin danisht të romanit “Numa Pompilus” të shkrimtarit frëng J.P. Florian (1755-1794). Këto pranohen si rimuret më të bukura që janë thurur.

Siç e thamë, në shek. XIX mori hov lëvizja kombëtare islandeze për pavarësi. Në këto rrethana edhe poetët e rimureve u interesuan për figurat historike të luftëtarëve të lirisë nga vendet e tjera. Kështu mund të kuptohet sesi në këtë qark interesant të një tipi të veçantë krijimtarie letrare në një vend aq të largët nga Shqipëria (Islanda është 812 kilometra prej brigjeve të Skocisë), gjeti vend edhe figura e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut.

3.

Një përfaqësues i rëndësishëm i kulturës së vendeve skandinave në gjysmën e parë të shek. XVIII ka qenë Ludvig Holbergu (1684-1754), shkrimtar dhe historian. Holbergu kishte lindur në Bergtenj të Norvegjisë, por pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Danimarkë dhe shkruante danisht, e cila atëherë ishte gjuha e shkruar e të dy vendeve. Në formimin e tij ndikuan thellë udhëtimet dhe qëndrimet në mjaft vende të tjera. Më 1704-705 ishte në Amsterdam, studioi letërsinë antike dhe më pas, më 1706-708 u ushqye në Oksford me idetë e nacionalizmit që po ngjallej në Europë. Në Paris jetoi më 1714-715, u njoh me veprat e filozofëve e të moralistëve e sidomos me krijimtarinë e Molierit dhe të autorëve të tjerë satirikë. Letërsia frënge pati ndikim vendimtar për formësimin e shijeve të tij letrare. Kaloi më 1716 në Itali, ku ra në kontakt me artin e kohës e sidomos me komedinë italiane.

Jeta intelektuale në Danimarkë kishte pësuar një rënie në fillimin e shek. XVIII. Me Holbergun mund të thuhet se zë fill një lloj rilindjeje e saj; përvoja e vendeve europiane e bëri atë përfaqësues të një fryme të re, të shpirtit të vëzhgimit, të mendimit e të përsiatjes. Letërsia e tërhoqi sidomos në vitet 1719-725. Botoi poemën satirike “Peder Porsi” më 1719, një roman filozofik latinisht (Udhëtimi i nëndheshëm i Nikolaus Klimiusit), po sidomos shkroi komedi. Këto bien në dy periudha: në këtë të parën ishin 25 komedi, kurse njëzet vjet më pas shkroi edhe 6 të tjera. Njëzet e dy prej këtyre komedive janë përkthyer frëngjisht e botuar më 1955.2 Përkushtimi dramaturgjisë ka një shpjegim nga bota letrare e kohës.

Periudha e teatrit humanist ishte fshirë dhe harruar në mbretërinë daneze. Një grup danezësh e francezësh më 1722 vendosi të hapte një teatër danisht në Kopenhagë. Natyrisht, pjesët e para ishin thjesht përkthime nga Molieri. Por u përftua një konceptim i lirë për teatrin, plot fantazi e hare dhe me humanizëm të thellë. Ishte koha e krijimtarisë letrare edhe për Holbergun, i cili gjithashtu nisi të shkruante duke imituar Molierin. Më pas ai e pasuroi traditën e Molierit. Komedia për të e kishte të nevojshme anën gazmore, mjeshtërinë për ta bërë shikuesin të qeshë, pa u mënjanuar goditja e të metave të shoqërisë dhe e veseve njerëzore. Kur u ngrit Teatri Kombëtar danez më 1747, vepra e Holbergut zuri vendin e repertorit kombëtar tradicional. Prandaj ai mbahet si themeluesi i teatrit danez. Ndërkaq, larmia e tematikës dhe e stilit të pjesëve të tij i ka bërë që të mos e humbasin interesin edhe në kohët tona. Disa prej tyre janë përshtatur edhe për radiotelevizionin.

Drejtimi tjetër i punës së Holbergut ka qenë historia. Ishte për shumë vjet profesor i historisë në Universitetin e Kopenhagës. Që më 1711 kishte hartuar një “Hyrje në historinë e shteteve më të mëdha europiane”, ndërsa më 1732-1735 botoi 3 vëllime të “Historisë së Danimarkës”. Edhe në këtë fushë ai shfaqet si humanist, përkrahës i idesë së abolutizmit të ndriçuar, që vinte nga Iluminizmi.

Më 1739 Holbergu botoi veprën: Adskillige store Heltes og berømmelige Maends, saer orientalske og Indianske, sammenlignede Historie og Bedrifter efter Plutarchi Maade, deelt udi 2 Tomer, Kiøbenhavn (ribotuar më 1763).

4.

Titulli i kësaj vepre të Ludvig Holbergut mund të përkthehet shqip: Historia e krahasuar dhe bëmat e heronjve të ndryshëm të mëdhenj e të njerëzve të famshëm, me prejardhje lindore ose indiane, rrëfyer sipas mënyrës së Plutarkut…, në 2 vëllime, Kopenhagë, botimi i dytë 1763.

Në vëllimin e parë faqet 353-385 përfshijnë kreun kushtuar Skënderbeut, më tej shoqëruar edhe nga një krahasim me heroin çek Jan Zhiska (Johannes de Trocznou, 1360-1424) nga Bavaria. Nuk ka asnjë dyshim, që Holbergu është mbështetur për gjithë të dhënat te vepra e njohur e autorit tonë Marin Barleti

Njoftimin e parë për këtë vepër të L. Holbergut na e ka dhënë dr. Finnbogi Gudhmundson. Ai ka qenë më 1951-56 ligjërues për gjuhën dhe letërsinë islandeze në Universitetin e Uinipegut të provincës Manitoba në Kanada, ndërsa nga viti 1964 drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Rejkiavikut në Islandë. Ndër punimet e F. Gudhmundsonit e vlen të përmendet interesi i tij i gjatë për poetin Stephan G. Stephanson (1873-1927). Stefansoni kishte lindur në Islandë, po familja e tij u shpërngul në SHBA dhe më pas u vendos përfundimisht më 1889 në provincën Alberta të Kanadasë. Për disa studiues Stefansoni ka qenë poeti kryesor i Kanadasë. Dr. Gudhmundsoni ka botuar më 1971 në tre vëllime Letrat e zgjedhura për S. G. Stefansonin, ndërsa më 1982 ka përmbledhur  në një vëllim3 shtatë shkrime kushtuar këtij poeti, të cilat i kishte botuar duke nisur nga viti 1953.

Zanafilla e këtyre njoftimeve për heroin kombëtar shqiptar kanë qenë disa vargje, që u kënduan nga një i ri islandez në vitin 1983 gjatë një manifestimi ndërkombëtar të rinisë pranë Kopenhagës. Ishin pikërisht vargje nga rimuret për Skënderbeun në islandishten e vjetër. Iu drejtuam Bibliotekës Kombëtare të Islandës me pyetjen, nëse kishte të dhëna për Skënderbeun në letërsinë islandeze. Drejtori F. Gudhmundson u përgjigj me gatishmëri dhe na hapi një faqe të re të panjohur deri atëherë në këtë fushë. U ngarkua për të gjurmuar G. M. Helgasson, përgjegjës i Departamentit të dorëshkrimeve, dhe Akademisë së Shkencave iu dërgua lista me rreth 15 dorëshkrime me përkthime në prozë e me poezitë mbi bazën e tyre, si dhe fotokopje. Ato nisin nga viti 1803 dhe vijnë deri në fund të shek. XIX.

Burimi i njohurive për Skënderbeun në Islandë ka qenë pikërisht vepra e L. Holbergut e vitit 1763. Dr. Gudhmundsoni dërgoi një fotokopje të librit të tij danisht për Bibliotekën e Akademisë së Shkencave në Tiranë. Njëkohësisht ai bëri kërkime dhe përgatiti një studim të shkurtër me titullin “Skënderbeu në burimet islandeze”, të cilin gjithashtu e kemi dhënë për botim në revistën “Studia Albanica”4 bashkë me artikullin e W. Craigie. Në gusht të vitit 1985 ai vizitoi vendin tonë.

Sipas studiuesit islandez, kreu për Skënderbeun i librit të Holbergut është përkthyer islandisht nga fundi i shek. XVII ose rreth vitit 1800. Nga dorëshkrimet e përkthimit Akademia jonë e Shkencave mori fotokopjen e një varianti të bërë rreth vitit 1832 nga fermeri Thorstein Gislason në Stokkahladir të Eyjafjörthur të Islandës veriore. Në një krahinë fqinje të Skagafjörthurit është bërë një variant tjetër islandisht, i cili ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Islandës me nr. Lbs. 1305 8vo. Përkthimi është i ndarë në 10 krerë, ndarje e cila nuk ka qenë në origjinalin e Holbergut. Dr. F. Gudhmundsoni ka pasur mirësinë të përkthejë anglisht kreun e parë të dorëshkrimit islandisht, faqet 29-32. Meqë Holbergu e ka veprën danisht, kurse dorëshkrimi i përkthimit është islandisht, e quajmë me vend ta japim për herë të parë shqip këtë pjesë (shih këtu më sipër te artikulli i F. Gudhmundson-it).

Sipas dr. F. Gudhmundsson-it, përkthimi islandisht e ka ndjekur besnikërisht origjinalin danisht, madje ka përdorur disa fjalë karakteristike nën ndikimin e letërsisë së vjetër islandeze.

5.

Përkthimi në variantin e Skagafjörthurit iu dha imzot Hannes Bjarnasonit (1777-1838) për ta kthyer në një rimur. Ai mban titullin: Rimur af Skanderbeg Epirótakappa eptir sjera Hannes Bjarnasson, që shqip do të përkthehej Rimur për Skënderbeun, heroin e epirotëve, shkruar nga imzot Hannes Bjarnasson. Vargjet janë hartuar më 1821-1825, por u botuan më 1861 në Akureyri, qyteti më i madh sot në veri të Islandës.  Autori kishte studiuar për prift, por punonte si fermer dhe jetonte me të njëjtën frymë tradicionale si grigja e vet. Janë rreth 1000 vargje. Për kureshti po japim disa prej tyre në gjuhën origjinale:

Skyran kallar Skanderbeg

                        skjoldungs arfann frida.

                        Alexander Mikli meg

                        Meinast nafnid pyda.

 

                        Italiensku og Tyrkjatal

                        tamdi ser mez grisku.

                        Arabisku her med hjal

                        hann og Illyrisku.

 

                        Skanderbeg med benjatein

                        butadi marga sundur.

                        Hans otregur hjor vid hvein,

                        Hlifar pegar og bein.

 

 Siç e përmendëm, ky lloj eposi ka një hyrje, e cila në këtë rast përbëhet prej 15 strofash. Rrëfimi për Skënderbeun ndahet në 10 rimure, duke ndjekur ndarjen në 10 pjesë të përkthimit në prozë. Po japim të përkthyer shqip në prozë strofat 6 dhe 7 të prologut:

 

  1. Një i panjohur na kërkoi t’i bënim një poemë,

               Siç thotë fjala e urtë, zor është ta kthesh mbrapsht kërkesën e parë.

  1. Ky i panjohur na dërgoi një rrëfim aventurash

               Për një burrë që jetonte në Europën Jugore;

               Vështirë do ta kem në vargje që ta kthej.

 

Në strofat 11-13 gjithnjë të hyrjes poeti tashmë përmend Skënderbeun:

  1. Shumë vargje do të na dalin e ndonëse kam frikë se poezia ime s’do të jetë edhe aq e pëlqyer, dëshirë kam ta them në vargje rrëfimin për Skënderbeun.
  2. Ky burrë ka qenë me emër të madh, popujt e botës i falen atij çdo ditë.
  3. Dhuntia ime poetike është e varfër, kur vjen rasa t’i këndojë një burri të tillë, që në fushë të mejdanit e mbajnë të gjithë për të shkëlqyer.

 

Pas hyrjes, autori vijon me vargjet për bëmat e Skënderbeut. Rimuri nga strofa 16 jep pikërisht ato ngjarje, që i dhamë në prozën e përkthyer më lart, nga Gjon Kastrioti e deri te kthimi i Skënderbeut në Krujë. Dr. Gudhmundsoni ka bërë një krahasim të shpejtë të Rimurit me përkthimin në prozë dhe ka vënë re se Rimuri është pothuaj një të tretën më i gjatë si tekst. Kjo vjen nga veçoritë stilistike të vjershërimit islandisht: poeti përdor shumë sinonime e perifrazime, të cilat praktikisht do të ishte e vështirë të përktheheshin në një gjuhë tjetër. Në vazhdim renditen betejat e Skënderbeut, një rimur këndon rrethimin e Sfetigradit, pastaj vjen rrethimi i Krujës nga sulltan Murati, veçohet dështimi i tij dhe më pas i sulltan Mehmetit, nuk lihet pa përmendur tradhtia e Hamza Kastriotit, si dhe fushata e Skënderbeut në Itali. Përpara se të jepet vdekja e Skënderbeut, nuk është lënë jashtë ndeshja e tij me Ballaban Pashën. Përfytyrimi poetik sigurisht e kërkonte heroin shtatlartë, një kokë më lart se të tjerët, gjithmonë trim e guximtar, por edhe të ditur e fjalëpakë.  Me rëndësi të veçantë është përmendja nga autori në vargun 81 (faqe 71) se “Shumë njerëz të ditur kanë shkruar për të, por më mirë se të gjithë Marin Barleti”. Është e qartë se këto të dhëna gjendeshin në përkthimin në prozë nga libri i Holbergut. Dëshmi të tilla e theksojnë vlerën e një pune krahasuese tekstologjike.

6.

Bibliografia për Skënderbeun e ka kaluar shifrën 1000 dhe përfshin mbi 20 gjuhë. Njoftimet nga Islanda e zgjeruan shtrirjen e saj gjeografike dhe gjuhësore, madje duke ngërthyer njëkohësisht disa vende nordike. Siç e ka kënduar autori islandez, emri i heroit shqiptar ka depërtuar përtej deteve e në të gjithë popujt e botës. Edhe më interesant është fakti, se një pjesë e kësaj trashëgimie bën jetë të gjallë në kujtesën islandeze. Burimet islandeze na del se i përkasin gjithë shek. XIX dhe ndahen në dy grupe: e para, përkthime në prozë; e dyta, poema epike, të mbështetura në përkthimet. Ndonjëra nga poemat edhe është botuar. Zanafilla e tyre duket qartë se është te vepra e L. Holbergut.

Një varg detyrash i mbeten shkencës sonë në këtë drejtim. Në radhë të parë, duhet të sigurojmë të plota për arkivin tonë kopjet e këtyre materialeve, që tashmë e dimë mirë se ku ndodhen. E dyta, mund të bëhen kërkime të mëtejshme për dorëshkrime ose libra të tjerë rreth Skënderbeut në vendet skandinave. E treta, është e nevojshme të gjendet mënyra për përkthimin e lëndës në një gjuhë të sotme, p.sh. anglisht, që pastaj të bëhen të përdorshme për studiuesit tanë dhe të kalohen në gjuhën shqipe. Së fundi, krahasimet me veprën e shquar të Marin Barletit do të na jepnin lëndë për arsyetime të reja rreth trajtimit botëror të figurës së Skënderbeut lidhur me kërkesat historike të secilit vend, si dhe me receptimin që i është bërë veprës së historianit të madh shqiptar.

          

Referimet:

 

  1. William CRAIGIE, The Romantic Poetry of Iceland, Glasgow 1950. Ribotuar në “Studia Albanica”, Tiranë 1985, nr. 1.
  2. Théatre de Holberg, 2 vëllime, Ejnar Munksgard Copenhague et Les Presses de la Cité Paris, 1955.
  3. Finnbogi Gudhmundsson, Stephan G. Stephansson in Retrospect. Seven Essays. Reykjavik, 1982.
  4. Finnbogi Gudhmundsson, Scanderbeg in Icelandic Sources, “Studia Albanica”, Tiranë 1985, nr. 1.

 

“Gjurmime albanologjike. Ser. e shk. fil.” 34-3, 2004-2005. Prishtinë, f. 177-187.   

Please follow and like us: