Albspirit

Media/News/Publishing

Maskara komuniste në Dunicë të Pogradecit, 7 mars 1944

 

Bedri Blloshmi

 

Pas operacionit të dimrit, forcat partizane gjysmë të shpartalluara dhe me moral të rënë, nisën të grumbullohen rishtas, në një përpjekje të mundimshme për t’u riorganizuar.

Në fillim të marsit 1944, disa mbeturina të Brigadës së Parë Sulmuese dhe të Grupit Partizan të qarkut të Korçës, nën komandën e Tuk Jakovës, Misto Treskës e Tele Baçit, arritën në afërsi të katundit Dunicë, në pritje të furnizimeve angleze nga ajri. Prisnin të furnizoheshin me para, municione e veshmbathje që, në fakt, nuk iu kishin munguar për asnjë çast gjatë gjithë periudhës së luftës.

Natën vonë, në mbrëmjen e 7 marsit 1944, një njësi nacionaliste prej 120 vetësh, e drejtuar nga komandanti nacionalist Haki Blloshmi, u strehua në shtëpitë e fshatit Dunicë. Një informator komunist që i kishte vëzhguar, mbërrin me shpejtësi në vendqëndrimin e njësive partizane dhe iu raporton udhëheqësve komunistë për vendbujtjen e Haki Blloshmit dhe luftëtarëve të tij.

Me ngut të madh u dha alarmi dhe u rrethua fshati Dunicë, i cili u fut në një unazë zjarri, pasi partizanët ishin disa herë më të shumtë në numër nga forcat nacionaliste.

Të kapur në befasi, luftëtarët nacionalistë as nuk patën kohë të rezistonin, ndaj qysh në orët e para të agimit të asaj dite të fillimit të marsit mbetën të vrarë Sabri Blloshmi, Isuf Façja, Shaban Leka, Tafil dhe Istref Belba, etj.

Luftëtarëve të tjerë nacionalistë iu bënë thirrje që të dorëzoheshin, pasi do t’i linin të lirë që të shkonin në shtëpitë e tyre. Në pamundësi për të vepruar, duke mos patur asnjë mundësi tjetër, ata u dorëzuan, por menjëherë u lidhën me litarë dhe i dërguan për tek shkëmbi ku luftonte pa u dorëzuar Haki Blloshmi. Menjëherë komunistët vunë në përdorim strategjinë e tyre djallëzore: i bënë thirrje Haki Blloshmit që të dorëzohej menjëherë dhe ata do të lironin ballistët të shkonin në punë të tyre, përndryshe 60 burrat e lidhur do të ekzekutoheshin sakaq.

Komandanti nacionalist, edhe pse e dinte se partizanët nuk do ta mbanin fjalën, nuk mund të lejonte që të vriteshin 60 burra, ndaj u dorëzua. Menjëherë partizanët masakruan 7 shokët e tij: Refat Belba, Shefqet dhe Bajram Blloshmi, Sadik dhe Bajram Trebinja, Adem Kapri dhe Dervish Çela. Pas këtyre ekzekutimeve, burrat e lidhur i vunë në rresht dhe i ekzekutuan, duke i hedhur në një gropë të madhe, të hapur nga partizanët. Kështu Dunica e largët, në prehër të maleve të Pogradecit, u kthye në një simbol pabesie dhe masakre të përgjakur.

Kush ishte Haki Hajdar Blloshmi?

 

Lindi më janar 1904 në fshatin Bërzeshtë. Ishte djali i dytë i Hajdarit. Arsimin e tij e filloi në Korçë në vitet e Luftës I Botërore. Ishte i martuar, por pa patur fëmijë. Aty vazhdoi një vit liceun kombëtar të Korçës. Në vitin 1918 migroi në SHBA ku vazhdoi një vit liceun anglez të Bostonit dhe dy vite gjimazin Lane të Chicagos.

Në prill të vitit 1922 punësohet si sekretar i konsullatës shqiptare të Nju Yorkut ku titullar ishte Konstadin Çekrezi. Më pas më 1923 me Abdyl Sulën duke vijuar me Konstandin Tashkon në vitet 1923-1925 mbas pushimit nga puna të Konstandin Tashkos në shkurt të vitit 1925 e deri në caktimin e konsullit të ri George Priftit në konsullatën e re në Boston.

Hakiu ka kryer funksionin e gjerantit të konsullatës. Ai qëndroi në atë detyrë deri në fund të prillit të vitit 1929 ku u pushua për motive politike dhe u zëvendësua nga sekretari i ri Hito Sadiku. Ndërkohë kishte vijuar 3 vite universitetin e Bostonit për filozofi e letërsi. Mbas vdekjes së vëllait papritur, nën Kolonel Selahudini me kërkesën e familjes kthehet në atdhe.

Haiku punësohet si kuadër i Ministrisë së Punëve të Brendshme si kryetar komune. Fillimisht shërben si kryetar i komunës në Librazhd. Në 30 shtator të vitit 1939 emërohet si kryetar i komunës në Belsh dhe më vonë në komunën e Gracenit. Më krijimin e partisë së Ballit Kombëtar Hakiu bëhet udhëheqësi i Librazhdit dhe Quksit. Së bashku më Nezir Muzhaqi ai merr pjesë në mbledhjen e Mukjes dhe Tapizës. Në mars të vitit 1944 zhvillohen luftime midis reparteve partizane dhe çetave balliste. Kështu më 7 mars 1944 në fshatin Dunicë të rrethit të Pogradecit, në luftimin e ashpër midis batalionit të IV të brigadës së I S, kapen disa luftëtarë të Hakiut. Më pas i bëjnë thirrje atij të dorëzohet për të falur forcat që kishte. Premtimi qe tipik komunist dhe nuk u mbajt. Mbas kapjes u pushkatuan 26 vetë ku 5 ishin të familjes Blloshmi.

Nga familja Blloshmi u ekzekutuan:

 

  1. Haki Hajdar Blloshmi
  2. Shefqet Hajdar Blloshmi
  3. Bajram Blloshmi
  4. Skënder Blloshmi
  5. Sabri Blloshmi

Në Tiranë vazhdonte terrori komunist. Në vitin 1944 zhduket pa gjurmë oficeri Shahin Bajram Blloshmi, ndërsa komandanti i çetës nacionaliste Nezir Muzhaqi arrestohet dhe varet në litar në Elbasan, më 4 gusht 1945.

Nezir Muzhaqi

 

 

Please follow and like us: