Albspirit

Media/News/Publishing

Astrit Gjunkshi: Mjerim intelektual, pabesi apo të dyja bashkë për refugjatët?

 

As më pak e as më shumë, në një intervistë të dhënë dje, njëri nga zëvendësministrat e brendshëm u shpreh se “Shqipëria i ka kapacitetet për të akomoduar 600 mijë refugjatë. E kemi demonstruar këtë edhe në rastin e krizës së Kosovës, kur mundëm të akomodojmë një sasi të tillë”!!!

Nuk e di nëse ky zyrtar i lartë i një prej dikastereve më të rëndësishëm për sigurinë e vendit e ka një mendim të tillë të vetin, apo i është servirur për të testuar publikun. Në këtë rast të fundit, eprorët qeveritarë të këtij zyrtari do të ishin tinzarë, sepse po e mohojnë vazhdimisht ngritjen në vendin tonë të një kampi për refugjatët që vijnë vazhdimisht drejt Europës nga Lindja e Mesme e më tej. Uroj që ta ketë vetëm nga vetja këtë pikëpamje, por dyshoj shumë.

Cilido që të jetë autori real që mendon se Shqipëria ka kapacitete kaq të mëdha për akomodimin e një sasie të tillë refugjatësh tregon mjerimin e tij intelektual. Dhe, përveç kësaj, tregojnë se mund të jemi në procesin kur po gatuhet diçka që do të realizohet në një të ardhme jo të largët. Një gjë e tillë do të ishte katastrofale për vendin tonë, për një sërë arsyesh.

Së pari, edhe sikur të marrim variantin më optimist sikur kjo ide nuk do të realizohet dhe është vetëm opinion personal i një zëvendësministri, është katastrofale të mendosh se institucionet tona kanë në krye njerëz me formim të tillë intelektual. Nëse në krizën e Kosovës në vitin 1999 Shqipëria priti e strehoi 600 mijë, kjo u realizua sepse mijëra familje hapën dyert për vëllezërit e tyre kosovarë si dhe u vunë në dispozicion pallate sporti, shkolla dhe institucione të tjera publike. Një bujari e tillë nuk mund të ofrohet për askënd tjetë, nga çdo vend i planetit !

Së dyti, supozojmë se, në këmbim të strehimit të refugjatëve, Bashkimi Europian do të ofrojë për vendin tonë fonde të konsiderueshme si dhe do të tolerojë për ne miratimin e hapjes së negociatave. Edhe në këtë rast pasojat nuk do të ishin më pak katastrofale. Në rradhë të parë sepse paraja vërtet mund të rrisë kapacitetet e strehimit të refugjatëve, por problemet që krijohen për sigurinë nuk zgjidhen vetëm me para! Ndërsa tolerimi duke na dhënë ftesën për negociata me BE-në do t’i hidhte një mbulesë falso problemeve që kemi me forcimin e demokracisë e të sigurisë, përveçse do t’i rëndonte ato më tej.

Së treti, prania e kaq shumë refugjaëve në një vend me rreth dy million banorë prish ekuilibrin demografik të vendit, pavarësisht se refugjatët do të jetojnë kryesisht në zona të veçuara. Është njëlloj si katastrofa që mund të pësonte Toka po të goditej nga Hëna në ndonjë moment. Do të prisheshin ekuilibret sociale dhe ekonomike, pavarësisht nga ndonjë përfitim i bizneseve të vogla.

Së katërti, disa ndikime të drejtpërdrejta për sigurinë e vendit do të fillonin me kërcënimin për sigurinë shëndetësore, për shkak të diversitetit dhe mutacioneve të sëmundjeve që do të sjellin popullsi që vijnë nga rajone problematike të globit. Kërcënimet për rendin do të ishin një aspekt tjetër, veçanërisht po të kujtojmë që, një pjesë e kontigjenteve, mund të jenë pjesë e krimit, përfshirë kontigjente të ekstremistëve isistë.

Së pesti, element të krimit të organizuar ndërkombëtar do të përfitonin për të penetruar në këto kontigjente si dhe do të synonin integrimin e tyre me krimin e organizuar e të fuqishëm shqiptar. Kjo do të forconte krimin e organizuar brenda vendit i cili do të rriste kapacitetet për ta eksportuar atë në mënyrë të konsiderueshme në Europë. Paradoksalisht, Europa do të merrte në një formë të përpunuar krimin ndërkombëtar, të pasuruar me përvojën shqiptare.

Së gjashti, do të ngadalësoheshin proceset demokratike dhe reformat në vendin tonë, për shkak të faktorëve të mësipërm, por edhe për shkak të një ftese që mund të jepej pa meritë për hapjen e negociatave me BE-në. Një ftesë e tillë, por pa kontigjentet e refugjatëve, do të ishte mirë të na jepej për të na dhënë një shpresë dhe për të avancuar reformat. Ndërsa një ftesë që përfshin kushtin e pranimit të refugjatëve do të sillte një Shqipëri më problematike për popullin tonë dhe për vetë Europën.

Së fundi, po të bëjmë një paralelizëm me pranimin që mund t’u bënim në tokën tonë armëve kimike amerikane dikur, pranimi I refugjatëve në përmasa të tilla e le shumë herë pas kërcënimin që mund të paraqisnin armët kimike për sigurinë. Në çdo rrethanë, armët kimike do të përbënim potencialisht një kërcënim lokal, ndërsa prania e refugjatve përbën një kërcënim të madh për gjithë sigurinë kombëtare, rajonale e më gjërë.

E përsëris dhe uroj që deklarata e zëvendësministrit të brendshëm të jetë një lapsus që buron nga mungesa e formimit të tij për vlerësimin e plotë të kësaj çështjeje. Por, nëse ai është përdorur nga të tjerë për të testuar publikun për diçka që do të synohet të realizohet patjetër nisur nga interesa politike e personale, duhet patur parasysh se nuk do të ishte e lehtë për t’u gëlltitur nga publiku.

Autori eshte Doktor i Shkencave për Sigurinë Globale

Please follow and like us: