Albspirit

Media/News/Publishing

Viron Kona: Të lutem, shkresën!

 

“Njeriu ka lindur i lirë, dhe ai është kudo në zinxhirë”.

Zhan Zhak Ruso

 

Shkresa-shkresa, gjithandej,

si ortekë vërshojnë e zbresin,

s’na ndahen këmba-këmbës,

që kur lindim gjersa vdesim.

 

Venë e vinë e  rreth e qark,

mendjen na e bien vërdallë:

Zotëri, pa një shkresë tjetër,

nuk e zgjidh dot këtë hall!

 

Shkresë këtu e shkresë atje,

tre kjo zyrë, katër tek tjetra,

herë të reja e herë të vjetra,

si n’lojën me kungulleshka.

 

Dhe për një sqarim të thjeshtë,

na thonë:  shkruajini qeverisë,

më pas vjen përgjigjja-shkresë,

nga bukuria është për kornizë!

 

Bëjmë përpjekje t’i frenojmë,

por  mundimi na shkon kot,

ndodh si te legjenda e vjetër,

e përbindëshit me nënë kokë. 1)

 

Edhe në shpëtojmë nga njëra,

n’vend të saj, dy të reja dalin,

na shastisin, na turbullojnë,

“s’i gjenden këmbët gjarprit”.

 

Sëndukë t’vjetër dhe dollapë,

janë plot përplot me shkresa,

më tej i ruajmë e i arkivojmë,

nëpër dosje shtresa-shtresa.

 

Bëjmë me to edhe albume,

ia tregojmë miqve që vijnë,

“ja një shkresë e diktaturës”,

“dhe kjo tjetra e mbretërisë”…

 

Brezat tanë lidhur me shkresat,

stërgjyshi, gjyshi, babai dhe biri,

jemi shkrirë në një trup t`vetëm,

hallka të forta të një zinxhiri…

                     

 

———————–

1). Hidra: Sipas mitologjisë, Hidra ishte një përbindësh me trup gjarpri dhe me nëntë koka dragonjsh. Herakliu (Herkuli) shkoi për ta vrarë përbindëshin, por sa herë që ai i priste njërën kokë, në vend të saj dilnin dy koka të tjera…

Please follow and like us: