Albspirit

Media/News/Publishing

Agim Hila: Vargje për ditëlindjen time

Alarm i luftës si thumb grere
Na cukste nëpër rremba;
Diku, në zulm t`asaj beteje
Ne rrinim si mbi gjemba.

Mbi krye retë kullonin-shpellë,
Ne lufta na kërkonte;
Jot ëmë veç me një fanellë
Në fyt dhimbjen shtrëngonte.

Nuk kishim neve asnjë kusht,
Jorganë e ç`duhej tjetër,
Ndaj të pështollëm sa një grusht
Në një kapotë të vjetër.

Atje, në luftë ta ndiem zënë,
Në prita e gjëmime;
Jot ëmë kish dy ditë pa ngrënë,
Pa ngrënë një thërrime.
Ç`të bënim, bir, në fshat s`na lanë
Armiqtë si lugetër
Dhe i qëlluam (se na nganë)
Me maliherë të vjetër.

Ç`të bënim ne me një barrë halle
Nga kohë e zezë si murg
Dhe morëm udhët nëpër male
Me lotë hakmarrje-çurg.

Kështu u derdhëm ne pa zë
Pas ç`do furtune, llohe,
Se hallet, bir, një mijë e një
Na mplaknin para kohe.

Ç`të bënim ne dhe maliherët
Mbërthyem fort në faqet;
U ngritëm një mëngjes që herët
E shkretë i lamë konaqet…

Dhe linde ti, biro, vërtetë
Në llohë e kjamete
E sytë t`u poqën me rrufetë
Ende pa ardhë në vete

Kështu të pritëm ty atëherë
Në male, pa konditë
E shtatin tënd në rryma ere
Ta matëm me stuhitë.

Dhe të uruam që pa gdhirë
Tek thyenim stuhinë:
Të bëhesh, bir, njeri i mirë,
Fisnik për Shqipërinë!

Please follow and like us: