Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: Teatri transparent

 

Sigurisht zëri im ndoshta nuk duhet fare, pasi ka shumë zëra bindës, mjeshtërorë aktorësh, apo arkitektë, politikanë të bindur në Rilindjen nëpërmjet artit, dhe artistë të rilindur politikanë, të paktën mendurisht, apo materialisht. Arsyet mbledhur, ashtu si të qëmtuara me kujdes, mundohen të shtynë nga ana e asaj që mbrojnë, ashtu si në vetëvete kjo dukuri përfaqëson gjendjen e një shoqërie që ka kohë që gënjen veten se po del nga tranzicioni, siç bëri sikur, dikur nga komunizmi. Në mes të rrugës thërrasim me gojë hapur, pa zë, ose më keq në atë tabllo ku s’ka të tjerë, të na shohin ata që rrinë përballë, vetëm apo në grup, të na përqeshin se nuk dëgjohet me sy. Po ja që dëgjohet!

Problemi nuk është estetik, as i zhvillimi arkitektonik dhe as historik! Se po të ishin këto, çdo qeverisje, do të kish menduar të ndërtonte një, por ja që priti t’a bëjë më vonë, ta shtyjë të harrojë. Siç thotë Velo, unë në një farë mënyre, si gjithë a shumë të tjerë, u rrita në atë theatër, që kur isha sa kuptoja e mbaja mend, që duke më ngritur nga sqetullat, Kujtim Spahivogli, më rrotullonte të fluturoja, aq sa atë vetë, ndjesë pastë, ashtu e mban mend, si Teatrin, nga fluturimi. Mbaj dhe pishinën e tharrë në mes dhe kuintat e errëta me erë tutkalli. Eh! Këto kujtime kanë vlerë kuptimesh, jo vlerë publike, aq më pak arsye. Malli nuk është arsye!

Esthetikisht, nuk shkon me kompleksin e sheshit ‘Skënderbe’ apo qendrës, por çfarë shkon aty veç një përzierje e përçudnuar kohërash e vulash mbi atë të shkretë bulevard, që ne, ata të atyre viteve ku u bë për herë të parë teatër, e pranojmë siç pranojmë të qenë, një dramë a komedi. Ishte. Është! Sa për histori, le të jetë, siç mund të ishte stadiumi i Qemalit, që na u prish, për arsye të gjetura zhvillimi, shoqëri e re me banorë të rinj, kohë Rilindje dhe një kullë mbi atë si vrimë gjysmë të hapur ovale. Për këtë nuk do të ndalem, në arkitekturën, ndërthurrjen me godinat përreth, dhe as me pronën. Por në atë që e shoh si në një ditë të kthjellët në qiellin e kristaltë të Tiranës! Jo, jo, mos kujtoni për ndonjë tjetër, për ç’mban pakëz erë diktature apo një skenë komiko-tragjike, luajtur më godinat qysh nga lashtësia, se çuditërisht ishin tiranët ata që ngrinin më shumë vepra publike, nga më madhështoret, krahasuar me demokratët, (këtu s’do flas për PD, tek ne gjërat nuk ndryshojnë lehtë), si për të treguar se sa shumë kujdeseshin për subjektet e tyre, duke ndërtuar tempuj, shtatore apo amfiteatro si stadiumi ynë, për të festuar e dëfryer së bashku, si dhe t’i thurrnin ditirambe mbretit, kur asnjeri prej tyre fuqiplotë, në asnjë vend, s’ngriti një kullë hemafrodite.

Pikërisht mbi atë kullë, si gjigandi i Rodit, kushtuar Zotit diell, në përkujtim të fitores mbi ilirin me një sy, Monophthalmos, që i hypi në kokë ta pushtonte, besoj se qëndron e vërteta e frikëshme. Vlera e hapsirës mbi të! Çmimi marramendës i hapësirës mbi shpinë të teatrit, nga ku mund të merren, thela, e çfarë thelash të majme, “prime realestate”, pronësi e dorës së parë. Vlera është vlerë dhe kur nuk duket, dhe përpara syve si një kolos, që dhe kur u rrëzua, kokën e bronztë ia prenë për ta dërguar në Romë si të çmuar përtej çdo vlere. Nuk u mjaftuan së zhvaturi çdo tokë publike a private me leje e pa leje, por duan me grykësi ende me. Aty është hilja dhe ndyrësia. Ajo tokë është e popullit, aq sa perandorët nuk guxuan ta marrin, siç bën për xhaminë e E’them Beut apo Kullën e Sahatit. Iu dhimset teatri dhe aktorët? Atëhere, lereni të jetë i tij, ndërtoni Teatrin Kombëtar, asgjë tjetër, mbi shpinë të tij. Theatri është i yni, por kjo nuk do të thotë që s’ka zot, as se është vetëm i atyre që dhanë një jetë për të.

Nuk mund të them se jam Robert Ndrenika, siç nuk, Kadri Rosh a Margarita Xhepa, por të gjithë jemi një, dhe me një zë iu themi:

“Mjaftë më!”

“Mjaft vodhët në emër të popullit”

NDËRTONI THEATRIN KOMBËTAR ATY KU ËSHTË, NË MOS LËRENI SIÇ ËSHTË,

pa kulla dhe gënjeshtra”!

Please follow and like us: