Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Përtej fitores së shqiptarëve në Zvicër

 

 

 

Kur sheh gjithë dalldinë e shqiptarëve pas fitores së mbrëmshme të Zvicrës ndaj Serbisë, e kupton një fenomen shoqëror, për mua shumë domethënës: shqiptarët duan t’i shkëputin prangat e inferioritetit dhe nuk duan të ndihen e as të trajtohen të tillë në mesin e kombeve tjera. Përkundrazi, ata duan të lartësohen, ata duan të emancipohen, pra, ata duan dinjitet. Dhe për mua, ndër të tjera, ky ishte mesazhi i mbrëmshëm.

Dje u duk sikur ata, përnjëherë i këputën zinxhirët e inferioritetit. Pikërisht në këtë sens, unë e kam lexuar gjithë dalldinë shqiptare, debatet e shumta që u zhvilluan si rrjedhojë e kësaj ndeshje futbolli, dhe, gjithë atë mori statusesh me sens e pa pasens në rrjetet sociale.

Të jem i sinqertë, edhe unë mbrëmë u dalldisa, ndonëse nuk jam tifoz i kombëtares së Zvicrës.

Por, pyetja e parë që shtrohet pas gjithë këtij debati të furishëm 24 orësh, është: a e kanë gjetë shqiptarët rrugën e duhur të emancipimit?

Unë them që jo.

Pa dyshim, dy golat e mbrëmshëm të dy shqiptarëve ndaj Serbisë, ishin një heshtë e fortë në zemrën e nacionalizmit primitiv serb; atij nacionalizmi që i detyroi djemtë e Kosovës të emigrojnë dhe të luajnë për flamurin e Zvicrës.

Shqiptarët duhet t’i heqin zinxhirët e inferioritetit, por për këtë, duhet të bëjnë vepra të mëdha artistike dhe sportive, në trojet e tyre, nën flamurin e tyre dhe në gjuhën e tyre. Vetëm në këtë mënyrë, arrijmë të hyjmë me dinjitet në mesin e kombeve të emancipuara.

Dhe, që ta bëjmë këtë hap, duhet të heqim dorë prej batakçinjve të shumtë që na përfaqësojnë, dhe, natyrisht, siç do të na këshillonte shkrimtari i madh, Jorge Luis Borges, duhet të heqim dorë dhe të shërohemi njëherë e mirë nga kultura e tifozërisë, epidemi kjo shkatërruese që manifestohet në sferën politike, religjioze, kulturore…

Dy djemtë e kombëtares së Zvicrës, Xhaka dhe Shaqiri, por edhe të tjerët, dje dhanë mesazhe politike dhe patriotike dhe për këtë duhet t’i vlerësojmë. Mirëpo, ne duhet edhe të jemi të sinqertë me vetveten dhe të tjerët, dhe të themi se, ata, ndonëse bënë gjeste të mira kombëtare, duke bërë shqiponjën në Rusi, nuk mund të themi se përfaqësojnë kombin shqiptar. Ata përfaqësojnë Zvicrën, vendin që i ka rritë, i ka edukuar dhe u ka dhënë mundësi të jenë këta që janë: të rëndësishëm në fushën e lojës së futbollit.

Please follow and like us: