Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Mbi shqiponjën, bashkimin ndërshqiptar dhe urrejtjen

Shqiponjën, kur ta mbajmë në zemër, atëherë nuk ka sesi të ecim të trullosur dhe të habitur drejt të nesërmes.
As kundërshtarët dhe armiqtë tanë nuk kanë çka na bëjnë.
Prandaj, nuk duhet të frikësohemi kur të tjerët nuk na duan atë. Duhet të frikësohemi dhe shqetësohemi kur vetë nuk e duam atë

Në të vërtetë, ne shqiponjën e përbuzim, sa herë që flasim me admirim për ata që me shekuj e ndaluan atë. 
Atë e përbuzim kur glorifikojmë vlerat e huaja dhe përbuzim ato çfarë simbolizon ajo.
Për më tepër, shqiponjën duhet ta kemi vetëdije kulturore dhe politike dhe jo instrument për shtirje patriotike.
Dhe, nëse duam ta themi të vërtetën, atëherë historia jonë tregon se, në punët e atdhetarisë, jemi të vonshëm. Pikërisht për këtë arsye, pas 1912, kur e kemi fituar pavarësinë kombëtare, kemi pasë turma të shumta, që luftonin ta zhbënin shqiponjën, këtë flamur me sorrë, dhe ta kthenin flamurin e pushtuesve.
Një gjë të tillë e bëjnë sot krejt ata mohues të historisë dhe kulturës kombëtare. Të tillët nuk janë të paktë.

Para një kohe pata shkruar: “Flamurin dhe dashninë për të, duhet ta kemi vetëdije të përditshme. Ndërkaq, dashnia për atë çfarë përfaqëson flamuri, duhet të manifestohet me veprime të mençura dhe me qëllime fisnike dhe jo me afishe e parulla patriotike, të qullta dhe të rreme…”.
Përgjatë historisë sonë, ne kemi pasë shumë tregtar flamujsh. Të tillë kemi edhe sot.
Ernest Koliqi, një shkrimtar i iluminuar, ka shkruar një tregim tejet domethënës, lidhur me fenomenin e tregtarëve me flamuj.
Ky fenomen, shoqërinë shqiptare të kudondodhur, e shoqëron edhe sot.

Shoqëria jonë, vite me radhë ka ngritur gjithfarë monumentesh, për heronj dhe kundërheronj, ka lartësuar gjithfarë flamujsh, por s’ka arritur ta ndërtojë monumentin e bashkimit të gjithë shqiptarëve rreth një ideje: as për të kaluarën, as për të tashmen dhe as për të ardhmen.
Kjo është njëra nga plagët e mëdha të shqiptarëve dhe njëra nga arsyet, pse shoqëria jonë prodhon kaq shumë heronj e kundërheronj, që lehtësisht ndërrojnë flamujt.

Njerëz, dashnia për vendin, është dashnia për njerëz, për traditën dhe vlerat tipologjizuese dhe jo aftësia për të ngritur flamurin e urrejtjës lart e më lart.

Please follow and like us: