Albspirit

Media/News/Publishing

Kastriot Islami: Rama mashtron, negociatat s’janë hapur…

Në Luksemburg është zhvilluar mbledhja e Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE ku është marrë në shqyrtim propozimi i Komisionit Europian për hapjen e menjëhershme dhe pa kushte të Shqipërisë e Maqedonisë me BE.

Të gjithë vendet anëtare të BE kanë refuzuar propozimin e KE duke mos e miratuar atë. Franca, Holanda dhe Danimarka kanë refuzuar qartas e prerazi hapjen e negociatave. 25 vendet e tjera të BE kanë marrë një vendim me një formulim ‘hibrid’ që në thelb është i njëjtë me qëndrimin e Francës, Holandës dhe të Danimarkës.

VENDIMI i MINISTRAVE TË JASHTËM

Ministrat e jashtëm të BE kanë vendosur me shumicë votash:

  • Negociata me Shqipërinë për anëtarësim në BE nuk do të hapen… siç parashikonte raporti i KE
  • Dera e BE mbetet e hapur, por …
  • Për të filluar eventualisht negociatat ka kushte të reja shtesë dhe s’ka një datë të përcaktuar
  • Është përcaktuar vetëm data e diskutimit të kësaj çeshtje për në dhjetor 2019…
  • Ngarkohet Komisioni Europian të ndjekë dhe të vlerësojë realizimin e parakushteve…

13 KUSHTET (TË VJETRA E TË REJA) E VENDOSURA

Duke vlerësuar progresin e pamjaftueshëm për 5 kushtet e vendosura në momentin e përcaktimit të statusit të vendit kandidat, për Shqipërinë janë vendosur kushte e mëposhtme, ku përfshihen detyrime të vjetra të paplotësuara dhe detyrime të reja:

  • Korrupsioni: Rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet
  • Krimi i organizuar: Lufta kundër krimit të organizuar…
  • Kultivimi i kanabisit dhe trafikimi i drogave: Rezultate të prekshme në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të drogave
  • Reforma në drejtësi:

Përparimin e mëtejshëm të procesit të vetingut të gjykatësve dhe prokurorëve

Përmbyllje e dosjeve prioritare

Përfundimi i ngritjes së strukturave të pavarura të drejtësisë në përputhje me kushtetutën

Përfundimi i ngritjes së SPAK

Përfundimi i ngritjes së BKH

Përfundimi i ngritjes së Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së lartë

Fuqizimi i hetimeve aktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duke përfshirë nivelet e larta

  • Sundimi i ligjit: Rezultate konkrete në veçanti në vendosjen e shtetit ligjor
  • Zgjedhjet dhe Reforma zgjedhore: Zbatimi i rekomandimeve të OSBE-ODHIR për zgjedhjet
  • Emigrimi i qytetarëve shqiptarë: Reduktimi i numrit te azilkërkuesve në vendet e BE.

MEKANIZMI I MONITORIMIT DHE VLERËSIMIT

Ashtu si edhe më parë, përsëri institucioni që do të ndjekë realizimin e detyrave/kushteve të vendosura dhe do të vlerësojë/raportojë për progresin e bërë do të jetë Komisioni Europian. Konkretisht:

  • Komisioni Europian i ri i ngritur pas zgjedhjeve të Parlamentit Europian, në qershor 2019, dhe pas konstituimit të Parlamentit të ri Europian do të shqyrtojë dosjen e Shqipërisë…
  • Komisioni Europian do të ndjekë realizimin e detyrave/kushteve të vendosura…
  • Komisioni Europian vitin e ardhshëm pas zgjedhjeve të Parlamentit Europian të qershorit 2019 do të hartojë raportin e vlerësimit të progresit të bërë nga Shqipëria për realizimin e detyrave të vendosura, pra raporti pritet të përgatitet pas 12 muajsh…
  • Këshilli Europian, njëlloj si edhe këtë radhë, do të marrë në shqyrtim përfundimet dhe propozimet e Komisionit Europian lidhur me progresin e bërë nga Shqipëria në funksion të një propozimi të KE për hapjen e negociatave, por asnjëherë jo më shpejt se dhjetori i vitit 2019, pra pas 18 muajsh. Kjo nuk do të thotë se negociatat do të hapen automatikisht në dhjetor të vitit 2019, por që mbjedhja për të disktuar hapjen ose jo të negociatave do të bëhet vetëm pas 18 muajsh.
  • Parlamentet e vendeve anëtare do të marrin vendimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë, vendim që është detyrues për qeveritë e tyre; ky është një kusht shtesë i theksuar nga Holanda që do ta vështirësonte shumë vendimmarrjen e Këshillit Europian të kryetarëve të shteteve të BE.

PËRFUNDIMI

Nga kjo analiza mund të dalin disa përfundime:

Vlerësimi dhe Propozimi i Komisionit Europian për hapjen e menjëhershme dhe pa kushte të negociatave për anëtarësim e Shqipërisë në BE është hedhur poshtë, ndonëse kjo nuk është thënë në trajtë eksplicite…

Shqipërisë vend kandidat i BE i mbetet e hapur porta e anëtarësimit në BE por këtë radhë negociatat s’do të hapen; diskutimet për këtë çështje shtyhen pas zgjedhjes së Parlamentit Europian në qershor të vitit 2019…

28 vendet e BE kanë marrë vendimin unanim për mos-hapjen e negociatave, ndërkohë që Franca, Holanda dhe Danimarka kanë kërkuar që ky vendim të formulohet me një gjuhë të qartë dhe të prerë, të 25 vendet e tjera kanë gjetur një formulim ‘të kamufluar’, që shpreh të njëjtin thelb…

Shqipërisë i janë shtuar kushtet/detyrat e shtëpisë për shkak të lidhjeve të qeverisë me korrupsionin, krimin dhe trafiqet, për mos vendosjen e shtetit ligjor, për përfundimin e reformës në drejtësi, për ndëshkimin e zyrtarëve të lartë të korruptuar, për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe gjetjen e zgjidhjes për uljen e numrit të azilkërkuesve shqiptarë…

Komisioni i ri Europian do të ndjekë realizimin e detyrave dhe do të hartojë raportin e vlerësimit të progresit…jo më parë se në qershor të vitit 2019…

Thënë shkurt e qartë: Mbledhja për shqyrtimin e mundësisë se hapjes ose jo të negociatave shtyhet për pas 18 muajve, me kushte shtesë që duhet të realizohen dhe pa premtuar asnjë datë të përcaktuar për hapjen e tyre.

Pra shohim e bëjmë, gjithçka varet nga progresi që do të bëhet nga Shqipëria… por edhe nga ndikimi që reputacioni negativ i Shqipërisë do të ketë mbi rezultatin dhe peizazhin e Parlamentit të ri Europian…

GJITHÇKA TJETËR E THËNË NGA PËRFAQSUESIT E QEVERISË DHE MEDIA E SAJ KLIENTELISTE ËSHTË MASHTRIM I OPINIONIT PUBLIK PËR INTERESA TË MBAJTJES SË PUSHTETIT… RAMËN E ZHYTUR NË GROPËN E ZEZË TË KORRUPSIONIT, KRIMIT DHE KORRUPSIONIT NUK ARRITËN TA SHPËTONIN AS ZYRTARËT E KOMPROMENTUAR TË BRUKSELIT.

*Autori është ish-Ministër i Jashtëm i Shqipërisë në periudhën 2003-2005.

Please follow and like us: