Albspirit

Media/News/Publishing

Po të ishin çelur negociatat, Tirana do ishte sot e gjitha e kuqe

 

Ilir Levonja/DIELLI

 

  1. Deri dje në mëngjes, ishim të gjithë në një ankth, e enjtja e fundit e qershorit, çelja e negociatave. Orët dukeshin të rënda. Ndërsa në bodrumet e qeverisë kushedi se sa arka fishekëzjarrësh flinin në pritje. Kushedi sa kontrata të bardha, të pa nënshkruara, për grupe rroku a polifonie për të mbushur sheshin qendror të kryeqytetit. Batare timpanesh e daullesh etj. Negociatat, një term që na hëngri shpirtin. Midis, vendet e rajonit…, Maqedonia e toleroi Greqinë në lidhje me emrin. Ndërsa Mali Zi zuri nga ca teka si Hungaria, ca tonelata telash me gjemba në kufi me Shqipërinë. Serbia delikate nga ca simbole sportistësh, ka kohë që bën deklarata me më jep të të jap. Ndërsa Shqipëria jonë priste me zell për shkak se gjykonte që kish bërë saktë detyrat e shtëpisë dhe si shpërblim duhej të ndodhte dhe çelja e negociatave. Një pritje që ishte kthyer gati në bast për një kryeministër, i cili si opozitar thoshte të fala Sandrit, si qeveritar, shihemi të enjten e fundit të qershorit 2018. Ndaj të gjithë prisnim, do çelen apo nuk do çelen këtë të enjte negociatat?
  2. Mirëpo ashtu e ftohtë siç edhe është Europa, e enjtja mbeti një datë e thjeshtë kalendarike, sepse ca ditë para saj komisionerët rakorduan në shtyrjen për një vit të çeljes së negociatave. Që nga ky moment, pyetjes së një njeriu të thjesht se u çelën apo jo negociatat u ka hyrë në mes tjerrja e e debatiti mbi caktimin e një date tjetër, për ca është sukses se u caktua një datë, për ca jo… e kështu me radhë. Shkurt pyetja se u çelën apo jo negociatat ka kaluar në dorën e dytë. Një gjë është e qartë, që Shqipërisë, se për vendet e rajonit përjashto Kosovën dhe Maqedoninë nuk po na ha meraku, i duhet të presi dhe një vit. Ndryshe sheshi i Tiranës do kishte djegur të gjithë magazinat e tregtarëve të lojrave me zjarrin.
  3. Ka shumë njerëz që mendojnë se opozita e dëmtoi çeljen e negociatave. Në fakt opozita e ndihmoi si çështje. Brenda është përvoja sado që e injorojmë. Dhe më mirë se opozitarët askush nuk e di se çështja e anëtarësimit në Europë, është punë e gjatë ku me siguri një a dy mandate qeverisje nuk janë mjaftueshëm. Ka filluar që me Ermelinda Meksin në qeverinë e Fatos Nanos. E sidomos për vendin tonë, një vend me klimë politike tepër të tensionuar, rruga është e gjitha tatëpjetë. Këtë e ka kuptuar tashmë dhe rilindja. Por akoma jo, militantët. Kurse qytetarët në masë presin prej kohësh një klimë bashkëpunimi më të çtensionuar. Opozita e ka ndihmuar pavarësisht firove të saj. Dhe firoja më e madhe, gropa më e madhe është ajo që qytetarët nuk shohin si alternativë ta zëm Nard Ndokën a klanin e Zemunit. Sikur opozita të ishte pa këta emra të ricikluar, por me plot syresh që rrinë stepur, të panjollosur, Rama nuk do kishte falënderuar publikisht Sali Berishën nga salla e kuvendit për fitoren gati plebishitare të zgjedhjeve të fundit. Megjithatë një opozitë me nënshtresa, rryma, kollarexhinj të zgjidhur plot habi pasi e gjykonin veten të përjetshëm, zbuloi një plagë të madhe tonën si shoqëri. Atë që ne mund të bëjnë pa gajle shtetar edhe banditin më ordiner të vendit tonë. Ne mund të pranojmë çdo lloj financimi fushate, qoftë ky nga droga dhe prostitucioni mjaft që të rrëzojmë kundërshtarin. Shkurt inati pervers karshi Sali Berishës mund ta bënte kryeministër një çun Shqipërie që ishte padron i shalëve dhe drogës në Londrën e Çurçillit. Dhe rastet a emrat janë aty. Dhe plot çështje u zgjidhën me rrugën e ligjit. Megjithatë ai që nuk u kërkoi ndjesë kurrë shqiptarëve, për promovimin e krimit dhe të drogës, ishte Edi Rama kryenegociatori me Europën. Njëriu që vuri bast me opozitën, jo me popullin e tij për të enjten e fundit të qershorit 2018. Dita e fitores mbi llumin dhe kazanin.
  4. Çfarë në fakt nuk funksioi si duhet që Europa nuk na ndezi dritën jeshile? E para, duhet ta kuptojmë një herë e mirë se procesi i integrimit është frontal. Ndofta askush tjetër veç Shqipërisë pikërisht pas historisë së saj nga 1912-ta nuk i takon tjetër të integrohet kështu frontalisht. Me një komision a dikaster të përbashkët të arritur me marrëveshje publike opozitë pozitë. Zyra ku konsensusi duhet të jetë absolut, sidomos pas borxhit të madh që i kemi Europës me vitin 1913. Kjo do të prishte atë mallkimin shekullor që vendit tonë asnjëherë nuk i ka ardhur e keqja nga të huajt, por nga vetë esnafi ynë politik. E dyta reformat e pjesshme nuk kanë asnjë vlerë, sado që militantët mund të dalin të demonstrojnë dashuri poshtë ballkoneve të iks a ypsilonit, ministër a ish ministër. Hiqeni nga mendja, ku ka erë ka edhe ndyrësi. Kësiosj kultura e dorëheqjes dhe nështrimi përpara ligjit duhet të jetë dominant. Shkurt nuk ka reforma me fjalë, por me vepra… E treta, ekonomia, zbritja e informales në nivelin zero, borxhi publik, prodhimi vendas janë prioritet organik. Dyshemeja dhe tavani i pagave, apo programet e sigurimeve shoqërore etj. Nuk vazhdohet më duke paguar rroga nga xhepi. Apo dhënie shumash me rimorkio televizioneve që të ftojnë në studio. Punësi për merita partiake etj. Janë absurdite veç shqiptare që ne nuk i mbulojmë dot sado që përpilojmë shkresa. Si puna e atij drejtorit në Devollin e Dritëro Agollit që merrte me defter të veçantë dieta shërbimi e karburanti. E katërta Shqipëria duhet të demonstrojë plan konkret po të përbashkët në luftën kundër drogës. Jemi të pushtuar nga droga. Jemi bërë tmerr i perëndimit me gomonet dhe ”mushkonjat”, nuk luftohet droga me bukurinë e Olta Xhaçkës. Me një qeveri që shpenzon më shumë për të lyer fasadat se dikasterin e antidrogës dhe mbrojtjes kombëtare. Janë shumë syresh, shumë… por që t’i kthehemi çështjes se u çelën apo nuk çelën negociatat, ta dini që jo. Lërini dërdëllitjet e studiove. Po të ishin çelur, sheshi i Tiranës sot do ishte tym e flakë, rrok e ulërima. Por është qetësi, heshtje, dhimbje…
Please follow and like us: