Albspirit

Media/News/Publishing

Mesazhet e lumtura fitorja e humbanakëve

 

1) Brenda këtyre njëzetë e katër orëve kam marr plot mesazhe ku tërësia e tyre është një hije, a një siluetë me kapuçon duke më shënjuar me gishtin e madh se, betejën për teatrin e kam humbur. Janë vetë aktorët ata që po firmosin, biles edhe emra të mëdhenj etj…, dhe se Tirana do të ketë së shpejti një teatër të ri. Në këtë periudhë tetë mujore a një vjeçare, por çfarë rëndësie ka, në gjithë ato që kam thënë, nuk ka sikur një radhë të vetme ku të shprehem se jam kundër një teatri të ri. Të gjithë opinionet e mia janë aty, por edhe pjesë e librit që sapo hodha në qarkullim, Armiq të vegjël tokë e madhe. Madje jo më larg se, dje, postova një pasazh nga një rast me aktorin e madh Ilia Shyti dhe vetes. Kur drejtoja dikur një teatër. Shikonim mëhallën, ishte muzg, nga mbrapa teatrit aty, dikur kish ekzistuar Lushnja e vjetër, një rrugë e kalldrëmtë me vlerë bulevardi por që sot nuk ekziston më. Një e tillë që e shikon sot në ato fotoshopet që bëhen me sokakët e Krujës, Elbasanit a Prizërenit. Një keqardhje njerëzore, por zhvillimi nganjëherë i ngjan një lufte të pamëshimërshme. Dhe njeriu kupton se ka filluar të vdesi pikërisht kur i sharrojnë memorien a kujtimet. Donte të më thoshte diçka por u memecua dhe vetëm sa më preku supin e iku pa fjalë. Megjithëse një herë më kish treguar për një shtyllë diku aty, ku jepnin shfaqje mbrëmjeve ai dhe ca emra të tjerë si Vaçe Zela përshembull. Sot ato janë nocione thëniesh, me tha ai, më tha ajo. Ne nuk arritëm t’i ruajmë. E para se nuk besonim se kishim në mes njerëz të mëdhenj. E dyta, jemi më të aftë t’i japim shpejt e shpejtë një varr memories sonë se sa një copë tokë të re për një vepre të re.
2) Një proverb japonez thotë që njeriu i cili vritet në luftë është si puna e atij ujit që humbet në të çarat a skërkat e një toke të zhuritur. Kurse ai që vdes në emër të dashurisë është si puna e asaj farës që futet në tokë për dhënë një pemë. Kam përshtypjen se ne i përkasim rastit të parë, për faktin e klimës luftarake mes vedit, ideve tona dhe më e keqja këmbënguljes pa fund ku të më shkoj e imja. Disa syresh më quajnë një demokrat fanatik që po plas, me që artistët firmosën, megjithëse më kanë duartrokitur, ta zëmë kur kam kritikuar ashpër ta zëmë mënyrën se si u zgjodh Lulzim Basha kryetar.
Ose kur kundërshtoja prishjen e mbikalimit tek Zogu i zi, si akti i parë i qeverisë Berisha më 2005-ën. Në kuptimin e mirëfilltë kam qënë dhe jam kundër çdo prishje, sidomos kur bëhet fjalë për objekte që kapin një periudhë kohe mbi pesëdhjetëvjeçare. Por edhe për objekte që sekuestrohen për shkak të aferave a burimeve financiare. Pasi e di fare mirë që vendi im i varfër ka kaq shumë nevojë për strehë, spitale, kopshte e çerdhe. Siç edhe kam kundërshtuar aktivitetin me tritol të qeverisë Rama – Meta, karshi objekteve të mëdha, me po këtë qëllim, dhurimin nevojave imediate të vendit. Sot përshembull, shqiptarët, i detyrohen para një sëre firmash, pikërisht nga firmat e Ramës. Siç edhe rasti i vjehrrit të Lulzim Bashës me atë hotelin në Ujin e ftohtë Vlorë. Janë para që do i paguani ju, jo Rama. Rama me Lulin do ta gjejnë, kurse keni me vete një thes me karrota Divjake.
3) Por jemi tek teatri kombëtar…unë di shumë mirë që mes artistëve ka edhe ordinerë, bilës me shumicë. Jan produkte të kohës sonë. Ashtu sikur ka edhe pijenacër që kanë uzurpuar artin edhe pse nuk kanë lexuar një vepër letrare. Kam rastisur shpesh me të tillë që veç kulturës së tekstit, nuk e dinin se ku binte përshembull Jean Baptiste Poquelin ose Molieri, francezi që krijoi komedinë e rrugës. Por njihnin shumë mirë fërnetin, marrëveshjet me politikën sa nuk kishin për asgjë t’ia bënin në kokë, ta zëm Naim Frashërit, aktorit, abc-ja e aktrimit a filmit shqiptar. Ta dini, këta janë luftëtarë, ai soji i proverbit japonez, të cilët i ngjajnë ujit që humbet në skërkat e një toke të zhuritur, jo asaj farës për të prodhuar bimë, a zë, siç thotë një poete shqiptare me emrin Flora Brovina. Dhe ne i kemi pas me shumicë këtë soj sojit ”fitimtarësh”… Ne udhëhiqemi nga ky soj. Soji i ”fitimtarëve të një populli të mundur”, është dhe titulli i një libri të një miku dhe shkrimtari shqiptar F. Rustemi. Unë, ndofta me këto ”tekat’ e mia, mbase bëj pjesë tek ajo pjesë që akoma beson se nuk është mundur. Ndaj jam, kam qënë dhe do të jem kategorikisht kundër çdo prishje objektesh që sado pak, sado një grimë, do më kujtojnë diçka nga e shkuara e ime, nga e shkuara e njerëzve të mi. Edhe pse e di se të qenit me të drejtën, me të vertetën në shoqërinë shqiptare është të ecësh si në tehun e thikës. Ndofta jam nga ata naivët që besoj se edhe ne mund të kemi një ditë një histori të përbashkët, jo histori tekash, herë të kuqe, herë blu dhe tani së fundi violetë, si kjo ngjyra e rilinjdes sorosiane.
4) Ne jemi sot një shoqëri e shpërndarë botës. Shumë prej nesh nuk kanë lënë vend a kryeqytet bote pa shkelur. Unë vet përshembull pashë së fundi Washingtonin… kryeqytetin e qverisë dhe ambasadave të botës. Mirëpo pavarësisht kohëve, ndryshime Washingtoni i vjetër ishte aty, përbri, buzë lumit Pomatac. Shqiptarët e Athinës përshembull e dinë mirë se sa teatro të vjetër janë ashtit të atij qyteti kaq të lashtë. Po kështu ata të Romës në Trastevere etj. Po kështu në Parisin e ëndrrave. Në Londrën e Shekspirit ruhet akoma një teatër druri me më shumë se koha vet. Kurse ne u gëzohemi arshivave të Vjenës nga ku vjedhim foto papushim për vende a qytete që nuk ezistojnë më. Las Vegasi përshembull, është atdheu i Casinove. Një i tillë i ndërtuar në një tokë ku ha pula gurë. Pa pemë, pa gjelbërim etj. I ndërtuar me një investim të familjeve mafioze. Por sot askush nuk hedh idenë e prishjes. Pasi shkatërrimi është rrisk i natyrës dhe jo i njeriut. Njeriu ka lindur të krijojë. Dhe tokë Tirana ka sa të duash, aq më tepër që po hapet.
5) Dola aty ku kam konsistuar në gjithë këto shkrimet mia në lidhje me teatrin kombëtar. Nuk kam qënë kurrë kundër ndërtimit të një teatri të ri. Biles do t’i heq kapelën cilëdo qeveri që do e ndërtoj një të tillë. Do jem krenar me kryeqytetin e vendit tim që të ndërtojë jo një por disa teatro. Të ndërtoj monumente, jo buste si rastet e fundit me Havzi Nelën në Kukës apo Eqerem Çabejn në oborrin e Akademisë së shkencave. Sepse unë sinqerisht më parë dua monumentet e atyre që futen në dhe’ për të pjellur bimë, jo atyre që humbin si uji në skërkat e një toke të zhuritur. Dhe në vendin tim, dominojnë monumentet e xhelatëve se sa ato të humanistëve. Ne mund të shembim çdo gjë, kështu edhe me këtë ekzistuesin. Sepse kemi plot arsye bajate si ajrimi apo të tjera, kësisoj mund ta shembim, të ndërtojmë një të ri me xhama. Por ne do varrosim memorien tonë, atë që nuk do na japë më bimë e zë. Por akullin e xhamave. Dhe sado të bëni galeri fotosh me portrete ta zëm të Agim Qirjaqit a Tinka Kurtit, ne do humbim truallin ku shkelën ata. Ne kemi përvojë të hidhur në këtë drejtim. Mjaft të përmendim Fishtën, a mazeolumin e gjoja varrit të Skënderbeut në Lezhë, shtëpinë e pavarësisë në Vlorë. Por edhe me atë të Lidhjes së Prizërenit. Çështja e teatrit është mbi Ramën dhe Lulzim Bashën, mbi çdo forcë politike. E para sepse aty u gatua dhe filloi historia e artit tonë kombëtar. Si shtet jemi aq shteti i ri sa nuk e kemi luksi të vëmë dorë tek memoria, sidomos kur ajo lidhet me kulturën dhe edukimin universitar. Ju mendoni se mund ta mbash kollaj hijen ta zëm të Drita Pelingut në xhamat e një institucioni të ri. Në buzëqeshjen e një kapteri që sot është kryetar bashkie dhe nesër një ikanak, asesi. Ajo që na çon diku është memoria, jo legjilsativi. Unë kundër armiqëve të memories jam, jo kundër zhvillimit.

Please follow and like us: