Fritz Radovani: Misionari Tracki dhe Shqipnia
DON ALFONS TRACKI (1896 – 1946)
DOSJA 1885…18 KORRIK 1946
Njoftohët Drejtoria e Sigurimit të Shtetit në Tiranë, me shkresën nr. 902/7: “…në bazë të vendimit të dhënë me datën 17 korrik 1946, u ekzekutuan kriminelët: Llesh Marashi, Kol Ashiku, Nikoll Preng Dedaj dhe Don Alfons Tracki. I pari në litar. Dënimi i tyre në përgjithësi është konsideruar me vend nga i gjithë opinjoni. Vetëm për priftin Don Alfons Tracki, propaganda e klerit bëri që të kishte më tepër diskutime, kështu që u fol se si Don Alfonsi nuk e meritonte dënimin me vdekje, mbasi s’ishte kriminel, por u dënua si klerikal. Në anën katolike është ndjerë dhëmshuri për këtë.
Shef i Seksionit Shkodër, Zoi Themeli
Në dokumentin e Sigurimit të Shkodres mungon emni i të pushkatuemit Kel Abati.
Don Alfonsi asht le nga prindët Jozef e Marta Tracki, në vitin 1896 në Breslau. I ati ishte oficer i gardës mbretnore. Don Alfonsi kishte edhe dy vëllazën të tjerë, Hansin dhe Gjergjin, që u vranë në Luftën e Dytë Botnore, ndërsa motra e tij Kordola mbas vitit 1944 nuk dihet ku ka përfundue. Alfonsi i ri, pa mbush 17 vjet, vjen ushtar në Shqipni me forcat Austro-Hungareze. Mbas luftës vendos me qëndrue këtu, pikërisht, kur Breslau i kalon Polonisë. Në natyrën e tij dallohet kjartë gërshetimi i karakterit të vendosun gjerman me besimtarin katolik polak. Lè në një anë armët e hekurta dhe rrokë armën ma të fuqishme të njerzimit, tue u ba përjetësisht ushtar i Krishtit në armatën shqiptare. Ai e admiroi këtë armatë sepse asht pikërisht ai kler që një vit maparë, bashkë me të gjithë atdhetarët shqiptarë kishte ngritë nalt edhe njëherë flamurin e Gjergj Kastriotit, tue i ba të ditun botës se shqiptarët janë këtu. Në Shqipni formon lidhje të ngushta miqësore me meshtarët shqiptarë Don Kolec Prennushi, At Pjetër Meshkalla, vëllaznit Gazulli, që simpatizojnë Lëvizjen e Malësorëve të Veriut kundër Zogut. Don Gjoni u var nga Zogu, ndërsa Don Nikolli u dënue me katër vjet burg në Gjinokastër. Për këtë lidhje edhe Tracki u nxuer jashtë nga Shqipnia nëpërmjet Musa Jukës, i cili nuk e shihte me sy të mirë grumbullimin e rinisë shkodrane rreth Trackit. Ndërhymja e Bajraktarit të Shkrelit, Vat Marashi tek Zogu, e rikthen Trackin në Shqipni, me kusht mos me qëndrue në Shkodër. Ai shkoi në qendrën malarike të Velipojës ku banonin malësorë të ramë nga Alpet. Në një kohë të shkurtë ai mësoi mirë gjuhën shqipe, gja e cila bani me u hy në zemër fshatarëve. Në Velipojë hapi një shkollë ku pergatiti disa meshtarë dhe fshatarë të dijtun e studjues, nder të cilët asht kenë edhe Prof. Ndue Zef Toma.
Pasioni dhe njohja e zakonëve të Malësisë e vendoste në krye të vendit, mbasi shumë shpesh, malësorët kishin nevojë për mendimin e priftit ndër kuvendet e tyne.
Merrej me pajtim gjaqësh dhe ishte kudo ku lypej me u shmang vëllavrasja. Kjo arësye e shtyni shpesh me ndërhy edhe pranë organeve qeveritare për me shpëtue ndonjë që binte në duert e komandave naziste gjermane. Hausdingu e ftoi me shkue me ata…
Tracki ju përgjegj: “Jo, nuk vij me ju, mbasi nuk kam ardhë në Shqipni për qëllime politike, as ushtarake dhe as si pushtues. Këtu unë kam Atdheun e dytë, Shqipninë, të cilit, i kam shërbye si Meshtar dhe këtu, due të vdes si Shqiptar!”. Ata ikën, ndërsa Tracki qëndroi këtu. Tracki nga Breslau në shpella të Maleve të Veriut…
E, pse? Për ata që njohin zonën e Shllakut asht e kjartë vuejtja dhe sakrifica që ka ba Tracki. Zoi Themeli, kryetar i Seksionit Mbrendshëm të Shkodrës më 31 dhetor 1945, njofton Drejtorinë e Mbrojtjes së Popullit në Tiranë: “Ju njoftoj se përveç Dom Alfons Trackit që gjindet në këtë qark, nuk ka elementa fetarë me kombësi gjermane”.
Në mes të natës së 12-13 shkurtit 1946, kur forcat e Ndjekjes nisën për në Dushman, mbasi ishte ba një vrasje atje gabojnë rrugë. Koha e keqe me shi kishte vështirsue kalimin. Prrojet kishin shpërthye. Brigada merr drejtimin kah shtegu i shpellës, jashtë së cilës atë natë bante roje Ndoc Jakova. Në shpellë ndigjohen disa krizma armësh që u shuen shpejt. I pari i ndigjoi Gjergj Vata, i cili i zgjoi shokët nga gjumi dhe po prisnin sinjalin prej Ndocit për me veprue. Nuk ndihej asgja. Mendojnë pse Ndoci nuk po i ban me dijtë, shka ndodhi!?… Vrojtojnë me kujdes jashtë dhe vërejnë se aty afër ndigjohen ecje këpucësh ushtarake, që ushtojnë pak prej natës e pak prej gurve të kalldramit të rrugës. Pergatiten me ça rrethimin nga një shteg që nuk njihej nga Ndjekja. I pari prin Gjergj Vata, mbasi dinte shtigjet, ndersa të tjerët u nisën mbas tij.
Don Alfonsi nuk pranoi me marrë atë drejtim pa shkue deri tek vendi ku ishte Ndoci. Gjergji ka kundërshtue tue parashikue pritën. Don Alfonsi ishte i vendosun me shkue kah Ndoci, parandjente dishka të keqe dhe u nis. Kur mërrinë tek vendi gjen Ndocin e plagosun randë… ishte i zhytun në gjak. Ndoci e njeh… Don Alfonsi i jep të zgjidhun, e kungon dhe e vojon, i çon kokën nga balta e pellgu i gjakut, e mbështetë për parzëm, i ban Kryq dhe qëndron me té derisa Ndoci jep shpirt… Si një babë i mirë që shtërngon fort djalin e vet në fund të jetës. Afrohen forcat e Ndjekjës. Don Alfonsi nuk lëvizë nga vendi, madje, u thotë: “Afronju, mos kini frikë se nuk kam armë, tashti ejani kur të doni se unë e kreva detyrën teme!…”. E lidhën me litar dhe e sollën rrëshanë në Seksionin e Mbrendshëm të Shkodrës. Aty ra në duert e një krimineli fanatik, i pa ngopun me gjak klerikësh, tek katili Fadil Kapisyzi që për pesë muej nuk la gja pa ba në trupin e Trackit.
At Konrrad Gjolaj, nxanës i Trackit tregon në librin e tij “Çinarët”, Klerikët që ka pasë përgatitë mësuesi Misionar Don Alfonsi në Shqipni para vitit 1945:
- Don Mark Xhani, masakrohet në Sigurim të Mirditës në 1945; 36 vjeç.
- Don Dedë Maçaj, pushkatohet ushtar në Permet, në 1947. 27 vjeç.
- Don Mark Bicaj, i mbytun në Sigurim, në 1948, 37 vjeç.
- Don Dedë Malaj, i pushkatuem buzë liqenit Shkodres në 1959, 42 vjeç.
- Don Ejëll Deda, vdes i torturuem në burg në vitin 1948, 31 vjeç.
- Don Mark Hasi, vdes mbas 21 vjetësh burg në Ballsh, në 1981, 60 vjeç.
- Don Nikoll Gjini, vdes mbas 24 vjetësh burg, në 1987, 76 vjeç.
- Don Anton Muzaj, vdes nga torturat e Sigurimit në 1948, 29 vjeç.
- Don Ndue Soku, mbas 10 vjetësh burg vdes në 1976, 54 vjeç.
- Don Lazer Sheldija, vritet nga Sigurimi shqiptar në USA, në 1988.
- Don Injac Gjoka, dënohet 10 vjet burg.
- At Konrrad Gjolaj, dënohet 20 vjet burg.
- At Zef Pllumbi, dënohet 25 vjet burg.
At Konrrad Gjolaj, në librin që i kushton mësuesit vet Don Alfons Tracki, jo vetem na jep portretin e plotë të tij, po edhe virtytet e një misionari gjerman që i kushton jeten e vet Popullit Shqiptar. Në fundin e Nandorit 1944, kur gjermanët po iknin nga Shqipnia, në Velipojë vritet një ushtar gjerman. Pasojat dihen…
Rreshtohen per vrasje nga forcat gjermane 100 burra nga Velipoja… Po, askush nuk dinte cili asht vrasësi. Shkon i thirrun prej malsorëve nga Shkodra Don Alfonsi dhe bisedon me oficerat gjermanë, të cilët i bindëse vrasësi “nuk ishte shqiptar”…
Të 100 burrat lirohen dhe shkojnë shndosh nder shtëpijat e veta…Per me shfarosë burrat e Velipojës, loja e vrasjes së “ushtarit gjerman” ishte pergatitë dhe zbatue nga forcat komuniste jugosllave… Fati me e zbulue Misionari Tracki…Po varrin ku e ka ky burrë që punoi, edukoi dhe shpetoi sa jetë shqiptarësh edhe nder kampet naziste!? – Ate nuk e dijmë, se ky ishte gjerman po, edhe Klerik Katolik…Me kohen po zhduken jo vetem veprat e mira të Këtyne Figurave të Mëdha… Po, edhe emnat e atyne që nuk kursyen as jeten per kenjen e Popullit Shqiptar n’ Europë! Nga një bisedë me të ndjerin Gjenarin Topalli në vitin 1996, më ka tregue: “Se, një ditë, kur punonte në gropat e gelqeres mbas Murit Gjakut, të Vorreve të Rrëmajit, ai kishte mujtë me futë në një thes shumë eshtna të pushkatuemish nën çinarët e vorrezave. Ata eshtna i kishte ruejtë me shpresen e një dite, që mund të vertetohen të kujt janë? Kishte besim se ata janë pikrisht të asaj gropë ku asht hjedhë i vramë edhe Don Alfons Tracki. Vendi i eshtnave të nesermen asht kthye në gropë gelqerje, po Gjenarini thesin e kishte futë në një vend të sigurt në pritje të varrosjes së Tyne…”. Po, kriminelët gjaksorë që nuk lane gja pa i ba Shqipnisë, ua lane trashigim krimin dhe vrasjen.., fëmijve të tyne bashkë me “rilindjen” e pushtetit ! Një etje e madhe me zhdukë Figurat e Mëdha Atdhetare me pikpamje europiane!
Ah Shqipni, Shqipni…
Nuk mërrijte kurr me kuptue,
Se nga Vermoshi e deri poshtë në Greqi,
Sllavët komunistë nuk ngopen tue t’ pa t’ veshun zi…
E çka asht ma e keqja, “shqiptari” shqiptarin.., do me zhbij…