Albspirit

Media/News/Publishing

Ibrahim Hajdarmataj: Goca e Elbasanit, nuse në Gjakovë

  • Duke qenë të vetëdishëm për rolin e vendlindjes tek secili person, elbasanllinjtë janë njerëz që e duan artin, e duan të bukurën, e duan jetën. Migena Arllati lindi më 06/09/1974, në qytetin e Elbasanit, në një familje me tradita qytetare dhe arsimdashëse.

    Në Elbasan Migena do të brumohej dhe edukohej, shkollohej dhe rritej gradualisht dhe më pas do të martohej në Gjakovë.

    Ajo studimet e larta i përfundoi në Fakultetin Filologjik, dega Gjuhë Shqipe – Letërsi në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Studimet pasuniversitare i bëri për diplomaci në Akademinë Diplomatike Shqiptare në Tiranë. Pastaj përfundoi Studimet e Magjistraturës në Qendrën Shtetërore të Studimeve Albanologjike në Tiranë.

    Aktualisht punon profesoreshë e Gjuhës Shqipe në Universitetin “Fehmi Agani” dhe në gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë.

    Deri tani është autore e shtatë librave :

    Vëllimi me poezi “Mendime në kornizë”.

    Monografi “Lindur për tu bërë mjek”.

    Kritikë letrare e recensa “Etern Ars”.

    Vëllim me poezi “Nuk dashurojnë perënditë”.

    Studime gjuhësore “Vështrim rreth shprehjeve frazeologjike në të folmen e Gjakovës”.

    Botime studimore “Patronimet, mbiemrat familjarë në Gjakovë”.

    Fjalor Enciklopedik “Autorë të letërsisë shqipe për fëmijë dhe të rinj, 1886-2017”, me bashkautorsi të Prof. Dr. Astrit Bishqemi.

    Krijimtaria e saj është kryesisht, studime gjuhësore dhe kritikë letrare.

    Migena është redaktore dhe recensente e dyzet e tre vëllimeve me poezi dhe prozë të autorëve shqiptarë dhe të huaj.

    Ka fituar me dhjetëra çmime në letërsi, nëpër aktivitetet ndërkombetare, në Kosovë dhe Shqipëri, si në Metingun e Poezisë në Gjakovë, u shpall poetja më e mirë e Metingut, duke u vlerësuar me çmimin “Yllka Domi”. Në Zvicër “Filo Let” me poezinë e saj “Jeta ime poezi” merr çmim të dytë.

    Me tregimin “Piano” në Festivalin Kombëtar të letërsisë për të rinj, mbajtur në Podujevë nderohet me çmim të dytë.

    Me poezinë e saj “Burri i dheut” në konkurimin mbarëkombëtar në Istog, fiton çmimin e parë “Dr. Ibrahim Rugova”.

    Në Festivalin e Letërsisë në Podujevë zuri vendin e dytë me poezinë “Ngadhnjimi i ri”.

    Po vendin e dytë e mori me poezinë “Idealizëm” në manifestimin letrar “Peja Poetike”, organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës.

    Në Klinë u nderua me çmim të parë me poezinë “Motiv monologu” në takimin tradicional kushtuar poetit të ndjerë Tahir Desku.

    Gjithashtu në Tiranë laurohet nga “Albanian Excellent” për angazhimet e saj me shoqërinë civile dhe për punë të frytshme në letërsi dhe në arsimin shqiptar.

    Prej kohësh ka konfirmuar vullnetin ndaj hulumtimeve në gjuhësi dhe albanologji, duke marrë pjesë në konferenca të ndryshme shkencore të organizuara nga universitetet anë e mbanë Shqipërisë e Kosovës, si dhe në prezantime të nivelit ndërkombëtar në Slloveni, Itali, Zvicër e Gjermani.

    Migena jeton në qytetin e Gjakovës prej 22 vjetësh me bashkeshortin dhe katër fëmijët e saj. Ajo kontribuon vazhdimisht në kulturën dhe jetën artistike të qytetit të Gjakovës, me organizim të sferave të ndryshme.

    Ajo gëzon titullin “Qytetare Nderi” në vendlindjen e saj në Elbasan, si dhe mbështetjen dhe respektin e bashkëqytetarëve në Gjakovë, si një mësimdhënëse, krijuese dhe nënë e përkushtuar.

    Migena është e palodhur dhe si drejtuese dhe veprimtare në shoqërinë civile. Ajo është drejtoreshë e Fondacionit të Gruas Intelektuale “Nermin Vlora Falaschi” Gjakovë.

    Anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

    Anëtare e organizatës botërore “Pentasi B World, Prishtinë e Shkup”.

    Anëtare e kryesisë së Shoqatës së Intelektualëve “Gjakova” në Gjakovë.

    Anëtare e kryesisë së organizatës humanitare të Kryqit të Kuq në Gjakovë.

    Migena 10 vitet e para në Gjakovë i ka paraprirë karrierës së saj në gazetarinë radiofonike, të printuar dhe televizive, ku disa herë ka marrë çmime si:

    Organizata amerikane “IREX” mori çmim të dytë për projektin radiofonik kushtuar gruas së pasluftës në Kosovë.

    Qendra mediale “Dukagjini” i dha vendin e parë për shkrimin e saj në gazetën “Lajme Exluzive”, lidhur me promovimin e punës dhe sfidat e femrës shqiptare.

    … Tek po pinim kafe në një kafene të Gjakovës me Migenën dhe Prof. Halil Ahmetin, se si më lindi ideja dhe e pyeta për emrin e saj. Ajo u skuq pak në fytyrë dhe e skuqura sikur ja shtoi edhe më shumë bukurinë e saj dhe vijoi të flasë:

    “Në kohën kur prindërit e mi prisnin që unë të vija në jetë, sigurisht një ndër preokupimet që ata i jepnin rëndësi ishte emri që do të mbaja. Propozime për emërtimin tim vinin nga të gjitha anët, por ata pëlqyen më shumë njërin prej tyre. Ai propozim vinte nga tezja e madhe, Nashi, e cila në atë kohë ishte studente në Universitetin e Tiranës. Ishte koha kur libri i John Golsuorthit, “Lulet e mollës” ishte kthyer në një “best seller” në Shqipëri. Personazhja kryesore e subjektit quhej Migena, ndaj tezja, duke qenë shumë e dhënë pas librave dhe duke e simpatizuar tej masë këtë personazh, këmbënguli që unë të quhesha Migena. Dhe prindërit nuk ia prishën, më quajtën kështu”.

    Migenës vazhdimisht zemra i rreh tek arsimi, për të cilin kishte studiuar dhe investuar vite të tëra nga rinia e saj. Ajo sot është ligjëruese e gjuhës së pastër shqipe në Universitetin “Fehmi Agani” dhe në gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë. Me studentët dhe nxënësit ajo është shumë komunikuese. Studentët dhe nxënësit e saj nuk janë të detyruar vetëm të dëgjojnë në orën e mësimit, por ata janë të lirshëm të shprehen dhe të ndërtojnë prezantimin e tyre në individualitet dhe në grup.

    Të shkruash për Migenën gazetare, poete, profesoreshë, nënë, aktiviste duhet një monografi e tërë, por në mbyllje po citoj një poezi të saj, e cila është me dimension shumë domethënës:

     

     

    LOT

     

    U lodha së numëruari

     

    Dyqind pika loti

     

    Që nesër katërqind presin të bëhen

     

     

     

    Si rrjedhin lotët?

     

    Katërqind, tetëqind, dymijë  e dyqind pika lot

     

    Sa e sa mijëra të tjerë lot

     

    Që s’quhen me pika

     

    Po hauze, dete e oqeane sot

     

     

     

    Siç rrjedhin pa pushim

     

    Mes pllajave-faqe

     

    Të mjafta për përmbytje jo të një qënieje

     

    Po të një bote të tërë në paqe

     

    ***

     

    Përfundimisht i uroj Migenës shëndet, gëzim dhe suksese të mëtejshme në karrierën e saj si poete, gazetare, profesoreshë, nënë, aktiviste e palodhur, e thjeshtë, e dashur dhe fisnike.

Please follow and like us: