Leka Bungo: Letër publike për Pëllumb Kullën në SHBA
I dashur Pëllumb, sot, pas kaq ditësh mora e-mailin tënd. U gëzova që jeni të gjithë shëndoshë e mirë dhe sidomos u lumturova që më në fund ju erdhën dritat dhe do të kemi mundësi të komunikojmë rregullisht si më parë.
Këtej oqeanit, në katundin tonë, punët shkojnë si jo më mirë. Jo edhe aq sa do të dëshironte udhëheqja, por gjithsesi shumë më mirë se në vitin 1938.
Nëse të kujtohet, para se ju të mbeteshit pa energji, më kishe drejtuar dhjetëra pyetje të cilave nuk mund t’u jap përgjigje vetëm me një e-mail.
Një nga pyetjet e veçanta, për të cilën jo vetëm ti, por të gjithë njerëzit e skenës janë të shqetësuar është pa dyshim se “Cili do të jetë fati i ndërtesës së Teatrit Kombëtar”?
Shqetësimin tënd e kanë edhe më shumë këtu: përleshen filozofët, analistët, regjisorët, aktorët, kritikët, përfaqësuesit e shoqërive civile dhe ushtarake, spektatorët… Të gjithë janë përfshirë në një debat të madh.
Ajo që është për t’u habitur, o miku im, është hera e parë që partitë politike nuk janë bërë pjesë e kësaj përleshjeje. Përkundrazi! Kanë qëndruar aq shumë jashtë loje, saqë populli me të drejtë ka nisur të shqetësohet si mund t’i kemi partitë kaq moskokëçarëse!
Të vetmit njerëz që mëngjes, drekë, darkë merren me këtë punë në ekranet e televizioneve, apo në shtypin e përditshëm janë Petrit Vasili, Ylli Manjani, Enkelejd Alibeaj dhe ndonjë tjetër, që nuk kanë asnjë lidhje me partitë politike.
Në të vërtetë, sipas gjykimit tim, po të përjashtojmë Flamur Nokën, që zakonisht merakoset për repertorin, palët në konflikt nuk kanë si objekt ecurinë dhe përparimin e teatrit, por ndërtesën e Teatrit Kombëtar.
Njëra palë është për ta shembur, ndërsa pala tjetër është për ta mbajtur.
Një grup tjetër, më i vogël në numër, është dakord që të ndërtohet një Teatër i ri Kombëtar modern për Shqipërinë e së ardhmes, por… ky i vjetri, kurrsesi të mos shembet!
Me fjalë të tjera, këta i japin më shumë rëndësi muzeut të teatrit se vetë teatrit, a thua sikur është e pamundur që brenda ndërtesës së teatrit të ri, të përfshihet edhe muzeu!
Debati është ndezur dhe përhapur aq shumë sa nganjëherë të krijohet përshtypja se populli i ynë nuk i ka problem as varfërinë, as taksat, as strehimin, as shkollimin, por “shembjen apo rikonstruksionin e asaj ndërtesës prapa ministrive”!
E kam vrarë mendjen shpesh këto ditë si është e mundur që Robert Ndrenikës, Reshat Arbanës, Pëllumb Kullës, Gëzim Kames, Albert Mingës, Artan Imamit, Sotiraq Bratkos, Luftar Pajës dhe shumë të tjerëve që kanë lidhur jetën me veprimtarinë teatrore dhe janë larguar nga skena vetëm ditën kur kanë dalë në pension, t’u dhimbset teatri më pak se Fatos Lubonjës, Andi Bushatit, Përparim Kabos, Artur Zhejit, Artan Fugës, që pragun e teatrit e kanë kapërcyer vetëm si spektatorë me bileta.
I dashur Pëllumb!
Këto që shkrova më lart nuk janë flakët që mbajnë ndezur konfliktin për Teatrin Kombëtar. Jo!
Një sy i hollë, “shumë i hollë”, pas Teatrit të ri Kombëtar sheh të fshehur korrupsionin e qeverisë. Madje, ata që ngulin këmbë për këtë flasin edhe me shifra.
Kam dëgjuar me veshët e mi, se nga kjo marrëveshje e fshehtë autoritetet qeverisëse dhe konkretisht Edi Rama me Erion Veliajn do të përfitojnë mbi dyqind milionë euro!
Nuk janë pak, apo jo? Ata do të lëshojnë mbi letër vetëm nga një firmë dhe do të marrin nga njëqind milionë secili, kurse ti, o lumëmadh, ke shkruar e vënë dhjetëra shfaqje në skenë, tani pret sezonin kur ulet çmimi i biletave ajrore për të ardhur në Shqipëri! (Nga njëqind milionë them unë, se Edi mund të marrë edhe më shumë… Le që ç’më duhet mua, puna e tyre se si i ndajnë!).
Pra, miku im, siç e sheh, rrënjët janë shumë më të thella se sa duken pemët.
Miku i im, ti gjithmonë ke thënë se unë jam më i mençur se ti. Dhe ke thënë një të vërtetë të qartë si drita e diellit. Dhe që të mos pendohesh për përcaktimin tënd objektiv, po të them se unë kam arritur të depërtoj në thellësi të kësaj historie.
Nuk është fjala as për shembje, as për ndërtim, as për nostalgji dhe as për korrupsion. Gjetiu fshihet lepuri. Pas kësaj historie qëndron një marrëveshje e heshtur.
Në qoftë se të gjithë kundërshtarët e projektit të Edi Ramës dhe Erion Veliajt janë të bindur se nëpërmjet kësaj afere do të përfitohen milionat e eurove, përse nuk i lenë ata që të realizojnë pikësynimin e tyre korruptiv?!
Kjo do të bënte që kryeqyteti i Shqipërisë do të fitonte ndërtesën e re dhe madhështore të Teatrit Kombëtar, kurse nga ana tjetër, duke ndjekur logjikën e atyre që i kundërshtojnë, Edi Ramën dhe Erion Veliajn, do t’i kishim të përfunduar në qelitë e burgut!
I mbajnë të dy në një qeli apo i ndajnë, ajo është puna e drejtorisë së burgjeve.
Mirëpo ata kanë angazhuar të gjitha forcat për të kundërtën. Ata duan ta pengojnë me çdo kusht shembjen e ndërtesës së teatrit, vetëm e vetëm që kryeministri dhe kryetari i bashkisë të mos fusin dot në xhepa ato dyqind milionë eurot! Por, ama, kështu ata do t’i shpëtojnë burgut dhe pastaj do t’i kemi mbi krye edhe dhjetëra vite të tjera!
Marrëveshje e fshehtë i thënçin, por më e zbuluar se kjo, zor se mund të ketë.
E marr me mend, shumë gjëra kur i sheh nga përtej oqeanit duken paradoksale, por tek shqiptarët mund të hasësh gjëra edhe më të çuditshme.
Ne i njohim mirë. Para ca vjetësh, ne që të dy kemi qenë vetë shqiptarë.
Duke përfunduar për sot, të uroj gjithë të mirat!
Leka
P.S.: Më doli nga mendja dhe nuk ta shkrova më lart. Dikush solli një dëshmi që mund ta kish sjellë me kohë: përpara se të vdiste regjisori i madh Mihal Luarasi, i paske lënë porosi që kjo, ndërtesa që ka sjellë sherrin, të mos shembet. Nga ana tjetër një burrë fort i moshuar, që paska qenë në Kajro më 1930, tregoi se fjalët e fundit të Çajupit paskan qenë: “Nuk do të më tretë dheu po s’ma panë shqiptarët ‘14 vjeç Dhëndrin’ tim në mes të Tiranës, në një teatër madhështor, pa kompensato italianësh”! Pisk e kemi, o Pëllumb! Po qe se, paturpësisht, do të fusim që të votojnë edhe të vdekurit…
Pres të më shkruash.