Mbi metafizikën e ngrysjes në poezinë ‘Poradeci’ të Lasgush Poradecit
Sadik Bejko
“Poradeci” është një nga poezitë më të njohura, e botuar si përfaqësuese e artit të poetit pothuajse në të gjitha antologjitë shkollore edhe në ato kohë kur poeti nuk para shihej me sy të mirë. Kjo poezi deri më sot nga shumë autorë studimesh është mbajtur, klasifikuar, si lirikë peisazhi.[1])
Është një poezi e përbërë nga tri strofa, me varg të gjerë gjashtëmbëdhjetërrokësh, me një intonacion të shtruar dhe, në vështrim të parë, gati poezi rrëfimtare. Të ngjan me një peisazh ku një ton i mallëngjyer këmbehet me një ndjenjë të ngrysët, në një ligjërim të shtruar që do t’iu shkojë gjërave deri në fund. Një si ndjenjë brenge, një dashuri apo afrëri për errësirën, një të folur si matanë vetmisë dhe trishtimit, por dhe një ngulje e qëndrueshmëri- të gjitha bashkë përzihen në ritmet e rreshtat e kësaj poezie.
Poeti vetmitar i sheh të gjitha, i ndjen të gjitha dhe distancohet përnjëherë nga gjithçka, por është një distancim në hapësirë dhe në kohë të përjetshme edhe nga vetë poeti, dhe nga gjithë jeta e njerëzit. Duke e përjashtuar dhe veten, poetin, dhe gjithë të tjerët, të vdekshmit dhe të përkohshmit e kësaj bote, prapë ne dhe ai mbetemi të vënë përballë kësaj lënde të përjetshme dhe të përsëritshme gjer në pafundësi që krijon poezia Poradeci.
Perëndimi është një akt kohor e metafizik i përjetuar në një moment të caktuar dhe i hedhur në poezi, por si realitet ai është një dukuri natyrore e përsëritur pafundësisht, dje, sot e gjer në përjetësi. I përsëritshëm është dhe trishtimi dhe zymtia që e kap njeriun në mbrëmje kur “futet zemra djaloshare mu në fund të shpirtit tim”.( Shënojmë se në komentete në fund të faqes që përcillnin këtë poezi në antologjitë shkollore të viteve ’60 e ’70, për këtë varg thuhej: një ndjenjë kapriçoze dhe e errët e poetit)[2])
E përsëritshme është zhdukja e pamjeve të dashura të natyrës dhe ndalimi i veprimit dhe i aktivitetit njerëzor; e përsëritshme heshtja, tërheqja, dergjja, rënia në gjumë, kredhja në errësirë e të gjitha atyre veprimeve jetike që e mbajnë jetën të gjallë që e përtërijnë dhe e shtyjnë përpara njeriun dhe njerëzimin. Vini re: marrka fund dhe ai që është aktiviteti më i madh, më kryesori, ai që i jep kuptim dhe qëllim jetës, gjallwria, që është energjia e përparimit dhe e pambarimit të rracës njerëzore. Çdo natë zbresim në vdekje. Çfarëdo lloj energjie njerëzore e kozmike mund të zhytet në errësirë, të heshtë përgjithmonë. Dhe kjo mbretëri erësire që ta ndrydh zemrën, përsëritet çdo natë.
Poeti, kjo qënie e pa gjumë, e përgjon dhe përpëlitet në ndjenjën e trishtimit përpara këtij fenomeni të shterrjes, të pllakosjes në terr. Këto trishtime që qënia njerëzore mund t`i provojë pastërtisht dhe të shtangë përpara tyre, kështu pastërtisht, vetëm në fëmijëri,- më von ardhja e natës është një zakon dhe e zakonshmja s’të bën më përshtypje- poetët duke u prekur nw thellësi, kanë fisnikërinë t’i përjetojnë ngaherë dhe na i japin me artin dhe me ndjesinë e ngrysjes dhe të brengës, mbase, mbase, dhe të protestës, duke bërë pyetjen: pse të ërrësohet, pse të heshtë, pse ”s’po qet as pipëlim”, pse të ndalë, pse të ndodhë dukuria “ra…u dergj…e zuri gjumi”, pse “zotëroi në të katër anë erësirra”?
Mendoj se kjo është lënda shpirtërore apo metafizike që mbruhet, ngjeshet dhe errësohet progresivisht në këto të tri strofa të vjershës së quajtur peisazh nga natyra, Poradecit të Lasgush Poradecit, e cila, nga sa thamë më lart, nuk na duket se është peisazh. Vjersha flet nga matanë peisazhit, aty vlojnë e vibrojnë disa nga përpëlitjet shpirtërore më të thella të poetit. Aty ndihet dhe ajo prirje e Lasgushit për metafizikë, për ërrësirë, për të mistershmen.
Dy vargjet e fundit “Dyke nisur udhëtimin mes për mes nër Shqipëri / Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi” janë si një gjetje, si një rrugëdalje nga gjithë ajo lëndë hijesh, heshtjesh, errësirash që të mpiksura e të ngjeshura në një univers errësire. Dhe mu në trung të këtij terri Lasgushi me një lartësi shpirtërore të pashoqe, me distancim, me ngritje përmbi vetveten, me një shpengim dhe me një çlirim shpirtëror nga ai duf dhe nga ai ngërç errësire që ja ka çuar zëmrën mu në fund të shpirtit, vë të rrjedhë lumi, të burojë, të çajë mes për mes, vë një rrjedhë të përrallshme domethënë magjike e mitike, domethënë të përjetshëm, ujore dhe lumore, domethënë të pafjetur kurrë edhe në natë, të pandalur kurrë edhe kur hesht natyra edhe njeriu.
Burimet e jetës janë të pafjetura, nuk duken, por burojnë e rrjedhin edhe përmes nesh, përmes kohrave, përmes natës dhe ndalesave malore, pra përmes hapësirës dhe kohës, gjeografisë dhe historisë së shpirtit. Dy vargshi i fundit është një gjënim simfonik në mbyllje të vjershës, një përgjigje për të gjitha pyetjet dhe dilemat e marra me mend, të përçuara jo aq nga fjala sesa nga tërësia e ndjenjave që prodhon poezia Poradeci. Dhe duke marrë parasysh gjeografinë konkrete ku e vendos L. Poradeci skenën e kësaj poezie me Malin e Thatë, Liqerin, Drinin, Shën Naumin, kjo ide filozofike që theksuam më lart, vjen shumë natyrshëm, buron nga vetë lënda, nga vetë peisazhi dhe i realizon, dhe i shëron përpëlitjet shpirtërore e metafizike që ngjiz dhe ngjesh brenda vetes poezia.
Studiuesit e drejtimit sociologjik të së shkuarës së afërt e nënçmonin mistikën. Së paku e merrnin atë si një gjepur a marrëzi idealiste të intelektualëve të botës e të shkollës së vjetër, ndër të cilët sëritej dhe Lasgushi. Mistika vlerësohej në armiqësi të hapur me materializmin dialektik. Këta studiues në “mëri ” me metafizikën kanë dashur ta paraqesin L. Poradecin si një poet pa përkushtime të thella, në tërësi, dhe pa shqetësime atdhetare në veçanti.
Në kundërshtim me këto mendime, poeti dhe studjuesi Prof. Sabri Hamiti në parathënien e librit Vdekja e Nositit [3])ndalet tek poezia Poradeci duke vecuar fjalët Liqer, Mal i Thatë, Drin, Shën Naum, fis për të na pohuar shqetësimet e thella atdhetare të Lasgushit. Për vargjet “ra u dergj e zuri gjumi/ zotëroi… errësira” S. Hamiti na thotë se ato përcjellin situatë të ngushtuar, gradacion të humbjes, apati, sëmundje, përtaci shpirtërore. Fjala “errësira” duhet marrë si metaforë e jo si nocion që emërton një atmosferë a një kohë. Shënojmë se këto komente më 1978, (botimi i parë i Vdekja e Nositit) në anët tona patën efektin e shungullimit të një bombe. Me atë “udhëtimin mespërmes nër Shqipëri” poezia Poradeci të con tej një gjëndjeje të ngrysët atdhetare dhe shoqërore. Drini ecën mes për mes Shqipërisë etnike, domethënë i bashkon kufinjtë e sotëm të Shqipërisë me Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare. Drini ecën dhe në përjetësi dhe në realitet.
Pra, dalja nga dy situata të territ shoqëror dhe të atij atdhetar është e mundshme. Pritet, dëshirohet, shpresohet. Poetët jo vetëm i dëshirojnë, por ata dhe i parashikojnë të ardhme të tilla të mbara e të mira në plan atdhetar dhe shoqëror. E shohin njësh, të pandarë e të begatë dheun e shqiptarëve.
Tek libri Letërsia moderne shqiptare S.Hamiti këmbëngul se poezitë “që në të parë duken përshkruese a pejsazhiste, në fakt janë poezi ku luhet drama e njohjes dhe e vetënjohjes poetike me shpirtin e vendit” dhe se” ky njoftim bëhet përherë në nivel shpirtëror e metafizik dhe kurrnjëherë fizik”.[4]) Poeti dhe studjuesi Dr. Koçi Petriti në vazhdën e studimeve të tij për artin e Lasgushit ka vënë re detajet e çoçërrit, gjinkallës, e zogut të nositit e të tjera hollësi simbolike në fund të disa prej poezive “të natyrës” që flasin për atë tulatje dhe përtëritje, heshtje dhe ringjallje si mendim filozofik që përshkon të quajturën poezi të peisazhit të Lasgush Poradecit.[5])
Të stërvitur, siç jemi, për një të vështruar sociologjk ose dhe shpjegues të letërsisë e të poezisë në veçanti, ne ende priremi të nxerrim patjetër përfundime a mesazhe të dobishme, me vlera praktike për shoqërinë a kombin nga çdo fjalë a varg i poezisë – kjo e fundit një prirje gati e sëmurë e mësueseve të letërsisë në shkolla- e kështu mund të shkasim gjer atje sa poezi të tilla si Poradeci t’i shohim si vjersha simbolike apo alegorike. Jo se te Lasgushi nuk ka nënshtresa të tilla, po nuk dua të shtyhem deri atje ku disa admirues të poetit të thonë në biseda se kjo poezi i ka të gjitha. Ajo mund të merrej dhe si një sinjal shprese e sigurie edhe mespërmes “errësirës” së kohës nën regjimin komunist, apo ajo, duke e vënë burimin te Shën Naumi, dmth te Zoti, mbetet një poezi e madhe që i kyç përbrenda të gjitha bukuritë e i mbrun të gjitha rrugëdaljet edhe atëhere kur errësira të shpon me gisht në sy. Nuk e di dhe nuk e përjashtoj, por kështu mbase do të shkonim shumë larg.
I përmbahem mendimit tim të mësipërm se lënda e ngrysjes është ajo që ka peshën më të madhe në tërësinë e poezisë, madje ajo dhe shtjellohet e nuancohet. Në vargun e parë – që ka pikë në fund- jepet pamja e vagëlluar e sipërfaqes së liqenit. Në vazhdim – ka kaluar një copë kohë – ngrysja ka përparuar, ajo materializohet dhe shpirtëzohet ( po përhapet dalngadale një pëlhurë si një hije); në vargun e tretë, hija bëhet ‘shkumb”; në të katërtin ajo merr peshë, gjithnjë e shpirtëzuar, firon, pra zhytet në thellësi të liqenit, në këtë rast, në thellësi të dritës së kaltërt a të vagëlluar, të cilën e shtyp a e zëvendëson me shkrumb. Drita është kthyer në të kundërtën e vet? Jo, më keq, ajo bje nga lart si një shkrumb i trashë kozmik. Nën këtë peshë asgjë s’pipëtin. Si nën një alarm shuhen dhe lëvizjet e fundit. Madje dhe një mbret i shpendëve nxiton drejt folesë. Në strofën e dytë nëpërmjet detajeve jepen pasojat e errësimit në jetë e në natyrë. Në strofën e tretë, pavarësisht shkallëzimit “ra u dergj e zuri gjumi, zotëroi…”, errësimi jepet në një ligjërim gati konceptual, si rimarrje dhe si përfundim logjik i të dy strofave të para.
Nëse do ta shihnim nën vështrimin e mistikës biblike, atëhere errësira është dhe mbetet të jetë pjesë e pandarë e kësaj bote dhe vetëm, kur të ngjitemi në Qytetin e Diellit të shën Agustinit, do të gjenim dritë e prehje. Vetëm duke shtegëtuar nga nata e tokësores atje në mitikë, në të përrallshmen, në Parajsë. Por vallë a nuk po e tepërojmë duke guxuar kaq shumë me interpretime të tilla të një poezie si Poradeci?
Poezia Poradeci dinamikën midis ngrysjes, ngurosjes dhe rrjedhës mespërmes saj e realizon në një poezi të hartuar me varg të shtirë dhe me ton rrëfimtar, por që përkundër qetësisë së jashtme, përbrenda alternon horizontalitetin me vertikalitetin. P.sh vargu i parë i poezisë dhe i dyti janë horizontale, vargu i tretë dhe i katërt sjell një gjëndje që nga lart bie thikë tëposhtë, madje shkon në thellësi, “po bëhet fir”. Po kështu dy vargjet e parë të strofës së dytë janë horizontalë, dy vargjet e tjerë, i treti “një shqiponjë e arratisur fluturon në Mal të Thatë”, sjell një lëndë me vertikalitet ngjitës, vargu i katërt ashtu si i katërti i strofës së parë sjell një lëndë me vertikalitet fundosës. Kjo dinamikë gjendjesh do të çonte patjetër tek ai fluturim dhe çlirim shpirtëror që mbajnë vargjet e fundit të krejt poezisë.
Si përfundim, mund të themi se poezitë e L.Poradecit, jo vetëm Poradeci, japin mundësi të gjera interpretimi. Asnjëherë nuk duhet të harrojmë atë që pas subjektit formal, pas atij që duket (një poezi pejsazhi), është subjekti i vërtetë. Ky, subjekti i fshehur, të çon drejt universalitetit. E, pra, nuk duhet ta harrojmë atë thënien e Prof. Eqrem Çabejit se një ditë këtë poet Shqipëria “do t`ia falë botës”.[6]}
Poradeci
Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir.
Po përhapet dalngadale një pluhurë si një hije.
Nëpër Mal e nër Lëndina, shkrumb’ i natës që po bije,
Dyke sbritur që nga qjelli përmi fshat po bëhet fir…
E kudo krahin’ e gjërë më s’po qet as pipëlim:
Në katund kërcet një portë… në Liqer hesht një lopatë…
Një shqiponjë e arrtisur fluturon në Mal të Thatë…
Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit tim.
Tërë fisi, tërë jeta, ra… u dergj…e zuri gjumi…
Zotëroi më katër anë errësira…
Po tashi:
Dyke nisur udhëtimin mespërmes nër Shqipëri,
Drini plak dhe i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi…
[1] Historia e letërsisë shqiptare, botim i Akademisë së shkencave të RPS të Shqipërisë, T. 1983, f.525.
[2] Antologji e letërsisë shqipe, për shkollat e mesme, bot. Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, Tiranë, 1960, f.321.
[3] Lasgush Poradeci, Vdekja e nositit, zgjodhi dhe parathënie nga Sabri Hamiti, Rilindja, Prishtinë, 1986 f. 11,12.
[4] Sabri Hamiti, Letërsia moderne shqiptare, botoi Alb-ass, Tiranë, 2000, f. 84.
[5] Koçi Petriti, gazeta Shekulli maj, korrik, 2002.
[6] Eqrem Çabej, Mbi poezinë e Lasgush Poradecit, Gazeta e re, 22 shkurt 1929, f. 3.