Perikli Jorgoni: Vrasje në mesnatë
Kushtuar martirëve të demokracisë, poetëve të pushkatuar, Vilson Blloshmit e Genc Lekës.
1.
I deshnin trëndafilat e agut të mëngjesit,
dhe cicërima zogjsh mbi degët e një plepi.
I dehte bar i freskët që tundej si i dehur,
kur frynte fllad i prillit në prozhmet hijedendur,
kur çelte lulekaçja, zambaku e manushaqja
dhe karafilit zinte i skuqej flakë faqja,
dhe shpesh i kishin parë të tretur në mendime
në zallin e Shkumbinit që rridhte me rrëmbime,
të ndiqnin të përhumbur një tufë harabela,
që humbnin përtej shpatit ndër gryka e humbella,
të ngazëlloheshin porsi çunak i mitur,
kur ndonjë flutur futej në treme pa trokitur:
Nga ngjyrat që përndizen në muzg si pa kuptuar,
Kur dielli kapton kreshtat me ar duke i praruar.
2.
E gjitha kjo çudi e bukuri e rrallë,
i bënte që të ndihen tamam si në përrallë.
Ta ndjenin plotësisht gëzimin që fal jeta,
megjithëse mjerimi, kasollet tek këneta,
përndjekja që i ndiqte ngado nga pas si hije,
dhe pse ishin nga fisi që në gjema stuhije,
në mote lufte e hallesh u sulën mu në ballë
nën breshërimë predhash ndër ckërka e në male.
3.
Visoni si dhe Genci në fshatin e Bërzeshtës
Kish lindur në një strehë që ishte afër vreshtës,
e cila kish përkundur në djep prej ahu e lisi
mjaft bij e vajza-nure që i nderonte fisi,
por ndryshe nga të tjerët kish shpirt më fort të dhembshur,
një shpirt që fërgëllonte e ndizej papandehur,
që dehej pas një ylli a pas një drapër hëne,
a prekej dhe qante nga dhimbja e një nëne,
Që errej dhe ngrysej, kur shihte nëpër ara,
fytyra pa gëzim, të ligura, të vrara,
Që dridheshin nga era e mardhnin keq nga shiu,
që i frigonte zhegu, acari e veriu.
Ndaj heshtas pyeste veten, gjer kur këta të mjerë
Do heqin e mundohen kështu kaq mot si skllevër,
s’do kenë aq para, ta përballojnë jetën,
mos t’i kërrusë puna në baltë a tek këneta.
Në galeri miniere, në shpate e zgafella,
shpesh pa ca dru në vatër, që mund t’u ngrohej gjella,
t’u ngrohej trup i mardhur edhe t’u thahej djersa
nga kaq rropatje e rendje tek stalla a lëpjeta.
4.
Dhe rritej, hidhte shtat dhe krahas kazmës, shatit,
mundohej të mësonte, të dinte nga i ati
më shumë e të njihte nga bota mjaft të fshehta,
se ç’ishte historia, se ç’ishte arti e shkenca.
Ndaj plot me zell mësoi dhe gjuhën e Balzakut,
tek prehej nën një lis a natës bri oxhakut.
Nisi që të lexonte Hygoin e Mysenë,
Bodlerin e Rembonë, Stendalin e Volterin.
Këta mjeshtër të rrallë, artistë e mendimtarë,
ashtu si dhe De Rada, Naimi e Lazgushi
i hidhnin brenda shpirtit musht mjalti e afshe prushi,
ndaj nisi edhe vetë t’i falej poezisë,
që po i çelte sythe si lulja e qershisë.
5.
Dhe poezia erdhi një mbrëmje mes janarit,
me çap të lehtë hyri nga lesa përtej gardhit,
u fut në dhomë brenda, ku vatrës ndizej zjarri,
teksa përrenj e pellgje i ngrinte keq acari,
teksa dëbora fushat e lugjet me savan
ngado po i mbulonte në heshtje anembanë,
Sa dukej vetë Zoti ish dergjur e kish vdekur,
mes reve ndrinte hëna e ftohtë dhe e mekur.
Dhe teksa shihte heshtur menduar në dritare,
Ku lule bore ngrinin në degë e ndër xhame,
Iu duk Vilit ky terr dhe gjithë kjo rrafshirë
T’i ngjiste Saharasë pa jetë e shkretëtirë.
6.
Kështu nisi të bënte gjithnjë edhe më dendur,
Mjaft vjersha nëpër zaje, në pyll a duke u endur,
Në dhomë natës vonë, teksa mikja e shtrenjtë
Me shtiza thurte triko e pupa heshtas e qetë
Për foshnjën që do linte e do mbushte shtëpinë
Me qarjet e me zërin plot trilthe e kumbim.
Porse Vilsoni s’mund ta shihte dot Enrietën,
I befën që me natë tek pragu tre surretër,
Me urdhër që të vinte me ta për disa punë,
U shtang e ngriu Diana, kaq net nuk fjeti gjumë…
7.
Dhe shpejt pas hetuesisë në skuta e bodrume
E nxorrën në Librazhd në gjyq përpara turme
Marroke e trumpirë, që mbushte kinemanë.
Iu sulën me tërbim, e nxinë dhe e shanë,
I thanë armik e vegël e verbër e reaksionit,
që pret t’i vejë minat këtij ngadhnjimtarit tonë,
me dhimbje i vështronte Vilsoni, ligur, zbehur,
edhe i vinte keq sa tepër ishin dehur,
sa fort u ishte errur gjykimi e mendja e shkretë,
sa s’dinin ç’ish gënjeshtër e ç’ishte e vërtetë!
Se rronin edhe vetë në një mjerim paanë,
me një shpërblim të pakët, pa një para mënjanë,
të mbyllur në bunker, ngujuar e harruar,
me ankthin e një sulmi të mundshëm pa pushuar,
kur kasta pushtetare sundonte, bënte pallë,
e dehur nga fjalimet me mençuri të rrallë.
8.
I mbyllur në qeli në pritje të dënimit,
I mirrte arratinë si zog i lirë mendimi,
i shkonte tek e ëma, tek baba, gruaja e mjerë,
që s’do t’i qeshte buza nga gazi asnjëherë,
që do ta rriste foshnjën me mund dhe e përçmuar
si grua e një qyqari nga shteti të dënuar.
Vilsoni u kërkonte me shpirtin e zhuritur
Të falur për andrallat, që krejtësisht papritur
U kishte sjellë. Ai s’kish bërë asnjë faj.
Si mund të bënte krim një shpirt si qiell në maj,
Një shpirt që për të mirën, të bukurën, njerinë,
Do mbante si Atllasi dhe dheun përmbi shpinë.
9.
Nëpër qeli, kaushe të ngushta e plot morra,
Mjaft shpesh ta prishnin gjumin gjer orët më të vona,
Gjersa kapitja e ditës, nga pyetjet, torturat,
nga fshikujt e kamzhikut, nga darat e nga urat
e ndezura që trupin e bëjnë gjithë plagë,
e mposhte acarimin, bezdinë e paduruar
nga morri, tartabiqi që sulen të harbuar,
me një tërbim të çmendur ndër kofsha e ndër llërë,
ndër sqetulla, ndër ije, në gjoks e prapa zverkut,
sa prush të ndizet gjaku, të luan tepeleku,
dhe sillesh nëpër shtresa dhe s’gjen aspak prehje,
gjersa nervat e lodhura lëshohen krejt në shkrehje.
10.
Nga morsi nëpër mure nga kthinat në qelira,
mësonin ç’kishte ndodhur, si ishin njerëzia,
kush ishte futur brenda, dhe kush ishte dënuar,
dhe kujt i kishin thyer me hekur brinjë e duar…
Prej tij Vili mësoi se dhe vëllai i vogël,
Bedriu si dhe Genci në burg ishin prej kohësh.
Ai e dinte mirë se dhe këta të mjerë,
që hiqnin e lëngonin në këtë burg skëterrë,
asgjë nuk kishin bërë, se ishin krejt pa faj,
si mijëra në burgje e kampe në çdo skaj,
që zhgrryheshin ndër balta, ndër puse e miniera
që qull i lagte shiu e i përthante era,
që shpesh s’kishin të hanin as edhe një copë bukë,
kur mjaft zagarë e laro, mjaft skutha e makutë,
mjaft vemje e hafije, mjaft krimba e lajkatarë
si në Olimp jetonin në dimër e behar.
11.
Pastaj pas disa ditësh me Gencin në makinën
E burgut shpejt i hipën me pranga e zinxhirë.
I zbritën në mes natës tek zalli buzë lumit,
ende pëllumbi e çafka nuk ishin zgjuar gjumit,
dremisnin lepuj, ketra e dhelprat nëpër shkurre,
dhe vetëm hëna ndrinte në qiell plot gaz e nure.
Nga Krasta era frynte e ngrinte dallgë e valë
Në rrjedhën e Shkumbinit që shkiste pa u ndalë.
Ata i ngjisnin kodrës në shtegun e përpjetë,
gjersa toga arriti në rrahun shurdh e shkretë.
Ku nën një trung prej arre si varr nxinte një gropë.
Ata s’mendonin vdekjen, se iknin nga kjo botë,
u kish rrëmbyer shpirtin kjo natë magjiplotë,
përplot aroma lulesh e vesë si pika lotë.
Me këtë qiell të kthjellë e ajër të dëlirë,
me yjet përreth hënës si perla e xhevahirë.
12.
Me pamje hijerëndë u erdhi prokurori,
nën dritën verbimtare që hidhte prozhektori:
“Ç’dëshirë të fundit kini, na flisni shkurt e prerë,
se fort ma plasët shpirtin me heshtjen pamjevrerë,
Tani s’u mbetet tjetër veç varri pus i ftohtë,
asgjë s’mbeti nga ëndrra murrake dhe e kotë”!
Ia ktheu Vilsoni trim: – O prokuror mavrija,
si mund të mbajë dheu një djall porsi lubia,
një krimb edhe nepërkë si ti, o faqenxirë?! –
Edhe me mllef gëlbazën ia hodhi në fytyrë.
U pre e u bë akull, i çmendur nga marazi
I bëri shenjë togës e toga armët shprazi,
Me breshëri qëlloi mbi këta djem krenarë,
U tundën, u lëkundën, u shembën përmbi bar.
Prej këmbësh i tërhoqën, i flakën mu në gropë,
Poetët plot me ëndrra, pa kujë e pa lotë.
Sikur të ishin qenie pa shpirt e pa një vlerë,
Dhe dheu i mbuloi t’i kish në gji ngaherë.
13.
Po si munden të vriten dy djem kaq shpirtkulluar,
Dy shpirtrafluturakë kaq fort të dashuruar
Me shushurima gjethi e dallgëzime deti,
Me qeshjen e një foshnje që guguron tek djepi,
Me ëndrrat e një nëne, me mallin e një vajze,
Me flatrat e një zogu që ulet në parvaze:
Dy djem që për ngadhnjimin e dritës e të jetës,
S’i trembte honi i frikshëm e ckërka e së përpjetës.
Guhatja e skëterrës, ngërdheshja e tiranit,
Kalvari mes galerash, hendeqesh e kallkanit,
Dhe pse ende mjaft ditë plot gaz e ëndërrime
I prisnin të jetonin me shpresa e dëshirime,
Dhe pse si tel vjoline i drithëronte jeta,
Që çelte sythe e gonxhe, dhe nëpër plasa e shkrepa.
Dhe pse iu desh të vdisnin në lulen e rinisë,
Kur shpirti u përndizej nga prushi i poezisë.
Tiranë, më 10-14 mars 2003