Pjetër Budi, kur shqipja filloi të shkëndijonte…poezi
Sadik Bejko
Duke kërkuar një paratekst
Tema e vdekjes në një poezi të Pjetër Budit dhe të frëngut Fransua Vilon.
Përkime në tekst me “Dhjata e madhe”, poezi e F. Vilonit (1431- 1463?), përkthyer shqip nga Vedat Kokona.
Tekst nga F. Vilon Tekst nga P. Budi (1566-1622)
Ku janë ata bandillë levendë Ku janë ata djem të ri,
Që u shkoja pas në djalëri? Të bukur të lulëzuom
Në daç për këngë a për kuvend Qi pate pam me sy
Shokun s’e kishin kurrësesi. Me ta fol e ligjëruom?
Zonja plot hir që s’kanë të sharë, Ku janë ato gra e vasha
Që kohën shkojnë me zbukurim, Ndë sqimë e në madhështi
Me ngushëllim plot margaritarë Me petka të mëndafshta
Vdekja i korr pa përjashtim. Nalcuom mbë zotëni?
- Vdekja- dhembje e reflektim i hershëm
Pjetër Budi nga Guri i Bardhë i Matit, para se të mbytej (ta mbytnin) në lumin Drin, në dhjetor 1622, kishte botuar katër vepra fetare në gjuhën shqipe; kishte arritur të mbajë poste të larta në hierarkinë kishtare si vikar i përgjithshëm i Serbisë dhe si peshkop i Sapës dhe i Sardës, dmth i krahinës së Zadrimës. Pas Matrëngës, disa e vendosin edhe pas Buzukut, – me nga një vjershë secili- ai vjen i treti, por më i rëndësishmi poet ndër autorët e letërsisë së hershme shqipe me rreth 3300 vargje origjinale dhe përkthime.
Vjersha e dytë, ajo me temën e Mortjes, tek e cila do të ndalem në këtë shkrim, ashtu si dhe pothuajse krejt poezitë që na kanë mbërritur prej Budit, renditen në fund të veprës së tij të parë, “Doktrinës së krishterë”, përkthyer nga latinishtja. Në këtë poezi, brenda konceptit biblik të autorit, bota tokësore dhe, përgjithësisht, rendja pas tokësores është kotësi, nëse nuk kemi parasysh Zotin.
Vdekja, kjo shpatë, vjen e na pret të gjithëve, sepse të gjithë jemi mëkatarë dhe e kemi hak vdekjen. Vjersha përcjell me dhimbje të thellë fatalitetin e vdekjes, karshi madhështisë së rreme njerëzore nën këtë diell. Poeti i drejtohet përvojës sonë direkte, po dhe asaj historike. Lënda dhe fryma e poezisë buron nga të dy dhiatat, nga e Dhiata e Vjetër dhe nga e Reja. Të sjellin ndër mend porosinë e profetit hebre Jeremia që njeriu të mos lëvdohet me pasuri, me forcë, me pushtet dhe me dituri, por me mirësinë, ushtrimin e drejtësisë dhe përkushtimin ndaj Zotit (Jeremia, 9:23). Reflekse të kësaj filozofie i gjejmë dhe te libri i Predikuesit.
Sa për formën, siç thotë E. Çabej, vjershat e Budit nuk janë pa shkëndijime të vërteta poetike.
2.Ku janë? – pyetje universale
Vlen të veçohet një fragment nga vjersha me temën e Mortjes, fragment që tashmë ka hyrë dhe në tekstet e shkollave tona tetëvjeçare. Mësuesit tanë me edukim laik, përgatitësit e teksteve shkollore, problemeve universale që shtron poeti Pjetër Budi u vënë një vizë të fortë. Ata në aparatin pedagogjik që shoqëron tekstin e këtij fragmenti, vërejnë se me këtë poezi Budi lartëson virtytet e shqiptarëve.
Këtë, lartësimin e virtyteve shqiptare, hë për hë, ta lemë me kaq. S’ua marr për keq hartuesve të teksteve. Kolegw të mi, mësuesllarë të gjorë, të ardhur nga koha e komunizmit antifetar, ashtu si unë, janë dhe ata. Por mbase, mbase… ata duan ta shesin si laike këtë vjershë me thelb të vërtetë fetar dhe kështu, duke na hedhur nga pak hi syve, arrijnë t’i bëjnë nder saqë ta përfshijnë edhe Budin në tekstet shkollore. Nejse. Budi i madh nuk ka nevojë për marifete të tilla.
Meqë nuk jam specialist i letërsisë së vjetër shqipe, nuk do ta zgjatja më tej me këtë vjershë mbi vdekjen të Budit. Por për një kohë të gjatë nuk po më shqitej nga mendja pyetja ngulmuese e saj, pyetja: “Ku janë…”? Me këtë pyetje fillon vargu i parë i secilës strofë. Ku janë…?
Sikur e kisha hasur këtë pyetje edhe tek një poet që e kisha lexuar më parë sesa Budin tonë. E kisha hasur te një poet tjetër, te një emër i dëgjuar i letërsisë në botë. Më vinte vagullimthi në mendje kjo përshtypje e një leximi të mëparshëm të një motivi të tillë, të pyetjes “ku janë”, por nuk po e gjeja dot se cili ishte ai poet dhe se në cilin libër e pata lexuar.
Me Budin janë marrë figura të shquara të shkencës së albanologjisë. U hodha një sy atyre, madje dhe monografisë së Behar Gjokës, Poetika e Budit, libër prej studiuesi dhe admiruesi të zellshëm. Robert Elsie, në ato pak faqe kushtuar Budit, poezinë Dita e Gjyqit na e jep si përshtatje mjeshtërore në gjuhën shqipe të himnit të njohur latinisht “Dies irae, dies illa”, të murgut françeskan Thomas a Celano, (rreth 1200- 1255).
Mua poezia me temë Mortjen vazhdonte ende t’më mundonte, se nuk më ndahej pyetja: Ku janë…?
Fragmenti nga Mortja, i dhënë në tekstet shkollore, një poezi e vërtetë, me një logjikë poetike dhe strukturore të përkryer, ndërtohet bash mbi pyetjen retorike “Ku janë…?”, një pyetje që vetëm në strofën e fundit merr përgjigjen asgjësuese: kanë gjetur vdekjen pa kthim më në të prapë. Bujaria dhe trimëria (st. e parë), rinia e bukur dhe e fortë, (st. e dytë), pasuria dhe shkëlqimi (st. e tretë), pushteti dhe lavdia (st. e katërt), urtësia dhe dituria ( st. e pestë), bukuria e madhështia femërore (strofa e gjashtë) të gjitha shkojnë e vdesin.
Renditen kështu majat më të larta të vlerave, më të lartat dhe më të çmuarat që njeriu mbi tokë i do, disa mbase i vijnë vetë, disa me mund dhe mënçuri i arrin, i kap, i zotëron, por… bashkë me njeriun ikin. Sipas moshës rendi i jetës ngjan se vazhdimisht të premton diçka të re për atë që të mori koha në rrjedhë e sipër, por në fund, në fund, të gjitha do t’i lësh… Kjo është një barazi e ashpër, e pamëshirshme që nuk kursen asnjërin: vdekja vjen e na korr të gjithëve.
- A ka mëshirë tjetër
Përsëritja e pyetjes e bën dhe më të prerë dhe më goditës tonin e vjershës që përçon nga përkohshmëria dhe asgjësimi i gjithëçkaje më vlerë në këtë tokë. Prapë nuk është se mohohen vlerat e kësaj bote: Pleqtë pajisen me fisnikëri, “bujarë”; trimat janë kryelartë, “sqimatarë”, të papërmbajtur e të befasishëm “si rrufe”, gratë janë të bukura etj . Duke i vënë vlerat më të çmuara (në gjashtë strofa) në balancën e antitezës me vdekjen (strofa e fundit), autori tregon mjeshtëri poetike në dhënien e mesazhit të vet.
Shumë miq, njohës të mirë të dy dhiatave, nuk më gjetën dot ndonjë fragment biblik që e përsërit kaq rëndshëm pyetjen: Ku janë? Toni, toni në këtë fragment është ai i një mprehtësie therëse prej çengeli a kanxhe; aty varet poezia, aty edhe makthi ynë në rendje për të kapur e mbajtur vlerat e gjithë qerthullit tonë jetësor.
Autori na i tund para syve dhe pastaj sikur hap dheun dhe i fundos pa mëshirë që të gjitha ato që duam. Po Budi ka për detyrë të na drejtojë te një mëshirë tjetër, te mëshira hyjnore, sipas tij, mëshira dhe ngushëllimi më i madh i njeriut, shpëtimi përfundimtar i tij; ai prandaj është predikues dhe meshëtar i nxehtë i Zotit dhe i Arbërit.
4. Fransua Vilon, Pjetër Budi- të përafërt, të ndryshëm: Ku janë?
Më së fundi, më duket se i rashë në të. Këtë pyetje e bën dhe poeti francez Fransua Vilon në poezinë e tij “Dhjata e madhe”, përkthyer shqip nga Vedat Kokona.
Vilon: Ku janë ata bandillë levendë/Që u shkoja pas në djalëri?/Në daç për këngë a për kuvend/Shokun s’e kishin, kurrsesi!
Budi: Ku janë ata djem të rinj/Të bukur të lulëzuom/Qi pate pam me sy/Me ta folë e ligjëruom?
Fransua Vilon, ky poet që cilësohet si i shthurur, që ka kusëruar dhe vrarë, siç thonë, që është vënë në litar dhe është falur, që në poezi ka një theks tragjik të ndërthurur me humor e cinizëm bashkë, ka jetuar nga viti 1431 deri pas vitit 1463.
Budi ynë, ky meshëtar dhe patriot i zellshëm, sipas shumë të ngjarash i martirizuar për patriotimin e tij, ka jetuar nga 1566- 1622. Viloni sa i pacipë aq dhe ankimtar, brenda tonit elegjak në themel të vjeshës së tij, qan ikjen e rinisë dhe katandisjen e tij, të njeriut, përherë e më për dreq. Problemet janë po ato: ikja e rinisë e bukurisë, pasurisë… asgjë s’të bën dobi dhe të jesh i urtë, kur të gjitha shkasin e bien në errësirë, në pakthim.
Te Viloni shtrimi i problemit nga rrafshi personal kalon në përgjithësimin për fatin a fatalitetin e gjithë rodit njerëzor. Dhembja është e mprehtë, por jo më në plan moral a të filozofisë biblike, është një dhembje “moderne”, e rrafshit ekzistencial. Madje prerazi dhe jo pa ironi, Viloni e shkëput veten nga porositë morale:
S’ më bie mua mëkatarit,/Prifti kësaj i daltë zot,/Se kjo është puna e meshëtarit…
Dhe prapë si lëndë është e njëjta, pavarësisht nga toni dhe e mëshuara tek dhembja:
E di se fukara, zengjinë,/Piftërinj, të urtë a të marrë/Fisnikë, fshatarë, bejlurçinë/Dhe zotërinj a hyzmeqarë/Zonja plot hir, që s’kanë të sharë,/Që kohën shkojnë me zbukurim,/me ngushëllim plot margaritarë/Vdekja i korr pa përjashtim.
5. Duke kërkuar një paratekst
Nga vërejtja e R. Elsit që na i vë pranë e pranë vjershën-përkthim mbi Gjyqin e madh të Budit me himnin e 1200-ës të Thoma Çelanos, mund të hamendësojmë se me siguri do të ketë patur dhe himne të tjera të këtij lloji, himne dhe me temën e vdekjes. Mbi të (mbase) do të jenë mbështetur secili për hesap të vet dhe sipas përvojës së vet edhe Viloni, edhe Budi ynë.
Pra, mendojmë se ka qenë një tekst tjetër, një paratekst, dhe kjo poezi e Budit tonë është një përshtatje e tij në shqip. Sa për Vilonin, sikur nuk të shkon ndër mend se ai është mbështetur gjetiu. Ai është në punë të vet: ai vuan, tallet, përpëlitet, por e sheh për të tmershme që të humbësh rininë, që të vuash në moshë të shtyrë nga budallallëqet e rinisë dhe një ditë të ikësh e ta lësh këtë botë. Sidomos për Vilonin, një zonjë e bukur, një femër trupbukur, duhet vallë, duhet të vdesë?
Viloni poet ishte një mahni e Francës dhe është e mbetet deri më sot.
Me Budin tonë shqipja e shkruar po shkëndijonte, po vetëkrijohej duke bulëzuar edhe poetikisht.
A mund të jetë e vërtetë hamendja ime se për poezinë e Vilonit e të Budit mund të ketë patur një paratekst? Llogjika këtu të çon. Shkenca një ditë do ta vërtetojë ose jo. Më shumë ka të ngjarë të ketë qenë një tekst, një himn mesjetar për vdekjen. Atëhere besohej në ardhjen e shpejtë të apokalipsit, të gjyqit të fundit. Mendimi për fundin e shpejtë të gjithë njerëzimit e ka mbizotëruar Mesjetën (J. Le Goff).
Dhe në mos qoftë një tekst i tillë, në botë ka kohë që qarkullon ideja e ekzistencës së arketipave. Sipas kësaj teorie, disa thelbe të pavarura universale përhiten e fryjnë lirisht në hapësirë dhe venë e bjenë në tru njërëzish të panjohur, të ndryshëm për nga koha a vendet kur e ku ata jetojnë dhe paskëtaj këta njerëz, përfytyrojnë, shohin, dëgjojnë a shkruajnë deri në fjalë, deri në fraza, gati pikë për pikë të njëjtën gjë.
Më tepër se kësaj ideje të bukur, në këtë rast, unë intuitivisht këmbëngul të besoj te një paratekst. Te ekzistenca e një teksti mbi vdekjen, mbi të cilin është mbështetur Budi ynë.
Sidoqoftë, për mua ishte një përvojë interesante të gjurmoja te Viloni dhe te Budi dy interpretime të ndryshme, në kohë të ndryshme, për probleme që mbeten dhe sot e gjithë ditën si pikëpyetje dhe si dhembje të mëdha përpara gjithëkujt: ku janë dhe ku venë gjithë gjërat e bukura, për të cilat mundohemi aq shumë. Pse i gjithë ky gjakim, kjo madhështi e njeriut, kur një ditë ikim e vdesim? A e gjejmë dot një vlerë që t’i bashkojë të gjitha: vdekjen me jetën, përjetësinë e shpirtërores me vlerat e larta të botës materiale? Budi si meshëtar e kishte një përgjigje. E thashë më lart. Ne të sotshmit a na mjafton, a na përmbush kjo përgjigje e të lashtëve? Nuk e di. Por poezia ka për punë të saj të jetë e bukur dhe të na vërë në mendime.
P. Budi
Ku janë ata pleq bujarë
Që qenë përpara ne
E ata trima sqimatarë
Të çpejtë si rrufe?
Ku janë ata djem të ri,
Të bukur të lulëzuom
Qi pate pam me sy
Me ta fol e ligjëruom?
Ku janë ata zotëni
Qi dojin me zotënuom
Ndë sqimë e ndë madhështi
Këtë jetë tue shkuom?
Ku janë ata perandorë
Gjithë shekullit nalcuom
Mbë krye me një kunorë
Gurëshi së paçmuom?
Ku janë ata letërorë
T’urtët e dijes të ndëgjuom
Ta bardhat porsi borë
Letëra tue kënduom?
Ku janë ato gra e vasha
Ndë sqimë e në madhështi
Me petkat të mëndafshta
Nalcuom mbë zotëni?
Gjithë mortja i rrëzoi
Sikur i pret me shpatë
Pë të ri s’i shukoi
As të vobeg as të begatë…