Viron Kona: Një libër për alienët, nga Arian Kadiu
Mbresa nga romani “Pas takimit me alienët” të shkrimtarit të njohur Arian Kadiu.
1.
Letërsia për fëmijë më ka tërhequr vazhdimisht, një parapëlqim ky që më vjen nga fëmijëria, kur lexoja me zell dhe kërshëri të veçantë librat fantastikë e shkencorë: “Pesë javë me balon” dhe “Bijtë e kapitenit Grand”, të Zhyl Vernit, “Udhëtimi i çuditshëm i Nils Holgersonit nëpër Suedi”, të Selma Lagerlof, “Robinson Kruzo” të Daniel Defo dhe shumë e shumë vepra të tjera të letërsisë botërore, por edhe të asaj shqiptare. Leximi i tyre më ka përfshirë në botën magjike të fabulave dhe aventurave të personazheve, saqë mbaj mend që nuk doja ta lëshoja librin nga dora deri në faqen e fundit.
Madje, kënaqësia e leximit të këtyre veprave, më shoqëronte edhe më tej teksa përfytyroja vazhdimisht episodet dhe ngjarjet e tyre, që shpesh i bisedonim me shokët dhe miqtë e vegjël në shkollë e në lagje. Mund të them me plotë gojë se kjo ndjesi dhe kërshëri më përfshiu edhe kur lexova kohët e fundit romanin fantastik“Pas takimit me alienët” të shkrimtarit të njohur shqiptar, Arian Kadiu.
Përpara se të shfaq disa përshtypje dhe opinione të mia, që më lindën gjatë dhe pas leximit të këtij libri, dëshiroj të sjellë në vëmendjen e lexuesit se Arian Kadiu, ka lindur në Peshkopi, në vitin 1943, është diplomuar në Universitetin e Tiranës, në fakultetin Histori-Filologji, dega gjuhë -letërsi shqipe. Ka fituar titujt: Profesor Doktor (2007), “Mjeshtër i Madh” (2017) dhe “Nder i qytetit të Peshkopisë” (2012). Ka punuar gazetar dhe redaktor në gazetën “Mësuesi”, specialist në kabinetin pedagogjik të Peshkopisë, Specialist Kombëtar në Institutin e Studimeve Pedagogjike, kryeredaktor i revistës “Univers’, sekretar kolegjiumi i revistës “Mjekësia dhe infermieria bashkëkohore”, pedagog i jashtëm në universitet, etj.,ndërkaq, ka dhe disa specializime ndërkombëtare për psikologjinë e moshave të reja.
Kush është Arian Kadiu?
Arian Kadiu është autor i 53 librave me karakter shkencorë (mbi 15 libra), letërsi artistike (16 libra), tekste shkollore 17 libra) si dhe autorë i qindra artikujve me karakter studimorë, shkencorë dhe publicistikë, ndërkohë që është pjesëmarrës dhe kontribuues në veprimtari të shumta dhe të larmishme arsimore dhe kulturore brenda dhe jashtë vendit. Ka fituar disa çmimeve letrare në rrafshin kombëtar.
Ndërkaq, duke qenë se në artikull kam objekt një libër artistik të këtij autori, po sjellë në kujtesën e lexuesit edhe një sërë titujsh librash të tij të këtij zhanri si: “Aventurat e pabesueshme të Batos”, fitues i çmimit të parë në konkursin shpallur nga shoqata e shkrimtarëve për fëmijë (Novelë-përrallë, 2002), “Pendimi i arushit pa bisht”, (Pjesë për kukulla,1975), fitues i çmimit të dytë në konkursin e 30-vjetorit të çlirimit të atdheut, “Vajza e Kuklandit” (Roman), “Një telefonatë në mesnatë” (Roman), “Kur dremiste Sahati i Tiranës (Roman, 2013), “Një ndodhi në det” (Tregime, 1997), “Pse dridhet harku i violinës” (Tregime, 1974), “Pas takimit me alienët” roman i rekomanduar nga MASH për lexime jashtë klase (Roman, 2002), “Trishtimi i blertë” (Novela për adoleshentë, 2003), “Stina e pestë” (Poezi, 2003), “Qyteti prej rëre dhe pallati i vërtetë” (Tregime, 1978), “Takimi i parë” (Novelë e tregime 1972)…
Ashtu siç përmenda më sipër në këtë artikull po ndalem veçanërisht te romani fantastik shkencor “Pas takimit me alienët”, botuar në vitin 2004 nga Shtëpia Botuese “Fllad”, i cili është i rekomanduar nga MASH për lexime jashtë klase. Libri është botuar dhe ribotuar disa herë, pasi interesim për të nga fëmijët dhe të rinjtë kanë ardhur duke u rritur.
2.
Që në fillim dëshiroj të them se, romani “Pas takimit me alienët”, për hir të së vërtetës më tërhoqi dhe më mbajti ndezur kureshtjen nga fillimi deri në fund. Faqe pas faqeje ndjeva se u zhyta në një botë të bukur dhe tërheqëse, ku përpara lexuesit shfaqen personazhe origjinalë dhe interesantë, përshkruhen episode dhe ngjarje që ngacmojnë fantazinë dhe imagjinatën, të vënë në mendime dhe të bëjnë të ndjesh dhe të përjetosh thellë bukurinë e një vepre të vërtetë letrare.
Romani, të cilin autori ua kushton djemve të tij Helidorit, Florianit dhe Albit, është ndarë në dy libra: Libri i parë mban titullin “Të pabesueshme dhe të besueshme” dhe Libri i dytë “Zbulimet e reja të Albit”.
Që në nisje të Librit të parë, me mjeshtëri të lartë artistike, autori e tërheq lexuesin dhe e “zhyt” magjishëm në atmosferën e librit: “Albit i doli gjumi. Për çudi nga dritarja vinte një erë e lehtë. Po djali u drodh. Jo nga era e freskët. Ai e kishte mbyllur dritaren me dorën e tij. Madje, edhe i ati, kur i uroi “Natën e mirë!” e kish provuar në ishte mbyllur. Kush e kishte hapur atëherë?! Dikush ishte në…
Kështu, libri rrëmben kureshtjen e lexuesit, i cili në vazhdim mëson se Albi u tremb derisa i ra të fikët dhe, kur u përmend ai e pa veten përsëri në krevat. Deshi të ngrihej por nuk mundej, ndërkohë që një zë i ngjirur, i mprehtë që sikur dilte nga një magnetofon i vjetër, e bëri të shtrihej, të mos merrte frymë dhe të shqyente sytë…
Kureshtja e lexuesit vjen duke u rritur dhe ai përfshihet nga ankthi pritës: si do të vijonin ngjarjet më pas? Dhe, gjatë leximit, shpejt lexuesi i vogël mëson se përball Albit qëndronte një alien, i cili i shprehu një dëshirë paqësore: të njihej me djaloshin…
Në vazhdim ishte kureshtja që e bëri Albin ta kërkonte vetë alienin, ta takonte dhe të bashkëbisedonte me të. Alieni erdhi. E quanin Entei dhe mes tyre nis një miqësi dhe bisedë e këndshme. Alieni tregoi se planeti nga ai vinte ishte shumë më përpara, shumë më i zhvilluar dhe se shpejtësia me të cilën ata lëviznin në hapësirë ishte sa gjysma e shpejtësisë së dritës. Ata kishin ardhur disa herë në Tokë për të shpëtuar disa alienë, që njerëzit i kishin zënë robër…Ndërkaq, autori me takt dhe mjeshtëri, na tregon se edhe vet personazhi kryesor Albi ka një të fshehtë, ai ka lindur me fletë…
Teksa tregimet dhe aventurat vazhdojnë, ndodhemi përpara një situate të re, përpara Albit shfaqet një tunel dhe, duke qenë me fletë e duke pasur mik një alien, ai dëshiron të futet dhe të zbulojë…Më tej, me një fantazi tërheqëse, shkrimtari e vendos personazhin e tij në situata të magjishme, interesante dhe të pëlqyeshme për fëmijët, por edhe që nxisin kureshtjen e tyre për të mësuar vazhdimin. “Letra e të padukshmit” hap një tjetër dritare kureshtje, teksa vijojnë tregimet: “A mund ta kalosh ylberin?”, “Albi i përgjigjet letrës së të padukshmit”, “Nga kompjuteri vërsulet një ujk”, “Butoni jeshil”, “Një krokodil”, “Ishulli i panjohur”, “Pajtoni i mrekullueshëm”, “Ujku tmerron pyllin”,“Letra tronditëse me lajme shumë të këqija”, “Butoni i kuq”, “Shqiponja e plagosur”,“Alieni Entei apo xhuxhi i vogël dalë nga përrallat”, “Në bibliotekat më të mëdha të botës”, “E fshehta për djalin e padukshëm”.
Shkrimtari gjen rastin të na tregoji se me gjithë botën e vrullshme dhe të përfshirë në aventura, Albi ka edhe merakun të ndihmojë doemos djalin (personazh) që e ka zënë halli se si ai të bëhet i dukshëm, nga i padukshëm që është aktualisht. Me ndihmën e alienit Entei, Albi e gjen ilaçin e duhur dhe ia dërgon recetën djalit të padukshëm me internet. Aty lexuesit e vegjël do të njihen me kënaqësinë e madhe që ndjeu Albi sepse po ndihmonte një fëmijë të zgjidhë hallin e tij të madh, nga i padukshëm të bëhet i dukshëm. Kështu, Albi shfaqet përpara lexuesit si një djalë me zemër të gjerë, me botë të madhe shpirtërore, me merak që të mos shikojë vetëm veten e tij, por të ndihmojë edhe njerëz të tjerët që kanë halle dhe, në këtë veprim-ndihme, ai gjen kënaqësi. Bukur, apo jo?
Por le të vijojmë me kapitujt e tjerë, sesi vazhdon libri, aventurat dhe tregimet e të cilit, bëhen njëri më interesant dhe më i bukur se tjetri. Ja, po vazhdoj me leximin e kapitullit: “A do të kthehej në vendin e tij?” Pra, edhe Albi qenka përpara një halli të madh: A do të kthehej dot në vendin e tij, në shtëpinë e tij, te prindërit dhe familja e tij? Dhe, autori, mjeshtër në artin e krijimit, me fantazi dhe imagjinatë, zgjon besimin edhe të personazhit, Albit, por edhe të lexuesit se “Doemos duhej të gjente një rrugëdalje. Ky udhëtim fantastik e kishte mësuar që s`duhej të dorëzohej asnjëherë…” Ama deri atëherë ai kishte mësuar si pa kuptuar shumë gjëra, kishte mësuar edhe për ylberin, se si formohej ai; kishte mësuar për ujkun dhe zakonet e tij të egra; për shqiponjën me sy dhe vesh të mprehtë; për delfinët që shpëtojnë varka me njerëz, për…
Po vijojmë më tej, sesa bukur autori gërsheton tregimet dhe aventurat. A nuk ndodh që fëmijët shpesh thonë: “Ah, sikur të arrijë në majë të atij mali dhe do të shija prej atje gjithë botën!” Por, ai nuk e di se kur arrin në majë të atij mali që dëshiron, kuptohet me shumë mundime dhe sakrifica të mëdha si alpinistët, shikon se përpara ka disa maja të tjera, mbase edhe më të larta…
Libri i parë mbyllet me “Epilogun”, ku autori gjen rastin t`i shpjegojë lexuesit të vogël se çfarë kuptojmë me fjalën “Epilog”? Me atë rast, ata që nuk e dinë mësojnë se “Epilogu është pjesa përmbyllëse e një vepre letrare ose fati i mëtejshëm i personazheve pasi ka kaluar një kohë.”
Në vazhdim, shkrimtari e përgatit lexuesin të hap faqen e parë të Librit të dytë, që titullohet “Zbulimet e reja të Albit” dhe që vijon me tregimet: “Ngjarja më e madhe e kohës”, ku lexuesi njihet me të tjera aventura, me të tjerë personazhe të librit…Ja tek shfaqen mjeshtër Kliti, i cili kush e di pse “Nuk donte të bëhej Kryetar Shteti?”; vazhdojnë tregimet: “Kështjella misterioze”, “Lëkura e gjarprit”, “Ku është arka e madhe?”, “Qenushi i vogël “shkatërron” misionin e tyre sekret”, “Albi gjen arkën e madhe”, “Arkëza e vogël, e fshehta e thesarit”, “Peshku”magjik”,“Cironka e artë”,“Ngjyrat e globit”, ku fëmijët argëtohen me ngjarje plot bukuri dhe kureshti e që të nxitin të vazhdosh më tej leximin, duke u ndaluar dhe duke menduar herë për njërin tregim dhe herë për tjetrin, ndërkohë që fantazia dhe imagjinata fëmijërore bëjnë hapat e tyre të mëdhenj drejt realizimit të ëndrrave dhe dëshirave për jetën, për shkollën, për lodrat, për aventurat, për dashurinë për familjen, njerëzit, atdheun…
Vazhdon libri i dytë me tregimin: “Dy shpendë por krejt të veçantë”, ku fëmijët mësojnë se cili është shpendi më i vogël dhe shpendi më i madh, vendbanimet e tyre, karakteristika dhe veçori, zakone…Pastaj “Alieni xhuxhi i përrallës” lexon” në mendjen e Albit”. Në këtë tregim shfaqet dukshëm dashuria e Albit për njerëzit, ai nuk e pranon kushtin e Xhuxhit të përrallave, që të largohet dhe të mos kthehet më tek njerëzit, kështu që, ai pranon që më mirë t`i hiqeshin fuqitë magjike, sesa të ndahej nga njerëzit. Vazhdon tregimi tjetër “Albi stërvit qenin”, i cili ishte dhuratë nga xhuxhët e përrallave. Akoma më interesantë janë tregimet“Përgatitje për aventurën e re”, “Me anijen kozmike në Hënë’. Aventura në Hënë është mjaft tërheqëse dhe të mban ndezur kureshtjen, por edhe u mëson lexuesve të vegjël për mënyrën e fluturimit drejt Hënës, si dhe dukuri e fenomene natyrore dhe fizike, fakte dhe kuriozitete interesante. Veçanërisht tërheq vëmendjen tregimet “U nisën tre, por u kthyen dy udhëtarë nga Hëna” dhe “Fundi i epilogut të dytë”.
3.
Lexon 144 faqe libër dhe qëndron i menduar një copë herë. Libri të ka vënë në mendime, ai ka nxitur fantazinë dhe imagjinatën, ka ngacmuar mendimet, deri atëherë të fjetura, i ka vënë ato në lëvizje, dhe, kësisoj, lexuesi i vogël kërkon të ketë jetën dhe aventurat e tija, të shoqëruar me episode dhe ngjarje interesante. Ashtu si dhe personazhi kryesor i librit Albi, edhe ai ëndërron dhe përfytyron, nxitet dhe dëshiron, teksa librin e mban shtrënguar në duart e tij të vogla. Është kjo mjeshtëria e shkrimtarit Kadiu, i cili ndodhet në çdo shkronjë dhe faqe të librit, me fantazinë dhe krijimtarinë e tij, ndërkohë që e nxit vazhdimisht lexuesin, të vazhdojë të vozitë në detin e jetës, me anijen e tij të ëndrrave e përfytyrimeve, të çajë dallgët…Ja, edhe erërat janë të mbara…!