Ruben Avxhiu: Kundër adhurimit dhe urrejtjes
Politikanët e ndershëm e idealistë janë të rrallë. Po ashtu edhe ata gjenialë. Në përgjithësi shoqëritë bëjnë ç’është e mundur me ata që u kanë sjellë fati dhe vota e tyre.
Në kushtet e shqiptarëve, ne kemi klasa politike që mund të konsideroheshin edhe fatkeqësi kombëtare, nëse shoqëria jonë nga e cila kanë dalë dhe ku lulëzojnë do të ishte më e moralshme. Po nëse flasim ndershmërisht, janë bimë që shkojnë me batakun nga kanë dalë e të cilin e baltosim dhe ujisim edhe vetë nga pak çdo ditë.
Po politikanët e papërkryer mund të nxiten, frymëzohen, shtyhen, kërcënohen e detyrohen që të sillen në mënyrë të përgjegjshme, që të vendosin në radhë të parë të mirën e shoqërisë dhe që të vetëpërmbahen në abuzimin e pozitës.
Nuk mund të ndreqet në thelb natyra njerëzore, po përmirësimet janë të mundshme.
Asnjë politikan nuk e meriton adhurimin e qytetarëve, të paktën jo gjatë kohës kur është aktiv. Meriton duatrokitje e lavdërim për veprime të caktuara, për vendime që ka marrë e fjalë që ka thënë. Po vetëm për to. Ato nuk duhet të kthehen në arsye për ta idealizuar atë si njeri. Një njeri i keq mund të marrë vendime të mira. Një politikan shembullor ka ende kohë që të degjenerojë në korrupsion, abuzim të detyrës, mashtrim e krime. Politikani është njeri dhe nga natyra i papërkryer e si i tillë është akoma edhe më në rrezik kur rrethohet nga adhurimi. Mekanizmat psikologjikë e moralë që e përmbajnë dobësohen, nganjëherë me pasoja fatale.
Simotra e adhurimit është urrejtja. Njerëz që arrijnë të mos adhurojnë udhëheqësit e partive të tyre, janë gjithësesi të paaftë të përmbajnë përbuzjen dhe urrejtjen e tyre për udhëheqësit e partive kundërshtare. Ata shihen si personifikim i djallit vetë. Çdo thashethem kundër tyre besohet dhe nuk janë pa kata që ëndërrojnë zhdukjen nga faqja e dheut të krykundërshtarëve të tyre politikë. Ndonëse janë pa kata që urojnë vërtet vdekjen e rivalëve politikë, thellë në vete shumëkush beson se mjafton të mos ekzistonte filan politikan dhe shoqëria, në mos bota do të ishte ndryshe.
Këto qendrime gjithashtu e bëjnë të pamundur krijimin e kanaleve të bashkëpunimit mbarënjerëzor për çështje që shkojnë përtej partiakes. Çdo akt tolerance shihet si tradhëti. Ekstremisti e puristi trajtohen si të virtytshëm, ndonëse janë shpesh hajvanë të paaftë për të parë përtej një përmase të problemit, apo thjesht abuzues që marrin poza publike.
Ata që arrijnë të zgjohen nga këto dy sëmundje të natyrshme njerëzore janë përsëri në rrezik të përfundimit në gropën e cinizmit. Në pamundësi për të adhuruar dikë, e gjithë klasa politike shihet si një dështim që nuk meriton përkrahje. Nuk ka asgjë të mirë nga kjo. As nga bojtokimi i procesit politik.
Përkundrazi, njerëzit që kanë mënçurinë e karakterin e nevojzhëm për të shkuar përtej adhurimit dhe urrejtjes, duhet të mbeten kritikë të përkushtuar të jetës publike, duke lavdëruar e dënuar jo politikanët si njerëz, po vendimet, veprimet dhe retorikën e tyre.
Nëse është qeveritari apo politikani njeri i mirë nuk është punë e debateve politike. Të çliruar nga miti folklorik i udhëheqësit idealist dhe nga trashëgimia komuniste e udhëheqësit të përkryer dhe armikut që është jo vetëm kundërshtar por ka edhe të gjitha veset e botës, njerëzit mund të gjykojnë të qetë dhe në mënyrë objektive punën dhe fjalorin e politikanëve. Do të jenë më të qartë e më të ndershëm në gjykimet e tyre politike. Kjo do t’i jepte qytetarit një ndërgjegje të qetë e forcë vullneti që ka munguar në shumicën e periudhës paskomuniste shqiptare. Kjo do të ishte vërtet fillimi i një Rilindje, i asaj që nis nga brenda nesh e që në fund shkund nga vendi politikën e historinë e epokës./ylliria press/