Dr. Uran Butka: Marrëveshja historike e Mukjes
Në përvjetorin e 75-të të Kuvendit të Mukjes, sapo botova, pas një hulumtimi dhe studimi të gjatë të arkivave shqiptare dhe të huaja, librin “Marrëveshja e Mukjes – shans i bashkimit, peng i tradhtisë”, një marrëveshje kombëtare mes organizatës së Ballit Kombëtar dhe Këshillit të Përgjithshëm NÇ (1-3 gusht 1943). Në këtë botim të plotësuar me dokumente të rinj, jepen kushtet historike që imponuan marrëveshjen e Mukjes: Në një kapërcyell kohësh: në prag të kapitullimit të Italisë fashiste dhe të pushtimit gjerman të Shqipërisë; në një udhëkryq të historisë sonë: në prag të bashkimit kombëtar në luftën kundër okupatorëve, por edhe të ndarjes, të mosmarrëveshjes dhe të konfrontimit të madh brenda vetes, në një dualitet alternativash: nacionaliste apo komuniste, demokratike apo totalitariste, perëndimore apo lindore.
Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, sidomos përgjatë vitit 1943, kudo, në çdo familje, fshat, qytet e krahinë të vendit, si edhe në diasporë, flitej e shkruhej për nevojën e domosdoshme të bashkimit të të gjithë shqiptarëve për të përballuar kushtet e rënda të pushtimit italian dhe veçanërisht, të bashkimit për të përballuar një pushtues tjetër më të egër, i cili kishte bërë daljen dhe goditjen e parë në Borovë, korrik 1943. Pra, në prag të mbledhjes së Mukjes, bashkimi ishte një kërkesë mbarëkombëtare, një imperativ i kohës.
Mirëpo, ndarja e madhe në dy grupime antagoniste të rezistencës shqiptare, ku përfshihej gati i gjithë populli, e kishte brenda mundësinë e bashkimit të përshpejtë, sidomos përballë pushtuesve nazifashistë, por e kishte brenda edhe rrezikun e konfliktit, sidomos përballë presionit sllavo–komunist; i kishte premisat objektive edhe për bashkëpunim, por edhe konfrontim midis tyre për pushtet, gjë që mund të sillte luftë civile. Përballë këtij rreziku të dyfishtë, e vetmja zgjidhje pozitive e shpëtimtare për Shqipërinë ishte bashkëpunimi midis dy grupimeve më të mëdha politike e ushtarake në luftë kundër armiqve të përbashkët të Shqipërisë, por edhe më tej.
Këtë e realizoi Kuvendi i Mukjes. Ndryshimi i Marrëveshjes së Mukjes nga marrëveshjet e mëparshme të shqiptarëve qëndron në faktin se ato ishin përgjithësisht të njëzëshme, ndërsa Mukja bashkoi për interesa madhore dy krahët më ekstremë, madje armiqësorë, të mendësisë dhe të politikës shqiptare: organizatën nacionaliste të Ballit Kombëtar dhe Lëvizjen Nacionalçlirimtare të udhëhequr nga PKSH.
Ndryshimi tjetër është, që marrëveshja e Mukjes u imponua nga poshtë-lart, nga nevoja e kërkesa e vetë popullit për bashkim e luftë të përbashkët, gati në gjithë krahinat e Shqipërisë.
A mund të bashkoheshin dy të kundërtat, kur ishte në lojë interesi kombëtar?
Po.
Së pari, sepse në këtë moment kritik bashkëpunimin e kërkonin të gjithë shqiptarët e ndershëm e patriotë. Bashkimi ishte bërë nevojë e vullnet i një kombi. Në mos në Mukje, diku tjetër do të kryhej ky akt madhor, i mbarsur në kohë. Duhej një luftë e përbashkët antifashiste dhe jo një luftë e pjesshme, partiake.
Së dyti, edhe situata ndërkombëtare në verën e vitit 1943 ishte më e favorshme. Koalicioni i madh antifashist po përparonte në luftën kundër nazifashizmit. Misionet aleate britanike kishin ardhur në Shqipëri dhe kishin kontaktuar si me Nacionalçlirimtaren, ashtu edhe me Ballin Kombëtar, kërkonin bashkëpunimin mes tyre në luftë kundër ushtrive të Boshtit dhe e mbështetnin atë.
Së treti, sepse të dyja grupimet kryesore të rezistencës antifashiste: organizata e Ballit Kombëtar dhe Këshilli i Përgjithshëm NÇ, e konsideronin okupatorin si armik, shkelës së sovranitetit dhe të pavarësisë së Shqipërisë dhe si i tillë ai duhej luftuar.
Së katërti, deri në Mukje grupimet kryesore politike ende e konsideronin njëri-tjetrin si kundërshtarë politikë, por jo si armiq. Fakti që gjatë vitit 1943, ishin nënshkruar e arritur mjaft marrëveshje lokale dhe kërkohej me insistim nga populli dhe nga përfaqësuesit e të dy organizatave në bazë që ky mirëkuptim të vendosej edhe në qendër, fakti që deri në gusht të vitit 1943, çetat nacionaliste dhe ato partizane në përgjithësi nuk erdhën në përpjekje të armatosur midis tyre, madje zhvilluan mjaft beteja të përbashkëta si në Gjorm, Pocestë, Reç etj., vërteton frymën ekzistuese të mirëkuptimit e jo të konfrontimit mes shqiptarëve.
Së pesti, sepse zgjidhja e çështjes sonë kombëtare, doli si problem jetësor i kombit shqiptar, sidomos gjatë Luftës së Dytë, kur ishte bërë de fakto bashkimi i një pjese të mirë të trevave të Shqipërisë Verilindore me shtetin amë. Kërkesa për vetëvendosjen e popullit të Kosovës sipas parimit të Kartës së Atlantikut u bë shprehje e vullnetit gjithë kombëtar, gjë që impononte e kapërcente edhe mospajtimet politike të grupeve kryesore të rezistencës. Edhe përfaqësuesit e Këshillit të Përgjithshëm NÇL., në Mukje, megjithëse nuk e kishin në programin e tyre Shqipërinë etnike për arsyet që tashmë dihen nuk dolën kundër dëshirës e vullnetit gjithëshqiptar për një Shqipëri të bashkuar etnike dhe më në fund e pranuan këtë opsion. Në një letër të Miladin Popoviçit drejtuar Titos, në prag të Konferencës së Mukjes shkruhet ndër të tjera: “E tanë Shqipënia asht e okupueme prej këtij problemi”.
Për këto arsye, marrëveshja e bashkëpunimi gjithëshqiptar ishin plotësisht të mundshme.
Mukja po trokiste në dyert e historisë shqiptare, se e kërkonte koha.
U bënë mjaft takime e konsultime paraprake ndërmjet eksponentëve kryesorë të të dy organizatave, por elementët kryesorë bashkues ishin Abaz Kupi nga Nacionalçlirimtarja dhe Ihsan Toptani nga nacionalistët.
Dokumenti më i rëndësishëm në rrugën drejt Mukjes ishte, pa dyshim, ai i datës 18 korrik 1943, një mesazh i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar drejtuar Organizatës së Ballit Kombëtar, hartuar dhe firmosur nga Y.Dishnica, M.Gjinishi, A .Kupi dhe M.Peza, që shpreh parimet kryesore të Lëvizjes Nacionalçlirimtare mbi të cilat u arrit edhe mirëkuptimi. Ky dokument i rëndësishëm nuk është botuar më parë dhe është heshtur qëllimisht, sepse këto parime demokratike, si: lufta antifashiste ku të marrin pjesë gjithë atdhetarët pa dallim feje, krahine dhe ideje; moscenimi i pronës dhe i iniciativës private, zgjedhje të lira e demokratike pas shporrjes së pushtuesve, u shmangën më vonë.
Sipas procesverbalit të mbledhjes së Mukjes, të dyja organizatat u përfaqësuan nga këta. delegatë:
Delegacioni Delegacioni
i Ballit Kombëtar i Këshillit të Përgjithshëm NÇ
1 .Z Av.Hasan Dosti 1. Major Abaz Kupi
- Z.Mid’hat Frashëri 2. N/Kolonel Jahja çaçi
3 .Av.Thoma Orollogai 3. Kom.Myslim Peza
- Av.Skënder Muço 4.Dr.Ymer Dishnica
5 Komandant Hysni Lepenica 5.Z.Mustafa Gjinishi
- Prof.Isuf Luzaj 6.Dr.Omer Nishani
- Komandant Kadri Cakrani 7.Dr.Sulo Bogdo
- Major Rauf Fratari 8.Z.Stefan Plumbi
9 .Prof.Nexhat Peshkëpia 9.Z.Shefqet Beja
10.Av.Halil Mëniku 10.Z.Medar Shtylla
11.Kom.Ismail Petrela 11.Z.Haki Stërmilli
12.Prof.Vasil Andoni 12.Gogo Nushi
Kryetarë delegacionesh ishin Mid’hat Frashëri dhe Ymer Dishnica. Kryetar i punimeve të Kuvendit u zgjodh me propozim të Nacionalçlirimtares, Thoma Orollogai, delegate i Ballit Kombëtar, ndërsa sekretar Mustafa Gjinishi i Nacionalçlirimtares.
Pas një debate prej tri ditësh, u arrit marrëveshja. Pika e parë e saj ishte krijimi i Komitetit “Për shpëtimin e Shqipërisë”. Atributet e tij të rëndësishme, flasin për një zgjidhje të re politike, për një përgjegjësi, pjekuri dhe angazhim të madh kombëtar të forcave politike kryesore në Shqipëri. Ky ishte forumi i parë pluralist në Shqipëri, si forma më demokratike e qeverisjes së botës së qytetëruar. Kjo mënyrë organizimi do të shtrihej edhe ne gjithë strukturat e bazës dhe do të unifikonte drejtimin, do të shmangte anësinë partiake, do të eliminonte përçarjen e antagonizmin, do të mënjanonte rrezikun e luftës civile, do të bashkonte në një front të përbashkët të gjithë shqiptarët pavarësisht nga bindjet politike, nga përkatësia partiake, fetare, krahinore, në luftë të përbashkët kundër okupatorëve dhe do të çelte udhën e demokracisë së vërtetë pluraliste perëndimore.
Në proklamatën e datës 3 gusht 1943, Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, paraqiti këtë program:
- Luftë të përbashkët dhe të menjëhershme përbri Aleatëve të mëdhenj Anglisë, SHBA dhe Bashkimit Sovjetik si edhe të popujve të shtypur kundra pushtuesit barbar, me divizën rilindase “Ja vdekje, ja liri”
2 .Luftë për një Shqipëri të Pavarme, luftë për zbatimin e parimit të njoftun botërisht e të garantuara nga Karta Atlantike të vetëvendosjes së popujve, për një Shqipëri etnike .
3 .Luftë për një Shqipëri të lirë, demokratike e popullore.
Komiteti për shpëtimin e Shqipënisë do të vazhdojë luftën tue udhëhequn popullin shqiptar në rrugën e sakrificës dhe të nderit deri në formimin e një qeverie provizore.
Forma e regjimit do të caktohet prej vetë popullit me anën e një Asamblejeje kushtetuese të zgjedhur me sufrazh universal direkt.”
E veçanta e Kuvendit të Mukjes ishte trajtimi me përparësi dhe kompetencë i çështjes sonë kombëtare në krizë, veçanërisht i Kosovës. Në Mukje u bë përpjekja e parë institucionale për zgjidhjen e çështjes së Kosovës sipas vullnetit të popullit shqiptar dhe në bazë të parimit universal të vetëvendosjes së kombeve.
Mid’hat Frashëri insistoi që çështja e Kosovës detyrimisht të trajtohej e të përcaktohej në këtë kuvend dhe të luftohej për zgjidhjen e saj të drejtë pas luftës, sepse, nëse nuk do të ndodhte kështu, atëherë, as që do të përmendej më çështja kosovare dhe Kosova do të ishte e humbur. Ai parashtroi që zgjidhja e statusit të saj të bëhej mbi të drejtën kombëtare të Shqipërisë etnike dhe mbi parimin e vetëvendosjes së kombeve, të garantuar nga Karta e Atlantikut.
Ky formulim respektonte vullnetin e popullit shqiptar për vetëvendosje dhe përjashtonte ndryshimin e kufijve me dhunë. Ky formulim harmonizohej edhe me politikën e Fuqive të Mëdha Antifashiste që kishin shpallur botërisht se nuk njihnin kufijtë e ndryshuar me dhunë nga pushtuesit nazifashistë, pra ishte njëherësh edhe një pohim edhe një bashkërreshtim në Frontin Antifashist Ndërkombëtar.
Një rol të rëndësishëm në arritjen e konsensusit luajtën sidomos Mid’hat Frashëri, Ymer Dishnica, Omer Nishani, Abaz Kupi, Hasan Dosti, Isuf Luzaj, Rauf Fratari, Mustafa Gjinishi, Hysni Lepenica, Nexhat Peshkëpia e të tjerë.
Vendimet e Konferencës së Mukjes ishin të qenësishme, jo vetëm për momentin historik, por edhe për ardhmërinë e Shqipërisë e të kombit shqiptar, sepse ato konfirmonin bashkimin dhe jo ndarjen, siguronin luftë të përbashkët kundër çdo okupatori, për një Shqipëri të lirë e të pavarur, mundësonin në të ardhmen një Shqipëri demokratike dhe rreshtimin përbri Aleatëve të mëdhenj Antifashistë, por edhe përcaktonin rrugën më të drejtë për zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare.
Ky program i përbashkët u arrit, pasi të dyja përfaqësitë u treguan tolerante dhe i bënë lëshime njëra tjetrës. Në këtë pikë, Mukja është edhe shembull i mendimit e i veprimit demokratik si pjesëmarrje, bisedim konstruktiv e tolerancë të admirueshme, një kompromis e një zotim i përbashkët. Është një model i dialogut kombëtar, i debatit dhe i mirëkuptimit. Aleanca që u arrit në Mukje, premtonte se edhe në të ardhmen forcat politike shqiptare do të merreshin vesh midis tyre për çështjet themelore.
Menjëherë pas Konferencës së Mukjes, Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, organizoi në datën 4 dhe 5 gusht 1943 një betejë të përbashkët në afërsi të Qafë-Shtamës kundër ushtrisë italiane, që marshonte për në Mat.
PROKLAMATË
“Çetat vullnetare partizane të Ushtrisë NÇ dhe çetat e Ballit Kombëtar nën komandën e majorit Abaz Kupi më datën 4 të gushtit 1943, në orën 10.00, mbasi muarën, vesh se ushtria italiane shkonte për në Mat, u nisën për t’i prerë rrugën në të gdhirë. Kur çetat mbërritën në këtë vend, ushtria armike, mbasi dogji disa shtëpi që ndodheshin afër rrugës si dhe komunën dhe zyrën e botores, kaloi dhe po i afrohej Qafë-Shtamës. Mbasi çetat nuk mund të arrinin në kohë, në ato pozita ku do t’i pritnin, u detyruan të ecnin gjithë natën dhe si kaluan malin e Liqenit, i dolën përpara në kufirin e Matit, dy km afër Qafë-Shtamës.
Plot në orën 7.10 të ditës së nesërme, ushtria italiane e përbërë prej 750 vetave, mbërriti në vendin e pritjes e përnjëherësh filloi luftimi, i cili zgjati 3 orë rresht dhe mbaroi me shpartallimin e plotë të ushtrisë armike.
Humbjet e armikut janë: 150 të vrarë, 40 të plagosur, 7 robër. Në mes të të vrarëve italianë është edhe oficeri kolonel A.P.Scarpa, të cilit i është gjetur në xhep një medalje të fituar kur ka hyrë në tokën shqiptare ditën e 7 prillit 1939. Është kapur një material kolosal. Të numëruar deri tani janë: një mortajë e rëndë me gjithë municione, 6 mitraloza të rëndë komplet me municione, 10 mitraloza të lehtë dhe mjaft municione për to,160 armë lufte, 7 radio fushore marrëse-dhënëse, 5 kuaj. Gjithashtu janë marrë revolverë, material sanitar, batanije e materiale të tjera të ndryshme .
Humbjet tona janë një i vrarë dhe dy të plagosur.”
Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë (AQSH, f.270, d.5, v.1943)
Kjo luftë, dy ditë pas Mbledhjes së Mukjes tregoi se kjo nuk ishte një shprehje historike, por një realitet, nuk ishte vetëm një marrëveshje në letër, por edhe një marrëveshje konkrete për bashkëpunim në luftë, nuk ishte një tradhti që, sipas E.Hoxhës – binte ndesh me interesat e Luftës antifashiste, “por ishte një lidhje bese në dobi të luftës çlirimtare dhe të çështjes kombëtare, nuk ishte një gjë “formale” “e një grackë” – siç thoshte E.Hoxha, po një vendim e një veprim i vullnetit të një populli; ishte, në fund të fundit, një ndërgjegje e kthyer në lëvizje e forcave partizane dhe atyre nacionaliste, që luftuan së bashku si shqiptarë e si vëllezër kundër okupatorëve, nën drejtimin e Komitetit Provizor për Shpëtimin e Shqipërisë.
Enver Hoxha, nën presionin e emisarëve të PKJ në Shqipëri, prishi dhe shkeli në mënyrë të njëanshme dhe arbitrare Marrëveshjen e Mukjes.
Marrëveshja e Mukjes prekte sidomos interesat dhe synimet e qarqeve shoviniste serbomëdha që sundonin në PKJ, të cilat kërkonin përjetësimin e pushtimit serb të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare, si edhe nënshtrimin e plotë të Shqipërisë ndaj Jugosllavisë. Prandaj edhe prishja e njëanshme e Marrëveshjes së Mukjes ishte kryesisht rezultat i ndërhyrjes jugosllave, të cilës nuk i interesonte kurrsesi marrja dhe plotësimi i atyre vendimeve. Reagimi i shpejtë e i vendosur i kolonit malazes në Kosovë, M.Popoviçit, ishte i kuptueshëm. Kur aktet e marrëveshjes së Mukjes iu dorëzuan “mentarit” të Enverit, ai i tërbuar i grisi ato, i bëri copë-copë dhe ia hodhi në surrat Enver Hoxhës.
Kjo ndërhyrje brutale e Partisë Komuniste Jugosllave në punët tona të brendshme vërtetohet edhe nga një letër që udhëheqësi real i PKSH, M.Popoviçi, i dërgoi Titos: “Kemi ndikuar në PKSH dhe në LNÇL që gjithsesi të prishim Marrëveshjen e Mukjes”.
“Traktati i Konferencës së Mukjes shkaktoi një turbullimë të madhe, – shkruante Dushan Mugosha. – Organizata e Partisë në Vlorë, nën direktivën time, shkroi traktatin dhe ua drejtoi të gjitha njësive të Ballit Kombëtar ku thuhej shkurt e qartë: kush nuk dëshiron me ne, është kundra nesh… Bash në këtë situatë, pa pritë, vjen Trakti nga Konferenca e Mukjes me nënshkrimin e Y.Dishnicës… Asht e nevojshme me pyet KQ se mos rastësisht Proklamata e Konferencës në Mukje asht falsifikim”.
E.Hoxha, nën diktatin e M.Popoviçit dhe Dushan Mugoshes, me të cilët ishte në Vithkuq, pa përfillur Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, i cili kishte nënshkruar me B.Kombëtar Marrëveshjen e Mukjes, pra, pa mbledhur dhe pa marrë mendimin e Këshillit të Përgjithshëm NÇL, më datën 8 gusht 1943, si një partiak u dërgoi një letër –qarkore shokëve të partisë së Vlorës, Gjirokastrës etj: “Lajmëroheni se ju është dërguar nga Tirana një trakt për t’u shpërndarë, i firmosur prej Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë, ku flitet për bashkimin e plotë të arritur në mes të KNÇL dhe Ballit Kombëtar. Ky trakt është në kundërshtim me vijën nacionalçlirimtare dhe disaprovohet nga KQ i Partisë. Prandaj, në rast se nuk i keni shpërndarë, çirrini dhe të mos flitet më për të”.
Shkak tjetër kryesor për prishjen e njëanshme të Marrëveshjes së Mukjes ishte çështja e pushtetit. Synimi i pushtetit është një akt normal në çdo kohë, por vendimi i PKSH për ta marrë pushtetin me dhunë e me gjak, duke shkelur edhe vendimin e Mukjes se çështja e pushtetit do të zgjidhej pas luftës me zgjedhje demokratike. Kjo solli edhe luftën civile në Shqipëri, pasoja më tragjike e prishjes së Marrëveshjes së Mukjes.
Udhëheqësia doktrinore e PKSH, dënoi Marrëveshjen e Mukjes në Konferencën e dytë të Labinotit, 4-9 shtator 1943, ku përveç M. Popoviçit dhe D. Mugoshës, merrte pjesë edhe Bllazho Jovanoviç, i dërguar i posaçëm i PKJ, i cili luajti një rol të madh si i dërguari i Titos në konferencë, për të hedhur poshtë marrëveshjen e Mukjes, për të dënuar protagonistët e saj, por edhe për të marrë vendimin e mësymjes ushtarake mbi Ballin Kombëtar dhe nacionalistët e tjerë antifashistë, si Muharrem Bajraktari, Gani Kryeziu etj. Konferenca e Labinotit dënoi për tradhti delegatët e saj në Kuvendin e Mukjes, edhe pse i kishte autorizuar për marrëveshje. Mustafa Gjinishi u dënua me vdekje dhe u vra në vitin 1944 në një pritë të organizuar nga E.Hoxha, Ymer Dishnica, një nga protagonistët e shquar të Marrëveshjes së Mukjes, u dënua me burg dhe mandej me internim, po ashtu edhe disa nga delegatët e tjerë të Nacionalçlirimtares. Gjithashtu i quajti tradhtarë e kolaboracionistë delegatët e Ballit Kombëtar, me të cilët lidhi marrëveshje bashkëpunimi pak ditë më parë. Madje, nisi gjuetinë e shtrigave për asgjësimin e tyre.
Pasojat e prishjes së Marrëveshjes së Mukjes dhe të Luftës Civile vazhduan për gjysmë shekulli komunizëm, por ndjehen edhe sot, në ndarjen dhe politikën e sotme konfliktuale, në urrejtjen dhe armiqësinë, mungesën e kompromisit e të bashkëpunimit për interesat e popullit dhe ato kombëtare.
Mukja është një çështje kyç në historinë moderne, por dhe një çelës për të hyrë brenda saj, për të ndriçuar e shpjeguar fenomenet e ngjarjet më të rëndësishme të Luftës së Dytë Botërore dhe të gjithë periudhës gjysmëshekullore që pasoi, është një mësim për të gjithë ata që duan të mësojnë nga historia, një mesazh i nevojshëm për sot dhe për të ardhmen.