Ali Podrimja: Realiteti i ngritur në mit
Kthehesha herë pas herë në ateleun e skulptorit. Befasia ndodhi kur u gjeta në mes të dy shtatoreve: Skënderbeut dhe të Nënës Tereze. Të parën e kishte pagëzuar “Strategu”, të dytën “Nëna e Kombit”. Hija e tyre dominonte në mbretërinë e heshtjes. Modelimi thuaj përfundonte. Duhej kohë për leximin e mesazheve. Kisha zënë vend dhe sy më sy shikohesha me ata që bënë historinë tonë. Njëri vinte nga shekulli XV, Nënëmadhja nga shekulli XX. Në mes të harkut kohor prej pesë shekujsh lëvizte guximi, dinjiteti, lavdia, humanizmi ynë.
Shtatorja e Skënderbeut kishte diçka të veçantë. Nuk kisha parë të tillë më parë. Skulptori hulumtonte sublimën e personalitetit. Ajo ishte madhështia shpirtërore. E kishte liruar nga glorifikimet se i takonin të shkuarës dhe kishte ruajtur vizat e portretit. Heroi me një ferman në dorë tregonte diçka tjetër, ishte më njerëzor dhe qytetar i metropoleve. Më bëhej se i lumi sapo zbriste triumfues në sallën vizuale. Kërkonte karrigë të dëgjonte uratat e Nënës Tereze.
Gjendesha para një personaliteti me të cilin duhej të mësohesha. Aspak muskuloz, i zakonshëm, i bashkohësisë. Vazhdonte të na thotë edhe shumëçka nga bëmat e udhëtimi i tij dhe bisedat me Europën, derisa Nënëmadhja të përfundonte uratat e saj.
Pakëz nuk janë njëzetepesë vjet të mbrosh Europën nga invadimi i Perandorisë Osmane, ndër më të mëdhatë të kohës. Trimëria e tij e kishte mahnitur edhe papatin. Papa Kolithti V e shpalli atlet të krishtërimit, ndërsa në shekullin XIX filozofi i shquar amerikan, Valdo Emerson do ta radhisë ndër pesë luftëtarët më të mëdhenj të historisë njerëzore. Admirimi ndaj heroit nuk pran as në ditë të sotme. U shkruan qindra libra nga historianë e krijues tanë e të huaj. Numri i tyre thonë se kalon mbi 1200. Kjo na kujton thënien e Niçes: “Kufijtë e shpirtit nuk identifikohen me kufijtë e shtetit”. Këtë përshtypje kisha kur shikoja shtatoren e tij në ateleun e mikut. Kadarea e ka një poezi ku jep portretin e heroit. Veçoj nga ajo togfjalëshin: në kohë hëne Skenderbe, në kohë dielli Gjergj. Recepientit i mbetet të konstatojë se vërtet te ne paska ndodhur aksidentalisht dhe besimi islam. Me këtë nuk fyej një kulturë e fuqi të madhe që ishte shfaqur edhe në Ballkan, e cila megjithatë, sillte rrezikun me vete. Por bën të lavdërohet e të trumbetohet turpi ynë nga mesjeta e këndej kur dihet se trefërtalet nuk na rrinë bukur? Tek e fundit neve na mbetet t’u besojmë rilindësve. Edhe pse të shkolluar deri në Persi, mbështetnin idenë se dielli ynë lind në perëndim. Ndërsa albanologu i njohur hungarez Nopçe thoshte alfabeti latin i shqiptarëve dëshmon se janë popull proevropian.
Mirëpo, madhështia e dy personaliteteve të zëna ngoje në këtë tekst, nuk e lë të qetë shumëkë. Fqinjët filluan ta vënë në pyetje lashtësinë shqiptare, identitetin. E mbështesin këtë me konvertimin e dhunshëm të shqiptarëve në Mesjetë. Pseudoshkenca, kryesisht sllavo-greke, shkoi edhe më larg: shqiptarët nuk janë autoktonë. I tmerron çdo gjë shqiptare, bile edhe kishat e kullat tona. Shtruan pyetje dhe për origjinën e Skënderbeut, Nënës Tereze e figurave të tjera madhore të kombit. Vështirë të pranojnë tezën se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve, bile dhe shkaku i emrave myslimanë dhe toponimeve sllave. Iu kundërvuan dhe historianit helen Herodotit, që dëshmonte se shqiptarët janë ilirë. Fabrikimi i falsifikimeve vazhdon të bëhet i zhurmshëm. Të kujtojmë vetëm Mitin e Kosovës, që u shndërrua thuaja në çmendi serbe. Arsyet dihen. Trumbetohet se serbët qenkan të parët që e zbuluan Kosovën (!) askush nuk ka gjallëruar më parë. E ku na dolen tani shqiptarët, Skënderbeu, Nëna Tereze, Dardania?!
Ku e ka mbështetjen kjo filozofi e rreme? Nuk është vështirë të kapet, po qe se i shfletojmë librat e memorandumet e zverdhura deri te librat “taze” të babait të serbizmit, Dobrica Qosiq, i cili pranon se çdo gjë serbe është ngritur mbi rrenën. Kopeja nuk pran, megjithatë. Kjo është veti e popujve të varfër, bëjnë çmos të arrnohen duke i shnukur të tjerët. Por falsifikimet shpien te nacionalizmi primitiv. Diçka e tillë te ne nuk ndodhi. Realiteti ynë u ngrit në mit, duke u mbështetur në të vërtetën, njerëzoren dhe kodin etik; as nuk u morëm me elaborate e memorandume, nuk cënuam historinë, kulturën; nuk përdhosëm identitetin as ia mohuam kujt ekzistencën. Përkundrazi u dolem në mbrojtje akëcilit etnitet edhepse mbetëm humbës të mëdhenj.
Kisha ndërruar vendin. Të dy shtatoret e punuara nga miku im i fëmijërisë, i shikoja nga një kënd tjetër. Nuk më linte të qetë diçka. Në veshin tim kumbonte zëri i Nënës Tereze. Prapë dëgjoja uratën “Puna e pendimit” që mësohet në fëmijëri. Të Shenjtës ia kishin mësuar prindërit: nënën e kishte nga rrethi i Gjakovës, babain nga Prizreni, ndërsa u lind në Shkup, që në urata e poezi do ta kujtojë si “qytetin tonë”.
Më 17 qershor 1988 gazetari i “Zërit të Amerikës”, tani botues e publicist i njohur nga Nju Jorku, Gjekë Gjonlekaj, do të inçizojë nga goja e saj jo vetëm uratën e përmendur, por edhe ca lutje, të cilat i ruan në arkivin e vet. I gjakut të Gjonlekajve ishte dhe Dr. Atanas Gegaj, historiani i parë shqiptar që mbrojti tezën e doktoraturës me temë nga koha e Skenderbeut në Universitetin me namë të Luvenit në Belgjikë (1936). Veprën e tij “Invadimi turk në Shqipëri në kohën e Skënderbeut” Noli e kishte vlerësuar lart dhe e radhiste ndër veprat me rëndësi për historinë shqiptare. Gegajn do ta emërojë kryeredaktor të “Diellit”.
Falë Zotërisë nga Nju Jorku, zërin e Nënës Tereze, theksimet karakteristike të gjuhës shqipe që i kishte shqiptuar deri kur i mbylli sytë, fillova t’i dëgjoja më shpesh. Paraqitja e saj pesë shekuj pas Skënderbeut, dëshmon se shqiptarët e bënë prap borxhli njerëzimin, se i dhanë edhe një personalitet që simbolizon humanizmin shqiptar.
Shtypi indas me ikjen e saj, pos të tjerash, kishte shkruar edhe për masakrën ndaj babait të saj, Kolës. Ndërsa shtypi amerikan, sidomos gazeta Lajmet e ditës (Daily News) 1997, kishte vënë në pah ndjenjat e saj atdhetare se kujdesin më të madh ia kishte kushtuar popullit të vet. I besohet pra Papës Gjon Palit II që tha: “Si mundem ne ta harrojmë Gonxhe (Anjeza) Bojaxhiun, Nënë Terezën e Kalkutës, bijën e popullit shqiptar, që i ka dhënë nder dhe shkëlqim kombit të saj… ”. “Dua të kthehem në Shqipëri”, poezi-testament i Nënës Tereze, shkruar pak ditë para se të ndahet nga ne (27 gusht 1997), dëshmon vërtet atdhetarizmin e saj.
Kushedi për të satën herë i dëgjoja lutjet e saj. Shqiptimi i fjalëve më kthente në kohën, kur isha fëmijë dhe kur çdo fjalë të nënës sime përpiqesha ta kapë. Kisha shikuar shtatoren e Skënderbeut dhe kisha pëshpëritur një varg timin të hershëm: “Ai bën dritë mbi kokë të njeriut”. Dikur skulptori kishte fikur llambën. Prapë dëgjoja lutjen e Nënës Tereze: Zoti ju bekoftë, Zoti ju ndihmoftë…
Unë gjendesha përjashta. Nuk dija si të dalë nga terri ballkanik.
(Tekst i lexuar në “Akademinë e Shkencave të Maqedonisë” në Shkup me rastin e 600 – vjetorit të Skënderbeut).
Ulpianë, më 22 nëntor 2005