Ali Podrimja: Sfidë harresës (1)
Ali Podrimja u lind më 28 gusht 1942 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje, ndërsa Fakultetin Filozofik, Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Kosovës. Në vitin 1966 punësohet në gazetën e përditshme “Rilindja”, në rubrikën e kulturës. Më 1976 kalon në Edicionin e Botimeve “Rilindja”, ku udhëheq bibliotekat: Poezia shqipe, Letërsia botërore dhe letërsitë e ish-bashkësisë jugosllave. Është anëtar i LSHK dhe i PEN-it shqiptar. Në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent në ASHAK e në vitin 2000 zgjidhet anëtar i rregullt.
Me shkrime filloi të merret si gjimnazist. Poezinë e parë Arabja e botoi në revistën “Jeta e re” nr. 4 1957. Po kjo revistë në vitin 1961 botoi dhe librin e tij të parë Thirrje. Në përkthim të poetit Esat Mekuli u botua edhe në gjuhën serbokroate me ca plotësime (1968). Përmbledhja Thirrje në vitin 1971 u bë kartuç në Tiranë, shkaku i disa poezive “hermetike”. Ekzemplari i shpëtuar nga një poet tiranas, udhëtoi deri te autori hiç më pak se 20 vjet.
Pos poezive Podrimja shkruan ese e tregime. Bashkëpunon me të gjitha revistat e fletushkat në gjuhën shqipe brenda dhe jashtë atdheut. Është fitues i shpërblimeve të ndryshme letrare. Në vitin 1999 u nderua në Gjermani me Shpërblimin e mirënjohur letrar Nikolas Linau (Shtutgart). Librat e tij janë botuar, ribotuar dhe përkthyer në disa gjuhë. Është prezent në shumë manifestime ndërkombëtare. Revista prestigjioze italiane “Poezia” me karakter ndërkombëtar, në numrin special botuar në dhjetor 2005, Podrimjen e radhit ndër 400 poetët e shquar të shekullit XX në Europë.
Ese
I. Mes durimit dhe triumfit
E ardhmja çfarë
1.
Në relacionin Romë-Padovë kishte bredhur një patriark i letrave shqipe me një dorëshkrim, të cilin sapo e kishte botuar ishte kthyer në Kosovë të kryente detyrën e meshtarit dhe të ndante fatin me popullin. Vihet në krye të kryengritësve shqiptarë, pa marrë parasysh cilit besim i takonin. Në marshim për në veri të Shqipërisë vdes nga kolera. Turqit të egërsuar nga trimëria që kishte treguar, e zhvarrosin dhe e poshtërojnë duke ua hedhur gjymtyrët e tij qenve. Vendi i varrit të tij gjendet afër shtëpisë sime në Prishtinë, ku shpesh kalimtarët para bustit të tij hedhin nga një karanfil. Zotëria që kishte zbritur nga Roma quhej Pjetër Bogdani. Jetoi dhe veproi në shek. XVI. Madhështia e tij si krijues qëndron te poezitë filozofike për Sibilat, që gjenden në veprën e tij “Çetta e Profetve” (1685, Padovë), kryesisht me motive biblike, të pranishme dhe në letërsitë mesdhetare. E përmenda këtë se ka një histori të dhimbshme dhe prin në listën tepër të gjatë të krijuesve shqiptarë që ranë si luftëtarë për çështjen kombëtare. Por “ajo që mbetet e krijojnë poetët”, thotë Martin Hajdeger.
2.
Ka ndodhur thyerje e papritur para teje. Krijuesi nuk është më ai, me qetësinë e artikulimin e të cilit je mësuar. Para ke një imazh të ri përmasash e formash të ndryshme. Përmes xhamit të thyer vëren shfaqjen e diçkajes, që në tekst mund të hyjë si ide rrëqethëse e momentit. Patjetër do të ndikojë edhe në interpretimin tënd, ku ndoshta mungojnë fjalët çelës: pse ndodhi kjo, derisa pija çaj unë, apo shkruante një libër ai mbi të kaluarën njerëzore?
Nuk ekziston më rendi dhe nuk di në cilën karrige ishe ulur. E kupton dikur se një fuqi e padukshme të vë në lëvizje për të gjetur shkak-pasojën e thyerjes së xhamit. Se krijuesi nuk është më ai i mëparshmi, që përcillte fluturimin e fluturës në kopsht, ato rrotullime farfuritëse, magjike. Tani ai është tjetër, vështrues kurioz, pakëz i humbur. Nuk ka probleme vetëm me fjalë, me përmbajtje, me ide, me mesazhe. Kontrolli i gjërave është më i vështirë, seleksionimi. Edhe ai jeton në një imazh shqetësues, që mund të ndikojë në përceptim dhe në të menduar. Toka e djegur (term i Eliotit) apo ai xham i thyer në dritare ka shkaktuar çrregullime e në ty kanë ndodhur rrënime të brendshme.
Para teje shfaqet njeriu me një kostum tjetërfare, që e ke parë në ndonjë film apo muze historik. Më vonë ato tesha i hedh. Refuzon t’i veshësh mbasi frikësohesh se nuk të rrinë bukur, ose nuk dëshiron t’u përngjash atyre të përrallave. Me një ndërrim të papritshëm nuk je mësuar. Duhet kohë të bëhet i lexueshëm teksti dhe ta mundësh zjarrminë.
Morbiditeti e vë në sprovë të madhe krijuesin: nga të niset, çka të zgjedhë, çfarë mesazhesh; ta kundërshtojë marrëzinë njerëzore apo të pranojë çfarëdo vlere nga ajo thyerje e qetësisë. Bindesh, megjithatë, se tekstit i mungon diç. Je më i vetëdijshëm për atë që ndodhi, se kur e takove para se të thyhet xhami, kur fjalët i shpalosje me kujdes në një qetësi olimpike, të themi.
Mirëpo, me shfaqjen e asaj hijeje të rëndë në dritare bindesh se ndërron edhe ti: nuk je mësuar njeriun ta shohësh jashtë vetvetes; ke besuar se është i vetes dhe është i kohshëm. Pranon se thyerjet kanë dorë në interpretimin e gjërave: botën dhe fatumin njerëzor e sheh krejt ndryshe, vizion i ri. Nga kaosi me përmasa biblike, detyrë e parë është ta shpëtosh credon krijuese, ndërgjegjen. Duhet bërë këtë për hir të njeriut, lexuesit, artit. Me pasoja merren projektuesit e së ardhmes kur ujku mbyllet prapë në ndonjë përrallë. Komunikimi me të ardhmen nuk është shkëputje nga e kaluara. Përkundrazi, grith kujtesën, se krijuesi fillon punën e filigranit; nga të bëmat ka pak fjalë që mund të hyjnë në mjeshtërinë e tekstit.
Fatkeqësisht, kaosi ka ndodhur. Gjërat nuk janë aty ku i ke lënë, as nuk mund t’i gjesh lehtë nga drita e kuqe, që e pushton hapësirën në mënyrë të habitshme. Nuk ekziston më as biblioteka. Prapë të del punë me kujtesën: nga fillimi duhet t’ia fillosh ndoshta se i ngjan cungut të hedhur ndanë udhe.
Rindërtimi nuk shkon aq lehtë. Nuk të kujtohet se ç’ndodhi më parë me xhamin në dritare, çfarë fuqie demoni e theu atë, derisa pije çaj, apo flitje me perënditë. Thyerja e krijoi imazhin e ri. Aty gjendesh. Si të dilet? Vë në veprim fuqinë mendore: së paku të vësh rregull edhe në tekstin mbi të papriturën, që ndodhi, kur besoje se nuk do të përballesh me shpirtra, me atë hijen e rëndë në dritare. Të mundshmen kërkon ta shpëtosh nga e pamundshmja, e cila mund të humbasë edhe kontrollin mbi fjalët gjithnjë më nevrike.
Dikur pranon se edhe në ty ndodhin tërmete: nuk mund ta shohësh xhamin e thyer, të kujton çaste trishtuese. Marramendthi njerëzor tek ka filluar, i cili bën trysni në ty pa dëshirën tënde. E sheh se nuk bën të shkëputesh nga ajo që ndodhi pak më parë; të vjen turp të pranosh se toka e djegur nuk ka ndodhur; se njeriu nuk ka pasur një kostum tjetërfare apo pije çaj në një ballkon hyjnor, i lumtur se më në fund në krahun tënd kishte rënë flutura. Nuk e vraje mendjen fare se nën dritaren tonë ndodhte irracionalja…
3.
Me gjasë në Monparnas të Parisit, shkrimtari i shquar Miguel Asturias kishte pyetur kolegun e tij, ambasadorin shqiptar: A ka mjegull në Shqipëri? Zotëria nga Tirana preras iu kishte përgjegjur: Ka. Madje shumë. Kaq mjaftonte për shkrimtarin nga Kolumbia e largët të konstatojë se aty, ku ka mjegull, ka mite dhe legjenda. Ky detaj e kishte intriguar një shkrimtar tjetër të shquar, Ismail Kadarenë, të elaborojë këtë fenomen në veprat e tij.
Vërtet a ka mjegulla dhe në pellgun e Mesdheut? Rrezatimi i eposeve të mëdha të njerëzimit, që u krijuan në këtë anë, nxit të mendosh se pyetja e Asturiasit ishte me vend…
Duke u përballur me të ardhmen të kujtohet konstantimi i Italo Calvinos tek e rilexonte “Komedinë hyjnore” të Dantes, se “… bota është e organizuar në një sistem, në një rend, në një hierarki, ku gjithçka gjen vendin e vet”.
(Tekst i lexuar në Manifestimin interkontinental në Romë, 2006).
Thyerje
Rr’xoju qiell i randë si tunxhi
Mbi supat tanë të shtypun
………………………………
se emnin që patëm s’e kemi …
(Qëndro, 1936)
Engjëlli im shpëtues
Unë kam pasur fat në rebelim se kisha engjëllin tim shpëtues. Ai quhej Esad Mekuli (1916, Nokshiçi – 1993, Prishtinë); militant i paepur në mbrojtje të çështjes kombëtare në kohët më të vështira; “poet i hidhërimeve jetësore dhe i qëndresës e i krenarisë së popullit”, do të thotë njohësi i veprës së tij, Hasan Mekuli. Në fillim të krijimtarisë së tij shpalos credon e vet: “Jam në rrugën e gjanë, i dashtuni populli im/ pararoje në luftën e mbramë që të prinë” (Poezia “Rrugës”, 1936). Dhe nuk është turp të pranohet se nën ombrellën e tij gjetën përkrahje krijues, pa të cilët krahu lindor i letrave shqipe nuk do të kishte zhvillimin e tanishëm.
Isha rritur si fëmijë bonjak dhe zgjohesha ku më zinte terri. Në moshë të njomë fillova të hedh fjalët në letrën e bardhë dhe të gjallëroj nga ato shkronja të frikshme për regjimin e atëhershëm. Pas botimeve të para në revistën “Jeta e Re”, të vetmes dritare me botën, të cilën e drejtonte baca Esad, si e thërrisnim, kishte vënë në faqe të parë poemën time Viti i Madh 1941 (1960), të cilën më vonë do ta botojnë si libër studentët e Universitetit të Kosovës, por me titullin “Hija e tokës” (1971). Aty gjendej edhe vargu tmerrues për regjimin totalitar: Kosova është gjaku im që nuk falet. Shkas nuk ishte vetëm ky varg që më nxorën nga shkolla dhe vazhdova të mbetem në shënjestër. Por, engjëlli im ishte ai që më trimëronte: kryet lart! Shumë vjet më vonë poeti i deklaroi publicistit dhe studiuesit dr. Agim Zogajt: “…ne ishim një brez i iluzioneve…Më kujtohet rasti i Ali Podrimjes. Kishte shkruar poemën për Vitin e Madh 1941. Shkova te Dushan Mugosha, të cilit i thashë se është turp ajo që bëhet me një të ri të talentuar. (Libri “Shpirtëra të lënduar”, faqe 39, botim i “Zërit” të Prishtinës, 1997).
Përjashtimi nga shkolla ishte sinjal mjaft i qartë se nuk ishte lehtë ta thuash fjalën, as udha nuk ishte e shtruar me lule. Engjëlli im shpëtues zbriste në Gjakovë shpesh. Në kënd të ndonjë kafeneje bisedonim rreth problemeve jo vetëm letrare. Në të ndarë më linte të holla në emër të honorarit për poezitë që do t’i botoja më vonë. Frikësohej se mos do të heq dorë nga krijimtaria. Për kujdesin e tij mendoja gjatë dhe nuk dija si t’i shpërblehem. Një ditë shkrova poezinë “Kullë e lartë” kushtuar këtij militanti. Aty thosha: me kodin e fisit mbi të bukurën mbi guximin /’i copë qiell ‘i copë atDhe krijonte/ Lumi ai… Nuk e kisha botuar deri vonë. Por ajo që më kishte habitur ishte gjesti që për të gjallë nuk do ta harroj. Viteve të fundit pranë banakut e çonim në këmbë ndonjë raki, imitonim disi Petro Markon, të cilin e njihnim të dytë. Dikur më kishte shikuar, i qetë kishte nxjerrë nga çanta një fletë. Nuk më kishte thënë se ç’kishte aty derisa e lexoi. Unë kisha mbyllur sytë dhe dëgjoja poezinë: Dy dritaret e Podrimjës. Ç’isha unë për të? Një rebel që thumboja regjimin aty ku nuk mund ta priste hidhërimin tim. Më kishin shndrit sytë tek e shikoja plakun e letrave shqipe, me të cilin më lidhnin shumë kujtime dhe të cilit i kisha shkaktuar probleme me pozitë e mia.
Në vitin 1961 “Jeta e Re” botoi përmbledhjen time të parë “Thirrje”. Mësova pastaj se atë e kishte përkthyer në gjuhën serbokroate dhe bashkë me “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë, të përkthyer më vonë, do t’i botojë te Shtëpia Botuese “Bagdalla” të Krushevcit. Në një rast e pata pyetur: Pse mu aty? Ishte përgjigjur preras, se aty vlon nacionalizmi serb, të shohin se edhe ne “shiftarët” dimë të shkruajmë. Ndërsa “Thirrjet” ishin bërë kartuç në Tiranë (1971). Cenzura shqiptare i kishte konsideruar poezi hermetike, eliptike. Megjithatë, nuk kishte mundur të gjithë ekzemplarët t’i zhdukte. Më kishte rënë në dorë një kopje, pas njëzet vjetësh. Kishte bërë udhëtim të çuditshëm në relacionin Tiranë-Bruksel-Prishtinë. Është poet në zë ai që ma dërgoi.
E pranoj se në letrat shqipe as në ato të përbotshme nuk kam dëgjuar për ndonjë drejtues reviste që ka vënë kokën në thes për të rinjtë që hynin në botën e magjisë. Tek mendoj tani për veprën e mbrojtësit të krijuesve, nuk mund të mos them: engjëlli im ishte i pashoq. Të mos ishte ai, nuk do isha as unë, as shumë miq të mi. Me rastin e një përvjetori të Naim Frashërit shkela për herë të parë në dheun e shqipeve (1971). Ndonjë fjalë a pëshpëritje kisha dëgjuar aty-këtu se filan poeti a krijuesi kishte rënë në burg ose ishte ekzekutuar për një fjalë a libër të pafat. Pëshpëritja në vete se gullagu rus paska zbritur në dheun arbëror dhe po ndodhka turpi nacional. Ndjeja neveri, sepse nuk mund ta pranoja pastrimin brenda kombit. Kisha lëshuar Shqipërinë. Në kujtesë më faniteshin fantazma… Oh, Zot ç’përjetuam …!
Në universin e fjalës e kërkoj tani engjëllin tim. Është problemi im si do ta rilexoj flatrimin e tij.
Ideologjia e re në horizont
Vepra letrare e Esad Mekulit duhet interpretuar në kontekst me kohën kur është shkruar. Unë e shoh atë në kuadër të letërsisë shqipe të viteve të tridhjeta të shekullit XX. Fatkeqësisht, kur në horizont dukej ideologjia e re, nga e cila ishte mashtruar edhe Pol Elyari e krijues eminentë, se Europa do të zgjohej në një petk tjetërfare dhe se do të ndodhin ndërrime të mëdha shoqërore. Në të vërtetë, që në fillim njëshi fshihte tragjedinë. Të mashtruarit po e paguanin me kokë. Krijuesit i afronte fryma revolucionare dhe ngjashmëritë ishin evidente qoftë nga temat që shtronin ose mjetet stilistike që i inkuadronin në tekst. Konkretisht, Migjenin e Esad Mekulin i veçonin temat sociale dhe revolta. Të dytë u paraqitën me krijime në kohë ankthi, edhe pse ishin shkolluar në ambiente të tjera, ku ishin të pranishme edhe rrymat letrare. Te të dytë vërehet ndikimi i Mirosllav Kërlezhës. Problemet që ngrisin janë temat mbi katandisjen e shoqërisë shqiptare e të mos flasim për atë që ndodhte gjithandej Kosovës. Problemi tjetër ishte paaftësia e Shtetit Shqiptar për të mbrojtur trojet e veta nga gëlltitjet e vazhdueshme të fqinjve. Mu për këtë arsye në tekstin e të dyve ka dhembje, por dhe ironi; e ndien revoltën kundër shpërbërjeve. Tkurrja e vendit do të pasonte po qe se shqiptarët nuk do i përgjigjeshin tok së keqes. Në mënyrë farefisnore nuk mbrohet vendi e krijohet kultura, as gjuha kombëtare. Para një tmerri të heshtnin krijuesit? Kosova e Çamëria ishin plagë të rënda të kombit. Vlen të kujtojmë krijuesin e intelektualin Hekuran Zhiti, i cili në poezinë “Vajtimi i Shqiponjës” thoshte: Si i ngjau Kosovës, Çamërisë të shkretës/ ëndërruan lirinë/ u bënë ëndërr vetë. Ndërsa në mbarim të viteve të njëzeta Noli kishte alarmuar Europën me tekstin domethënës. “Një tragjedi me tri akte: çpasurim, çpërngulje, çfarosje”. E botoi në vitin 1929 në revistën zvicerane “Cri de peuples” (Klithja e popujve).
Këtë tekst do ta lexojmë edhe në “Liria Kombëtare” që dilte në Gjenevë si dhe në ca publikime në gjuhën angleze. Çështja shqiptare, sidomos katastrofale në Kosovë, ku shqipja ishte gjuhë e ndjekur me ligj, kishte rënë si gong, derisa Europa bënte gjumë, ndërsa hapësira shqiptare copëtohej sipas apetiteve. Bën të pranohej turpi para botës? Noli shkruante: “Diktatura Jugosllave peshon rëndë mi gjithë popujt e robëruar prej militaristëve serbë. Kjo diktaturë është dërmonjëse për shqiptarët e Kosovës dhe të tjerave vise shqiptare të Ulqinit, Antivarit, Hotit, Grudës, Plavës, Gucisë dhe Dibrës, të aneksuara njëra pas tjetrës më 1880, 1912 dhe 1924 prej Serbisë.
Është fjala për një milion fshatarë të privuar nga të drejtat elementare. S’ka asnjë shkollë të vetme shqiptare për këtë popullatë kompakte që në sasi kapërcen atë të Shqipërisë indipendente të sakatepsur prej traktateve.
Disa zbrazje revolveri mjaftojnë për kryetar. Sa për turmat fshatare, këto i çfarosin me zbrazje mitralozësh ose i shtrëngojnë të emigrojnë për t’iu bërë vend karvaneve fashiste serbe. Ja kësisoji i “serbizojnë” sistematikisht të gjitha viset shqiptare dhe sidomos ato që ndodhen afër kufirit shqiptaro-jugosllav ose gjatë udhëve të hekurta. Me dhjetra mijë fatzezë shtrëngohen kësisoji të lënë vatrat e tyre çdo mot”. Nolin e kishte tmerruar edhe situata çame. Thoshte “…se nuk ndryshon nga ai i kosovarëve. S’është veç një ribotim i tragjedisë në tri akte: çpasurim, çpërngulje, çfarosje”. Dhe kishte ngritur zërin që të këndellen të mëdhenjtë: “Përpara Evropës, përsëritet një tragjedi aq e përgjakshme sa ajo e armenëve në Azinë e vogël. Po tragjedia armeniane ndodhi në kohën e Luftës Mondiale, kur ishte zor të qenët njerëzor, kurse tragjedia shqiptare në Jugosllavi ndodh përpara syve tona, të jetë kaq gjakpirëse!” Në një atmosferë të rëndë çfarë na jep Noli, përmes këtij teksti të shkurtër, akëcili krijues i viteve të tridhjeta të shekullit XX, në të dy anët e Drinit, nuk do heshtte. Situata ishte e rëndë, posaçërisht në zonat gri, ku kanosej asimilimi dhe ndodhnin çpërnguljet, siç e shqipton Noli.
Kjo frikë vazhdoi edhe pas të ashtuquajturës LNÇ, e cila solli dhe ideologjinë e re e që Mekuli i mashtruar do ta luftojë më vonë në mënyrë të vet, në udhën e tij të pakthimit, siç besonte në një poezi. Poeti mbështeste etikën, guximin njerëzor e krijues kundër ksenofobisë serbe, sepse shoqëria shqiptare gjithandej Kosovës rrëshqiste kah zhdukja: ndjekje, shpërngulje, asimilime… Disi katastrofës kombëtare duhet dalë para. E vetmja armë ishte fjala, ajo që do bëjë mrekulli, tek grith ndërgjegjen njerëzore. Poezia “Porosija e Nanës”, shkruar në valën e egër të regjimit serbomadh që për subjekt ka shpërnguljen e shqiptarëve për në Anadoll, sidomos të brezit kufitar me Shqipërinë, që në elaborate e programe serbe e konsideronin pikën më të dobët të shtetit të tyre. U pa kjo dhe në luftën e fundit (1999), shkretëronin më parë fshatrat, pastaj në mënyrë sistematike marshonin duke përgjakur edhe brendinë. E gjithë kjo çmendi njerëzore kurorëzohet me të vetmen fjalë: gjenocid. Mesazhi i Mekulit në “Porosinë e Nanës” mbetet aktual në çdo kohë:
Për ke në dritë ju qita,
o djelm!
Për ke ju rrita,
o bij’?
Pse u gëzova unë në jetë?
…………………….
Unë be po u qes,
bre djelm –
……………………………….
mos me u nda
prej prehnit tim
as vllau me vlla!
Esad Mekuli ishte i vetëdijshëm se pa unitet kombëtar çështja shqiptare nuk zgjidhet. Kjo duhet të ndodhë, jo për t’i frikësuar fqinjtë, por për të dëshmuar se ekzistohet. Përndryshe, pajtohemi me atë thënien e urtë të Borhesit: “Jeta tepër e varfër që të mos jetë dhe e pavdekshme”. Shqetësimin e tij njerëzor e ndeshim në ciklin “Avsha Ada”, emër ishulli në Detin Marmara. Poeti viziton njerëzit e gjakut, të cilët ua kishin kthyer shpinën trojeve të tyre, sapo kishin ndërruar emër, komb e gjuhë. Përballet me zemërimin që nuk mund ta fshehë në ”ditarin “ e tij lirik, se vë në spikamë shthurjen e identitetit, megjithëse fije shprese xixëllin “në ëndrra të pafund që edhe në zhgjëndërr i përkund”. Poezitë mbi zonat gri lexohen si kartpostale të një nostalgjie për diçka të derdhur që vështirë krijohet tërësia. Poeti është i fundit që çon dorë nga diçka e shenjtë siç është atDheu. Postimi i imazheve pikëlluese në tekst është shenjë e të ekzistuarit dikur, se poetët vdesin bashkë me atdheun, kam thënë në një tekst diskursiv.
Luftë e papërfunduar
Esad Mekuli trajton tema të ndjeshme se shqiptarët ishin shtresa më e përbuzur. Rrugët e Serbisë dhe të qyteteve të ish-bashkësisë gumëzhinin nga legjione të të uriturve, që luftonin “për një kafshatë bukë…me barkë të ngjitun prej uje, / para “vetvorrimit”- shkojnë që hurpin e fundit të vnerit, urrejtjes e neverisë / ta pijnë për shpirt të zonjës s’imagjinueme – Drejtësisë…”Skena të këtilla ishin shndërruar në bezdi edhe në kohën e shfaqjes së ideologjisë së re, në të cilën poeti gjithnjë e më pak besonte. Dhuna e shtetit fshihej përmes slloganeve, që ishin shndërruar në frikë dhe ishin mjaft transparente se ku shpienin ato. Kështu lufta për të nuk kishte përfunduar. Vërehet kjo nëse me kujdes lexojmë tekstin e tij letrar. Çështje mbetej si t’i kundërvihej ksenofobisë serbe, e cila përmes elaborateve e programeve nacionale ngritte idenë për Serbinë e Madhe, se ajo na u shtrika deri atje ku është një varr, apo toponim sllav(!). E gjithë kjo shpiente në tkurrjen e hapësirës dhe heqje qafe e çështjes shqiptare. Të kujtojmë elaboratin gjenocidal të nobelistit Ivo Andriq, me origjinë kroate, që ishte vënë në shërbim të nacional-komunizmit ekstrem serb. Nga vepra e tij Mekuli kishte botuar ndonjë tregim. Pas zbulimit të elaboratit nga Dr. Bogdan Krizmar, hije e rëndë ra mbi figurën e “nobelistit” si dhe Akademisë Suedeze, që kishte nderuar një shkrimtar racist. Mekuli e shkruan poezinë “Si ke mundur”, ku shihet qartë revolta. Për të ishte mbyllur koha e mashtrimeve, e ideologjisë së re.
Kredoja krijuese dhe “humanizmi” i nobelistit e kishte shqetësuar poetin, i cili lirinë e konsideronte të shenjtë dhe të drejtë të akëcilit popull. Nga faqja e dheut bën të fshihet një shtet e një kulturë me traditë të thellë? Për nacional-komunizmin serb ishte shndërruar në çështje të ekzistuarit e shqiptarëve. Para elaboratit ishte shtangur, sepse nobelistin e kishte konsideruar përkrahës të afrimeve të popujve dhe kulturave. Përbindëshit e rinj kishin inkuadruar në grigjën e tyre dhe krijues me nam. Ideologjia e njishit, që ishte karakteristikë e komunizmit mund të jetë parashenjë e globalizmit. Trendi i ri bën të vëjë në pyetje ekzistencën e popujve dhe të kulturave të vogla, ndodh dhe të shuhen, se marshimi i të mëdhenjve dikton maratonën.
Elaborati i Andriqit kishte rrënuar edhe atë grimë shpresë të poetit, që e kishte kultivuar në luftën e përbashkët të popujve kundër nazizmit. Pra, poezia e tij lexohet si dhembje mbi pabesinë njerëzore. Nobelisti në shkrimzezën e tij kërkonte “robëri … për të tjerët”. Në kontekst të së keqes duhet parë edhe aksionin famëkeq të armëve, ku njerëzit humbnin në terrin e pusave në pikë të dimrit e që këtë hata e shtjellon në poezinë “I varuri i këndon lirisë”. Zatën, poeti mbetet shërbëtor i çështjes kombëtare. Ndaj mendimin se ai popull që nuk e sheh të keqen, do të thotë se është i dënuar nga perënditë.
Me ligjërimin e tij rebelues na bind se nuk ishte lehtë të mbiekzistosh në kohë ulërimash. Prandaj nga retorika e tij: A asht shqiptari fajtor”…pse asht dhe kur të mos jetë”, turmat e mëdha në demonstratat e viteve tetëdhjeta nuk mundën të shkëputen. Poeti bashkëjetoi me të revoltuarit, me tragjedinë e apatridëve dhe të kurbetçarëve që bridhnin rrugëve të Beogradit me sharrë në krah, duke klithur “dru për të sharrue”… Ato fytyra të zymta në kalvarin njerëzor, na i kujtojnë pikturat mesjetare që kishin ngrirë kohët e shkuara:
Ti endesh rrugëve të këtij qyteti të bardhë.
Plisi i leckosun ka thithë, me djersë, të zitë e blozës;
opingat e gomës janë shkye, prishë fare…
Po ecë – i tanë sy e veshë: mos po hapet, tash,
ndonji derë, mos po e th’rret kush prej pragut:
– Sharraxhi, eja!
Shumë nga ata fatkëqinj nuk do të kthehen nga kishin ardhur në atë qytet të “bardhë”. Zhduken pa gjurmë ose çmenden mes grushtave të çuem të kryengritjes/dhe të flamujve të lëshuem t’ujës e të plogështisë, në kandin e të cilëve mëshihen me mija gjamë e namë/klithje të mbytuna në gjak. Përmes ligjërimit dramatik përballemi me irracionalen serbe. Shqiptarët konsideroheshin “si fise indiane në pushtetin e dikurshëm anglez” do të thotë Stipe Mjesiq. Sarkazma e poetit nuk pran për baba Zotin dhe baba Mbretin që për të ishin “rrenë e kurdisun”. Në fytyrat e sharraxhinjve vijëzohen shenja traumatike. Lexohen dhe nga rrafshi psikoanalitik. Koha e aksionit të armëve, mbetet në kujtesë si trillim i regjimit serb për gjahun në shqiptarë. Poeti nuk mund t’i mbyllë sytë para tragjedisë që vinte në pyetje ekzistencën e një populli. Në katrenën “Çështje” shpalos filozofinë e tij mbi të gjalluarit:
Nuk është çështje
ku është jeta,
Çështje është
ku jetë nuk ka!
Shqiptarët ishin mjet për regjimin diktatorial, me ta eksperimentohej në laboratorin orvellian, lufta e të cilëve do të mbyllet në vitin 1999. Le të besohet kjo, nëse prapë nuk na i luan kush gurët. Përzgjedhja “I varuri i këndon lirisë” ka simbolikë, që shënon bindshëm udhëtimin biblik të qenies sonë.
Therrje të ndjeshme
I zhgënjyer nga ajo që kishte besuar se do të jetë pararojë e luftës së mbramë, pas viteve të tetëdhjeta të shekullit XX, me rënien e piramidës ideologjike, heq dorë nga retorika militariste, flak thirrje e deklarime dhe do t’i shikojë gjërat pak ndryshe, thjesht nga rrafshi letrar. Poezitë e viteve të fundit janë persiatje mendimesh, refleksesh. Gjuhësisht qëndrojnë më lart se krijimet e mëhershme, të liruara nga sforcimet dhe të sistemuara brenda njësisë tekstore. Shpesh u qaset edhe motiveve nga lashtësia, kërkon rrënjët e të parëve, i bindur se e kaluara i ruan çelësat e së ardhmes. Se vështirë harrohen zonat gri, ku ishin ndërruar zotëra e ushtri: iliri i lashtë/mandej sllavi (poezia “Ishulli përmendore”), poashtu si të ndahet nga ajo që besonte: ilirët/as të vdekur/nuk donin/të mbeten të nënshtruar (Poezia “Shkrep”). Pra, kemi qasje të re në veprën e tij, ku ndodhin thyerje të ndjeshme. Poezia e tij ngritet mbi ide, lanson mesazhe e sajon shtresime; e zhveshur nga fjalamania; ka rrjedhshmëri që nuk e kemi ndeshur më parë, e tkurrur në vinjetë poetike. Nga një poet militant i shndërruar në urtak zë vend të rëndësishëm në poezinë shqiptare. Termatologjia e re paralajmëronte se letërsia është diçka magjike, pushtuese e hapësirave të panjohura. Profesori nga Oxfordi, Zoti Jean Seznes konsideronte se “Tradita letrare e Perëndimit është unike dhe e pandashme, sepse në çdo vend ekziston ajo që është njëkohësisht nacionale dhe më internacionale, se e kultivon kulturën që ka bashkuar dhe ka formuar kombin”.
Se një krijues është i rëndësishëm për letërsinë që i takon dëshmojnë interpretime nga disa aspekte të veprës dhe roli i krijuesit në momente vendimtare historike. Vepra e Esad Mekulit bën të lexohet pra dhe ndryshe. I takon plejadës së lavdishme të krijuesve të viteve të tridhjeta të shekullit XX, që mbajtën të zgjuar kujtesën tonë. Poeti i cantosve të famshëm Ezra Paund thoshte: “tradita duhet të kuptohet si bukuri që kultivohet e jo si zinxhir që na lidh”.
Horizontin e ke të hapur për recital, engjëlli im. Ta dëgjojmë:
Rr’xoju qiell i randë si tunxhi
Mbi supat tanë të shtypun
………………………………
Ulpianë, 21 mars 2006.
Poezia e një aristokrati
A ky është kthimi apo hap zbrastësie
(Dilema e këngës)
Të përjetosh të bukurën
Të shkruash për Enver Gjerqekun (1928, Gjakovë) do të thotë të vështrosh imazhe gati të perënduara, që në kujtesë pipëtinë herë pas here; do të thotë të bredhësh dhe nëpër të kaluarën e largët e të lexosh ndodhi morbide me përmasa mitike; të përballesh me personalitete që bënë historinë e kombit; të shkruash për këtë poet do të thotë të përjetosh të bukurën, ndjenjën estetike, mjeshtërinë krijuese; të depërtosh në laboratorin e tij e të humbasësh në universin e fjalës, e rimave, e muzikalitetit tek hulumton pikën ku puqen fjala dhe tingulli; të shtresosh përmbajtje e ide dhe të bindesh tek i qasesh tekstit poetik se ke zënë të shpalosësh një fragment nga historia e popullit tënd, sublimen dhe njerëzoren, të zhvilluar në kontinuitet e të thënë në kostum tjetërfare, që në letrat shqipe pak e kemi ndeshur, se e gjithë bukuria e poezisë qëndron te funksioni i fjalës dhe i figurës. Të mos harrojmë se arti refuzon të keqen. Odise Elitis thoshte: “Poezia fillon atje ku fjalën e fundit nuk e ka vdekja”. E bukura përcillet, pra, si mesazh brez pas brezi dhe nuk e pranon humbjen. Në poezinë e Gjerqekut ndjen atë zgjimin imagjinativ, që mbështet thënien e Odenit: “Poeti është ai që mban gjallë gjuhën”, apo siç thoshte Brodskij: “Poeti është instrument i ekzistencës së gjuhës”. Kontributi i Enver Gjerqekut në angazhimin intelektual e krijues dhe në kërkim të elementeve shprehëse është i pamohueshëm. Pas ka një bagazh dhe meriton shqyrtim të veçantë.
Kohë dhe imazhe të trishta
Nga imazhi trishtues i hapësirës së zymtë, të cilën poeti do ta quajë “Natë e vorrit e kambëve të shkrumueme” (poezia Me kukëza) dhe maratonës së një populli kah ylli i vet, Enver Gjerqeku ndahet nga Lufta e Dytë Botërore (1945). Tmerret e pasojat e saj do ta mbajnë të zgjuar dhe do ta nxisin të meditojë. Atë që e kishte parë dhe përjetuar si adoleshent rrugicave e shesheve të Gjakovës, varjet e pushkatimet në pikë të ditës rrëzë një kodre të shenjtë për të, ndodh të reprizohen, se të keqes nuk i dihet kurrë, sidomos në hapësirën gllabëruese çfarë është Ballkani.
Dhe, ndodhi viti biblik shqiptar (1999). Nga irracionalja serbe ishte shndërruar në varr masiv dhe Çabrati i fëmijërisë e i kallëzimeve mitike. E, ç’i mbetet tjetër poetit, vetëm të gjurmojë të humburën e të ringrisë botën e derdhur. Në botëperceptimin e tij vetëtijnë kohë e imazhe të trishta me heronj të paepur tek ngrit poetikën e filozofinë e tij sfiduese, që lexuesi nuk mund të mos përqendrohet në vargun emblematik: “Vdekja nuk është fjala e fundit”, që u bë shkas ta pagëzoj përzgjedhjen e poezive të tij.
Në mbrojtje të etnisë
Kritika letrare e ka përcjellë ngritjen e vazhdueshme të veprës së tij dhe ka theksuar vlerat e saj. Ide e motive që ka ngritur – trajtuar poeti, nuk kanë kaluar pa jehonë, posaçërisht njësitë poetike, ku shtrohen dhe dilema nga rrafshi etiko-estetik dhe ai ekzistencial, ku thyhen konvenca me ligjërimin e mëparshëm. T’i kujtojmë medalonet sonetike: Ujëdhesa, Skifteri, Xixëllonja, Lejleku, poezi moderne që lexohen si metafora për fatin kombëtar. Me të drejtë kritiku Ali Aliu poezinë e tij e konsideron dhe “…si zë i rropatjeve filozofike të poetit, si iluzione dhe si zhgënjime, si dëshpërime dhe rezignime të nxitura dhe të shtruara si pyetje të njeriut me rrënjë mitike”.
Në kurorën sonetike Rrënjë lashtësie, dedikuar Lidhjes së Prizrenit (1878), teksti ka diçka dhe nga miti, aty inkuadron ndodhitë historike dhe heronjtë që u përbiruan nëpër të bëma. Qasje tejet interesante është portretimi i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në ciklin Ashti ynë. Poetit i bëhet se “Ai e gjet çelësin magjik të kohës së vet”, prandaj në çdo kohë “Ai prore kthehet i madh prej lashtësisë”, do të thotë se populli u shndërrua në sogjetar të përhershëm të maratonës kombëtare. “Vetëdija historike – thotë T. S. Elioti – përfshin percepcionin jo vetëm të asaj që është e kaluar në të shkuarën, por edhe të tanishmen e saj”.
Vepra e Gjerqekut trajton gjëra sublime dhe hap shtigje të reja në procese krijuese, ngritet dhe në mbrojtje të etnisë, të themi të ëndrrave shqiptare. E ndjen veten komod në Gjirokastër si në Kosovë a në cepin verior të Ilirisë. Neveritëse i duket copëzimi i hapësirës dhe të shikuarit e gjërave nga kapixhiku i mëhallës. Nuk mund ta marrë me mend krijimin e shtettheve brenda hapësirës shqiptare. Kjo shpie në shërbërje.
Nga poezia e tij e parë “Shoqes së mbyllun në çarshaf”, të botuar në “Zani i rinisë”, (Prizren, 1946) paralajmërohej se në letrat shqipe hynte një aristokrat, siç do të thotë një mik imi, e që di ç’kërkon dhe çfarë t’i ofrojë popullit të tij; se do ecën shtigjeve të hapura nga të devotshmit e kombit qofshin ata edhe nga rrafshi i artit. I bindur se akëcili popull ngrit të ardhmen mbi të kaluarën dhe se kjo varet nga potenca krijuese tek vjel e avancon mesazhe e ide të pararendësve. Sado që besohet se i takojmë bashkëkohësisë, nuk mund të shkëputemi nga origjina jonë e thellë në lashtësi; se “… ne ekzistojmë – siç thotë Klod Simon – dhe krijojmë të varur nga tradita, e cila na ka formuar”.
Mes traditës dhe modernes Gjerqeku krijon hapësirën e gjuhën e vet shprehëse me një artikulim karakteristik në letrat shqipe. Fat është se poeti ia doli me sukses udhës së trasuar tash e dyqind vjet në kultivimin e sonetit, formës më të rëndë të vargnimit, që kërkon një punë sizifi. Nga soneti i parë në gjuhën shqipe Për vetëhënën (1777) i Nikollë Ketës e lëvruesi të tjerë si De Martino, Zarishi, Bytyçi e sonetistë të shquar të kohës së rilindësve: Serembe, Mjeda, Asdreni etj. nga të cilët Gjerqeku pranon vetëm frymën kombëtare dhe ia hyn një filigranizmi të vargut, duke avancuar e pasuruar me rima e imazhe. Duhet të potencojmë se rimat i krijon kryesisht nga mbiemrat cilësorë, nuk përfill ato nga foljet, përpiqet për harmonizimin tekstor tek krijon disi shkollën e sonetit. Kritika jo vetëm shqiptare e mirëpriti me kureshtje se të shkruarit e sonetit është i një tradite të madhe letrare. Në letrat shqipe gjeneratat e mëvonshme do ta hulumtojnë sonetin kryesisht brenda kornizave të poezisë moderne.
Epizmi i lirikut
Enver Gjerqeku konsiderohet nga kritika para së gjithash poet lirik, me një shkallë të lartë emocioni, hulumtues i fjalës dhe i figuracionit, se temave të ashtuquajtura “të mëdha” u rri larg. Në të vërtetë, nën atë vel të lirizmit flakandet ai zjarr i brendshëm, i cili nëpër fjalë e poezi rrezaton dhe vë në pah angazhimin e tij si krijues e njeri jo vetëm për çështje të kombit. Përmes mesazheve e ideve vë në spikamë të bukurën, njerëzoren, atë që ofron kombin por edhe popujt. E kjo nuk vërehet vetëm te sonetet kushtuar personaliteteve historike: Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Ali Pashë Gucisë e të tjerëve nga lashtësia, por edhe ndaj figurave të vonshme të ashtuquajtur LNÇ: Ganimete Tërbeshit, e varur si nxënëse midis Gjakovës; Emin Durakut, vrarë nga forcat serbe në afërsi të Prishtinës në mbarim të luftës (1944), Hysni Zajmit, mësues në Plavë, i vrarë tradhtisht me dy të tjerë. Respekt të veçantë tregon Gjerqeku edhe për individualitete të letrave shqipe: Naimit, Nolit, Lasgushit, Esad Mekulit, Hivzi Sulejmanit etj. Se kush na është e çfarë e shqetëson Maestron e fjalës e dëshmon harta e toponimisë në veprën e tij që elaborohet me pedanteri, duke i vënë në kontekst historik. Krijuesi i njëmendtë në ecejaket e tij para së gjithash lufton dhe për hapësirë, se ajo ruan integritetin e vendit dhe të kombit. I edukuar në frymën e qytetarisë dhe të atyre që u bënë dhe, i del zot në çdo moment cilitdo cep të vendit që nëpërkëmbet nga e keqja. Humbja e hapësirës e di se e shpie në shpërbërje, që mund të jetë edhe fund i të qenmit. Vetëdija historike i rri pas dhe nuk mund të ndahet poeti nga ajo: “Kush është mbrojtësi im e kush më ndjek për gjak” këlthet tek përbirohet shtrëngatave ekzistenciale.
Me motive e tema nga lashtësia, që kanë për trajtim personalitete e data të rëndësishme nga historia, u morën krijues nga të gjitha gjeneratat, se nuk mund t’u mohohet për këtë apo atë ndodhi se ka shkruar Fishta a Naimi. Reminishenca hasen, por Lidhja e Prizrenit nuk ishte lidhje e provincës a e mëhallës, kishte diçka që e mbante në këmbë tërë një popull. Fishta, Asdreni, Hil Mosi, Serembe ishin dëshmitarë jo vetëm të asaj lëvizjeje. Figurat historike nga Lahuta e Malcis ndodh t’i hasim edhe në tekste të krijuesve të vonshëm? Konkretisht të shfaqen dhe në poezinë e Gjerqekut. Qëllimi i tij është të na kujtojë fuqinë e bashkimit kombëtar: Toska dhe Gega. Me afrinë e këtyre dy nocioneve poeti ngazëllehet, sheh shpëtimin kombëtar para ndonjë të papriture siç ishte viti 1878, vit i padrejtësive dhe i dredhive të të mëdhenjve. Prandaj ky madhëron dhe fuqizon atë që e njeh për të na zbuluar dhe të panjohurën rreth nesh. Në një poezi Josif Brodskij thotë: “Në të shkuarën ata që ke dashur, nuk vdesin”. Gjerqeku i vetëdijshëm për këtë kërkon ndërgjegjësimin kolektiv. Në kurorën sonetike Rrënjë lashtësie, në sonetin e dhjetë, poetin e trimëron madhështia e kombit që shpërtheu me atë epizmin fishtian në një kohë vendimtare:
Po dhe Haxhi Zeka – Ali Pashë Gucia
Ja Hoxhë Tahsini – Toska dhe Gega
U ngjall emri ynë si syth nëpër degë
Na kthen në kohë të largëta dhe na kujton kushtrimin e Fishtës në këngën e tetë të Lahutës së Malcis, të shndërruar në kambanë në horizontin e zymtë shqiptar. Bën të pranohet se pasardhësit nuk bën t’i bien asaj dhe të kujtojnë personalitete historike e ngjarje tragjike të trajtuara më parë.
Varg lapidar
Të jesh shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë londineze nuk është lehtë. Na e thotë këtë dhe Gjerqeku përmes një vargu lapidar, që mund të shtjellohet dhe si absurd shqiptar:
Dhe gjarp’ri i shtëpisë nga vetmia iku
(Shtëpia e vetmuar).
Shtrohet pyetja: trumbetimi i Fishtës bën të heshtet kur tmerron “…përtej flakës së zbetë një qetësi llahtare” (Qiriu). Të kujtojmë “Letrat mikut gjerman” nga Kamy, mllefin e energjinë e tij krijuese që e kishte vënë në lirinë e Francës nga nazizmi se mbronte dinjitetin kombëtar. Te ne çështja e atdhedashurisë shikohet si monedhë e shpuar në ajër, diçka anakronike që nuk bën të merresh me të kur bota cullakohet. Deri atëherë ne do të dëgjojmë pyetjen retorike të poetit në marshimin e tij rebelues, ironik:
A ky është kthimi apo hap zbrastësie?
(Dilema e këngës)
Çështje estetike
Tekstin për maestron e fjalës shqipe po e mbylli me një thënie të Borhesit: “Veprat nuk janë të rëndësishme atëherë kur lindin. Ato bëhen të rëndësishme më vonë: ato janë të rëndësishme për mbamendjen, e cila deformon, zbukuron, i harron, i përsërit dhe i shndërron në çështje estetike”.
Ulpianë, 10 mars 2006.
Mes durimit e triumfit
1.
Pika në gur i kishte shkaktuar dhembje Azem Shkrelit. Të rënat nuk kishte mundur t’i përcjellë, as të dinte kohën e pikës. E poeti i ishte drejtuar: S’di pse ma mësove dhembjen… (Shkëmbi). Bokshi e kishte konsideruar se shpimi i gurit nga pika është triumf i durimit njerëzor, që do të ndodhë një ditë. Me gjasë për Shkrelin pika simbolizonte dhe gurin në meskohë, aty në mes-hapësirë që padrejtësitë e të tjerëve e kishin ngulur e ia kishin prishur harmoninë tërësisë. Ajo ishte pikë e zezë, tragjike: pengonte normalitetin e një populli. Një poet do të thoshte më vonë: kalove detra e nuk e munde pikën…Absurde. Rreth një pike u sjellka tërë bota. Qenka epiqendër e të gjitha tërmeteve njerëzore, fateve.
2.
Lufta e Dytë Botërore përfundoi në vitin 1945. Shqiptarët mbetën ata të kohëve të liga: pikepesë. Me fatin tonë vazhduan të merren të tjerët, për shkak të interesave, ose pse nuk ditëm të rreshtohemi. Krasitjet e cungimet tragjike të vendit, ma çonin mallin e një cungu atje lart në Çabrat, i cili ndërronte trajtë sa herë e përshkonte tehu ose gjuha e flakës. Nuk mund ta merrja me mend se duke shkruar për atë kreaturë pikëlluese të pyllit tim, shkruaja edhe për gjymtyrët e humbura të vendit.
Mirëpo, brenda etnitetit tonë do të ndodhë një luftë tjetër më e gjatë e më rrënuese, fatkobe, ndoshta për çështjen kombëtare. Kjo është lufta e bindjeve, klasave. Në të dy anët e murit ta quajmë kështu gurin e mes-hapësirës sonë, vetë shqiptarët i kryenin punët e fqinjëve gëlltitës: rrënoheshin kokat e mençura të kombit që nuk e pranonin dogmën sllave, me të cilët nuk na afronte asgjë. Përkundrazi e hetonin rrezikun nga ata. Fajtorët gjendeshin në krye. Mbrapsht e kishin kurdisur orën e kombit. Përballeshin me një histori të trishtë.
3.
Nuk ishin të paktë krijuesit që iu kundërvunë ideologjizmit. Vepronte vetëdija e lartë kombëtare. Është me interes të studiohen e analizohen gjuha figurative, simbolet, shenjat, ekuivoket, tkurrja e tekstit, kthimet e shpeshta në të kaluarën, ikja nga realiteti, kërkimi i mbinjeirut në një kohë gri, kur dyshohej edhe në shqiptimin e shkronjës e të fjalës e lëre të shkruarit e një poezie pakëz hermetike. Megjithatë, ca krijues u mbetën besnikë bindjeve dhe nuk e pranuan poshtërimin. Arsyeja ishte të shënohej gjithsesi koha makabre, që rrënonte edhe majat. Nuk është e vështirë të shpaloset frika nga të diturit. Me shkrime qofshin diskurzive apo imagjinative të një artikulimi të ri krijuesit e mirëfilltë u vunë digën shkarravitjeve dhe antitalenteve që nderoheshin nga shteti.
Njeriu me “buzë të ngrira në gaz”, siç kishte deklaruar me ironi në udhëtimin e vet imagjinativ poeti shkodran Zef Zorba, e kishte parandjerë se shoqëria shqiptare gjendej ballë murit që nuk do të bjerë pa sakrifica. Dhe pezmi i tij prej intelektuali i ngjante ndoshta një gozhde të drejtuar thik në mur, që ia kufizonte dhe lirinë; të rënat paralajmëronin depërtimin e mëtutjeshëm të saj, se e padurueshme bëhej edhe censura e shndërruar në instrument të llahtarshëm të shtetit. Lexuesi që nuk bredh labirintit për të kapur të lexueshmen te poezia Një gozhdë mund ta konsiderojë artikulimin e shkodranit hermetizëm, shkarje, ikje nga realiteti; si kjo gozhdë të shfaqet? E poeti e kishte vërejtur se fatkeqësia shqiptare vinte mu nga ai mur ideologjik brendashqiptar, të cilit ia kishte drejtuar gozhdën dhe e ndiente grithmën ai, se gozhda vepronte mbasi ishte:
E ngulur thik…
E futur thellë…
E mbetur thatë…
Kjo ishte ajo udha e mundimshme e gjallërimit, ku do të dëgjohen edhe të rënat monotone të pikës në gur, që shkaktonin dhembje te Azem Shkreli se zgjonin asociacione gjithfarësh.
4.
Krijuesit e këndejmurit kishin edhe probleme të tjera. Së pari, përcaktimi i tyre; së dyti kultivimi dhe mbrojtja e identitetit kombëtar në një mjedis gllabërues; së treti deri ku dëgjoheshin, vendi amë dinte gjë për tejdrinasit…? Së katërti, duhet ndërruar diçka në shkrim e në të menduar…
Në vitet e pesëdhjeta Besim Bokshi kishte krijuar universin e vet poetik. Poezia e tij zgjonte kërshërinë e lexuesit-recepientit, jo pse ishte novator me koncepte për artin, por pse kishte një artikulim të rëndë ironik, të guximshëm, konciz e shtresor. Edhe nga një pikë priste çudira në një hapësirë gati të shthurrur. Domethënëse është poezia e tij pesëvargjesh. Unë dua dhe vargu karakteristik: unë dua pikën kur shpon gurin.
Në poezinë antologjike Shkëmbi Azem Shkrelin do ta tmerrojë pika. Nuk e shihte vetëm atë në mes-hapësirë, që i zgjonte asociacione, tensione. Dhe është çudë që një krijues çfarë ishte ky të gjendet buzë eksplodimit e të frenojë veten para letrës së bardhë. I ndodh kjo edhe kur i drejtohet Europës për padrejtësitë ndaj çështjes shqiptare; ose kur tall vogëlsinë njerëzore të mjedisit tonë. Megjithatë ndien dhembje edhe në qortim. Lexojeni poezinë Letër një miku. Kjo është veti e krijuesve që tentojnë ta shndërrojnë dhembjen në paqe njerëzore.
5.
Azem Shkreli zbriste nga një ambient ku vetmohej më shumë. Na bëhet nganjëherë se na e shpalos dhe gjuhën e shushurimave. Poezia Lirikë me shi zbulon fshehtësi, të cilat nuk i shkakton vetëm emocioni. Me vete sillte dhe qetësinë olimpike, nga e cila nuk do të mund të lirohet as në botën e zhurmshme. Kodi i tij ishte një filozofi e çuditshme, karakteristikë e njerëzve që edhe pikën e fundit duan t’ia shtrydhin fjalës.
Me shkrimet e para, nëse ta kujton ndonjë poet tonin verior (M.Camajn) ose të huaj, shpejt do të ndahet. Imazhet e vendlindjes mbetën shtresë e hollë e poezisë së tij meditative. Rugovën, të cilën e konsideron nënë, e sheh në kuadër të njerëzores. Paska atdhe edhe tej çatisë së shkrelëve; se ajo që është e bukur dhe njerëzore kërkohet vazhdimisht; se atdheu vërtet na qenka një kashelashë. Po bimët, fjalët e tij mund të ndërrojnë diçka me atë fuqinë magjike?
6.
Në krijimtarinë e Azem Shkrelit tema të rënda, të themi janë dhe: tkurrja e atdheut dhe derdhja e popullit. E para e shkaktuar nga hilet e Europës që në konferenca e kongrese të ndryshme u kishte mbajtur anën fqinjëve tanë e që poeti këtë sjellje të turpshme nuk lë pa e vënë në bisht të lahutës. Ndërsa derdhja e popullit, migrimi i tij, është pasojë e padrejtësive dhe luftërave të shumta, që ndodhën në këto anë. Na i luajtën gurët kur e sa herë deshën. Më vonë do të ndodhin gjëra biblike, që vështirë të besohet në ndërgjegjen e njeriut. Sidoqoftë, Europa është kaptinë neveritëse, gaz i hidhur i Shkrelit, plagë që nuk na është vetëm e tij.
Azem Shkreli nuk vargnonte as nuk vraponte pas jehonës së fjalëve; se fjalët i kishte me kët. Nuk i matte vargjet me metër as nuk e tërhiqnin libra të trashë. Një histori njerëzore mund të thuhet edhe përmes një vargu emblematik. Kur kishte mësuar më shumë për peshën dhe magjinë e fjalës, narracioni lirik ishte shndërruar në vetëtimë refleksesh, mendimi. Nuk është e rastit pse përzgjedhjen e poezive të tij për botuesin Toena e pagëzova Zjarr i fjetur, se zjarrmia poezinë nuk e lëshon dot. Shkreli besonte në urtësinë e popullit: pak e saktë. Frikësohej nga fjalët e piskamaxhinjtë. Uronte të ketë bimë të shëndetshme… Këtë e kishte të kodit etik nga kishte zbritur. Besonte po ashtu se në mite e përralla fshihej trilli i madhështisë, i cili duhej hulumtuar e thënë. Markezi këshillon: të madhërishmen kërkojeni dhe në përralla të gjyshes. Krijuesi është laborator më vete. Nuk shkruhet sa për të derdhur frustrimin.
Dhembja e pikës lexohet si metaforë e kohëve të liga. Të besohet, pra në gjuhë e në gjeniun krijues. Gjërat dinjitoze i krijojnë mjeshtërit e fjalës, që tërë kohën ngarendin mes durimit e triumfit.
E shtunë pas një të premteje
1.
Përzgjedhja nga opusi letrar i akëcilit krijues është krijimi i një vepre të re të mbështetur në konceptet e përpiluesit e që është dhe leximi i tij. Ky bart dhe përgjegjësinë. Kam menduar gjatë si ta kap e si ta mbyll një udhëtim imagjinativ me poezinë e Azem Shkrelit. Çfarë të mbështes në universin e tij dhe ku fshihet qenësorja që e bën të veçantë këtë poet në letrat shqipe. Po përballesha dhe me mikun që dëshiroja ta shoh në dritë tjetër. Frikësohesha se mos lëndoja diçka në strukturën poetike, apo mos lija jashtë kopertinave ndonjë poezi të përzemërt për të. Me njerëzit që nuk janë më kujdesi duhet të jetë maksimal. Megjithatë, bota shpirtërore e artistike e tij mundëson të nisesh nga disa rrafshe. Tek unë gjithmonë ka zgjuar kërshërinë shkrimi i poezisë meditative të Shkrelit, ku trajton filozofinë jetësore mbi kodin e fortë etik të njerëzve pakfjalë e që e voli nga një ambient i akullt e gati hyjnor. Pos qiellit, shkëmbit, zogut a vije uji pak gjë tjetër mund të kapë syri, ma kishte bërë me dije, kur fliste për Rugovën e imazhet e saj.
2.
Se ç’kërkoi nga fjala, arti e jeta ky poet, dëshmon pikërisht shkrimi i poezisë meditative, asociative e me ekuivoke. Kur i bie në fund e sheh se diçka të ka mbetur pa e shpaluar: prapë gjendesh mes reales dhe fantastikes, ku humb pas ndonjë ideje e mesazhi dhe të bëhet se dëgjon diku në brendi zërin e poetit, i cili dallohet edhe për një nuancë e refleks nga krijuesit e tjerë. Azem Shkreli njihet si fanatik i vargut, i latimit të tij, i ritmit, i muzikalitetit tekstor, i ironisë që shpesh na shfaqet në sarkazmë. Me pak mundohet të thotë shumë. Kjo është veti e krijuesve të mëdhenj, të cilët dinë pse shkruhet dhe artin e kuptojnë si punë mjeshtërore. Nuk mund të pajtohej se teksti është kryer, nëse fjalës e figurës nuk ia ka gjetur vendin e vet. Nga fanatikë të tillë lind madhështorja, të cilës vazhdimisht i kthehesh. Duke pasur parasysh jo vetëm imazhet e narracionin rrëmbyes, idetë dhe temat që shtron, ky poet i afrohet më shumë botës mitike dhe e mbështet këtë shkaku i dëshmisë për lashtësinë e një kulture e populli.
3.
Edhe më parë janë marrë me përzgjedhje të poezisë së Azem Shkrelit. Që në vitin 1984 njëri nga sajuesit pat thënë se ky është ndër poetët më të shquar të Kosovës. Mendoj se i ka hyrë në hak. Azem Shkreli është ndër poetët më të shquar në letrat shqipe. Verbi i tij nuk mund të vlerësohet përmes librave të parë, ku zotëronin motivet rurale. Me një kujdes më të rreptë mund të kapej edhe atëherë pak më ndryshe bota e këtij poeti. Këtë e dëshmon një sajues tjetër, i cili më herët ishte marrë me përzgjedhjet e Shkrelit e që lexuesin do ta shpjerë në botën e reflekseve, tërmeteve duke vënë në spikamë artikulimin e tensionet emocionale të themi. Kritiku Ali Aliu i ishte qasur botës imagjinative të poetit në kërkim të vlerës së njëmendtë. Ndërsa Kadarenë si duket e kishin mahnitur më shumë motivet nga Rugova, poezia peizazhiste që pak shkëlqen në ligjërimin e vërtetë shkrelian. Mendohet se kjo duhet kërkuar në leximin e shtresimeve, fjalëve, shushurimave të tingujve, kompozitave, në përsëritjet e tingujve – shkaku i atmosferës dhe imazheve. Interpretimi mund të ishte aventurë e këndshme aq sa e rrezikshme, mund të pësonte dhe poeti. Por gjërat zbulohen edhe përmes një figure që për dikë është e parëndësishme. Nuk mbaj mend ndonjë bisedë të Azem Shkrelit të mos e ketë zhvilluar përmes një gjuhe figurative e pakkush ta ketë kuptuar.
“Zjarri i fjetur” u sajua kryesisht; “Nga Bilbilat e heshtjes”, “Kënga e hutinit”, “Nata e papagajve”, “Lirikë dhe shi” dhe “Zogj e gurë”. I fundit u botua pas ikjes së tij ku mbyllet udhëtimi imagjinativ e jetësor i poetit me një vaj burri: Sonte / Qava për ty? Arbëri…/ Më vjen turp pse s’munda / të bëj tjetër / Nga turpi qava… I zhgënjyer nga situatat traumatike e të papritura, me të cilat u ndesh populli ynë (1997), poetin do ta tmerrojë vetëbesimi që e kishte krijuar për njëfarë force të pamposhtur. Në poezinë Pas heshtjes do të këlthasë: S’i besoj më / as kështjellës sate prej guri… E kështjellën e kombit e shihte mbi çdo gjë, pastaj gurin që i bëhej se ia dinte të gjitha fshehtësitë nga koha ilire e këndej. Ndodhka, pra të të tradhtojë edhe besimi mbi qëndrueshmërinë, sidomos kur nuk mund ta frenosh tatëpjetës qerren e kombit. Vaji i burrit në “Kënga e turpshme” na e shpalos poetin edhe nga brenda. Vandalizmin, asgjësimin e vetvetes nuk mund ta pranonte. E pata dëgjuar disa herë poezinë e lartëpërmendur, si ma thoshte, pastaj atë pyetjen: mos na mallkoi kush? Si një retorikë humbësi e lexoja ligjërimin e tij plot dridhmë.
4.
Azem Shkreli ishte një kërkues i rrallë i fjalëve, i strukturave, i formave. Pikënisje të ideve kishte ndonjë imazh a lëvizje – shenjë të lartësive të Rugovës nga e kishim parë edhe Rrafshin e Kosovës si në shuplakë dore. Ndjenjë të tillë pata edhe në Majë të Tomorit. Më qe dukur së tërë Shqipëria lëvizte e frymonte në shuplakën time të hapur. Nga kepat e Hajlës veneruam zgjimin e gjymtyrëve të antikës sonë. Aty e pata kuptuar edhe tragjiken e fluturimit të zogut të lartësive që diku mbi grykën e pafund e të frikshme ishte përgjakur për ndonjë re, pastaj e pata kujtuar nekrologun e poetit për zogun. Më bëhej se njolla e gjakut kishte kuptimin mjaft domethënës të lirisë e të ëndrrës që e kishte projektuar. Nuk më habit as shqetësimi i tij që është edhe nacional: ku janë njerëzit? nga janë nisur bimët? (Kafsha e zezë) e që përfundimisht Azem Shkrelin e shohim në anën e të revoltuarve që e duan një atdhe më të atdheshëm, më njerëzor. Dhe në këto përplasje grykës së ekzodeve dherave të huaja, përballshëm me shpërthime të brendshme të poetit pajtohesh me revoltën e tij: luftërat dhe fitoret kanë uri për famë dhe koka njeriu… (Varri i trimit të panjohur). U varka fati i një populli nga “zotërat” që fatkeqësisht, zgjedhja e tyre na qe e gabueshme shpesh, se përgjakja mbi grykën e ekzodet vështirë të pranohen. Asgjësimi dhe humbja e së shenjtës nuk ka asgjë me kodin e moralit të njerëzve të akullt e pakfjalë, që Azem Shkreli do t’i fshehë në poezinë e tij si njerëz të antikitetit tonë që assesi nuk bën të harrohet.
Zhgënjimi tjetër i poetit është derdhja e këtij antikiteti, tentimi i tij pastaj për të krijuar bile gjeografinë e poezisë së tij, të kujtojë edhe një trohë të gjakut të tij. Beson se të mbrosh tënden qoftë ajo dhe e humbur, mbron dhe tjetrin, të ardhmen. Në poezinë e tij ka tone elegjiake, dhembje, por nuk mund të gjesh smirë apo urrejtje ndaj racës njerëzore. Në ato pyetje e përgjigje grith dregzën në faqet e pakryera të një historie njerëzore, e cila nuk dihet si e kur do të mbyllet. Para dilemave rreth ngjarjeve e figurave historike frenon veten, sepse i intereson e ardhmja. Do të lëvizë ai guri në hapësirën e tij të copëtuar, siç dëshiruan të tjerët dhe në atë mes-hapësirë sa mund të gëlojë bima e tij? Poezia e tij shtron çështje fondamentale dhe ka një taban të fortë kombëtar në ruajtjen e identitetit dhe hapësirës jetësore. Tekefundit, krijuesit me çfarë të merren e çka të shkruajnë, nëse poezinë nuk kanë kujt t’ia dedikojnë? Një i huaj kishte thënë se në letërsinë shqipe ka tepër zymtësi. Mos duhet të çohet dorë nga historia jonë përplot luftëra e rrënime e të shkrujamë për bodrumet e metropoleve? Po me atë, mund të identifikohemi? Të zezën ta quajmë të bardhë, po me kujtesën ç’të bëhet?
5.
Është interesant të shikohet edhe qëndrimi i poetit ndaj Europës, e cila me kongrese e konferenca na solli shumë tragjedi. Së pari, poezitë drejtuar të mirës sonë kanë një tekst gati të përsosur dhe një fjalor të zgjedhur. Mendonte që ndaj atyre që na bënë pikepesë, duhet pasur kujdes në sjellje. Së dyti, ia qan hallet dhe me një ironi të sofistikuar tallet me guximin e saj të marrë: Nxjerr gjymtyrë popujsh dhe harta e histori, thotë poeti në Antihimn. Do të thotë i qet vende e popuj në tryezë, ku vepron më tepër instikti. Dhe pyetja: Sa luftëra, sa kufij, sa popuj të ha mangalli? Së treti, Azem Shkreli në qortimin e tij mbron etikën krijuese: nuk rrihet duarkryq kur të rrëzohet edhe lisi i fundit. Edhe pse i derdhur nuk mohon begatinë as të mirat e saj, e cila mund të bëjë edhe gjëra më të turpshme rreth çështjes shqiptare. Së katërti, Azem Shkrelin e tmerron krijimi i hartave në dëm të shqiptarëve. Në një shkrim diskurziv këtë sëmundje ballkanase e quan kromë hartash. Përfitimin e fqinjëve e shihte në paaftësinë e shqiptarëve, në tokën e të cilëve rrëshqiti thika e hasmit, kurse ata nuk mund të të bashkoheshin kundër shpërbërjes; pra nuk i dolën zot as nuk kishin një mik të besës. Kjo është ajo fatkeqësia jonë kombëtare. Nuk mund ta quajmë tragjike vetëm kohën e diktaturës. Pamë ç’pamë, thotë poeti. E keqja nuk na u nda gjatë historisë sonë mijëvjeçare. Mu për këtë edhe krijuesit vështirë shkëputen nga ana e errët e saj. Së pesti, me qëndrimin e tij u bëhet krah rilindësve. I drejtohet kësaj të gëzuare: Zonja Evropë, e rënda. Dhe Zonja Evropë, e mira (Antihimn). Si duket ia lë ndërgjegjes bile edhe mashtrimet e mëdha të kohës së ‘hazreti” Leninit, kur kasta politike shqiptare në të dy anët e murit rrënonte majet e kulturës dhe të Kombit, në emër të njëfarë ideologjie që asgjë nuk kishte me synimet kombëtare.
6.
Poezia e Azem Shkrelit është artikulim modern, nga e cila mësohet e vështirë imitohet. Pa figurat: guri, zogu, fjala, bima nuk di si do të dukej teksti i tij. Këto janë fuqia magjike, që vë në lëvizje një botë të tërë. Zëra lashtësie i këndej të dëgjonte në pyllin e madh njerëzor dhe të zgjedhë atë që i duhet. Guri simbolizonte qëndrueshmërinë. Në tekstin e tij ky na shfaqet edhe si një masiv (shkëmb) ku e mbështet durimin shekullor. Por, ajo që e magjeps poetin është zogu, fluturimi i tij mbi grykën e pafund e të frikshme, që shpesh ma kujton Tunelin e Sabatos. Pra, rreth tij krijon dhe mendimin për lirinë. E tmerron ndërrimi i pendlave të tij, prandaj nekrologu për të ndodh të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Pas bredhjeve e shestimeve bindet se e bukura e jetës fshihet në fjalë, që ushqen dhe bimën në gur. Do ta përjetojë dhe ngrysjen, shëtit natën në një hapësirë të padefinuar. Në atë meskohë të një mes-hapësire shkallëzon tragjikja. E kishte parandier edhe ikjen: Mund të jetë e shtunë pas një të premteje (Katër e njëzet e pesë). Lë përshtypjen se ai ishte i bindur, çdo gjë e tij lëviz mes të martës e të premtes. Mbyllja e harkut kohor do të ndodhë të shtunën.
Është theksuar nga kritika se kredo jetësore e Azem Shkrelit është poezia Katër këshilla vetes, e shkruar në fillim të viteve ’70. Kishin veçuar vargjet: Mos u bë poet nëse s’mund të vdesësh për secilin varg, të vdesësh për secilën fjalë… Mirëpo, me potencën krijuese të poetit ndeshemi edhe në poezi të tjera, ku hulumton genin e bimës së vet; t’i tund kambanat e fatumit njerëzor; të prish atë meskohë të mes-hapësirës së tij që pikon dhembje e nuk lë ta shohë veten në tërësi; as nuk dihet se kur do të fshihet nga kujtesa e kombit.
E shtunë pas një të premteje do të paralajmërojë poeti fundin e një jete, e cila vazhdon të rrapëllojë në bibliotekën tonë; se është një zjarr i fjetur që nuk e mbulon dot hiri i fjalëve. Mund ta dëgjoni edhe në “Zjarrin e fjetur”, nëse e kuptoni lojën e fjalëve…
Ulpianë, mars 2001.
Mbrojtja e vdekjes
Kalabria ishte aty diku në një kangjele, ku trokitja shpesh dhe vazhdoja leximin e historisë së dhimbshme arbëreshe. Edhe një gjysmë fjale të gjuhës sonë, edhe ngjyrat e hedhura me shije në rroba fascinonin. Por ç’forcë fshihej në gjakun e shprishur? Me shqetësonte apeli i Vorea Ujkos: Ju lutem mproni vdekjen… E çuditshme thirrja mbyllëse në vargun e një poezie. Ç’vdekje na qenka ajo dhe si të mbrohet? Në ç’kontekst ngritet dhe ku mbështetet?
Nëse i bashkohemi udhëtimit pakëz ëndërrues e të frikshëm që Ujko e paralajmëron në poezi e ku percepton identifikimin e arbëreshit në atë vorbull haklitjesh, do të shohim se vdekja që poeti kërkon të mbrohet ka një histori të dhimbshme. Ajo duhet të trajtohet e të konsiderohet si nocion absurdi, që ngërthen në vete një të vërtetë të hidhur. Ajo është vdekja që “lindi” qysh kur identiteti i një entiteti mbeti në mëshirën e fërfëllizave të kohëve e zu të pësojë të keqen në një truall të huaj e të varfër.
I vetëdijshëm për gjithë atë që ka ndodhur poeti kërkon shpëtimin tek dëgjon për “mërgimin e vëllezërve” se si katundet arbëreshe po zbrazen dhe se kjo qenie jeton në iluizon, nuk gëzon asgjë prej kohësh. Mbet, siç thotë poeti,: “pa kumbime e pa drejtime”. Vëren se koha e arbëreshit kurrë nuk ka qenë e sigurt as ka për të qenë, se është vënë në pyetje identiteti i tij. Ora e tij është ndalur diku. Tik-taket e saj i dëgjon në shkëputje. Bindet se “arbëreshi u bë lodër”, se me të gjithkush luan si të dojë e kur të dojë, tek ia masin impulset e gjallimit. Në rezignatë klith: “Më jepni rishtaz ëndrrën”. Se në një botë kaotike e të makinezuar arriti të mos ketë dhe ëndrra. E si jetohet pa to? Klithja e poetit është protestë drejtuar forcave që e hodhën në një gjendje të rëndë ekzistenciale. Brenda qenies arbëreshe ndodhin çrregullime. Ujko gjendet në anën e të mundurve. Pra, dhe në anën e Jan Pallahut. Është i vetëdijshëm se nuk mund të jetë i lumtur po qe se edhe tjetri nuk është i lirë dhe po qe se nuk mendon si i lirë. Kjo është cilësi e krijuesve humanë dhe traditë e popullit të tij që këtë e kultivoi me shekuj.
Kthimin e shpeshtë në kohë të shkuara dhe bredhjet nëpër to për të zbuluar diçka nga identiteti, si dhe malli për ëndrallat e fëmijërisë e ndonjë idili janë vetëm pushim shpirtëror, qasje diçkasë së perënduar për ta trimëruar vetveten dhe për të mbajtur gjallë qenien arbëreshe. Në poezinë e tij zë e dëgjohet “trou i kalit të Konstantinit që qaset me shpatulla vdekjeje”, tingulli i lahutës në një qoshe të shtëpisë së paemër, diku afër ndonjë ranishte të etshme dhe që e vërshojnë ujërat e turbullta të ëndrrave të poetit. E gjithë kjo artikulohet përmes figuracionit imagjinativ ose të vjelë nga letërsia popullore tek i ngrit në shkallë të lartë artisitke. Poezia e tij nuk është grumbullim simbolesh apo regjistrim i zakonshëm i fjalëve, poeti e kupton artin krijues si artist i njëmendtë; e ka të qartë emisionin e vet edhe pse gjendet në një mjedis e kohë jo të lakmueshme.
Ujko ngrit probleme ekzistenciale, njerëzore. Çështje nuk është vetëm individi, i cili përpiqet ta ruajë identitetin e vet e që poeti frikësohet se do ta humbasë. Kemi të bëjmë me errësimin e ngadaltë të kujtesës. Hulumtimet mbi arbëreshë i kemi përcjellë edhe te krijuesit e hershëm, ku kemi hasur në këto probleme, por imazhi i poezisë së Vorea Ujkos është i kohës së modernitetit dhe vë në dyshim ndërgjegjen njerëzore; na është gjithnjë më frikësues.
Nga ajo që përjetoi arbëreshi, vdekja humbi dhe misterin, posaçërisht kur në hapësirën e tij u shfaq bota e ftohtë e makinës dhe kur shiriti i asfaltit zu të sillet rreth shtëpisë së paemër, të asaj shtëpie ku frymon dhe dhembja. Ndodhi kjo kur identiteti i arbëreshit zu të varet nga faktorë qofshin ekonomikë, shoqërorë apo politikë. Ja dhe një barrë e rëndë: lufta psikologjike, rrymimet e brendshme.
Nëse dikur arbëreshin e shqetësonin varfëria, malli për atdheun e tejdeti, emancipimi shpirtëror e kulturor, përpjekjet mbinjerëzore për të ekzistuar e ruajtur me çdo kusht identitetin e gjuhën, tani e tmerrojnë përplasjet nëpër botë, presionet brenda e jashtë hapësirës së tij, kontakti me të panjohurën. Kjo është dhe frikë e poetit. Mu për këtë nuk dëshiron të shkëputet nga Moti i Madh, as nga legjendat e mitet. Aty e sheh qëndresën e arbëreshit. Megjithatë, ka skepsë për të ardhmen. Ç’do t’i sjellë të re e nesërmja, a do të ndërrojë diçka në gjallërimin arbëresh, a do të mund ta ruajë gjuhën, etnosin, a do të inkuadrohet mendja dhe fuqia në të mirën e gjithmbarshme të kombit? Prania e botës së ftohtë të makinës në hapësirën e tij solli shumë të papritura. Shkapërderdhja filloi të bëhet më e madhe. Rruga e kurbetit të rrahet ditë e natë, t’i ndajë ndoshta përgjithmonë nga gjuha e tradita e tyre e ruajtur me xhelozi të pashoq.
Nëpër ato rrugë të asfaltuara, rreth asaj shtëpisë së paemër, diku rrëzë ndonjë bregoreje apo ranishtje rrëshqiti makina një ditë, rrota e së cilës ngreh me shpejtësi të rrufeshme kah e papritura dhe për të cilën bardi afrikan Eme Sezar thoshte se “është zbulimi i bukur dhe i vetëm”. Ajo vuri në lëvizje gjithçka; piku ajo makinë dhuratë e mendjes njerëzore, semantika e së cilës është mjaft e dendur në poezinë e Ujkos. Në jetën e kësaj qenie të trazuar solli të renë, por dhe dhembjen se e shkëputi arbëreshin nga ëndrra e tij. Në botën e kangjelës më pak është e pranishme e kaluara, se kohët moderne sollën heronjtë e vet. Mu për këtë poeti është emocional dhe proteston në emër të ekzistencës njerëzore. Ushtima e makinës rrëqethshëm dëgjohet nëpër fshatrat arbëreshe, rrokulliset ajo vdekje andej ku dhe sorrat, siç thotë poeti, “kanë marrë sëmujen e njeriut”.
Çfarë udhëtimi mund të jetë ky? A fillon atje nga shtëpia e paemër, diku në Kalabrinë e varfër e të lënë në mëshirën e Zotit apo nga ndonjë rrokaqiell të ndonjë metropole të Europës së pahalle? E tmerrshme se si makina sillka dhe vdekjen, që kërkon besim, mirëkuptim njerëzor dhe si e tillë mbetet çështje e hapur dhe në poezinë e Ujkos. Atë që e përjetoi nuk është veëtm vdekja e individit. Lutet të mbrohet dhe të respektohet kjo Zonjë gri. Kush mund ta bëjë këtë pos ai që gjendet në anën e të mundurve dhe i cili na është një “makinë që trazon trafikun” e botës së pispsillosur, e asaj bote që fshihet pas buzëqeshjes falso e premtimeve të kota. Është i kuptueshëm pra rebelimi i poetit në udhëtim të identifikuar gjithnjë me qenien arbëreshe se “liria nëpër ujq nuk është e këshillueshme”. Çfarë ironie, Europë e qytetëruar!
Dhe nuk ke zemër të shkëputesh e të mos e dëgjosh deri në fund një kangjelë të re që lindet.
(1978).
Tmerri i ri
Nga tekstet e veprat bashkëkohore të arbëreshëve isha përcaktuar për veprën e Vorea Ujkos (Domenico Bellzit). Përzgjedhjen “Ankth” e botoi Shtëpia Botuese Rilindja, Prishtinë, 1979. Emërtim pakëz frikësues. Simbolizon udhëtimin e mundimshëm jetësor, krijues dhe intelektual të tij; përpjekjet për të mbajtur gjallë vetëdijen historike, kultivimin dhe ruajtjen e traditës, të gjuhës, kodit etik e deri të një kangjele. Mesazhin dhe peizazhin arbëresh e shihja brenda kontekstit ekzistencial kombëtar. Në poezinë e tij dëgjohej troku i kohëve të shkuara, ai kali i Konstantinit, frymëmarrja e moteve moderne me atë kërcënimin e përhershëm: kurbeti dhe ligji që zbraznin hapësirën arbëreshe. Po këto plagë e hanin trupin e shqiptarëve të këndejdetit. Frika pra, shfaqej si shqetësim gjithëkombëtar.
A ishte i qëlluar pagëzimi i librit “Ankth”? Isha takuar pas disa vjetësh me Ujkon diku në Kosovë. Përgjigjja e tij: Është e vërtetë, ne arbëreshët jetojmë dhe veprojmë në një ankth të tmerrshëm njerëzor. Vdekjen nuk mund ta paramendojmë pa e parë Atdheun e të parëve. Atë që thoshte poeti, nuk ishte patetike, shpaloste trishtimin arbëresh me të gjitha nuancat që e ndiqte nga lindja në vdekje, brez pas brezi. Në mënyrë të çuditshme frika njerëzore për të ekzistuar hyri edhe në një poezi time.
Shfletoj librin e fundit të Ujkos “Hapma derën Zonja mëmë” (Naim Frashëri, 1979). Një sensibilitet tjetër, më pak e pranishme koha mitike; ka probleme të ditës që lexohen si protestë jo vetëm e arbëreshit. Poezia është e hapët, komunikuese e me pyetje ekzistenciale që shtrohet: çka më tutje? Nëpër fjalët e tij të bëhet se diçka flakandet, se diçka shpërthen: jam ende një fëmijë/ të cilit ia kthejnë fytyrën/ nga atdheu i të parëve, mbyllet tercina karakteristike, ku jepet portreti jo vetëm i poetit.
Udhëtimi i arbëreshit qoftë ai edhe imagjinativ, ekziston si gjakim për rikthim brenda hapësirës arbërore. Ai përpiqet të krijojë edhe në ëndërr Atdheun, të shkelë një herë në tokën e të parëve, sepse siç thotë Ujko, arbëreshi i ka “buzët e djegura nga ëndrrat e natës”. Ky gjakim më se njerëzor për të gjetur të humburen, m’i kujton udhëtimet e studiuesit të mirënjohur Anton Bellushit, që i kishte bërë deri atje poshtë në More. Një zë i largët e kishte shqetësuar për disa vjet, derisa e kishte gjetur fshatin e të parëve. Morea kishte qenë për të fundi i botës. Apo, shikimi mjegullues i De Radës tej detit të hedhur nga ballkoni i shtëpisë së tij në Maki, përmalli i të cilit tregohet në mesin e arbëreshëve edhe tani në variante thuajse atë para dy-tri ditësh e kishin parë. Vërtet ç’fshihet në shpirtin arbëresh dhe ç’bëri Atdheu?
Diçka e tillë nuk ndodhi me shqiptarët e vilajeteve të tjera edhe pse shpërnguljet ishin të vonshme dhe më të mëdha. Në shkretëtirat e Anadollit nuk mundën t’i bëjnë ballë harrimit as brenda një brezi, siç do të thoshte një mik imi kopeisht dhe u asimiluan. Besimi as dhuna anadollake nuk ishte më rrënuese se “qytetërimi” i tejdetit, por vetëdija për të ekzistuar dhe për të ruajtur identitetin mbeti këmbëngulëse tek arbëreshët. Ja pse kam konsideratë të posaçme ndaj teksteve që na vijnë nga tejdeti.
Vorea Ujko ka vite që prehet diku në Kalabri, pranë ndonjë rrënje apo kangjele. Shqetësimi i tij prej krijuesi e njeriu, rri pezull si re e zezë në pjesën dërrmuese të poezive të tij. Sa vjen e merr përmasa kombëtare. Këtë e kishte theksuar gjatë një udhëtimi për në Atdhe: Unë vizën s’e kisha në pasaportë. Po kisha mallë për Shqipëri. Brenda një pëllëmbe toke kaq kufij që gllabërojnë çdo shenjë tonën. Tmerr i ri mos shfaqet në horizontin shqiptar?
Teksti arbëresh është dhe një lloj lektyre e dinjitetit kombëtar: si të ngadhnjehet mbi kohët që poshtërojnë?
(1994).
Imazhi arbëresh
1.
Aty diku të bëhej se ishte De Rada ose pak para se të hyja në Maki, ai gjendej në ballkonin e dhomës së punës dhe vështronte pikën në horizont. Nuk dëshironte t’ia prishte qetësinë askush. Çdo fjalë, mesazh e lëvizje e tij linte të besosh se ai ishte gjallë. Ishte ngrit kulti prej krijuesi e perëndie. Kjo ma përkujtonte thënien e Gerard Genettit: “Hapësira letrare është kujtesa e njerëzve”. Sapo isha gjetur në ballkon, njëri nga të afërmit ma kishte bërë me dije: Maestro ishte bërë nevrik. Mjegull e dendur ka rënë tash e sa kohë dhe nuk mund ta shihte tej detit Arbërinë. Tek e kisha dëgjuar edhe atë që ma tha më vonë, kisha përfytyruar Seremben, i cili tërë kohën ua kallëzonte një histori të dhimbshme arbëreshe:
Arbëria matanë detit, na kujton
Se ne të huaj jemi tek ky dhe.
(Vrull)
2.
Dikur isha ambientuar me arbëreshët. Kangjela, historia për Motin e Madh e fjalë të rralla që i kishin shpëtuar harrimit shtresoheshin në kujtesën time. Semantikët e çuditshme, por më tmerronte vetmia e tyre. As tani nuk mund ta harroj një mik, që hyri në një poezi time me emrin Zef. Ishte ky emri më i shpeshtë në mesin e tyre. Kishte rënë nata dhe ai kishte kyçur derën. Një rrotullim i çelësit nuk i kishte mjaftuar. Dhe pse çelësi ishte sjellë edhe një herë? Prapë më ishte kujtuar vargu i Serembes: se ne të huaj jemi tek ky dhe…
3.
Me shembullin e parë, prania e De Radës midis arbëreshëve, kemi të bëjmë me pavdekësinë e krijuesit, shpresat e një etniteti se një ditë do ta krijojnë nga copëzat e ëndrrave edhe atdheun që kishin lënë pas shpine. Në të dytin, shtrohet problemi i identitetit: Kush e nga jemi? Dhe ç’është ajo që në Familjen e madhe njerëzore i dallon popujt? Duke u kujtuar vazhdimisht arbëreshëve se rastësia i kishte qitur aty ku gjenden, në të vërtetë Serembe përmes identitetit forcon nacionalen. Këtë ndjenjë do ta fisnikërojë e mbështesë tërë jetën edhe Skiroi. E vendi amë nuk di sa kontribuoi për çështjen arbëreshe. Por ai çelësi që Zefi ynë e kishte sjellë dy herë, simbolizon dyshimin dhe frikën nga ndonjë e papritur.
4.
Arbëreshët u gjetën të papërgatitur në një qytetërim tjetër, ku ekzistonin ligje e institucione. Këto ishin të huaja dhe vepronin siç e kërkonte shteti vendor ndaj një etniteti ardhacakësh, që e kishin kaluar detin edhe me një gjysmë trapi. E Shqipëria ishte vetëm një nocion gjeografik. E varfër, e përgjakur, e fyer dhe e nëpërkëmbur nën perandorinë e hënës anadollake, ku pëshpëritej ose shënohej ndonjë ngjarje e lavdishme. Në një situatë kllapie a mund të bënte gjë vendi amë për degët e këputura, kur i kërcënohej më e keqja: zhdukja? Fqinjtë gllabërues e kishin hedhur në rulet, të mbështetur nga Fuqitë e Mëdha, dhe secili merrte atë që ia kishte vënë syrin. Shkurt, Shqipëria ishte tokë kusuritjesh e përreth shtet-kombet lindnin e zgjeroheshin në dëm të saj. Arbëreshët tej detit kishin probleme të tjera: si ta ruajnë atë që e kishin shpëtuar? Gjeniu krijues qëndronte përballë të panjohurës. Raporti me Europën ishte i njëjtë si ai me vendin amë: zhgënjim. Kthimi nga vetja mundësonte rikrijimin e atdheut të kallëzimeve të Motit të Madh, që merrte përmasa mitike. E vetmja gjë që bënte të shpresohej ishte kujtesa, shpalimi i saj dhe hedhja e parë e dridhjeve shpirtërore në fletën e bardhë. Ishte kangjela kundër harrimit.
5.
Nën dritën e hënës anadollake Shqipëria zgjohej e binte edhe pse shumë prijës të saj kryenin argatllëkun në vende të huaja. Në romanin Ali Pashë Tepelena Sabri Godo e thotë një të vërtetë të hidhur: në shekullin XIX shtatë pashallarë shqiptarë, thuaja tërë pellgun e mesdheut e kishin në duart e tyre. Por ç’bënë për çështjen shqiptare? Edhe iluzionin e Naim Frashërit se Francesko Krispi, si president i Italisë duhej ta ndihmonte vendin e të parëve të tij, nuk e shoh ndryshe. Karrigia Shqipërinë e solli shpesh buzë humnerës. Megjithatë, ndërgjegjësimi kombëtar kishte zënë të lëvizte. Dëgjohej edhe gjaku i shprishur matanë detit. Çështje e tyre ishte bërë edhe mbiekzistenca e vendit amë. Në vizionin e tyre shfaqej atdheu i së ardhmes. Po ky është libër që duhet të shkruhet…
6.
Isha pajtuar me Zefin: dera bën të kyçet edhe dy herë mbasi “liria nëpër ujq nuk është e këshillueshme”. Imazh ky që pikon vetmi… ndoshta dhe gjak.
Gjuha, shenjë e parë
Ndoshta e çuditshme ta filloj tekstin rreth interesimit të Xhevahir Spahiut për fatin e gjuhës, kur në veprën e tij shtron edhe shumë probleme qenësore për fatin e kombin. Arsyet janë të shumta, pse veproj kështu në këtë moment jo aq lakmues. Dua të potencoj se gjuha është shenjë e parë e identitetit, por a mjafton ajo të mbetet vetëm shenjë?
Dy poezitë: “Gjuha shqipe” dhe “Tek rrënja e fjalëve”, prekin këtë çështje. Dhe në mes tyre frymon bota jonë shpirtërore e materiale, rindërtohet dhe ruan kontinuitetin e vet historik, ku here-herë ngjarjet kanë intensitet mjaft dramatik nga kohë më të hershme (poezitë për Krujën e për figurat historike), ngadhnjmi i së resë me plot reflekse të një lirizmi sugjestiv (poezitë për vendlindjen, për dashurinë dhe detin); diskursi ironik për ruajtjen e pastërtisë shpirtërore-kombëtare nga njollat e errëta që i nxjerr jeta margjinave; ironizimi i mediokërve, shpifësve, servilëve, kalkulantëve, mikroborgjezëve, që si “shpëtimtarë” të kombit, fshihen prapa lustrës e komoditetit familjar dhe rrënojnë në emër të shqiptarisë (poezitë: Dhelprat, Kapela, Miço, Shtëpia e vetmuar, Monolog mikroborgjezi) e deri te një poezi arketipe e të shprehurit të moçëm shqiptar (Çbane), apo nga mitologjia kombëtare (Anës gjakut qan Ajkuna).
Në to gjejmë ide, syzhe e forma të laryshme. Forca krijuese e kuptimore është vazhdimisht në lëvizje, në ngritje dhe ngacmon kërshërinë e lexuesit-interpretit që përcillet deri në fund. Poezia e këtij poeti, njërit ndër më të talentuarit të poezisë sonë moderne, të mahnit me sensibilitet e qasje. Duke u përballur me përmbajtje, ide, figura dhe mesazhe hetohet se shkrimin e poezisë nuk e pranon si vargnim, por si mjeshtëri, art; nevojë të domsodoshme shpirtërore-shoqërore-historike të një krijuesi të angazhuar e të njëmendtë në kohë krizash e shqetësimesh traumatike. Atë që na rrëfen narratori lirik, e thotë pa ngurrim e halë në gjuhë, dëshmi për guximin e potencialin krijues të vetë poetit.
E përmend poezinë “Gjuha shqipe” që si mbështetje ka fjalët e rilindësit P.N.Luarasit: “Mblidhmani gjakun” që na kujtojnë tonin elegjiak e burrëror të një kënge popullore përdrinase. Në të parë kjo poezi duket e zakonshme, mezi arrin t’i ketë 14 vargje; nuk e ka atë zjarrin e patosin, as kumbimin madhështor të Naimit apo të rilindësve që me aq flakë këndonin për gjuhën shqipe. Mirëpo, në vete kjo poezi ngërthen histori të dhembshme njerëzore; atë dramën e rilindësve, që poshtëpërpjetë botës vraponin, të ngritnin zërin e protestës për të ruajtur emrin, hapësirën, identitetin; aty shpaloset jeta jonë e viktimizimit, posaçërisht e intelektualit tonë, që nëpër bodrumet mesjetare të Euro-Azisë, shpesh ua gjetëm eshtrat dhe fjalët e shkapërderdhura.
Duke lexuar këtë poezi përjetojmë dramën tonë që nuk pranë. Dëgjohen plumbi vdekjeprurës, vringëllima e tehut të thikës, përbirohet vdekja mureve të plasaritura; vizualisht na bëhet se shohim montime e çmontime të ndryshme në trupin e gjuhës sonë, e cila siç beson poeti: “po thelbi i mbeti” edhe kur të huajt deshën ta vënë në pranga, ta zhbijnë.
Për ta kuptuar më mirë këtë dhembje e respekt të poetit mjafton t’i shfletojmë veprat e të shëtisim nëpër biografitë e rilindësve; mjafton të vëmë veshin e të dëgjojmë zëra lashtësie, mureve të kullave, rrasave të varrezave të shpërndara anembanë dheut. Ose t’i kujtojmë përpjekjet prometeane të diasporës, këndej e tejdetit, vlerën e rëndësinë e gjuhës do ta kuptonim më mirë, atë fuqinë shpirtërore që njeriun e bën të harrojë edhe vetveten në çastet vendimtare; do ta kuptonim atëherë edhe udhëtimin e mundimshëm në kohë-hapësirë. Gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi, por edhe shenjë e identitetit para dreqit e të birit, guri hapësinor i qenies, i atdheut. “Gjuha shqipe” poezi kjo e një evokimi artistik, është e ngritur në një metaforë martiri po edhe të një krenarie kombëtare.
“Një plagë plumbi
një vrragë shpate
dhe fshehtësi helmi
ca fjalë u shkoqën
ca rrokje ranë
po thelbi mbeti…”.
Këto vargje a nuk na i kujtojnë shumë figura të shquara nga e kaluara jonë, që shpesh në pabesi u therrën, u helmuan dhe u vranë; a nuk na i përkujtojnë përpjekjet tinzare të të huajve që gjuhën e kulturën deshën të na i bjerrin për të na vënë në lak më lehtë? Poeti arrin me disa vargje të na e thotë një histori të përgjakur e të tmerrshme jo vetëm për gjuhën. I bindur thellë se me bjerrjen e gjuhës e të kulturës, me humbjen e saj, nis edhe çrregullimi i qenies kombëtare – asimilimi, vdekja, harrimi. Ai proteston në mënyrën e vet dhe na duket i arsyeshëm, kthimi i shpeshtë i poetëve tanë te çështja e gjuhës si objekt trajtimi, si nocion i parë kombëtar.
Poezia e Xhevahir Spahiut do të ishte e thatë, e pashpirt, po qe se do të ishte vetëm regjistrim i fakteve; po qe se do të mungonte dora e artistit, e cila nga trupi i saj di të hedhë ç’është e tepërt; poeti bën seleksionimin e gjithë asaj që para tij parakalon. Është konciz, ka dendësi vargu. E shpirtëzon dhe mesazhi është më se njerëzor. Shkrimi i tekstit na shpie te poezia aforistike, që shënon kulmin e një krijimi, ëndërr për krijues të njëmendtë.
Poezia tjetër “Tek rrënja e fjalëve”, mbyll disi udhëtimin imagjinativ; është njëra ndër poezitë më të bukura të shkruara në kohën tonë të modernitetit. Nuk mund të mos them se sa herë shfletoj veprën e këtij poeti, ndalem te kjo poezi: pse kam mall për njërin ndër lëvruesit më të mëdhenj të gjuhës shqipe, prof. Eqrem Çabejn dhe pse poeti ka arritur të na japë një poezi vërtet me vlera të mëdha artistike. Leximi i parë i saj: portreti i E.Çabejt, ndriçuesit e arkeologut të fjalëve shqipe; pra portreti i studiuesit i njëmendtë, i cili vetëdijëson qenien tonë dhe vë në lëvizje gjurmimin e përhershëm të fjalës, semantikës së saj.
Derisa në poezinë “Gjuha shqipe”, Spahiu shtron çështjen e martirizimit për ruajtjen e identitetit, në poezinë “Tek rrënja e fjalëve” objekt trajtimi ka gjuhën, shikuar nga këndi i ndërtimit të qenies sonë, gjurmimit të lashtësisë, etnisë, autoktonisë. Leximi i dytë niset (mund të niset) nga zgjimi asociativ i kësaj poezie-metaforë. Mbarimin e udhëtimit të studiuesit, konkretisht vdekjen e prof. E. Çabejt, poeti nuk e pranon – do të ishte baraz me asgjënë atëherë; do t’i vihej pikë çdo gjëje. Largimin e Çabejt nga mesi ynë, gjegjësisht, siç thotë poeti, zbritjen e këtij hulumtuesi “tek rrënja e fjalëve”, ku merr formë dramatike përmbajtja, koncepti i poezisë na shfaqet si mesazh vazhdimësie. Prof. E. Çabej, thotë ai, iku atje “drejt ashtit të dheut, atje ku nis shqipja dhe brumi i vullkaneve”. Vajti, pra t’ua gjejë fillet e lashtësisë fjalëve “përtej Iliadës”. Çabej shkoi “të ngrehë shtëpinë, përgjithnjë, tek rrënja e fjalëve”… Vargje këto plot asociacione për t’ua pasur lakmi edhe poetët në zë të të sotmes.
Një poezi e tillë si pakontestueshme si dhe shumë të tjera, që i hasim në poezinë e modernitetit, në të vërtetë është pritur; poezia shqipe ka një traditë të gjatë me një taban të fortë. Të kujtojmë letërsinë tonë popullore, baladat, këngët epike; pastaj poezinë e krijuar nga Budi, Bogdani, De Rada, Naimi, Fishta, Çajupi, Serembe, Ndre Mjeda, Noli, Lasgushi, Migjeni – poetë këta që pakkush i ka.
Në këtë shkrim veçova këto dy poezi të Spahiut, mjaft të suksesshme, që rrënojnë klishe e kritere të çoroditura rreth shkrim-kuptimit të poezisë së sotme bashkëkohore.
(1988).
Larg pikës së vdekjes
Për gruan e tokën
Lë kokën
(“Toka ime, kënga ime”)
Të pagjumët, vetëdije historike
Kokëqarje më të madhe, askush nuk i ka sjellë Botës sa Negacioni-Pakënaqësia. Brenda natës, brenda ditës, zhdukeshin popuj, shtete, gjuhë. Mbetej vetëm zbraztësi në kohë-hapësirë dhe kujtimi i zymtë, ose flitej për ata popuj e shtete e gjuhë, si për data tragjike të njerëzimit, si për gojëdhana e mite të një qytetërimi të zhdukur.
Fat ogurzi, gati pësuam edhe ne. T’i kthehemi vetëm të kaluarës; të lexojmë baladat tona të hershme, epikën; të shikojmë evoluimin e gjuhës, toponimet, emrat tanë; të zbulojmë kështjellat, bedenet e qyteteve tona të lashta – botën materiale; mjafton të dalim pak kohë nga vetvetja dhe të bindemi se e kaluara ishte sa e lavdishme, aq edhe tragjike: “Një copë, një copë! Një çikë, një çikë! Ulërinin ujqit në mes zhegut, kallkanit.”
Ndodhnin njëmijë e një e zezë sa çel e mshel sytë.
Mirëpo, gjithë kjo kurdisje e kanosje kundrejt qenies sonë, në vetëdije u kultivua ndjenja e rreptë e ekzistencës, e urtisë shekullore që do të bartet brez pas brezi; ngjall data e figura historike. Dhe brenda kufijve gjeografikë të qenies sonë; brenda gjuhës, e cila na ish “lesh arapi”, brenda simbolit tonë mbetej jeta e kafshuar. Jashtë saj përgjonte vdekja se “mua më gjuan dhe mua më ndjek me gisht në këmbëz shtrënguar” (Poema e të pagjumëve)
Mesazhi poetik si urti e këtij udhëtimi tronditës, na mbeti vetëm e vërtetë e hidhur e kohëve plot nokdaune e të papritura, të cilën na kujton Dritëro Agolli. Kjo semantikë frike e folësit lirik u bë lajtmotiv, jo vetëm në poezinë e tij, e cila lexohet edhe si pllakat dhe përhapet si alarm ndaj mendjeve të ndryshkura që njerëzimin e sollën shpesh në zgripc.
Nga ky pozicion duhet ta shikojmë edhe simbolikën e kullës, të cilën njeriu ynë e ngriti jo pse dëshiroi të mbyllet në të, “të izolohet” në vetminë e madhe e të ftohtë, por pse Bota e solli në një gjendje të mosbesimit, para aktit të zhdukjes dhe pse njeriu ynë deshi ta ruante identitetin e vet. Përralla e kecave, siç thotë poeti, ishte një e vërtetë e përjetuar nëpër shekuj dhe ne na u desh kohë pastaj ta deshifrojmë “gjuhën e gënjeshtrave”. Kemi të bëjmë, pra me sublimi kohësh që shkruan historinë dhe formuan vetëdijen historike.
Në tekstin poetik të Dritëro Agollit pagjumësia do të thotë zgjim ndaj negacionit që shfaqej përreth nesh dhe duhet parë në kontekst historik. Ky mesazh është karakteristikë edhe për kohën tonë, shkaku i nëntekstit: Bota është e të pagjumëve dhe përderisa të ketë të pagjumë, Bota do ta ketë qetësinë e vet. Fjala është për një ikje nga katastrofa eventuale që mund të ndodhë. Vetëdija të mos vërë ndryshk, thotë Kadareja, e keqja njeriun dhe botën të mos e gjejë në gjumë, ajo duhet të rrijë zgjuar në çdo kohë. Vetëdija historike mbron të ardhmen, duke e shëndrruar në radar të tashmen.
Toka, Njeriu
Në poezinë tonë nocioni Tokë e kushtëzon atë Njeri. Pra nocionin Tokë duhet parë si diç të shenjtë, por dhe si akt të vetëflijimit. Thënien e poetit “për gruan e tokën lë kokën” lexuesi nuk e kap si retorikë të momentit. Njëra nga arsyet është se këtë nuk e thotë një krijues, i cili fshihet pas nocionit popull; na e thotë këtë njëri nga poetët tanë që ka bërë emër dhe i cili në poezinë shqiptare hyri me zë burrëror e realizime të suksesshme.
Nocioni Tokë i shfaqur mjaft dendur në poezinë e Agollit rri pranë atij Njeri. Të dy këto nocione janë të lidhura fort ndërmjet vetit dhe nuk mund të ekzistojnë ndaras, sepse e formojnë atë mozaikun e ekzistencës. Së pari: Njeriu ynë shpesh la kokën në kufirin gjeografik të Tokës, mbet një datë e saj historike, thjesht një muranë. Poeti e ngriti Tokën deri te personifikimi nënë, e shndërroi në kult. Së dyti: Njeriu ynë brodhi kurrizit të kësaj Toke me shekuj dhe zbuloi fshehtësitë e kohëve, magjitë, ëndrrat; ndjeu frymëmarrjen e saj dhe ruajti identitetin e vet me çdo kusht; mësoi shumëçka për veten e Tokën e tij, se ngjarjet shoqërore-historike “I mbolli rrugëve të gjata historia e derdhur valë-valë” (Zgjimi i baladave). Poeti nga ky udhëtim, ta quajmë imagjinativo-historik, nxjerr dhe selit thënien e urtë: “Një grimcë e tokës së Madhe jam unë” (Toka ime, kënga ime). Me identifikimin e krijuesit (lexo: njeriut) me Tokën dëshmohet se poeti është i vetëdijshëm se Toka i takon secilit dhe akëcili ka të drejtë për dashurinë dhe mbrojtjen e saj. Segmenti tjetër që tërhiqet në tekstin poetik të Dritëro Agollit e që harmonizon nocionin Tokë me atë Njeri janë malet, ato të sertat. Në poezinë shqiptare u shfaqën këto si lartësi dramatike për këmbën e të huajit. Konstatimin e poetit “s’besoj të ketë kaq male poezia e Europës, sa ka poezia jonë” duhet parë në vazhdën e traditës sonë krijuese. Shfaqja e tyre në tekstin poetik dëshmon se ky krijon poezi me një semantikë çfarë krijohet sot në poezinë tonë. Në vinjetat poetike: Për bukurinë, Për tokën, Duke udhëtuar në male e tjera, përballemi me një imagjinatë të vrullshme dhe koncizitet krijues.
Duke shpalosur poezinë shqipe dikush do të habitej: ç’janë gjithë këto lartësi, ç’u duhen kur Europa u rri larg. Po të përfilleshin mendimet e tilla rrezikohej shkëputja e nocionit Tokë nga ai Njeri. Do të zhvlerësoheshin nga kuptimi qenësor dhe rëndësia e madhe që kanë për ekzistencën tonë. Kur poeti u drejtohet maleve na bëhet se ndiejmë frymëmarrjen e kësaj Toke; na bëhet se kemi hyrë në botë tingujsh të çuditshëm, legjendash epikash të rënda, mitesh; se zërat nga baladat arketipale zënë e përplasen për veshin tonë dhe dialogun e vënë me traditën, kohët, historinë në mënyrë mjaft spontane shndërrohen në jehona kambanash. Para madhështisë së maleve mahnitet poeti. Përpiqet të zbulojë enigmën shekullore, të cilën do ta quajë enigmë shqiptare (Poema malore). Ç’është me rëndësi në rastin tonë malet për të janë të shenjta, nocion më i preferueshëm në poezinë e tij. I shikon ato si mburojë të qenies. Në to u strehuam, por aty i lanë eshtrat edhe ata që na ndoqën. Kemi artikulim epik nga ai i Naim Frashërit, i cili malet i kujtonte nga brigjet e Bosforit, më tepër për atë bukurinë vizuale. Ndërkaq në tekstin e Agollit malet kryejnë funksion ekzistencial. Ungareti do t’i konsideronte “shembull i rrallë i poezisë epike”. Koncepti i bukurisë ka edhe dimensionin vertikal. Po qe se strehimin në to e trajtojmë ndryshe a do të tradhtohej vargu: “Tokën s’e deshi si njerkë”… Të kujtojmë poezinë “Krevati i perandorit”, ku përmes shprehjes lakonike dhe partizanit Meke jep portretin e njeriut tonë – urtinë, humorin, botën shpirtërore, syçeltësinë, paluhatshmërinë e shqiptarit para historisë: “kudo jem unë Mekja e kudo kam qenë e do të jem kudo e ti do te dridhesh nga unë”. Apo lidhshmërinë e fortë brenda qenies sonë dhe kalimin e brezave në poemën “Baballarët”.
Në letrat shqipe shtrirja jonë përfundon aty te koha e Skenderbeut. Këtë nuk e shoh mungesë të fakteve. Gjërat brenda qenies sonë shpesh u trajtuan si probleme të një gjysmëqenieje, të një gjysmëkulture apo të një gjysmëhistorie. Na mungon tërësia; na këputen lidhjet me vetveten dhe origjinën. Korrespondimi i Dritëro Agollit, posaçërisht i Ismail Kadaresë me të kaluarën e thellë vazhdon të ngritet në çështje dhe të dëshmojë për lashtësinë tonë.
Gruaja, Kanuni
Në vazhdimësinë tonë kontribut të madh padyshim dha gruaja shqiptare. Vakuumin që lanë pas kohët e përgjakura, arriti ta mbushë me kocin e së nesërmes, me mishin e ri, siç do të thoshte Alen Boske. Mbeti feniks i çuditshëm se mbajti gjallë qenien tonë, identitetin, ninullën, ëndrrat në momente më dramatike që shpesh e sollën para aktit të kryer. Fuqia e saj përtrirëse nuk është “ekspansion” as nuk mund të jetë, është vazhdimësi e natyrshme brenda qenies sonë e që veten e sosur e rilind. Mbet metaforë e qenësisë shqiptare.
Duke parë se ç’përjetoi dhe sakrificat si nënë dhe luftëtare në të kaluarën dhe duke ndier praninë e saj vazhdimisht në të gjitha rrafshet si dhe në përpjekjet kombëtare, botës së gruas Dritëro Agolli i qaset me respekt të veçantë. Te ajo nuk sheh të bukur vetëm trupin e saj. Ai nuk merret me bukurinë vizuale. Edhe kur asaj i pëshpërit intimitetin e ruan dinjitetin e saj, nuk e zhvesh nga ndjenjat. Për poetin gruaja mbet bukuri e thjeshtë si në kohë lufte, kur lindte dhe luftonte krah për krah me të tjerët si në kohë paqeje, kur u bë faktor i rëndësishëm i shoqërisë: “e bukura, tokësorja, e thjeshta grua” (E bukura). Tek këndon për personalitetin e saj poeti është i mendimit se nuk kemi bërë shumë për atë që lindi “kreshnik e perri” (Gratë tona). Kërkon emancipimin tonë: gruaja nuk mund të jetë “rob” shtëpie. Rreth këtij problemi indikacione të theksuara hasim në poezinë “Mundja e Lekë Dukagjinit”, ku poeti godet anët e vjetëruara të Kanunit, i tallë duke i dalë krah lirisë së personalitetit të saj. Kemi shpalimin e një të vërtete dhe diferencimin nga e kaluara patriarkale, e cila la pasoja në vetëdijen tonë dhe i kushtoi shtrenjtë, posaçërisht gruas shqiptare. Lufton, pra mentalitetin anadollak.
Larg pikës së vdekjes
Është folur se në poezinë shqipe të viteve ’50-ta e ’60-ta ushtruan ndikim të dukshëm Jesenini dhe Majakovski. Kjo mbështetet te ndërtimi i poezisë, përkimi i temave, verbi poetik, krijimi i atmosferës… Konstatimi nuk është i pabazë. Ngjashmëritë te krijuesit janë të pranishme nga koha e Homerit, por kush mbetet varet nga potenciali krijues. Nuk do të thotë se për një subjekt nuk mund të këndojnë edhe krijues të tjerë. Pakëz banale, ndoshta do të duket po të tërheq paralele nga një rrafsh tjetër, ai i ndërtimtarisë: dy shtëpi mund të jenë identike, të kenë të njëjtën arkitekturë, të njëjtat fasada, të njëjtat dyer e dritare, por njëra te jetë prej kartuçit e tjetra prej gurit. Ndodhin përkime, por cila do të ketë jetë më të gjatë nga këto varet se ç’probleme shtron dhe ç’hallkë është në historinë e një populli. Poezia e Dritëro Agollit rrëshqet kah poezia e hapët si krijim, tenton të jetë poezi e këndimit kolektiv, kap dimensione të mëdha kombëtare, siç ndodh me poema të tij, ku poeti mbështetet fort në amën e traditës sonë krijuese, vë kontakt me figura e data të rëndësishme historike të qenies sonë. Zatën këtë ia parashtron vizioni i tij estetiko-filozofik. Dritëro Agolli shquhet për ironinë, e cila lexohet dhe si sarkazëm drejtuar ndaj dukurive e ligjeve prapanike të trashëguara nga mentaliteti anadollak. Nuk kursen as ecejaket e shoqërisë shqiptare. Mbështet, pra katarsisin brendashqiptar. Është koha kur nxjerrin kokë karrierizmi, snobizmi, keqpërdorimet, shfaqja e pseudove në krijimtari e arte. Kujt nuk i kujtohet Zyloja, njëra ndër fytyrat markante të prozës sonë të viteve ‘70. Ai u bë sinonim i shkëlqimit të rremë.
Në të parë poezia e Dritëro Agollit lë përshtypje se shkruhet lehtë. Mu te kjo thjeshtësi qëndron bukuria e mendimit poetik. Interpretit i mbetet ta shpalosë dhe të pajtohet me poetin, se baballarët kishin kohë për çështje të tjera më të rëndësishme ekzistenciale.
Poezia e Agollit mbetet dokument i fortë i historisë së një kohe të trishtë. Në veprën e vet sintetizoi urtinë e popullit dhe fjalën e gjeniut krijues, lidh hallkat qenësore të historisë e shpirtit të qenies sonë. Figurat e “vjela”, syzhetë e idetë i ngrit në shkallë të konsiderueshme artistike. Veprimtaria e gjithmbarshme e tij na begaton shpirtërisht e kombëtarisht dhe na shpie larg pikës së vdekjes.
(1982).
Sfidë harresës
I.
“Lum Lumi” ka mbi tri dekada që shkruhet, edhe pse ka përjetuar disa botime. Idetë, mesazhet, figuracioni dhe elementet e tjera shprehëse më kanë nxitur t’u rikthehem disa poezive, të kenë sistemim tjetër në libër si dhe të nxjerr në pah eliptizmin. Poezia është një udhëtim drejt të panjohurës, ka thënë një i urtë. Shkrimi i saj është punë sizifi. Latohet derisa të vilet maksimumi nga fjala. Për të gjallë të autorit krijimi është qenie e “gjallë”, lëvizëse. Për shkak të një fjale, figure a strofe, autorët shpesh u kthehen teksteve. Edhe në Letrat shqipe ka shembuj. Poezia konsiderohet diçka hyjnore, ngërthen në vete misterin. Poetët mbahen mend edhe për një poezi. Ajo që nuk vdes, të vë në veprim vazhdimisht. Lumi nuk simbolizon vetëm fatin e tij tragjik. Aventurën time të bezdisshme në kërkim të sublimes nuk ia kam borxh vetëm kësaj qenieje…
Kam dëshiruar të “shpirtëroj” fjalën dhe ta mbaj gjallë kujtimin për Lumin…
II.
- a) Çështja çame vazhdon të bëhet shqetësim dhe i të tjerëve. Znj. Hillari Klinton e ngriti para Senatit Amerikan, po këtë e bënë edhe dy eurodeputetë në Parlamentin Europian. Triumfi i së drejtës është dhe triumf i ndërgjegjes. Se kur do të mbyllet kjo plagë e moçme, nuk varet nga ne shqiptarët. Mirëkuptimi i ndërsjelltë i dy popujve më të vjetër në Ballkan, grekëve dhe shqiptarëve, do të hapte faqe të re në kohë të modernitetit. Botimi i antologjisë Eni vjen pej Çamërie ka për qëllim të vetëdijësojë njeriun, se liria u takon të gjithëve dhe akëcili komunitet ka të drejtë të mbrojë hapësirën dhe identitetin e vet. A do të ngadhnjejë arsyeja mbi të keqen? Le të besohet se Ballkani, më në fund, do të lirohet nga gjaki i zi…
- a) Shqiptarët e grekët nuk janë të sotëm. I afron diçka e largët. Lypset të mësohet edhe nga e kaluara. Të kujtohet ajo që tha Prometeu i Eskilit:
S’do t’i përmend, po do të flas për pikën
E fundit të shtegtimit tënd, kur erdhe
Në fushën e Molosëve ku majë
Një mali ngrihet lart’ Dodona-froni,
Orakulli i Zeusit Tesprotian,
Atje, gjë e fort për t’u çuditur, ty
Mjaft qart’ e hapur lisat ligjërues
Të shpallën grua të zgjedhur të vet’Zeusit
Të josh ky emër? Të pëlqen? E ndukur
Nga zekthi i tërbuar me vrap ti rende
Drejt gjirit Rea në det. Pastaj u ktheve
Si një e marrë nga tërbimi prapa,
Por dije se në të ardhmen gjiu i madh
Që ti kalove, emrin tënd do marrë
Jonian do quhet, që të mbajnë ment
Gjithmonë njerëzit shtegtimet e tua.
(Nga “Prometeu i mbërthyer”)
- c) Eni vjen pej Çamërie, varg domethënës i Naimit, mbetet i hapur, sensibilizues, njerëzor; artikulim që nuk e lë të qetë ndërgjegjen. Jam i vetëdijshëm se ky libër do të vazhdojë të shkruhet edhe në të ardhmen, të pasurohet me vlera e ide dhe bëmat të mos interpretohen vetëm nga kujtesa historike…. Eni vjen pej Çamërie bën të quhet rezolutë shpirtërore e gjeniut krijues shqiptar mbi çështjen çame. Filloi të shkruhet, ndoshta më herët, se kur u shfaq De Rada. Tragjika çame u bë shqetësim i të gjithë brezave tanë. Në kujtesë na u ngulitën detaje, toponime, tempuj, fjalë e bëma se shpërbërja çame ishte vdektare. Një madhështi e dhembshme e lashtësisë sonë, siç është Dodona, qe ngritur në kult. Nuk ka krijues të mos e ketë kujtuar. Edhe krijuesit e historianët grekë treguan interesim. Në tekstet e librat e tyre, në mënyrë të pavetëdijshme, ndoshta tesprotianët lëviznin e dëshmonin diçka tjetër, çamët e sotëm. Andaj Çamëria nuk mbeti enigmë, trillim, por realitet i hidhur që grith ndërgjegjen njerëzore.
Tek besohej se tragjika çame, ndjekjet shtazarake e vrasjet harroheshin; se mbylleshin siç e kishin paramenduar aneksuesit, filloi të problematizohet nga të huajt; sapo i lexon reagimet e tyre vëren shthurje njerëzore e morbiditet, një padrejtësi që nuk mund t’i ketë hije as qytetërimit të sotëm. Turpërohesha nga vetja pse heshtja. A bën të varrosen faktet dhe të na ndëshkojë historia? Mbështetja Milan Kunderën se “një komb, i cili humb dijen e së kaluarës, gradualisht e humb edhe veten”. Pra, libri nuk përfundon se Çamëria shkruhet e interpretohet edhe nga të tjerët, të cilët proceset e të drejtës njerëzore i kuptojnë ndryshe nga aneksuesit. Megjithatë, frika ekziston nga e ardhmja. Ndërgjegjja ndodh të errësohet siç ka ndodh shpesh, kur çështja shqiptare është hedhur në bixhoz…
- d) Qenia kombëtare vihet para një sfide harrestare… Eni vjen pej Çamërie është libër i memories sonë, i guximit intelektual dhe njerëzor.
III.
- Vetë emërtimi i sprovës antologjike (2) I kujt je, Atdhe vë në spikamë hulumtimin si dhe angazhimin e poetëve, që ma mundësuan të merrem me një çështje madhore. Në Familjen njerëzore akëcili popull bën çmos të veçohet bile edhe me një shenjë. Kohët moderne sjellin të papritura në shumë rrafshe dhe vështirë të përballohen.
- Para të panjohurës, ku nuk dihet asgjë, si e kur mbyllet marshimi ynë nacional i filluar që nga lashtësia ndoshta, ndodh të vihet në pyetje kodi etik dhe ekzistencial. Nuk bën të na befasojnë pyetje të ndryshme që shtrohen nga krijuesit, sidomos në kohë kaosi, havarie – kur atdheu na shndërrohet edhe në monedhë, në leckë…
- Ajo që ndodh rreth nesh, ka edhe gramatikën e gjallimit, po qe se dimë t’i themi bëmat në kohën kur lypset guxim dhe mjeshtri. Artikulimi, idetë e ngritura, gjuha, figurshmëria do t’i sensibilizojnë edhe qendrat e vendosjes?
- Me I kujt je, Atdhe nuk ballafaqohemi vetëm me veten tonë. Shtrohen edhe çështje të tjera, që lexohen dhe interpretohen si kërkesa të një kolektiviteti njerëzor.
Ndjenja e përkatësisë sa vjen e bëhet më e theksuar te krijuesit tanë. Në mozaikun njerëzor duan ta shohin shenjën e vet. Unë këtë e kuptoj si vetëdijësim e kurajo krijuese.
- Të mbrosh identitetin do të thotë se nuk je humbës, as nuk e pranon poshtërimin. Vlen ta kujtojmë përsëri vargun e Agron Tufës: Shqipëria është më e madhe se toka e saj… Nga një mesazh të themi nacional mund të ngritet dhe një rezolutë për çështjen e Etnisë, nëse Shteti shqiptar nuk e ka. Do të thotë se Krijuesi shpirtërisht e emocionalisht është më afër Atdheut dhe Kombit se Pushtetari. Këtë mund ta sjellë dhe dorë e huaj ose për interes personal është gozhduar për karrige…
- Xhorxh Ourelli thoshte se nuk ulej të shkruante po qe se teksti i tij nuk ngrinte ndonjë çështje. Kjo dëshmon për angazhimin e krijuesit të njëmendtë. Mbi konturat e misterit të quajtur politikë u ngrit edhe ekzistenca, edhe identiteti, edhe paqja njerëzore. Pra, agjë nuk ekziston që nuk është politike, madje dhe një pëshpëritje intime, edhe një vijë e hedhur në letër…
Në sprovën poetike (2) I kujt je, Atdhe enigma qëndron në vetë titullin, nxjerrë nga gjysmëvargu i Beqë Cufajt, që mundësoi t’u rikujtoj “jashtëplanetarëve” ç’është dhe i kujt është atdheu. Poeti anglosakson, Frosti, ndër çështjet kryesore të poezisë së tij vë çështjen e atdheut. Fjalët e urta dhe epet Borhesi i konsideronte për lektyrë të parë, ku kërkonte magjinë e fjalës. Dhe, siç thotë Sabato “Borhesit atdheu i jep dhembje”. Me të drejtë kritika e quajti se ai ishte vetë Argjentina.
Fatkeqësisht, te ne atdheu ndodh të shikohet si plaçkë e hedhur ndanë udhe, si vrimë e zezë; më tepër parapëlqehet diçka triviale. Por, çfarë e përcakton identitetin dhe mund të ketë baraspeshë me atë që e ka dhe atij që i mungon?
Kisha përqendruar shikimin te Kodikët e Beratit dhe kisha kujtuar baballarët se me çfarë xhelozie mbronin shenjën tonë. Tek e shikoja pastaj një fotografi të Nënës Tereze të bërë në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve në Tiranë (22 mars 1991, Dita e Sulltan Nevruzit) lexoja tolerancën shqiptare që kishte fascinuar metropolet dhe Tagorën. Dhe, në Ditën e Lumnimit të saj në Vatikan, një engjëllushe nga tejatlantiku, diçka përrallore më kishte hedhur në qafë, në krye të vendit kisha parë kreun e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve. Mund të ekzistonte tekst më domethënës për mirëkuptimin e besimeve brendashqiptare? Nga ekranet e TV-ve botërore nuk zbriste libri i poezive Mësomë të dua i Nënës Tereze. Kisha hequr të zitë e ullirit, derisa e kisha përpiluar. Kështu, maratoni i filluar nga Iliria e Shën Albanit e deri te shkulja e gurit në Koshare, ndodhi nga shkaku i një cope dheu që quhet atdhe e që tregon se kush je.
Vërtetë, i kujt je atdhe? Apo qenkemi, siç thotë Visar Zhiti: Komb pa popull?
IV.
Sprovat që i botova viteve të fundit masmedia dhe kritika i quajti dhe antologji. Falënderoj, po ashtu dhe ata që zunë thua në to dhe nuk e pashë të arsyeshme të merrem me ta, as me të ashtuquajturit “teoricientë” të artit poetik. Sprovat i konsideroj gjymtyrë të një antologjie të ardhshme. Arsyeja e botimit të tyre ishte të vë në lëvizje poetët, të hulumtoj të bukurën që vetë flet, t’i nxis botuesit për projekte të tilla. Atë që mendon ndryshe, e uroj për guxim…
(Ulpianë-Tiranë, 2004).
Marrë nga libri me ese “Sfidë harresës”. Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.