Havzi Nela, martir i vargjeve të lirisë
Sejdi Peka
Kan kaluar 30 vjet nga dita kur qyteti i Kukësit u gdhi me një pamje të trishtuar. Në një nga sheshet kryesore, komunistët kishin varur në litar poetin disident Havzi Nela. Trupi pa jetë i poetit lëkundej në atë shesh ugurzi, nga një erë e lehtë që zbriste nga lugina e Drinit. Kalimtarët e rrallë largoheshin me vrap të tmerruar. Ata që e kishin njohur dhe kishin dëgjuar për Havzi Nelën, fshinin lotët ashtu në heshtje. Ramiz Alia me regjimin e tij komunist edhe në grahmat e fundit po kafshonte si egërsirë trupin e Atdheut. Ishte 10 Gusht 1988.
Rastësisht u ndodha në atë pamje makabër. Po shkoja të prisja një biletë tek axhensia për të vetmin autobuz rrangallë që mundet të udhëtonte për në Krumë, kur pashë atë pamje makabre. U afrova, por nuk mund të mbaja lotët. Më dukej se edhe Gjallica ishte përkulur në atë shesh ugurzi, përpara trupit pa jetë të Havzi Nelës. Dy pika gjaku i zbrisnin buzëve të holla. Disa policë, pis të zinj lëvrinin si krimbat, të gufosur se diçka kishin bërë.
Një autor i huaj shkruan se-është me të vertetë fatkeqësi që njeriu të jetojë në një vend që është i pa mëshirshëm ndaj njerzve të aftë dhe që dallojnë. Havzi Nela ishte një njeri që dallonte për shpirtin e tij antikomunst dhe kjo ishte arsyeja që regjimi komunist e kishte vendosur në grykën e pushkës.
Unë e kam njohur Havzi Nelën në Krumë në vitin 1962. Kishte ardhur si mësues. Në Krumë, në vendin tim të lindjes familja jonë jetonte në një gjendje internimi dhe ca më keq akoma. Me mua njerzit e kishin të ndaluar të flisnin. Sipas komunistëve unë isha i biri i armikut të popullit. Kishim qenë të burgosur, të internuar, ishim kulak dhe mua nuk më kishin lejuar të vazhdoja shkollën. Lexoja shum libra, ishte i vetmi ngushllim dhe prehje e imja. Në qendër të fshatit, atëhere ka qenë një bibliotekë e vogël, afër një mulliri, ku përgjegjës ishte Ymer Muja, një djalë i ri me shpirt antikomunisti të cilin e kisha shumë mik. Një ditë ai më njohu me Havziun. Filluam të bisedojmë dhe të shkëmbenim libra me njeri tjetrin. Trajtonim tema të ndryshme dhe u bëmë miq. I vinte keq prej meje, për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhesha dhe më jepte kurajo se ditë të mira do të vinin për gjith shqiptarët. Shpesh më recitonte poezitë e tij ku pasqyronte gjendjen e mjeruar të shqiptarve, nëpërmjet figurave letrare me një mjeshtri të rrallë për t’iu shmangur spiunëve që përgjonin kudo. Për një kohë të shkurtër në Krumë, Havziu kishte shum miq. I sjellëshëm me kolektivin e shkollës, i dashur me nxënësit e tij, mospërfillës ndaj pushtetarëve komunistë, ishte mjaft superior karshi tyre dhe respektohej nga të gjithë shokët që e rrethonin. Por në të njëjtën kohë, në një farë mënyre ishte superior edhe në mes të miqve të tij se ishte aq i thjeshtë dhe i dashur. I pajisur me cilësi të jashtëzakonshme, shquhej për talentin e tij politik. Komunistët shikonin tek Havziu një njeri të rrezikshëm dhe me të vërtetë atë mund ta ndalonte vetëm vdekja, në rrugën e vështirë drejt lirisë për të cilën ai ishte i bindur se do të vinte.
Nuk e kam harruar asnjëherë, kur Havzi Nela zbulonte kontradiktat në veprat e teoricienve marksistë. Enges-më thoshte Havziu-në librin e tij “Origjina e familjes, pronës private dhe shtetit” shkruan se me lindjen e familjes, pas komunitetit primitiv, lindi prona private. Prona private është e lidhur në atë mënyrë me familjen sa që pa pronë private nuk mundet të ketë familje. Nga ana tjetër komunistët i kanë shpallur luftë pronës private, pra në të njëjtën kohë luftë edhe familjes. Duan të na sprapsin prapa në disa mijra vjeçarë. Por kjo është e pa mundur. Nuk ka për t’u ndërtuar kurrë as socializmi as komunizmi. Teoria marksiste është një utopi.
Në vitin 1963, Havziu u largua nga Kruma.U ndamë me lot në sy duke i shtërnguar dorën njeri-tjetrit. Më erdhi keq që nuk kisha patur mundësi që ta ftoja në shtëpinë time as për një kafe. Ishte e pamundur të vinte dikush në shtëpinë tonë, aq më pak një mësues. Më duket se u transferua në fshatin e tij të lindjes në Kollovoz të Kukësit. Më vonë dëgjova se u dënua nga Gjykata e Kukësit, pas arratisjes në Jugosllavi në vitin 1967. Qendrimi i tijë burrëror përpara atij gjyqi famkeq, bëri jehonë dhe u end gojë në gojë, në Rrethin e Kukësit të Hasit dhe më gjërë. Në vijën e kufirit, Havziu, kur po kalonte për në Jugosllavi, kishte lënë një letër të shkruar me fjalët lapidar: “Shqipëri e dashur, po të lë me zemër të plasur”. Këtë letër, pasi e kishin gjetur rojet e kufirit, kriminelët komunistë e kishin arkivuar në dosjen hetimore dhe po e përdornin si armë të fuqishme kundër Havziut. Në fjalën e tij ai do të deklaronte se ishte anti-komunist dhe kundërshtar i vendosur i diktaturës, duke i çjerrë maskën bashkëpunimit të sigurimit komunist me UDB jugosllave. Komunistët serbë më dorëzuan tek ju, se ju jeni bashkëpuntorët e tyre –do të deklaronte Havziu në atë gjyq famkeq që e denoj 15 vjet burg.
Vitet kaluan. Havzi Nela përshkoi kalvarin e gjatë të vuajtjeve në burgun komunist. Ish të burgosurit politikë në të katër anët e Shqipërisë, ata që kanë ndarë në mes tyre kafshatën e bukës dhe vuajtjen, e kujtojnë me respekt të veçantë djaloshin e vendosur në idealin e lirisë. Ai u vra nga bisha komuniste në pragun e lirisë me 10 Gusht 1988, atëhere kur ëndrra e poetit po bëhej një realitet, kur akujt e diktaturës ‘kishin filluar të shkrijnë’ në të gjitha vendet e Lindjes. Këtu në Shqipëri,Ramiz Alia dhe kasta kriminale e diktaturës enveriste nuk donte të pranonte shembjen e komunizmit. Fehmi Abdiu, gjykatësi komunist që e dënoi me vdekje në litar Havzi Nelën ka deklaruar se-“denimin me vdekje në litar për poetin e ka dhënë me ndërgjegje të plotë”. Unë jam i bindur se xhelati komunist, e ka vrarë poetin me ndërgjegje komuniste. Me ndërgjegje vret ujku, gjarpëri, kanibali, me ndërgjegjen e qenies të cilës i takon. Sot në Shqipëri, demokracia është seriozisht e rrezikuar nga kriminelët e diktaturës që dje u kan vënë martirëve të lirisë litarin në grykë dhe sot japin leksione për demokracinë. Së bashku me Fehmi Abdiun të tjerë kriminelë kanë vendosur firmën për vdekjen në litarë të poetit. Njeri prej tyre është edhe Kristaq Rama, që si antar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të asajë kohë pa hezitim firmosi për vdekjën e poetit. Nuk është për t’u çuditur se ky kriminel është babai i Kryeministrit sot në Shqipëri, i Edi Ramës. Në një vizitë të paradokohshme në Amerikë, në një takim me shqiptarët që banojnë në atë vënd të bekuar të demokracisë si kryetarë i opozitës në atë kohë në Shqipëri, Ramën e pyetën nga salla: “Jeni në dijeni të faktit se babaj i juaj ka firmosur për varjen në litar të Havzi Nelës”? Dhe Rama përgjigjet se “Babai im ka qenë një artist”. Të jesh artist nuk do të thotë që nuk mundet të jeshë një kriminel. I zënë në siklet Edi Rama i zhgërryer në mentalitetin komunist nuk pati mundësinë të kërkonte falje publike. Të pranishmit ikën një e nga një duke e lënë Ramën si hu gardhi në sallën e boshatisur vetëm me Erjon Velinë. Dhe po kujtoj poezinë lapidare “Eh moj demokraci” të mikut tim Pano Taçi, i burgosur politik i regjimit komunist:
Nëse të kam pritur, apo më ke pritur moj demokraci
dhe në derë të shoshoqit kush ka trokitur nga ne të dy,
Dhe sa jam përpjekur, o Zot sa kam endërruar,
se më vjen pa ofiqe dhe pa lëngata.
Komunizmi është përmbysur si sistem, por përpjekjet për të vendosur nje demokraci të dyzuar në Shqipëri, me një neokomunizëm të kamufluar me petkun e demokracisë nga pinjollët e diktaturës komuniste nuk kan reshtur. Një tjetër paradoks që ndodh sot në Shqipëri nuk ka ndodhur në asnjë nga vëndet ish komuniste të Europës Lindore. Ish Presidenti Berisha e ka dekoruar Havzi Nelën me medaljen e lartë të “Martirit të Demokracisë”, ndërkohë pasardhësi i tij Alfred Moisiu, si President i Republikës e ka dekoruar Fehmi Abdiun për merita të veqanta në fushën e drejtësisë me medaljën “Naim Frashëri të klasit të parë”. Është kjo një lajthitje e Presidentit apo veprim i qëllimshëm kundër demokracisë. Në demokracinë tonë që me shumë sakrifica e kemi zgjedhur, dekorohet edhe martiri i lirisë por edhe krimineli që i vuri litarin në grykë. Është dekoruar Fatmira Laskaj edhe kjo ka firmosur si gjyqtare varjen në litarë të poetit. Është dekoruar Skënder Breca, Njazi Jaho etj. Sot Gjimnazi i Kukësit mban emrin e Havzi Nelës. Mësues dhe nxënës të asaj shkolle krenohen me emrin e martirit të lirisë. A mundet të pretendojmë për një demokraci funksionale kur Kryeministri Edi Rama, dy herë merr votat e deleve të Shqipërisë, nuk mundet të gjejë kurajon t’ë kërkojë falje në emër të babait të tij kriminel për vrasjen e poetit? Havzi Nela ishte një artist, ashtu si mundet të pretendojë Edi Rama se është një artist me ato shkarravinat e tijë si piktura që i quan ai. A kanë ndjenja njerëzore këta njerëz? A ndjejnë dhimbje për një djalë të ri, një poet që i vunë litarin në grykë për fjalën e lirë? A vritet poeti, o njerëz? A mundet të pretendojë shoqëria jone shqiptare se po ndahet nga e kaluara ish komuniste, kur Kryeministëri i Shqipërisë, i gufosur me mentalitet komunist, nuk ka ndërmend që të distancohet nga e kaluara kriminale e ish regjimit komunist, ai dhe as forca politike që ai përfaqson. Në demokraci veprimet e strucit që përpiqet të fshehë kokën në flatrat e tij duke menduar se askush nuk e shikon, nuk funksionojnë. Askush më shumë se neve ish të persekutuarit politikë të diktaturës komuniste nuk është i shqetësuar për fatet e demokracisë në Shqipëri. Kemi humbur rininë tonë burgjeve dhe kampeve të internimit. Kemi humbur njerzit tanë që akoma varret nuk po u gjejmë. Njerzëit tanë që kanë larë me gjak birucat e torturave komuniste që ja kalojnë për nga egërsia edhe inkuzicionit mesjetar. Dhe jemi krenarë se kemi mbetur njerëz, se nuk i kemi shërbyer për asnjë rast regjimit komunist. Sot nuk mundemi dhe nuk duhet të heshtim. A është mundur komunizmi ne Shqipëri? Unë mendoj se jo. Si një lugat i neveritshëm komunizmi po endet në vendin tonë që t’i bëjë gjëmën demokracisë. Në këtë pikpamje Demokracia është seriozisht e rrezikuar.
Poeti Petrit Palushi, i cili ka përgatitur për botim poezitë e Havzi Nelës, në parathanien e librit “Pa një ditë lumnije” botuar në vitin 1996 shkruan se-emisarët komunistë nuk kanë shfaqur as pendesën më të vogël për atë që kryen me mizori mesjetare. Janë mostra të tilla që kurrsesi nuk mundet t’zërë gjaku. Për këta njerëz, ka shkruar shkrimtari Ismail Kadare, janë nga raca që flenë me ndërgjegje të përgjakur. Si bleta që mbledh nektarin e vyer në korijet me lule shum-ngjyrëshe shpateve të malit të Gjallicës, Petrit Palushika mbledhur poezitë e Havzi Nelës, të shpërndara në fletore dhe në copa letrash, të zverdhura nga koha.
Në poezinë-Më mirë me mbyllë sytë”, nga burgu i Burrelit në vitin 1977, Havzi Nela shkruan në kulmin e dëshprimit,-Më mirë le t’i mbylli sytë/Më mirë zemra t’më pushojë/Më mirë mos me pa më dritë/Kur harbuti t’më mundojë.-Poeti, në birucën e ftofët dhe me lagështi të burgut, e kujton nënën e tij me poezinë “Po, o Nanë, po”-
Po, o Nanë, po, përsëri
N’emër” të ligjit” jam arrestue,
E duert m’i këthyen prapa policët e zi
N’hekur me tutjus m’ kan ngujue.
Por poeti gjen shpëtim në kurajon dhe në luftën e pa ndërprerë kundër diktaturës: Deri kur durim, deri kur më shpresë/jo, jo, mos m’i thoni këto fjalë nuk i due/Me durim e shpresë nuk dua të vdes/Si jeta dhe vdekja duhen meritue./
Poeti si njeri me zemër të madhe nga qelia skëterrë e burgut, me mendjen dhe ëndërrën e tij fluturon si zog i lirë dhe i këndon me mallë vendlindjes, i këndon lirisë. Poeti i mbyllur në burgun famkeq të Burrelit, gjen kohën dhe i këndon dashurisë që e kishte lënë të mjerë atje në Lumën e tij të dashur, gjen kohën dhe i këndon jetës. Si njeri me shpirt nacionalisti, i qante zemra për Kosovën e robnueme në atë kohë. Në poezinë ‘Nusja e flamurit’, poeti shkruan:
Lavdi çikës kosovare
Si një shqerrë si një manare
I del tankut i thot –ndal-
Rritet, ngrihet si një mal.
Për Kosovën Republikë
Lëshohem ngjitem nuk kam frikë
Jam shqiponjë me krah e fletë,
Lëshohem ngjitem gjer tek retë.
Poeti patriot, atdhedashës dhe demokrat, që e ndjente i pari frymën e lirisë, i shkroi poezi njerës prej kartave më të pa njohura në atë kohë nga shqiptarët, i shkroi Komitetit të Helsinkit, që saksionon dokumentin themelor të të drejtave të njeriut:
Kështjella feudale, tundet e lëkundet
Si një varkë e thyeme mbi valët përkund
Tirani mizor me detin sot po mundet
Thellë, gjithnjë më thellë n’mes dallgëve
po futet.
Fryma e Helsinkut u derdh porsi era.
Na përkdheli zemrat, çeli si Pranvera
Këtu në votrat tona futi gaz e shpresë
Na zgjoi afsh, ndoshta nuk do të vdesë!
Poeti jetoi në një kohë që ishte e vështirë të jetonin martirët si ai. Jetoi kohën e diktaturës komuniste, gjithnjë duke luftuar kundër komunizmit, të keqen më të madhe të shqiptarve. Jeta e tij plot vuajtje dhe sakrifica në emër të lirisë, është një simfoni, është një mesazh për brezat e sotëm dhe ata që vijnë. Luma që e lindi është krenare për birin e saj. Askush më shumë se ky martir, poeti i vargjeve të lirisë, nuk e meriton mirënjohjen me një bust këtu në Kryeqytetin e Shqipërisë, ndërkohë kur rrugët e Tiranës mbajnë fatkeqësisht dhe paturpësisht emrat e kriminelëve të dikataturës komuniste. Populli shqiptar e ka për detyrë dhe duhet të bëjë që të ulin kokën dhe të ndëshkohën me turp kriminelët komunistë që e vranë Havzi Nelën.