Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Izet Shehu dhe libri i tij poetik

Shënime për librin poetik “Mbi qerpikë çlodhet agu”

 

Izet Shehu që në rininë e tij ka qenë i dhënë pas poezisë, por për arsye “biografie”-është i nipi i Sheh Ibrahim Karbunarës me emër- nuk mund të shkruante dhe  të botonte. Në sagat e mëdha të romanit të shekullit të njëzetë, si Saga e Forsajtëve e Gollsuorthit, apo Budenbrokët e T. Manit, në udhëpërshkrimin e familjeve të mëdha e të njohura për një agresivitet në palcë që i bënte ato të fuqishme dhe të pasura për dy-tre dhe katër breza, vërejmë se në brezin e fundit të tyre do të lindë artisti, një piktor a muzikant. Energjia e sundimit mbi botën materiale, veprimi mbi realitetin e jashtëm papritur sublimohet në një energji tjetër: në kërkimet brenda vetes. Jo rrallë këtë e shohim dhe tek ne: familjet me një farë të shkuare vepruese na sjellin së fundi një artist.

Shehlerët në Shqipëri kanë qenë klerikët halvetlli, një sekt i myslimanizmit me shumë prirje nga prakticiteti, nga jeta shoqërore dhe politike, ndonse ata si detyrë të parë kanë pasur funksionet fetare, të cilat vazhdimisht trashëgoheshin brenda së njëjtës familje. Lidhjet miqësore, krushqitë me të tjerë të një rangu, pjesëmarrja e detyruar në martesat, në lindjet dhe vdekjet e të gjitha familjeve që i mbulonin në ushtrimin e riteve fetare, u jepte shehlerëve një njohje dhe autoritet të patundshëm në mjedisin rreth e qark e më gjerë. Teqetë e tyre ishin qendra të rëndësishme ku zhvilloheshin e praktikoheshin ceremonitë e kultit, po ku nuk mungonin mysafirë të përnatshëm, fukarenj që merrnin strehë, a njerëz që kërkonin ndihmë tek cilësitë fetare të shehlerëve. Në historinë e Shqipërisë do t’i gjesh patjetër emrat e shehlerëve, si përfaqësues të krahinave të tyre, por edhe si luftëtarë. Familjet e këtyre shehlerëve, sidomos në Tepelenë e rrotull në Jug, u lidhën me luftën partizane dhe disa nga shehlerët mbajtën dhe kobure pas Luftës së Dytë; djemtë e tyre, me ndonjë përjashtim, bënë karrierë më pas. Pas 1967-tës disa nga teqetë me dy tre dynymë banesa u rroposën pa nishan, me gurët e tyre dy-treqindvjeçarë u bënë stalla për lopët e kooperativave.

Nuk dihet se si ia delnin shehlerët që t’i pajtonin bashkë detyrat fetare me jetën krahinore tradicionale mbas të cilës ishin të ngulur dhe të kapur fort si në Tiranë, Elbasan dhe në Jug, dhe prej këndej si i mbanin lidhjet edhe me politikën, duke mbetur gjithmonë patriotë të mirë. Në një anë, nuk është fort për t’u çuditur sepse në politikën shqiptare nga 1912-ta e tëhu, gjithmonë ka pasur edhe klerikë të tjerë, hoxhallarë dhe priftërinj. Shehlerët qenë shumë shqiptarë në temperamentin, në sjelljen e tyre dhe me një ndjenjë të fortë luftarake. Shehlerët kishin dhe familjen ngjitur me teqetë, bënin shumë fëmijë, ishin me interesa në jetën materiale, kishin toka dhe të tjera veprimtari ekonomike. Fëmijtë mbas viteve 20-30 i nisnin nëpër shkolla evropiane.

Familja e shehlerëve të Karbunarës, me jetë politike që nga Kongresi i Lushnjes, me deputet që në ato kohë, do ta paguajë shtrenjtë këtë pjesëmarrje në politikë; më 1947 do t’i ekzekutohen dy-tre pjesëtarë, burgosen dhe shpronësohen gjithë të tjerët, megjithse Babashehu, Ibrahim Karbunara, kreu i tyre, i stërvitur mbi njëzet e pesë vjet në lojërat politike, i priti në teqenë e tij dhe u shtroi drekë anëtarëve të Qeverisë provizore të Beratit në rrugën e tyre nga Berati në Tiranën e çliruar në nëntor 1944.

2.

Izeti Shehu, i lindur më 1942, e ka përjetuar rëndë prishjen dhe vrasjen në familjen e tij, por ia doli mbanë të jetojë, të studiojë për letërsi, pjesërisht ta ushtrojë këtë profesion, të ëndërrojë të bëhet poet që në rini, të jetë vetë deputet nga viti 1991 deri në mesin e vitit 1996 dhe tani t’i kthehet letërsisë, pasionit të tij të vjetër, duke botuar në një kohë të shkurtër pesë vëllime me poezi dhe dy me tregime.

Poezia e tij në prirjet e saj kryesore nuk mund të mos t’i sjellë ato motive që vijnë prej jetës së tij dhe jetës së vendit të tij të ndryra aq tragjikisht. Ndihen aty herë dhjmbja e herë ia plas rrevolta e mallkimi për krusmën e dhunën e gjatë. Patjetër tema e zhgënjimit për atë që pas 90-tës erdhi ndryshe nga ç’e priste klasa e tyre, do të ndihet. Po një ndjenjë lirike e përzierë me mjedise, vlagë, ngjyra dherash e fushash të Myzeqesë shtron dhembjen dhe ia lë vendin një butësie herë-herë shkrepëtitëse, se prapë, aty për aty, shfrimi i tij lirik këmbehet lehtë me intonacionet therëse e të serta. Në gjuhën e tij poetike seç ka një prirje nga rrëmbimi që poezinë e shpjenë drejt fundit me shpejtësi. Kthjelltësia e shprehjes shkon deri në tejpashmëri, por s’di pse këtyre poezive, të dhëna shkurt e shpejt, dëshiron t’u kthehesh së dyti. Aty gazi dhe vaji janë përzier e, sa ndrin njëri, fiket tjetri., mbase ndonjëherë duke shkuar gjer në grotesk si tek Endacakë:

Endacakë/ në mes të natës,/ këmbët i tërheqin zvarrë./ Hën’ e plotë si pat’ e pjekur/ pikon lëng mbi trotuar.    Pas i ndjek një qen i çalë,/ kur zë çlodhet, lëpin plagët./ Të uritur pran’ e pranë/ kafshojnë hënën/ kafshojnë natën.

Do të thoshje se kemi përpara atë sinqeritetin e rreptë e të qëruar çajupian, por në vargje të freskëta dhe të një shprehjeje poetike që është përpunuar ndër kohët që nga Çajupi e këndej. Këto poezi janë si biseda me një njeri nga ata që u thonë “hazërxhevap”: ai e ka përgjigjen gati dhe ti s’e pret të ta thotë aq shpejt a të ta përplasë dhe me kërcëllimë.

Kur isha qingj më donin të gjithë,/ më jepnin bar ujë e drithë./  Tani që u rrita u bëra gjithë nur/  gjallë nxitojnë t’më pjekin në furrë.

Kjo prirje vihet re në temat shoqërore dhe në vizatimet e tij mbi tipa shoqërorë nga ata që i kemi përditë parasysh. Me një vrull prej djaloshi Izeti ka ngutjen t’i qërojë lëvozhgat, t’i hedhë tej të papërtypshmet. Ai i vë në spikamë mospëlqimet e një kohe që jetojmë: tradhti, spiunim, braktisje miqsh, shpifje dhe të tjera vese që e kanë ndotur dhe i ndotin për herë e më shumë mjediset tona shoqërore.

Në poezitë e tij nga natyra e vendlindjes që janë rrokje çastesh, me atë gdhendjen e shpejtë të një emocioni, kujtimi, për të ta dhënë atë të brishtë si një gotë ujë të freskët mbushur drejt në burim, poeti na thotë se begatia e natyrës së Myzeqesë i ka dhënë prehje dhe se herët ai ka qenë në një marrëdhënie aq të ngushtë me të, sa që kurrë nuk do të çlirohet prej saj. Këto motive vijnë nga libri në libër, por të bën të ndalesh në njërin, në ciklin e poezive mbi zogun cinkë, një zog që është aq konkret, po nuk dihet ende në ç’ lidhje deri mistike është vënë poeti me të. Cinka duket në një vjershë edhe në këtë libër. Në këtë botë të tokës ka harmoni dhe butësi si tek poezia Fija e barit:

Kokrrat e shegës së çarë/ pika pika/ pikojnë mbi bar.  U drodh…/ fija e barit të njomë/ pika e ëmbël/ mbi të pikon.  Nga erdhi ky fat?- foli me vete./ E virgjëra/ e holla/ mbirë poshtë një shege.  Kjo tokë i ëmbëlsoka të gjithë/ dhe shegën,/ dhe barin e brishtë.

Do të vëreja se në këtë libër vijnë një tufë e gjerë me vjersha dashurie- jo e zakontë kjo temë për të. Në to fiksohen momente që i kanë dhënë hir e fisnikëri jetës së tij, por do veçoja ndër to Vidhat e vjetër dhe Flatër ngazëllimi, ku ish të dashurit janë tashmë gjyshër.

Dhe, ja, do të ndalem të flas për një tonalitet të ri të poezisë së tij që vjen me këtë libër: ironia e butë. Krahas saj vjen dhe ndjesia e një paqeje të urtë. Ironia dhe urtësia si ndërhyrje pajtuese çojnë nga pranimi i gjërave nga zmbrapsja e anktheve dhe e disa temave gati obsesive në poezinë e tij, ato mbi ta shkuarën dhe të sotmen. Poeti që nuk e shmang herë portretizimin grotesk të vetes, herë talljen e butë me veten, me ndërhyrjet filozofike i lë vend pashmangësisë së gjërave, të ndodhurave të kësaj jete të përkohshme aq dramatike, para një përjetësie që vjen e na prek edhe me peshën e viteve që shkojnë. Kjo vetëdije e përkohësisë kozmike të njeriut e zbret në tokë, e çliron nga barrë që veçanërisht disave kjo jetë nuk ua kursen.

Natyrisht kjo nuk i hedh pas krahëve ato vargjet e rreptë, se poeti e ka të prerë me hekur atë që do dhe atë që urren e, në rrëmbimin e toneve të tilla të forta, ai ndonjëherë nuk zmbrapset edhe po të dëmtojë nga pak mënyrën si e thotë për atë që do të thotë.

Ky libër me 130 faqe përmbledh mbi 120 poezi, është botuar nga Globus R dhe, siç e vumë re, e pasuron më tej talentin poetik të Izet Shehut.

Please follow and like us: