Sadik Bejko: Një kriter vlerësues për letërsinë e realizmit socialist
(E vërteta, e mira, e bukura)
Letërsia e krijuar nën diktaturë, letërsia e realizmit socialist, vazhdon të studiohet në shkollat dhe në universitetet tona. Për ta anashkaluar fare termin letërsi e realizmit socialist, me që ky ishte një term i huazuar nga politika, tashmë veprat më të mira të kësaj kohe janë klasifikuar në realizmin integral a në letërsinë realiste, duke e zgjeruar kështu termin realizëm aq sa brenda tij mund të përfshihen Balzaku, Kafka a Gabeiel G. Markesi etj. Në disa nga shkrimet, për t’iu shmangur vlerësimit politik a ideologjik, janë thirrur në ndihmë terma të tilla si talenti (M. Zeqo), stili (A. Tufa), personaliteti (grupi hartues teksteve shkollore). Pra, sipas këtij mendimi, nuk ka rëndësi as koha kur ke shkruar, as drejtimi letrar përfaqësues. Rëndësi kanë stili, talenti, personaliteti letrar.
Të trija termat e mësipërme janë të pranishme në mendimin tonë shkencor ose jo të tillë. Edhe në tekstet shkollore, në leksionet universitare ka mbizotëruar mendimi për t’iu shmangur konteksit shoqëroro- politik, duke u mbajtur mbi kriteret estetike të stilit, talentit, personalitetit.
Teoria mbi talentin, personalitetin a stilin (e rëndësishme është të jesh i talentuar, të sjellësh në letërsi një stil tëndin, pavarësisht ç’ideologjie a politike i shërben, të jesh një personalitet me ndikim letrar a shoqëror) patjetër ka vlerë. Një histori letërsie, dihet që merret me të talentuarit, me stilet dhe me personalitetet. Nuk merret me gjë tjetër. Dhe, duke qenë histori, ajo i periodizon historikisht shkrimtarët e një kohe, por edhe sipas tipareve stilistike. Kur personalitetin, stilin a talentin duam t’i largojmë nga një kontekst i dhënë historiko-letrar, t’i marrim ato si kategori të pavarura, si thelbe të përjetshme, që egzistojnë në ajër universalisht, qëllimi është gjetkë. Një histori letërsie nuk i përmbahet një gjykimi të tillë. Ne themi personaliteti a stili i De Radës, i Naimit, i Mjedës, i Konicës, i Fishtës, i Kadaresë etj, siç mund të themi stili i Lasgushit, i Migjenit, i Camajt a i Pashkut, por dhe i ndajmë ata sipas drejtimit letrar në romantikë e në modernë dhe sipas kohës kur kanë shkruar.
Përse po i shkëputim si kategori më vete stilin, personalitetin a talentin? Kjo bëhet se duhet gjetur një çelës për ta pranuar dhe lexuar letërsinë që u krijua nën diktaturë. Dhe unë jam që kjo letërsi të studiohet, jo vetëm për vlerat e saj historiko-kulturore, por edhe për atë që ajo është shkruar nga shkrimtarë të talentuar.
Por mbase duhen gjetur kritere të tjera dhe jo ato që propozohen. Ky lloj të menduari që i pavarëson deri në thelbe eterike cilësitë e stilit, e largon vëmendjen nga mezazhi, nga përmbajtja e letërsisë. Me këtë mbulohet si dehumanimi i atyre shkrimtarëve të majtë që qenë bashkëfajtorë të kriminalitetit në regjimet e tyre, po ashtu dhe dehumanizmi i të djathtëve si F. L. Selini a i shkrimtarëve të tjerë që u shërbyen regjimeve fashiste etj.
Kulturologë nga më të mëdhenjtë e botës sot, si G. Steiner, R. Boyers etj. kanë një prirje për ta parë letërsinë e krijuar nën diktaturat komuniste (dhe jo vetëm atë), sipas idiomës: e mirë, e vërtetë, e bukur. A mund të vihet një kriter i tillë dhe për rastin tonë? A nuk e kemi studiuar letërsinë tonë të traditës për cilësinë e letrarësisë së saj, por dhe për humanizmin e saj, frymë kjo që i ka pasë dhënë asaj një kontratë të sigurtë me të nesërmen? Ne kemi vepra që e kanë kaluar shekullin si në rastin e veprës së Bogdanit, Varibobës, Naimit, vepra të mbushulluara me mirësinë, të vërtetën dhe të bukurën, të cilën Naimi “si ai në mal Perëndinë” e kërkoi edhe te fytyra e vashës, kemi De Radën e pëshpirtshëm të derdhur në një poezi aq të lartë, për të ardhur te Mjeda e Lasgushi, shkrimtarë vërtetë të perëndishëm në mesazhet e tyre. Nga ana tjetër kemi një Nol që me tensionin e brendshëm të krijuar ndërmjet kërkimeve mesianike në përplasje me patosin shoqëror, arriti disa maja zor të arritshme. Vjen Migjeni me ashpërsinë e ankthët të tragjikes që është i vërtetë dhe i bukur në mirësinë e dhimbsurinë e synuar, por të pagjetur në tokë.
Letërsia e gjysmës së dytë, me disa përjashtime, nuk i përmbush kriteret e së vërtetës, të së bukurës dhe të së mirës. E vërteta e saj ishte politike, vetëm një e vërtetë e diktuar dhunshëm, e mira, po ishte në vartësi të kësaj të vërtete, e bukura ishte e kanonizuar. Ne vazhdojmë të themi shkrimtari fashist Koliqi, kur ai si shkrimtar nuk ka qenë i ndikuar nga idetë fashiste (si veprimtar ka qenë për fat të keq i tillë në një farë kohe), por s’mund ta mohojmë që pas Luftës së Dytë në Shqipëri kemi pasur tipin e shkrimtarit dhe të veprimtarit të madh komunist. Prandaj ta lemë kriterin politik. Le të gjejmë një kriter më të qendrueshëm.
Hiq vepra të veçanta, hiq letërsinë e dhembjes dhe të protestës në Kosovë, hiq A. Pashkun e poetë dhe prozatorë të tjerë si Shkreli, Podrimja etj, hiq letërsinë arbëreshe që ishte jashtë këtij konteksti politik, një Camaj që ishte aq modern dhe i tjerrë në fijet e një mungese që e lartëson deri në qiell, një Kadare që me bllokun masiv të prozës së tij që prej dyzet vjetësh diti të jetë kombëtar dhe universal njëherësh, duke sjellë për herë të parë në kulturën tonë personalitetin botëror, shkrimtarin e njohur e të përkthyer në mbi pesëdhjetë gjuhë (dhe vazhdon të përkthehet), pjesa tjetër e letërsisë mbetet për t’u qëmtuar. Sigurisht, tek disa duhet qëmtuar letërsia e mirë që është më e pakta e krijimtarisë së tyre, tek Kadareja duhet qëmtuar ajo që është bërë brenda kompromisit me kohën dhe që është më e pakta në veprën e tij. Në tërësi, letërsia e së shkuarës, duhet qëmtuar me dashuri dhe duhet studiuar gjithçka e mirë dhe me vlerë prej saj. Nuk duhet qëmtuar me qëllim të keq e denigrues, siç bëhet shpesh në shtyp pjesa e shëmtuar e saj.
Letërsia, poezia dhe proza respektive, e J. Xoxes, e D. Agollit, deri diku e P. Markos, e Arapit në skeletin e saj vlerësues është brenda filozofisë komuniste. Nuk po flas këtu për mandarinët letrarë në studime, në kinematografi, në muzikë e pikturë. Vetëm një regjizor, nga më të mirët, V. Anagnosti, ka patur guzimin të shkruajë me një ndjesë reale për veten, duke u deklaruar: unë artisti, ndihmës i partisë. Letërsia e shkrimtarëve të mësipërm, dhe kur është energji e pashoqe gjuhësore (J. Xoxe), dhe kur është poetike në impulset e thellësitë (Agolli, Marko, Arapi) në tërësinë e saj nuk i përmbush kriteret e së vërtetës, të së mirës dhe të së bukurës. Racionaliteti, idioma e pasur me një energji rrënjore të shqipes, tema historike i shpëton disa romane të Godos. Me përjashtimet e mundshme për vepra të veçanta, proza dhe poezia e shumë autorëve të djeshëm nuk e pati atë begatinë e kërkimeve të së mrekullishmes së Kutelit, atë kërkim të iracionalitetit virgjin me stilin që rrëshqet ndritshëm e hollë si filli i mjaltit te Koliqi.
Ne s’kemi pse ta fshehim, pse të bjemë në amnezi, që energjia kryesore e artit që shkoi, në romane, drama, poema, filma, pikturë e skulpturë etj, që tendenca e saj (dhe këtë fjalë mendimi i kohës e kishte shumë për zemër) u derdh për të na bindur se e pabesueshmja, absurdia dhe spekullimet më imagjinare utopike ishin të vërteta. Shkrimtarët u bënë propagandues të mistikës së shndërrimeve revolucionare, i shërbyen çmendurisë staliniste, realitetit të shkretëtirave që i jetojmë edhe sot. Prirja që talenti, stili kanë rëndësi, këtë letërsi e përjashton nga ky kontekst shoqëror dhe politik; inkuadrimi vetëm si letërsi realiste e shekullit të njëzetë nuk është në praktikën e historianit të letërsisë dhe i hyn në hak letërsisë së shkruar në gjysmën e parë të shekullit ‘20. Duke qenë afër e të afërt me shumë nga autorët e realizmit socialist, ne mbyllim sytë para detyrimit që shkrimtari duhet të shkruajë sipas kritereve universale e të qëndrueshme, prirje thelbësore që e pati letërsia jonë e traditës që nga Rilindja.
Dehumanizimi i njerzve të artit dhe i veprës së tyre atyre që shkruan sipas avazit të komunizmit, nuk ishte dukuri vetëm shqiptare. Atë, së fundi, e pamë dhe në përkrahjen që i dhanë shkrimtarët serbë luftës në Kosovë e në Bosnje. Ata përkrahën dhe nxitën masakrat dhe varrezat masive. Të tronditur nga fakti që njerëzit e artit nxitën veprime që në këtë fillim shekulli as që mendohej se do të ndodhnin, disa nga kulturologët më të njohur të botës vunë në dyshim ndërgjegjen botërore dhe arritën në përfundimin se “humanizmi e paska humbur luftën me kafshërinë”. Letërsia është nga ato shfaqje të larta që i jep vlerë e kuptim një qytetërimi. Kur ajo nxit kafshërinë, nuk kemi pse ta tolerojmë. Edhe atëhere kur është shkruar me talent. Letërsia e realizmit socialist ka faqe vërtetë të shëmtuara, edhe pse janë të shkruar me stil, me talent.
Për qendrimin ndaj pjesës më të madhe të kësaj letërsie, kur ajo në filozofinë e saj përshkohet në themel nga idetë komuniste, bashkohem me vlerësimin e Suzan Sontag. Ajo, kur flet për letërsinë e Andi Warhol, e quan atë letërsi të efektshme, të rëndësishme, pa qenë e mirë (në kuptimin platonian), të fuqishme, pa qenë e bukur, të vërtetë për rrethanat e kohës, pa arrtitur të vërteta të qenësishme.
Përfundoj me fjalët e Robert Boyers nga eseja “Refuzim për të vajtuar fatin e muzave” se “idioma e së vërtetës, mirësisë dhe bukurisë të gjthëve mund t’u duket e dyshueshme deri në klishe, por për shkrimtarët seriozë është e detyrueshme”.