Albspirit

Media/News/Publishing

Maas: Diskutimet për shkëmbim territoresh janë të gabuara

Gjermania tërhoqi vërejtjen të premten se ri vizatimi i kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të nxisë tensionet etnike. Në hapje të takimit ndërmjet ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian me ata të vendeve kandidate për anëtarësim, në Vjenë, ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas, tha se diskutimet për shkëmbim territoresh janë të gabuara.

“Ne besojmë se kjo mund të hapë shumë plagë të vjetra dhe së këndejmi jemi shumë skeptikë,” u tha ministri Maas gazetarëve. Edhe disa nga ministrat e tjerë të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian, ritheksuan qëndrimin kundër ndryshimit të kufijve.

Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn, shfaqi drojën për “pasojat shumë negative”, ndërsa shefi i diplomacisë finlandeze, Timo Soini, tha se kjo do të ishte e rrezikshme.

Shqetësim shfaqi edhe ministrja e Jashtme e Austrisë, Karin Kneissl, vendi i së cilës kryeson Bashkimin Evropian. “Nuk dua të mbajë leksione por ndryshimet e kufijve gjithnjë kanë krijuar probleme të reja”, tha ajo.

Edhe Britania e Madhe ka tërhequr vërejtjen se shkëmbimi i territoreve do të ishte destabilizues.

Ministrat e Jashtëm mbështetën ndërkaq bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat pritet të vazhdojnë më 7 shtator, me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. Ajo tha të premten në Vjenë se do të mbështesë çdo zgjidhje që nuk çon në krijimin e shteteve njëetnike.

“Çfarëdo që të jetë rezultati i një marrëveshjeje të ndërsjellë, do ta ketë mbështetjen tonë, me kusht që ajo të jetë në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, the ligjet e Bashkimit Evropian. Ju e dini historinë e Evropës. Ajo është e mbështetur në tejkalimin dhe parandalimin e çdo ideje për shtete etnikisht të pastra”. tha zonja Mogherini, por nuk deshi të shpalosë hollësi mbi çfarë baze janë duke diskutuar presidenti i Kosovës Hashim Thaci dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të cilët po ashtu nuk kanë dhënë hollësi se si mund të dukej një marrëveshje përfundimtare dhe çfarë ndryshimesh do të përfshinte.

Presidenti serb e ka shpallur politikë të tij ndarjen ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në vija etnike. Presidenti i Kosovës, thotë se korrigjimi i kufijve do të nënkuptonte bashkimin me Kosovën të luginës së Preshevës, një zonë me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Të dy presidentët kanë pohuar se arritja e një marrëveshjeje është pothuajse e pamundur, ndërsa zonja Mogherini tha sot se është shumë e vështirë, por jo e pamundur që të zgjidhet situata më e ndërlikuar dhe me shumë pasoja për rajonin, që po vazhdon edhe 20 vjet pas konfliktit.

Serbia është zotuar se nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës, që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Por, ajo është përshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që është edhe kusht për integrimet evropiane të të dyja palëve.

Afrim i zgjedhjeve në Bashkimin Evropian që mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm, ka shtuar trysninë mbi të dyja palët për një marrëveshje më të shpejtë dhe zonja Mogherini tha të premten se, qartazi synimi është një marrëveshja para përfundimit të mandatit të saj./VOA/

Please follow and like us: