Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: A është disident Kasëm Trebeshina?

 

 

Ka një shkrimtar për të cilin thuhet me plot gojën se ka qenë disident. Ky është Kasëm Trebeshina. Për Trebeshinën dhe ish-kryehetuesët e diktaturës, ata që i kanë hedhur prangat, bëhen poetë dhe, sidoqë me frazeologji tipike komuniste, e cilësojnë si trim mbi trima, luftëtar, shumë fisnik, të virtytshëm, të paepur, njeri që nuk kërkoi privilegje etj.

Po a është Trebeshina dissident apo mos vallë na duhej një i tillë dhe duhet ta krijonim atë? Kjo do të ishte shumë cinike, shumë e pakuptimtë, për të mos thënë absurde. E megjithatë diktatura që shkoi i ka pasur që të dyja: edhe absurdin, edhe cinizmin e pashoq. Dhe ne të gjithë vijmë nga diktatura. Me të gjitha.

Trebeshina pas’90-tës nëpër intervista shpalli me forcë dy pretendime të bujshme: të jetë gjeniu i letrave shqipe dhe të jetë disidenti “i mirëfilltë”, siç thonë shumë njerëz edhe vetë ata që e kanë dënuar dikur. Sa për të parën, për vendin e tij në letërsi, K. Trebeshin as atëhere kur e filloi krijimtarinë, as sot nuk ka provuar të jetë shkrimtar i madh në përputhje me atë që ia dëshirojnë dashamirët e vet, por dhe në përputhje me vetë ambicjet e tij. Ai zë një vend te prozatorët e mirë që letërsia jonë i ka që prej rreth 60-70 vjetësh. Fama e tij prej shkrimtari, e fryrë prej politizimeve dhe zhurmës mediatike, me kohë erdhi duke rënë. Prapë mendoj se vepra e tij mbetet të studiohet dhe të studiohet larg politizimeve që duket se po i prishin punë.

Sa për qëndresën e tij antidiktaturë, dihet që ai ka vuajtur burgime të gjata dhe ka treguar kurajo të lartë në kundërshtimin e regjimit në këto burgje.

Po si erdhi deri te burgimet shkrimtari Trebeshina?

Në fillim të viteve ’50, nga kapiten i Sigurimit, një nga themeluesit e kësaj strukture, i pushuar nga puna për koçixoxizëm, ai u dërgua në Lidhjen e Shkrimtarëve pa qenë asnjëherë më parë shkrimtar. Këtu si shkrimtar dallohet për stalinizëm, por shpejt u zbua prej Lidhjes. Shkak për këtë largim kanë qenë luftërat e brendshme në Lidhje, ajo që K. Trebeshina ishte për shkrimtarët që kishin ardhur nga malet me pushkë krahut, kundër intelektualëve, atyre që kishin ardhur nga shkollimi në vendet e Perëndimit. E rikthyejnë prapë në Lidhje më 1960, i dhanë të drejtën e botimit dhe botoi poema, vepra tipike të realizmit socialist. E larguan dhe e rikthyen prapë më 1970-tën. Kjo të duket si jashtë çdo praktike të zbatuar atëhere me shkrimtarët. Me asnjë shkrimtar a njeri tjetër të ndëshkuar nuk ka ndodhur një histori e tillë gjatë diktaturës. Kurrë s’ka ndodhur që një i dënuar i këtij lloji, të jetë kthyer prapë në Lidhje, në Tiranë. As me S. Malëshovën, as me M. Ndojën, që ishin prijëtarët e vërtetë të realizmit socialist shqiptar. Pra, pasi provoi koçixoxizmin pro jugosllav ku dhe studioi, stalinizmin filosovjetik ku prapë studioi, realsocializmin enverian me poema “Artani dhe Minia”,  “Stalinit” etj, mbas ’70-tës, kur përfundimisht i kishte humbur shpresat për t’u pranuar si figurë e rëndësishme, K.Trebeshina del hapur kundër regjimit. Më 1971 shkruan dhe e qarkullon nëpër Tiranë një tregim me 30 faqe ku Ismail Kadareja shpallej agjent i Francës. Ai tashmë është mbushur me mëri ndaj gjithëçkaje në botë. Mbase edhe se ai mendonte që vendin e tij në letërsi po ia zinin të rinjtë. Të rinj që nuk kishin dhënë asnjë kontribut për sistemin, për komunizmin, për të cilin ai, Kasëm Trebeshina, kishte luftuar dhe sakrifikuar aq shumë, kishte vënë jetën e kokën në themelet e komunizmit.

Edhe në burg, dhe kur është me pranga në duar, me këtë të burgosur ish-hetuesët e kohës i flasin “me marrëveshje e me mirëkuptim”. Madje ata duan ta shpëtojnë nga burgimi, duan ta shpallin të sëmurë mendor, por nuk i lejojnë nga lart. Madje, këta të sigurimit, duke thyer rregullat e gjykatës dhe të hetuesisë, veprat letrare të daktiloshkruara nga Kasëm Trebeshina, që ishin dhe prova të akuzës ndaj tij si armik i regjimit, ia nxjerrin nga dosja gjyqësore dhe ia dorëzojnë në familje. Ky ishte një favor i madh, kur, në të njëjtën kohë, Maks Velos e të tjerëve, u digjeshin veprat, pikturat.

Trebeshina i shkruante letra dhe i bënte karshillëk diktatorit, por, veç burgimit, nuk pësonte gjë tjetër. Për të tilla letra poetët dhe gazetarët Vangjel Lezho e Fadil Kokomani hëngrën plumbin. Si ia dilte mbanë K. Trebeshina? E shpëtonte rrethi i tij familiar i betonuar në komunizëm, apo biografia e tij si partizan e trim në luftë? Partizanë kanë qenë dhe Sejfulla Malëshova, dhe Mark Ndoja, siç thamë…

Në pesëdhjetën ai ka shkruar një promemorie(siç) që nuk vërtetohet nga arkivat, dhe një poemë për Stalinin, poezinë mbase më të përgjëruar në gjithë Lindjen për Stalinin, e cila është botuar në “Zëri i popullit” dhe në revistën “Letërsia jonë”, nr 3, mars 1953. Një promemorie antikomuniste e një poezi staliniste, të dyja në të njëjtën kohë (?). Kë të besojmë, të parën që nuk gjendet, apo të dytën? Mbetet të besojmë të dytën, të dokumentuarën. Megjithatë në tekstet e shkollave të mesme nxënësve u jepen fragmente nga kjo “promemorje”, për të provuar se disidenca ka ekzistuar edhe tek ne. Kështu ndodh kur gjërat na i shpikin gazetat a zyrat e tjera, pa i vërtetuar arkivat.

Kasëm Trebeshina në jetë ka pasur shumë kthesa dhe metamorfoza. Metamorfozave të shumta të tij mund t’u shtohet dhe ajo që, pas ’90-tës, që kur botoi romanin “Mekami”, ai e shpalli veten turk, madje, ka mendimin se shqiptarët iu kundërvunë turqve otomanë se ishin primitivë, ndërsa otomanët po sillnin këtu qytetërimin. Këto shkrimtarëve sot dhe u falen, por..

Enigma mbetet: ka qenë trim me diktaturën? Një guximi të tillë dhe vetë diktatori i hapte udhë: letrat sfiduese ia merrte me të qeshur, pastaj bënte një vizitë te shtëpia e vëllezërve të tij dhe… K.Trebeshinën e internonte, e burgoste, me një fjalë, e shmangte.

Atëhere mund të themi: Trebeshinës i lejohej, të ishte trim. Të tjerë poetë të burgut janë ekzekutuar në raste të tilla. Djelmosht poetë si V. Blloshmi e G. Leka u ekzekutuan mbase për hiçgjë më 1977. Po sikur Çabej, Kokona, Isuf Vrioni të kishin guxuar sa K. Trebeshina, a mbeteshin gjallë? Që i lejohej të ishte trim për arsye të rrethit familiar e si luftëtar partizan edhe kjo e ka një pikëpyetje. Diktatori shqiptar nuk i ka falur njerëzit që i kundërviheshin, nuk i ka falur cilëtdo qofshin ata. Madje, në kohën që dënohej Trebeshina, atë e kishte kapur një mëri e pafre dhe po bënte kërdinë më të madhe të tij: vrau e burgosi pothuaj gjithë ish-luftëtarët, vrau dhe burgosi gjithë shtabin,  shtatmadhorinë e ushtrisë shqiptare. Gëzohem për cilindo që mbeti gjallë nga kosa e vdekjes nën diktaturë. Edhe për Kasëm Trebeshinën. Por problemi i Trebeshinës disident mbetet për t’u parë. Nuk mund të besohet që një dobësi a një simpati e fshehtë nga ana e diktatorit e shpëtoi atë.

Tragjedia e K.Trebeshinës është tragjedia e një brezi. Ai dhe brezi i tij gjithmonë e kanë parë jetën në raportin ne dhe të tjerët, ne dhe bota, ne dhe ata atje përtej, të cilët janë gjithmonë fajtorë karshi nesh. Asnjëherë nuk kanë thënë ne dhe vetvetja. Kështu një luftëtar i tipit të tij, Bedri Spahiu, do të jetë fillimisht monarkist, pastaj më ’35-ën antimonarkist, më ’40-tën fashist, më 1941 komunist, më 1944 prokuror komunist, më 1956-tën i burgosur politiknga komunizmi, më 1990-tën antikomunist. Ai në fund të jetës pati kthjelltësinë që të thotë “Bedri Spahiu revizionon Bedri Spahiun”. Ky brez e mori seriozisht komunizmin, i cili disa prej tyre i përdori, mandej i flaku. Disa si K. Trebeshina ende nuk gjejnë dot kurajon ta shpallin vetveten, të kthehen në raportin: unë dhe vetja ime. Bota nuk është e ndarë prerazi në ëngjëj dhe diaj. Dhe djajtë nuk janë gjithmonë vetëm ata atje përtej, po zënë vend edhe brenda nesh. Pak a shumë tek të gjithë.

 

Please follow and like us: