Shënime për dëshminë ”Plumba në Ferr” të Bedri Blloshmit
Lekë Tasi
Kapitujt e librit “Plumba në Ferr” të Bedri Blloshmit
- Xhelal Koprencka pushkatuar në burg më 1979 në Tiranë.
- Fadil Kokomani pushkatuarnë burg më 1979 në Tiranë.
- Vangjel Lezho pushkatuar në burg më 1979 në Tiranë.
- Ahmet Hoxha pushkatuar në Rrëshen më 31 janar 1979.
- Rrexhep Uk Goçaj vrarë nga ushtari në zonën e II, një ditë pas amnistisë së vitit 1982.
- Refik Beqo vrarë nga ushtari më 12.6.1979 në Spaç.
- Hysen Merdari vrarë nga ushtari më 19.10.1982.
- Gjelosh Deda ridënuardhe pushkatohet më 9.10.1978 në Pukë.
- Kolë Mani vrarë në galeri më 13.10.1980 në Spaç.
- Sabri Keqi vrarë në galeri më 27.8.1978 në Spaç.
- Luc Vukajvrarënëgalerinënëntor 1983 në Spaç.
- Hasan Blloshmi vdekurmë 1982 në spitalin e burgut në Tiranë.
- Hysni Palla vdekur në burg 10 maj 1982 në Spaç.
- Zef Ashta vdekur në burg më 20.5.1979 në Spaç.
- Murat Marta vdekurnë galeri më 1987 në Spaç.
Sot një çerek shekulli nga viti 1991, kushdo që e ka për zemër çështjen thuajse të harruar të viktimave të komunizmit, e ndien veten të vetmuar. Ata që e bëjnë të tyren këtë kauzë duhet të luftojnë kundra mendimit që haptazi o heshtazi mbizotëron akoma se ata që u vranë nga partia paskan qënë me anën e gabuar, dhe jo se donin një Shqipëri normale; vazhdon pra të ketë fuqi teza se në1944 ka pasë çlirim, prandaj ata me ide tjetër duhej t‘i nënshtroheshin regjimit. Kjo nënkupton pasivitet ndaj dhunës, pra të mos luftosh për një shoqëri të lirë, sëpari për liri personale.
Të shprehje mendim kundra padrejtësive gjat 45 viteve, të doje të largoheshe nga vendi, këto quheshin tradhti ndaj atdheut, quheshin organizim kundra-revolucionar, dhe dënoheshin me dhjetra vjet burgim. Si pasojë e mbetjes pa u prekur e kësaj teze (atë e shohim në tekste historie, në deklarata dhe në manifestime zyrtare ku nderohen ende figura drejtuese e brigada që ushtruan terror) zëri jonë si kategori sociale e politike mbetet i zbehtë, dhe fort pak i vihet veshi. Kështu shumë prej nesh detyrohen të rregullojnë gjendjen e tyre të sotme, pra t‘i vënë vizën vuajtjeve të kaluara, kujtimi i të cilave mbetet makth.
Por lënia mënjanë e kësaj detyre do të thotë t‘i harrosh praktikisht mijërat e viktimave , të mos nderosh qëndresën antidiktaturë, dhe më e para e të gjithave, të pajtohesh me faktin që mijra burra e gra dergjen të groposur diku por nuk kanë ende një varr. Të merresh vetëm me të sotmen personale nënkupton që e kaluara e mbrapësht të jetë e vetmja histori zyrtare, përderisa trimat që i rezistuan me duar e thonj çelikut të organeve të diktaturës, nuk e kanë ende një përmendore ku të nderohen në rang kombëtar, dhe aq më pak konsideratën zyrtare si mbrojtësit e vetëm, të vërtetë, të demokracisë në atë periudhë errësire e tmerri.
Kujtesa e shkurtër, grindjet e debatet për gjëra që u mungon kushti, themelor – dhënia e drejtësisë me zë të plotë atyre që u ësht mohuar për 70 vjet – e lënë vendin mbrapa, prandaj dhe zgjidhja e problemeve aktuale në një frymë të tillë, gjysmake, edhe në ardhtë, do të jetë me shumë difekte, pra në masë të madhe çimentim i padrejtësisë.
Që një shoqëri të qeveriset me drejtësi, të ketë mirëqënie dhe dinjitet, duhet qytetari të angazhohet në vazhdimësi me atë që ndodh përreth tij, kjo ësht detyrë imperative veçanërisht për ish të përndjekurit. Mungesa e unitetit mes tyre, përjashtimi i tyre nga organet vendim-marrëse, mban në këmbë shumë nga padrejtësitë e kaluara. Historia e ka provuar në raste të panumurta që indiferenca të çon përsëri në rrugën e nënshtrimit dhe në një mbijetesë pa dinjitet.
Në vitet e Luftës së Dytë, Blloshmët e Bërzeshtës si shtëpi me influencë në zonën nga do të kalonin komunistët në Veri, provuan të parët pabesinë e tyre.
Brigadat me yll të kuq të lidhur me jugosllavët dhe të udhëzuar prej tyre, kur konsoliduan pozitat e tyre, prishën marrëveshjen për mos-vëllavrasje, dhe duke shtënë në dorë me dinakëri 17 pjesëtarë të çetës nacionaliste, ku përfshihej dhe Shefqet Blloshmi, i premtuan vëllait të tij, Hakiut, se nuk do t‘ a ekzekutonin nëse ai do të dorëzohej.
Ata e shkelën fjalën, dhe në masakrën që bënë, ndër 17 të ekzekutuarit , 5 ishin Blloshmaj. Pastaj, brënda periudhës Mars 1944- Tetor 1945 u vranë edhe 6 antarë të tjerë të kësaj familjeje sëbashku me të afërt të tyre, pa gjyq e pa asnjë akuzë të bazuar. Partitë komuniste kudo në botë e kanë përdorur terrorin si hap të parë në çdo vend që shkelnin sëpari. Vrasjet masive ishin në strategjinë e tyre paraprake për të nënshtruar krahinat që zotëronin, le të mos ishin ato të rreshtuara me palën kundërshtare.
Terrorin komunistët tanë e vazhduan si politikë të ditës më pas në tërë Veriun, me vrasje e dhunime, dhe e mbajtën si sistem pune edhe mbasi e nënshtruan vendin, në kushte paqeje dhe me kushtetutë të miratuar që “garantonte” liritë demokratike; ata pushkatuan e varën në litar deputetë të zgjedhur në listën e tyre, e bënë tradhtar brënda natës një figurë madhore që ishte zgjedhur kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve – ky ishte morali politik i Frontit të tyre Demokratik e Nac. Çlirimtar…
Ata kërkonin jo simpatinë e popullit , por nënshtrimin pa kushte të tij. Për çdo shenjë lirie, edhe elementare, që do të manifestonte dikush, ose për faktin që populli ushqente simpati për të, ndëshkimi do t`i jepej i skajshëm.
Kësisoj edhe mbas luftës, shtëpi e parë e krahinës- familja e shquar Blloshmi, me origjinë nga heroi i famshëm kosovar Millosh Kopiliqi, trimi që në betejën e Fushë-Kosovës kishte vrarë sulltan Muratin I, pagoi një çmim të rëndë me ekzekutime të shumta, me burgime të gjata, vdekje në burg, internime të familjeve.
Kjo barbari përfshiu siç dihet edhe dy djem të rinj, poetë të talentuar, kushërinjtë Vilson Blloshmin e Genc Lekën, që i ekzekutuan me akuza të shtirura tridhjet e ca vjet mbasi diktatori e kishte vendosur sundimin e tij absolut, dhe nuk e kishte të nevojshëm terrorin. Në një faqe të librit që i jepet sot lexuesit, Bedri Blloshmi, i mbijetuari i kësaj familjeje të madhe, përshkruan me një dhimbje që të sëmbon në zemër shkretimin e fisit tij, dhe e konkretizon atë tek dykatshja e madhe e banuar dikur nga njëzet frymë, sot e mbyllur dhe e rrënuar…
Por rasti i Blloshmëve, siç del nga dokumentat që ka gjetur e botuar Bedriu në pesë librat e tij, ilustron edhe poshtrimin e skajshëm të krahinës nga klika e Tiranës, imponimin brutal të qendrës mbi organet lokale, hetues, operativë, prokurorë ,gjykatës, policë, dëshmitarë të emëruar, pra heqja e çdo pavarësie atyre që ligjërisht duhej t‘i shërbenin qytetarit por në fakt e tradhtuan me fund atë, disa bile me gatishmëri servile; vënien e inteligjencës në shërbim të falsitetit më trashaman, për tu dhënë gjyqeve të montuara një lustër legaliteti me anë ekspertizash tërësisht në shkelje të ligjit e të intelektit; u mobilizua pra kushdo që i binte në mend partisë, për të dëshmuar veç në dëm të të pafajshmëve të akuzuar.
Në këtë ferr siç e quan me të drejtë autori, këta specialistë iu kërrusën me hir e me pahir diktatit të klikës kriminale së Tiranës dhe partiakëve të rrethit, dhe bashkëpunuan me paligjësinë dhe krimin shtetëror. Qëllimi ishte që krahina, dikur me anën e Blloshmëve, ta merrte edhe një sinjal tjetër, edhe pse të kotë, për të qëndruar urtë.
U realizua pra ky komplot kundër dy të pafajshmëve me bashkëpunimin e dhjetra personave, që të mpiksej dëshmia se poezitë e tyre paraqisnin rrezikshmëri deri për dënim kapital. Ky fakt e jep qart dekadencën morale të asaj epoke, të cilën poeti Vilson Blloshmi e simbolizoi me finesë artisitke në poezinë e tij “Saharaja”, një metaforë e denjë të na përfaqësonte në një antologji evropiane, nëse do të krijohej, të rezistencës antikomuniste. Por nuk po shohim akoma asnjë shënjë të reformimit të dëshëruar në këtë drejtim, në mënyrë që t‘i njihet merita edhe krijimeve të poetëve disidentë, të vetmet që e japin fytyrën e vërtetë të vendit në ata 45 vjet, kur e vërtëta paguhej me gjak. ..
Rekomandimi i KE për denoncimin e krimeve nuk po gjen ende zbatim. Ndaj Bedriu vazhdon i palodhur të merret në kohë të plotë me të kaluarën, ta gërmojë në arkiva e në popull, të intervistojë këdo që e përjetoi, si viktimë apo si persekutor, ai i gjurmon ata kudo , u del përpara dhe e gjen mënyrën për t‘i bërë të flasin.Qëllimi i tij i vetëm është t‘ia tregojë publikut me dokumenta provat e turpshme të asaj gjëme ; ai udhëton kudo ku mund të ketë shenja të ekzekutimeve të fshehta, u bën thirrje edhe atyre që zbrazën plumba mbi të dënuarit pa faj, që të tregojnë pak ndjenjë njerzore duke bashkëpunuar me të dhe me familjarët në gjetjen e eshtrave, normë elementare e shqiptarit, e përmbysur nga klika kriminale që mbushi territorin me varreza të maskuara.
Ai vazhdon betejën e tij duke lënë mënjanë edhe hallet e veta, sepse gjëma që punoi sigurimi dhe veglat e tij mbi popullin e paarmatosur e të pafajshëm, në asnjë mënyrë nuk duhet lënë në harresë, sado të mprehta qofshin problemet aktuale. Detyra kryesore e shoqërisë është ndaj të rënëve, ndaj herojve që u ndeshën fizikisht me dhunën, po edhe ndaj atyre që u përpoqën të hiqnin qafe zgjedhën duke u arratisur, janë këto dëshmitë më të vlefshme që nderojnë Shqipërinë.
Librat e mëparshëm të autorit, “Fabrikimi i Vdekjes”,”Rrëfime nga ferri komunist”,”Revolta e Qaf` Barit”, “Revolta e Spaçit”, vijon me librin që i jepet sot lexuesit, “Plumba në Ferr”, i cili ka si subjekt 16 raste të këtyre dy kampeve.
Janë shembuj rezistence në kushte vështirësie të skajshme, dhe përmbysin versionin që e mban akoma si të vlefshëm shumkush, e që e paraqet të riun e burgosur si të dënuar për shkelje të ligjeve; këta libra e nxjerrin politikën e brendshme të regjimit në tërë egërsinë e tij: një taksë angarie e paprerë, mizore dhe tërësisht arbirtrare mbi popullin, përderisa shkelës i normave kushtetuese ishte organi që burgoste dhe jo qytetari që burgosej; dhe kjo taksë gjaku kishte nisur në pjesë të madhe qysh në luftën partizane, të paraqitur si popullore, por që ish një dhunë mbi popullin që kulminoi me të ashtuquajturin çlirim, të “festuar” qysh ditët e para krahas paradave, me qindra ekzekutime.
E provojnë ngjashmëria e praktikës tyre vrasëse në të dy rastet: fshatarët e pushkatuar gjatë luftës, që po u zbulohen varrezat kohët e fundit, dhe mijrat e tjerë të vrarë më vonë gjatë sundimit- ndër dhjetra mijrat e dënuar, të ridënuar në një sfilitje pa fund, ose të eliminuar me plumb nëpër tela ose larg tyre.
Por një tipar tjetër i ballafaqimit real diktaturë-popull ësht përqasja morale mes të dënuarve dhe rojeve. Epërsia e të parëve megjithë represionin e egër del sheshit në disa raste, raste që do mbeteshin të panjohura po të mos i regjistronin e botonin B.Blloshmi dhe të tjerë vuajtës-dëshmitarë okularë, me shkrimet e tyre për jetën në burgje e kampe. Kontrasti: trimëri e të paarmatosurve dhe vrapi i të armatosurve për të shpëtuar kokën.
Kjo ka ndodhur në Qaf‘ Bar, (siç del në librin e Blloshmit “Revolta e Qaf Barit dhe Terrori Komunist 1943-1990”), ku në thirrjen për ndihmë të një të burgosuri që po e masakronin rojet, Sokol Sokoli e Tom Ndoja (të pushkatuar më vonë) dhe burrit të ndershëm që dha shpirt nën tortura Sandër Sokoli , me tetë të tjerë (të ridënuar) u sulën si vetëtima me grushta e shkelma në ndihmë të tij.
Ky ështe rasti kulmor i një rezistence me episode të shumta nëpër hetuesi, gjyqe, burgje e kampe, dhe vlen për të shprehur se edhe nën kërcënimin e sigurt të plumbit, forca morale e malsorit reagoi në çast thirrjes “në dorën tuaj burra !”. Ajo sfidë vdekjes së sigurt ësht lënë në heshtje nga retorika burracake e filmave të shtirura dhe revistave të MPB që i shisnin publikut “heroizma” të sigurimsave gjoja në bashkëpunim me popullin, por që në fakt ka qënë terror i të armatosurve gjer në dhëmbë mbi një popullsi të terrorizuar por kurrë të nënshtruar.
Kjo hap çështjen e publikimit të të vërtetave në çdo rrethanë të arqipelagut tonë, sepse nuk janë të vetme këto ndodhi kulminante të Qaf Barit, apo ajo e Hajri Pashajt dhe shokëve të tij Dervish Bejko, Pal Zefi dhe më të riut Skënder Daja në Spaç, ku u ngrit e u valvit flamuri pa yllin komunist e më parë revoltat e Postribës dhe e Malësis së Veriut, po edhe mbrojtja burrnore (shembull ajo e Muzafer Pipës) kundra dënimeve të “porositura” të të pandehurve në gjyqe, mes tyre edhe klerikë, të akuzuar për futje armësh në kishë (!) dhe i mijra kulakëve, për fajin e vetëm pse ishin të aftë të prodhonin për vete…
Pra rezistenca ka qënë e përhapur, dhe një kapitull i panjohur e saj ësht ai i strehuesve e familjarëve që i kanë mbështetur të arratisurit duke rrezikuar veten përballë teknikave çnjerzore të Sigurimit. Teknika diabolike, që në aleancë me raskapitjen gjatë dhjetvjeçarëve, shpjegon edhe rastet pse i riu i mplakur brënda hekurave humbte sensin e realitetit, dhe hynte në dialog absurd me mundonjësin e vet gjoja shtet, me sharje o arsyetime e sugjerime tërësisht të pafrytshme, që pa tjetër do pasoheshin nga dënime të pamëshirshme prej pushtetit shtazarak. Autori i trajton këto raste me dhimbshuri ndaj këtyre kolegëve të vuajtjes, sepse e ka njohur vetë ndryrjen e gjatë në hekura, dhe i mirëkupton alienimet psiqike që vepronin mbi ata fatkeqë.
Studimi dhe vlerësimi i rezistencës antikomuniste janë detyra të patjetërsueshme nëse duam të jemi shoqëri me një shkallë vlerash prej vendi të qytetëruar ; ato ndihmojn edhe të tjerat, detyrat praktike në zgjidhje të problemeve; përndryshe as ndërgjegja e shqiptarëve, as konsiderata e botës mbi shtetin e shoqërinë tonë, nuk do t‘i quajë zgjidhje ato që bëhen mbi një themel të padrejtë. Bedri Blloshmi në çdo libër që ka botuar, qëllim kryesor ka publikimin e çdo padrejtësie, dhe prandaj ai i përgjigjet me ndihmë konkrete familjeve që prej dekadash janë në kërkim të vendit ku dergjen të dashurit e tyre.
Kohën, forcën fizike dhe tërë vëmendjen, ai ia përkushton pikërisht zhbërjes së asaj gjëme, sa të jetë e mundur, duke u kthyer njerëzve normalitetin e zakoneve dhe të respektit për të vdekurit. Ai nxjerr në dritën e diellit atë që komunizmi e fshihte në terrin e natës, ofron përpjekjen e tij, mundin, njohuritë, cilitdo që i ësht mohuar e drejta më e shenjtë, kontakti, i mbrami i të mbramëve, me familjarin e tij të zhdukur, e
drejta për të derdhur lot mbi varrin e tij. Në krahun e kundërt, kemi ngurtësinë e shkaktarëve të kësaj tragjedie historike, të rehatuar si veteranë, por të pazbutur edhe sot mbas gjysëm shekulli.
Por nuk do të fshihet kaq lehtë gjëma e tyre, duke detyruar njerzit të heqin dorë nga një e drejtë elementare, e drejta për të varrosur njerzit e tyre. Kjo nuk është çështje e së djeshmes, është e së sotmes, me reflekse në të ardhmen. Ata si funksionarë të shtetit, kishin për detyrë të zbatonin ligjin, dhe e shkelën me të dyja këmbët. Dhe jo vetëm e shkelën, por disa e praktikonin repersionin me egërsinë më të madhe, me kënaqësi sadike. Sot ata janë të padënuar ende, as moralisht, bile ndërkohë , duke i qëndruar porosis së vjetër u është shtuar titulli i “nderuar”.
Në librin e ri që sheh dritën e botimit sot, Bedriu paraqet rastin e 16 të dënuarve, pjesa dërrmuese fare të rinj, që nisën pa asnjë faj jetën e burgut, të dënuar me akuza të rreme dhe të ridënuar gjatë vuajtjes me afate të gjata. Ata tentuan si të mundnin ta kundërshtonin atë jetë prej ferri ku i hodhën, tentuan të arratiseshin ose folën apo shkruan kundra regjimit, u ngritën në revoltë. Përfunduan të dënuar me plumb në kokë vetëm se kundërshtonin padrejtësinë flagrante, dhe se deshën të ishin të lirë.
Natyrisht nuk mund të shtrohet se kishte një rend kushtetues, në të cilin ata mund të apeloheshin. Nuk njihet një rast i vetëm që të jetë digjuar rekursi i të dënuarit. Disa u vrarë me breshëri nga karakolli pa bërë asnjë orvatje ikjeje, brënda telave, ose u zunë nën shkëmb, dhe në vend tu jepej ndihma, u prenë me sopatë. Kjo është historia e vërtetë e Shqipërisë në ato katër dekada e gjysëm dhe e tillë siç ish do të zbulohet herët a von, me të gjitha hollësirat, falë kontributit të dëshmive, ndër të cilat një vend kryesor zë ajo e Bedri Blloshmit.
Rrugë tjetër s‘ ka. Prandaj situata sot paraqitet si një ballafaqim kryesisht moral: nga njera anë qëndron detyra për tu dhënë drejtësi këtyre burrave të lirë në shpirt, qoftë mbas vdekjes, atje ku janë në Panteonin e vërtetë shqiptar, nga ana tjetër establishment akademik që e lë mënjanë këtë detyrë duke i mbajtur fajtorë ose shkelës të ligjit këta heronj e dëshmorë , dhe dënimet i quan të nevojshme “për kohën”,, po ashtu dhe cilsimet “i nderuar” që gëzojnë persekutorët e tyre, dhe hero kombëtar të parin e tyre.
Detyra jonë përkundrazi, për ta përmbysur këtë pozicion tërësisht fals, detyrë sa morale dhe civile, ka filluar të zbatohet nga këshilla bashkiakë që u japin rrugëve emrat e atyre që rezistuan; ajo shprehet po ashtu nga njerës me kujtesë të pagjumë si Bedri Blloshmi e mjaft të tjerë, që kundra indiferencës –sëmundje e jonë kronike – botojnë libra-dëshmi, dokumenta të dhunës së pararendësve së konformistëve të sotëm.
Këto dy manifestime, tabelat emërtuese të rrugëve dhe dokumentimi i paligjësise në libra, arrijnë të detyrojnë autoritetin shtetëror t‘i nderojë me diploma nderi viktimat më të shquara eminente të palës tonë, burra e gra që e donin Shqipërinë rezistuese ndaj fatit robërues që iu dha për kaq dekada. Të tre këto fakte mund të jenë fillimi i procesit që na bën të pranishëm me meritë në lëmin ndërkombëtar. Kundërshtimi i paligjësisë, kusht i domosdoshëm i këtij procesi mbetet detyrë e pazgjidhur, sepse paligjësia i ka rrenjët te pajtimi mendor i elitës akademike me rendin e kaluar, të konsideruar “çlirim” edhe zyrtarisht , ajo bezdiset kur preket sadopak ky term i pavërtetë.
Pasojë indirekte, psikopatologjike, e kësaj mbeturine janë dhe krimet mes nesh ende sot, që e ndalojnë shoqërinë të gjejë rrugën e ligjëshmërisë dhe të rimëkëmbjes. Për të shëruar poshtërimin historik që pësuam, është e domosdoshme ndershmëria mendore me faktet dhe dhimbshuria njerzore për ata që u torturuan shnjerzisht dhe u mbaruan me sadizëm sistematik në ato kampe e burgje skëterre. Lufta me dhëmbë shtrënguar që bën autori i këtij libri për ta ndryshuar gjendjen, vjen nga forca e qëndresës të cilën shumë të tjerë e kanë zbutur; dhe nuk ësht vetëm nga dhimbja për familjarët e shokët bashkëvuajtës që ai i shkruan këto kujtime, ajo del jashtë kësaj sfere, dhe bëhet e vetmja politikë, e aftë dhe e denjë të ndërtojë një rend të ri, që t‘i shërbejë vërtet ligjit dhe dinjitetit shtetëror. Pa rivendosje të drejtësisë edhe për të kaluarat, nuk mund të ketë shoqëri dhe shtet të shëndetshëm sot e në të ardhmen.