Sadik Bejko: Meditim për “Milosaon” e De Radës
Ese
Ka patur një diskurs të gjatë në mendimin tonë letrar mbi personazhin e Milosaos: është hero Milosaoja, nuk është hero Milosaoja…
Ai për mua përfundimisht ka qenë dhe mbetet një zëdhënës i idealit romantik të De Radës, krijuesit të vet.
Për një kohë të gjatë si një nga personazhet me moshën më të njomë të krejt letërsisë sonë, kryepersonazh me një botë shpirtërore të trazuar e mjaft të zhvilluar, ai ka qenë i adhuruar nga mësuesit e letërsisë, një ideal i ndritur, dhe si i tillë u shërbehej nxënësve të shkollave tona.
Kohët ndonjëherë i përvetësojnë për synimet e tyre personazhe të tilla.
Kam mbetur jo pak i habitur kur me 1985 mësova se shkolla e mesme e përgjithshme “Asim Zeneli”, gjimnazi i Gjirokastrës, ku isha mësues, kishte një himn të sajin. I habitur mbeta jo aq për himnin, por se në tekstin e himnit përmendej si hero Milosaoja i De Radës. Në himnin e shkollës “Asim Zeneli” thuhej se ne të rinjtë e këtij gjimnazi, ne asimzenelasit, do të vdesim për atdheun si Milosaoja dhe si Pavël Korçaguini. Ishte gati e pabesueshme, absurde. Një personazh letrar si Milosaoja i Rilindjes shqiptare ofrohej si hero ideal në krah të komunistit, të rusit Pavël Korçaguinit, edhe ky një personazh i romanit “Si u kalit çeliku”, i shkrimtarit Nikollaj Ostrovski.
Qëllimi mbase ka qenë i mirë, brenda formatit të propagandës komuniste që fabrikonte heronj dhe aty ku nuk ishin.
Në gjithë këtë më lart që sot mund të ketë vlerë anekdodike, vjen ai mendimi që shkenca jonë letrare e atyre viteve e rendiste ndër heronjtë e adhuruar Milosaon e De Radës. Dhe të tillë e transmetonte te nxënësit e shkollave.
Milosaoja nuk është hero. Si e përshkruan De Rada në poemën e tij, ai nuk ishte i linduri për të komanduar ushtarë, për të korrur fitore në fushën e betejave. Është një njeri shpirtëror, jo një hero i veprimit dhe i shpatës. Është një artific, një gjetje kompozicionale, ajo që Milosaoja është biri trashëgimtar i sundimtarit të Shkodrës nën pushtimin turk. Kjo gjeturi ka qenë e efektshme, ajo ka rritur kahet shoqërore dhe historike të poemës. Pa këtë hedhje në të kaluarën, pa këtë bir ssundimtari me synime dhe me përkushtime të larta atdhetare nuk do të kishim një Milosao. Nëse për arsye të angazhimeve ideore të poetit, për arsye të një procedimi artistik të poemës romantike, ngjarja {personale ose jo e tillë) u vu në një shtrat historik, u desh të evokohej historia, atdhedashuria, lufta ndaj një armiku shekullor… të gjitha këto ia vlejnë. Këto përbëjnë kornizën, strukturimin e shtatit subjektor, mbështjelljen e jashtme të poemës. Në thellësi, së brendëshmi zhvillohet lënda e papërsëritshme e kësaj poeme: është dashuria tragjike, jeta tragjike e një çifti të rinjsh ajo që përbën lëndën më të gjerë e më të prekshme të poemës.
Parë nga një perspektivë historike e së shkuarës, hedhja në një konstrukt të së shkuarës së largët, e bën veten tonë, i bën ngjarjet tona vetijake të marrin tjetër reliev. Ato bëhen tashmë ngjarje të të gjithëve, ngjarje që përsëriten sot e në kohë të kohërave. Hyjnë në një shtrat të mitologjikes, të logjikës mitike.
Nga ana tjetër, ne nuk mund të arratisemi nga një fat më i madh a më i vogël se sa ai yni, nga një e thënë e kohës a e kombit tonë. Kështu, shkrirë me të tërën, me historinë, fatet tona, duam apo nuk duam, mbështillen (dhe kur janë me plagë) me një frymë ngushëllimi, pajtimi. Forca përgjithësuese e veprës nëpërmjet ballafaqimit me tri kohët: e shkuar, e sotme dhe e ardhme i kalon ngjarjet e personazhet në filtra të pastrimit, u jep suverenitet e kthjelltësi.
Në fjalët e tij të fundit Milosaoja do të shohë Shkodrën, por lektiset dhe për jetën katundare me lulet si dallgë dhe me vatrën tradicionale. Është si pa logjikë. Është një fshatar a një bir sundimtari? Një personazh kemi këtu, apo dy?
Mbi supet e një të riu rritur në një mjedis mesdhetar, gati evangjelik për nga tablotë me një ind lashtësie të thellë, pra, mbi shpatullat e këtij të riu me ide të drejtësisë, të punës e të paqës është hedhur manteli i luftëtarit, i të birit të një sundimtari. Por me gjithë këtë artific, poema e Milosaos mbijetoi, ajo vazhdon ta ripërtërijë vetveten me lexime të reja edhe sot e gjithmonë. Ajo jetoi nga ai sy i freskët në zbulimin e botës, nga ato imazhe bukurie e freskie të pashoqe, të cilat në pasurinë e pafund u bënë lënda e vërtetë e veprës, veshën skeletin e një subjekti të gjallë me “shpikje” romantikësh.
Milosaon e shohim në shfaqjet e tij si bir, në raportet familjare, si dashnor, si bashkëshort e vëlla. Edhe si luftëtar. Por mbase më tepër flitet për një të tillë. Edhe për luftën flitet si një re që vjen rrotull e s’duket gjëkundi. Por ky kompozicion, sado i qepur si me penj, i dha veprës një arkitekturë, një përmasë të së madhërishmes e të tragjikës. Një poemë e papërsosur, por e bukur. Struktura e saj e cergët vezullon nga imazhet e pamjet e natyrës, të vendit, të gëzimeve e mjerimeve vetiake dhe kolektive. Sidomos nga ato të dashurisë, nga imazhet e zhgënjimeve, vdekjeve, riteve sipas klimës dhe stinëve. Si te “Kanconiere” e Petrarkës, vizatohet emocionalisht dhe çmenduria e të rënit në dashuri, dhe gjithë ajo mbushulli ndjenjash që pason një situatë të tillë, duke përfshirë mjedisin shoqëror dhe atë natyror. Këto janë bukuria vetë. Këtu, siç thotë De Rada, është ai dielli i brendshëm i veprës. Ideja e lartë e detyrës përballë një familjeje a një bashkësie, tragjeditë personale dhe ato të bashkësisë, u japin shkëlqimin e kontrastit më të thellë pamjeve të bukura dhe të ëmbla të dashurisë e të natyrës. Kjo prin nga një ide universale: palumturia dhe fataliteti që ndjekin jetën njerëzore janë një ligj i hekurt. Për më tepër kur që të gjithë jemi të vdekshëm. (Por këto kanë qenë ide e filozofi të të gjithë poetikës së romantizmit, do të thonë. E pastaj? Tragjikja vallë është e përjashtur sot nga jeta?) Ëndërra e jetës dhe e lumturisë në poemë mbeten si një iluzion i bukur dhe kurrë i rrokshëm. Kjo filozofi e mishëruar në lëndën e pasur të poezisë së ndjenjave intime dhe të natyrës e mban në këmbë Milosaon më tepër se çdo lloj kompozicioni i jashëm, qoftë ky i qëlluar, i mbyllur a i peshuar.
Ka sot ide që vetëm e papërsosura, e papërfunduara, joracionalja, vetëm kjo, poezia e tillë mund të jetë e bukur. Poema e De Radës ka diçka që kërcet në subjekt, në kompozicion, por ajo është prapë plot organicitet dhe bukuri të brendshme. De Rada nuk na jep një histori të përsosur ngjarjesh, po një afresk të gjallë e plot jetë të brendshme. Më tepër se ngjarjet, na jep gjendjet e personazheve.
Lumturinë, dhe kur e meritojmë, nuk e arrijmë. Personazhet e tij fatkeqe na ngjallin ndjenjën e mëshirës. Prandaj vdekja vjen si pastrim. Kjo notë tragjiciteti që e mbush gjithandej poemën gjer në fundin e saj na sjellin pranë atij katarsit të tragjedisë klasike. Në bërthamë jeta mbetet e hidhur. E, prapë, fruti i saj plot lëngje, plot ëmbëlsi e ngjyra nuk mund të krijohet pa këtë bërthamë.
2. Vizione të mëdha dhe paratekstet
De Rada synon parajsën: lumturi personale, lumturi shoqërore, lumturi kombëtare. Një lumnim të tillë që mbase është i denjë vetëm për hyjnorët. Mbase dhe të realizuar në ëndrrat që shohin vashëzat e djelmoshat.
Ky vizion i madh, kozmik, e ka një burim: është te vizioni biblik. Jeta baritore e fshatit të tij është e afërt me botën biblike të ungjillit dhe të psalmeve. Psalmet përmbajnë tragjedi kombëtare (largimin nga trojet) dhe personale, dhe shoqërore, dhe kozmike (Sodoma, Gomorra, shkretimi, tharja e deteve, largimin nga zoti.., mallkimi, bekimi..). Bashkë me këngët arbëreshe, psalmet (tekstet biblike që në shkollë De Rada dhe shokët i lexonin çdo mëngjes- Autobiografia, fq.71) janë dy nga paratekstet bazë të poemës. Pa përsosjen dhe vetëpërsosjen e individit dhe të kolektivit nuk ke ku shkon. Milosao kështu është një hero shpirtëror: ai do t’i lartojë në një nivel shenjtërie katundet, vatrat, të varfërit, kërkon vëllazërimin ungjillor. Ky lloj “heroizmi” frymëror i Milosaos nuk është rrokur ende. Katundet, vatrat që i përmend dhe në grahmat e fundit, shtëptë e rrethuara me dallgë lulesh e me ullinjtë, dëshira për një ushtri fanëmire, për një atdhe të lirë, një mot me ullinj dhe me qumësht, me martesa të lumtura, me bujarë dhe të varfër të vëllazëruar, me ëngjëj në qiell që festojnë si njerëz në tokë- janë imazhe me referenca të drejtpërdrejta nga Dhiata e Vjetër dhe Dhiatae Re. De Rada kërkon shumë: Tokën e Premtuar për njeriun, për njerëzimin. Për Arbërinë. Kjo ishte në harmoni dhe me tendencën romantike (etja për pafundësinë, për universalen), por… për një 22-vjeçar, për shumë arsye të tjera, kjo detyrë e vështirë është e arritshme. Para tij poezia popullore arbëreshe e kishte shtruar këtë rrugë. Ajo kishte krijuar ëndërrën për Kohën e Artë, për Motin e Madh të Skënderbeut që, ashtu si në mendësinë hebraike, ishte diku në të kaluarën e ndritur, në kohërat e Davidit dhe të Solomonit… dhe ëndërrohej të përtërihej prapë me Mesinë në të ardhme. Folklori e kishte krijuar Shqipërinë-Tokë e Premtuar. Dhe De Rada niset në rrugën e lumturisë e të poezisë me këto tri partekste (folklori, Dhiatat, psalmet) në shtratin e poemës.
De Rada na i la ëndërrën e parajsës së fëminisë dhe të rinisë. Katundin dhe Vatrën. Lirinë që e borëm e që prapë duhet ta fitojmë. Këto janë nga mitet më themelore dhe më të hershme të poezisë. Kujtesa e kësaj poeme është universale, me imazhet e saj dhe e gjitha përçon nga përjetësia. Kjo është në thelbin e kulturës e të poezisë: bashkon imazhet e copëtuara dhe i sistemon ato nën kupolën qiellore të vizioneve të mëdha.
Me De Radën hyri miti i Motit të madh. Pas Pavarësisë në poezi vjen dhe një mit tjetër, ai i Ilirisë së Moçme (Mjeda, Migjeni).
Tema e një të riu, e një bashkësie, në këtë poemë u bënë tema të fatit njerëzor. Bashkimi dhe lidhja e kaq kujtesave (nga bota klasike greke, psalmet, ungjilli, folklori, historia shqiptare) në dashurinë e dy të rinjve, në një truall arbërersh, transferimi i gjithë lëndës në Shkodër, ishte, e themi prapë një detyrë e vështirë. Dhe ai ia doli tej kësaj sfide.
Pas rënies së hijeve të lisave, në fundin e poemës, na vjen prapë në mendje imazhi i fillimit: Lis jeta kish ndërruar.. Në përsëritjen e saj, me fillin e përjetësisë përbrenda, jeta dhe historia janë premtuese. Ato nuk maten me jetën e një njeriu, e një brezi, por me përjetësinë e lisave dhe të ujërave të detit që përtërihen. Individët nuk e kanë fatin e lisave dhe të ujërave. Historia, përjetësia po. “Lis jeta kish ndërrur”,.. “erë e maleve… rrëzoi hijen e lisit”… “Erdhi ditë e Arbrit!”… Kështu që më 1837, vit në të cilin u botua së pari poema Këngë të Milosaos, De Rada profetizoi optimizmin ciklik të jetës, të natyrës, dhe optimizmin historik të shqiptarëve. Ardhjen e Motit të Madh edhe një herë në jetën e Arbërit, ardhjen jo si mit, por si realitet i gjallë.
2014