New York Times u rekomandon lexuesve të lexojnë Ismail Kadarenë
Gazeta prestigjioze amerikane New York Times i rekomandon lexuesit të lexojnë librin “Kamarja e turpit” të shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare. Në listën prej 9 librash që rekomandon çdo javë për lexuesit e saj, New York Times rendit “Kamaren e turpit” si një nga librat që nuk duhet humbur pa lexuar.
Vetëm një javë më parë në faqet e kësaj gazete shkrimtari dhe historiani i njohur Jason Goodwin bëri një analizë për këtë vepër duke e quajtur një letërsi të madhe. Libri është përkthyer në anglisht nga John Hodgson. “Kërkimi për kokën e prerë të Ali Pashë Tepelenës shërben si një simbol i errët satirik në këtë roman shqiptar të botuar fillimisht në vitin 1978, një fabulë alegorike për autoritarizmin e shekullit të 20-të”, shkruan Jason Goodwin. “Ndërsa ky roman vendoset në mënyrë të shkëlqyer, lakonike dhe me elemente të zymtë komikë, bëhet e qartë se shteti është, në mënyrën e vet, një kokë e frikshme. Një Meduzë, ndoshta, me aftësinë për të shkatërruar”, vijon më tej kritiku i NY Times.
“Kamarja e turpit” ka qenë botuar për herë të parë më 1978, si pjesë përbërëse e librit “Ura me tri harqe”, me titullin “Pashallëqet e mëdha”. Romani që ka në qendër fatin e Ali Tepelenës, pashait rebel shqiptar, që u ngrit kundër sulltanit dhe shtetit osman, është konsideruar nga kritika botërore si një nga veprat më tragjike të Kadaresë, ku përshkruhet terrori shtetëror. Ashtu si për “Muzgun e perëndive të stepës”, shtypi shqiptar i kohës ka mbajtur heshtje të plotë për të. Po ta shikojmë si tërësi “Kamaren e turpit”, lehtë do të bindemi se fund e krye përshkohet nga një atmosferë e pastër tragjike, e cila ushqehet në mënyrë sistematike nga mekanizmat që i përcakton fuqia e pushtetit totalitar. Duke e transferuar rrëfimin e tij herë në një mjedis, e herë në tjetrin, njëherë në qendër të perandorisë, e pastaj edhe në skajin e saj, autori tërheq vija të qarta me dimensione tragjike.
Në qoftë se më përpara në ‘Kamaren e Turpit’ janë ekspozuar kokat e prera të shumë zyrtarëve të lartë, siç është ajo e Bugrahan Pashait etj., atëherë parandihet se aty do të vijnë edhe shumë koka të tjera, siç është ajo e Ali Pashë Tepelenës, i cili ia ka kthyer shpinën Perandorisë Osmane. Kjo do të thotë se ligjësitë e vdekjes janë ashpërsuar deri në skajshmëri, rënia e kokave të zyrtarëve të lartë perandorakë është bërë si një modus vivendi, gjithkund shtrohet e njëjta pyetje: A ka koka? Ose: E kujt është kjo kokë? E gjithë kjo zhurmërimë e kobshme dëshmon se tragjikja është bërë krejtësisht e pastër dhe se jashtë kësaj ekzistenca pothuajse nuk ka asnjë kuptim. Koka e prerë është bërë një mit trishtues që e tejkalon çdo parashikim të mundshëm. Edhe kur je humbës, edhe kur je fitues, ajo është e predestinuar të arrijë te ‘Kamarja e Turpit’. Me një fjalë çdo gjë prodhon ankth dhe tmerr, logjikë makiaveliste, hije vdekjeprurëse, të cilat janë bërë si formulë e vetme dhe e pashmangshme. Pjesëmarrësit e kësaj loje morbide, personazhet historikë dhe ata të përfytyruar, gjithmonë shfaqen me një barrë të zymtë, e cila të shtyn vetëm drejt një fund të llahtarshëm, ku edhe të vdekurit edhe të gjallët pothuajse duken të njëllojtë.
Sado që koka e Ali Pashait ekspozohet në ‘Kamaren e Turpit’, larg këtij fati tragjik nuk mbeten as të gjallët si Abdullai, mbikëqyrësi i kokave, ose Tunxh Hatai, korrieri i oborrit etj., sepse në qenien e tyre gjithmonë futet vdekja si ëndërr dhe si realitet, si luftë fizike dhe psikologjike. Të gjitha përpjekjet për të shpëtuar prej saj janë të pamundshme, sepse rrënjët e saj janë të ngulitura thellë, madje arrijnë edhe deri në jetën intime të Abdullait të porsamartuar i cili duket edhe më tragjik sesa të vdekurit. Pikërisht këtu ekziston një simbiozë dramatike në mes të gjallëve dhe të vdekurve, sepse si askund tjetër i gjejmë të mishëruar pranë njëri – tjetrit, të vdekurit jetojnë në qenien shpirtërore të të gjallëve dhe anasjelltas, të gjallët jetojnë midis të vdekurve, udhëtojnë me kokat e tyre të prera, i shoqërojnë e i mbikëqyrin, i shohin dhe mendojnë, i fokusojnë dhe i pikturojnë, por edhe i varrosin dhe i zhvarrosin sipas nevojës.
Këtë atmosferë të papërfytyrueshme e plotësojnë qindra e mijëra veprime që lidhen me frikën, ankthin, ëndrrat, kërcënimet, vrasjet, vetëvrasjet, ikjet, burgosjet, internimet, urdhrat, zbatimet, varrosjet, zhvarrosjet etj. Dhe të gjitha këto prekin njërin mjedis dhe tjetrin, kryeqytetin perandorak dhe Shqipërinë e rebeluar, individin dhe shoqërinë, duke përcjellë të vetmen porosi: përuljen dhe bindjen e turmës. Figura e Ali Pashait është prototipi më tragjik i kësaj, për shkak se i mori guximin ta bënte të kundërtën e asaj që e kishte të lejuar nga sovrani i tij.