Kujtim Çashku: Jemi si në kohën e revolucionit kulturor kinez
Ditën e djeshme u mbajt Konsulta për Strategjinë Kombëtare për Kulturën për periudhën 2019-2025, e cila vuri në dukje problematika të rënda të institucioneve më të rëndësishme të kulturës në vendin tonë. Alarm për piraterinë, taksat e Ministrisë së Financave që pengojnë financimet e huaja dhe paralajmërimi i një reforme në kinematografi
Anila Dedaj
Konsulta e ditës së djeshme mbi Strategjinë Kombëtare për Kulturën për 6-vjeçarin e ardhshëm (2019-2025), për të cilin njoftimet kanë qenë të limituara, nisi me debat, pasi sipas të pranishmëve, pjesëmarrja duhet të ishte më e gjerë. Ndaj, qysh në krye të herës u kërkua një takim i dytë. Kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Ilir Butka u shpreh se për këtë nevojitet një leje nga Ministria e Kulturës, ndërsa ai vetë ishte i gatshëm. Madje, ai vazhdoi të prezantojë planin strategjik që është ndjekur duke vendosur në fokus disa nga objektivat për të ardhmen. Gjatë konsultës, ku morën pjesë emra të rinj dhe personalitete të kinematografisë, u krijua një debat që nxori në pah pikat e dobëta të kinematografisë shqiptare. Ndërsa ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro nuk mori pjesë në takim, zëvendësja e saj, Valbona Shujaku më shumë sesa për të dhënë përgjigje konkrete, ishte prezente për të mbajtur shënim propozimet, që sipas saj në vijim do të shqyrtoheshin. Një nga çështjet kryesore që u prek ditën e djeshme ishte nevoja për rritjen e financimeve. Sipas producentes Sabina Kodra mbështetja e kineastëve të rinj kërkon ndryshim të menjëhershëm. Ajo theksoi gjithashtu se duhet të implementohet edhe një sistem vlerësimi me pikë , pasi ndodh që projekte, të cilat nuk kalojnë fazën e zhvillimit të financohen, duke nxjerrë në fund një produkt tërësisht ‘skarco’. Regjisori dhe skenaristi Kujtim Çashku kërkoi të merren masa të menjëhershme në lidhje me piraterinë. “Mendoj se ky krim monstruoz në Shqipëri vazhdon të jetë i legjitimueshëm”. Problem shqetësues në lidhje me financimet që vinë nga jashtë kufijve është ai i ligjit të ri të tatimeve të përmendur nga producenti Genc Përmeti. “Ministria e Financave na paska bërë një ligj të ri të tatimeve, që në qoftë se vjen një shifër e caktuar nga jashtë duhet të paguash edhe TVSH-në mbi financimin që vjen nga jashtë”, u shpreh pasi tregoi rastin e tij konkret e duke nënvizuar se kjo është një barrierë më shumë për financimet e të huajve. Gjatë takimit u përmendën edhe çështje të tjera si nevoja për trajnime, për literaturë kinematografike, implementimi si lëndë në shkolla i kinematografisë, shpërndarja e kinemave në rrethe etj.
Kujtim Çashku : Pirateria, një krim monstruoz
Regjisori dhe skenaristi Kujtim Çashku ditën e djeshme mbajti një qëndrim kritik duke kërkuar nevojën e krijimit të një ‘think tank’ (një organizëm i pavarur nga forcat politike që merret me analizat e çështjeve publike kinematografike në këtë rast). Ai u shpreh se nuk është partizan i vijës së masave dhe kërkoi të ndryshohet mënyra se si paraqiten mendimet. “Format e vijave të masave zakonisht degradojnë dhe nuk kanë aftësinë për t’u thelluar, për t’u sintetizuar dhe për të zbuluar tendencat. Mendoj se marrin një karakter improvizues dhe raportues në përgjithësi nëse i referohemi dhe analizave vjetore që u bënë, raportimit të shifrave, fakteve etj. Unë do t’i sugjeroja zotit Butka një Think TANK, që është përgjegjësi në radhë të parë individuale për të parë se ku mund të vilen mendime, të cilat kanë të bëjnë me krijimin e shumë handikapëve, që janë krijuar qoftë edhe nga kjo periudhë që ka funksionuar Qëndra Kombëtare”. Mandej regjisori u shpreh se duhet të merren masa në lidhje me piraterinë. “Unë mendoj se është një krim monstruoz që ka ndodhur në Shqipëri dhe vazhdon akoma të jetë i legjitimueshëm edhe pse janë krijuar struktura, institucione e ligje. Përgjithësisht kjo frymë plagjaturistësh, njerëzish që mund të grabisin në të gjitha format, të përvetësojnë gjëra dhe të marrin pozicione të ndryshme në shoqëri, ky është vërtet legjitim i një portreti të papërshtatshëm për të menduar se mund të krijojmë një emancipim tërësor në kinematografi”. Çashku u shpreh se është e domosdoshme që ligjet ekzistuese të bëhen të implementueshëm. Ai u shpreh gjithashtu se kinematografia shqiptare vuan nga moszbatimi i ligjit të kinematografisë, i cili sipas kineastit ka ende hapësira boshe që nuk kanë pasur efikasitetin apo vlerën e duhur. “Tjetër gjë për t’u diskutuar është efikasiteti. Jemi akoma si kinematografi në një stanjacion. Nuk mendoj që kinematografia është në një fazë kaq të lumtur, edhe pse mund ë përdoret si argument kufizimi i buxheteve (Butka kundërshton pohimin e Çashkut lidhur me “stanjacionin e presupozuar” nga regjisori, pasi, sipas tij, janë bërë përparime)”. Regjisori duke kërkuar përsëri nevojën për ‘think tank” foli edhe për mënyrën sesi procedohet me kontratat individuale. “Ne jemi ende në kohën e revolucionit kulturor kinez, që akoma nuk ka nënshkruar kontrata individuale aktori dhe ju e dini se ne jemi nënshkrues të kontratës së Konventës së Bernës dhe mbajmë përgjegjësi të plotë dhe ju si institucion duhet patjetër të mbyllni këto që quhen kontrata individuale. Prona para ’90-ës është e lidhur me Qendrën Kombëtare dhe prandaj them se duhet ‘think tank’”. Çashku qartësoi se bëhet fjalë për artikuj specifikë që në bazë të standardeve evropiane precizojnë se çdo të thotë një mbyllje kontrate për një autor të caktuar. “Do të shkojmë në atë pikë që do të quhet autor edhe drejtori i fotografisë, siç e keni vendosur në listë gjë që është absurditet total. Nuk e di nga i keni marrë këto dhe pse?”.
“Do të bëhet reformë në kinematografinë shqiptare”
Kineasti Kujtim Çashku ndër të tjera ditën e djeshme u shpreh se në lidhje me procedimin për mbylljen e kontratave individuale kishin njoftuar më herët institucionet përkatëse në rrugë zyrtare, por nuk kanë marrë nga ana e tyre asnjë përgjigje. “Në Komisionin parlamentar që mbulon medien dhe kulturën kemi diskutuar dhe i kemi shpjeguar edhe me shkrim, si dhe kemi njoftuar edhe Ministrinë për të thënë se është një shkelje e një konvente ndërkombëtare që prevalon mbi aktin lokal dhe përsëri nuk është marrë në konsideratë”. Duke pasur parasysh edhe këtë neglizhencë nga ana e institucioneve ai theksoi se pritet reforma në kinematografi. “Unë mendoj se ngritja e këtij ‘thin tank’ pranë qendrës mund të jetë një ndihmë si një hallkë që mundet vërtetë të filloj dhe të koordinoj për të krijuar fjalorin e fjalëve që kanë kuptime të njëjta për reformën ku do përdoren. Sepse do të bëhet një reformë dhe kjo nuk diskutohet”. Sipas Çashkut për të realizuar këtë reformë duhet që fjalori i përdorur të ketë të njëjtin kuptim pasi ndryshe do të ketë përplasje mes dokumenteve lokalë dhe atyre ndërkombëtarë, të cilat kineastët janë të detyruar t’i aplikojnë.
Sabina Kodra: Financohen projekte që nxjerrin produkte ‘skarco’
Producentja Sabina Kodra qysh në fillim të takimit të djeshëm për konsultimin e Strategjisë së Kulturës për 6-vjeçarin e ardhshëm kërkoi që të bëhej e qartë nëse dialogu do të zhvillohej me përfaqësuesit e Ministrisë së Kulturës apo ata të Qendrës. Kryetari i QKK-së, Ilir Butka u përgjigj se: “Ministria duhet të na ndihmojë në realizimin e strategjisë”. Kodra mandej kujtoi propozimin që erdhi në shkurt nga Ministria e që ishte jashtë konceptit të Qendrës Kombëtare, një projektligj “lapsus” gati i harruar nga përfaqësuesit e Ministrisë të cilëve producentja ua rikujtoi. “Ju keni bërë një propozim për artin dhe kulturën, ku përfshitë Qendrën Kombëtare të Kinematografisë. Ne nuk morëm kurrë shpjegim pse kjo gjë u bë”, u shpreh Kodra. Mandej ajo filloi propozimet e saj duke u ndalur në dy çështje kryesore, mbështetjen e kineastëve të rinj dhe implementimin e një sistemi vlerësimi. “Nëse ka diçka që mund t’i dhurojë kinemasë shqiptare një të ardhme të ndritur që të gjithë ëndërrojnë, kjo do të vijë nga kineastët e rinj. Nëse vëmë re shifrat, dy sukseset më të mëdha deri tani kanë ardhur nga kineastë që i kanë pasur veprat e tyre të para. Do të sugjeroja shumë fort që politikat e Qendrës në lidhje me kineastët e rinj të ndryshojnë tërësisht. Duhet t’u jepet prioritet. Për mua është vepra e parë dhe e dytë, pastaj kalohet tek vepra e karrierës siç e ka gjithë bota. Unë do t’i jepja një vëmendje e jashtëzakonshme këtyre dy veprave. Kineastëve të karrierës besoj se iu është dhënë shansi, herën e parë, herë e dytë dhe nëse nuk kanë pasur ‘feedback’ pozitiv për dy veprat e tyre, atëherë duhet të gjejnë mënyra alternative jo thjesht vetëfinancimi, por të autovërtetimit. Pra, duhet të gjejnë një mënyrë se si ata të autovërtetojnë veprat në gjithë tregun ndërkombëtar dhe këtu nuk jemi duke folur për një kinema lokale, por për një kinema ndërkombëtare”. Producentja theksoi se diskutimi nuk duhet kufizuar tek kinematë shqiptare, pasi kështu nuk shkon asgjëkundi. Ndërkohë që tjetër çështje që kërkon vëmendje gjatë ndërtimit të strategjisë për planin 6-vjeçar është zhvillimi i projektit, sipas Kodrës. “Është një nga hallkat më të dobëta në konceptimin e projekteve, në mënyrën sesi ne konceptojmë dhe zhvillojmë projektet. Në të gjitha statistikat që ka pasur Qendra në 20 vitet e fundit, për mendimin tim, të vetmet projekte të cilat kanë sjellë suksese të mëdha ndërkombëtare kanë qenë të gjitha ato projekte, që kanë kaluar në zhvillim projekti ndërkombëtar. Kështu që, nëse ne nuk arrijmë të ndërfusim projektet në sistemin e zhvillimit të filtrimit do të vazhdojmë të financojmë projekte që nuk kanë asnjë lloj suksesi dhe i heqim shansin projekteve të tjera që janë shumë të mira duke u futur në një amulli vlerësimi. Ne jemi një nga vendet e vetme në Evropë të cilat nuk bëjnë thirrje për financime të zhvillimeve të projektit. Për mendimin tim një projekt, që nuk i nënshtrohet financimit për zhvillim projekti nuk ka se si të futet për financim”. Kodra theksoi se financimi i projekteve që nuk kalojnë fazën e zhvillimit është një nga ngërçet më të mëdha që sjell produkte të dështuara. “Ne kemi parë projekte që nuk e kanë kaluar fazën e zhvillimit të projektit, nuk e kanë kaluar fazën e zhvillimit të skenarit dhe futen për financim. Financohen dhe në fund fare shohim një produkt që është tërësisht ‘skarco’. Mandej ne diskutojmë me njëri-tjetrin nëpër tavolina se askush nuk ka kurajën të dalë dhe të thotë se ky ishte një produkt ‘skarco’. Diskutojmë se ky ishte një produkt i cili nuk duhej financuar, sepse ky ishte një skenar i pazhvilluar qysh në krye të herës”. Për të gjitha këto Kodra propozoi vlerësimin me pikë të projekteve, pasi aktualisht shpjegoi se Bordi jep si përgjigje vetëm një Po ose Jo, që mundëson kalimin e projektit ose mosfinancimin e tij. “Bordi bën një vlerësim Po ose Jo, ndërkohë që te këto projekte mund të ketë tre vite punë pas. Tre vite punë ku ti thjesht vlerësohesh me një Po dhe Jo” .
Gentian Koçi: Jemi të varur nga kinematë private
Regjisori Gentian Koçi, filmi i të cilit “Dita zë fill” iu shtua llogarisë së sukseseve të Qendrës, ditën e djeshme propozoi ndër të tjera krijimin e një mediateke si dhe hapjen e kinemave në rrethe. “Duhet një kinematekë dhe një mediatekë sepse edhe qyteti më i rëndomtë i një shteti evropian i ka. Është shumë e rëndësishme prania e tyre, si dhe shpërndarja e filmave në të gjithë qytetet mundësisht dhe në fshatrat e Shqipërisë. Ne nuk kemi një sallë kinemaje ku të jepet një film shqiptar”. Koçi foli gjithashtu për varësinë e distribuimit të fimit nga kinematë private, çka përbënte një tjetër disfavor në punën e kineastëve. “Privatit i intereson më shumë të shfaqë filma kokoshkash. Kinematë private shikojnë më shumë interesin ekonomik, nuk shohin interesin social, artistik etj”. Mandej ai u shpreh për implementimin e lëndës së kinematografisë në mënyrë urgjente në programin e shkollës së mesme. “
Iris Elezi: Kushte skandaloze në vendin ku ruhet trashëgimia
Drejtorja e Arkivit Qëndror Shtetëror të Filmit, Iris Elezi, gjatë diskutimit që u bë ditën e djeshme, në prag të Strategjisë për Kulturën, preku disa nga problematikat e institucionit që drejton. Ndër të tjera ajo bëri me dije, edhe restaurimin e “Dorëzimit të Shkodrës”, si projekt në realizim për të cilin Arkivi nuk i disponon 800 eurot e nevojshme. “Vendi ku ruhet trashëgimia filmike shqiptare nuk ka telecine në punë e as klimatizim. Jemi duke folur për një kinematografi që është në udhëkryq dhe kjo ndodh sepse nuk ka libra, sepse ne nuk lexojmë si popull. Këto ndodhin, ndër të tjera, edhe sepse ne nuk njohim kinematografinë shqiptare. Ajo theksoi gjithashtu faktin se gjatë shfaqjes së “Kinematografisë së viteve 90”, kanë shkuar rreth 1478 njerëz, mirëpo prej tyre kineastë, përfshirë të pranishmit në konsultë kishin qenë shumë pak. “Unë jam duke shfaqur kinematografinë shqiptare, njerëz që ju i njihni, njerëz që keni punuar me ta”. Elezi theksoi se kinemateka mbetet një nga plagët e institucionit që has edhe probleme të tjera shumë të mëdha. “Ju them se ne nuk kemi as videoprojektor, e megjithatë në formën më të mirë, në 35 mm në formë profesionale, ne provojmë të sjellim kinematografinë shqiptare dhe thesare të filmave të huaj”. Për drejtoren e Arkivit, duhet fokusuar vëmendja tek historia kinematografike, që po zhduket çdo ditë, bashkë me krijuesit e saj. “Neve po na vdesin njerëz përditë, miqtë tanë, historia jonë po zhduket dhe ne po diskutojmë për mediatekë…”. Elezi ceku edhe mungesën e buxhetit duke folur për një nga projektet në realizim, “Dorëzimi i Shkodrës”. “Unë do të paguaj 800 euro që nuk i kam në institucionin që drejtoj, sepse ju nuk vini tek Arkivi Qendror i Filmit, ku po punohet, që myku të mos ju hajë juve punën, pavarësisht kushteve skandaloze”.
Genc Përmeti: Ministria e Financave “pengon” financimet e huaja
Producenti Genc Përmeti, i pranishëm gjatë konsultës për Strategjinë foli për një çështje kritike që penalizon financimet e projekteve nga të huajt. Ai rrëfeu se për një projekt që nuk kishte asnjë lloj financimi nga Qendra, kishte bashkëpunuar me një kompani të huaj. “ Për të bërë xhirimet në Shqipëri, thjesht për lokacion, produksioni i huaj kaloi fondet. Mirëpo na del një gjë e bukur, Ministria e Financave na paska bërë një ligj të ri të tatimeve, që në qoftë se vjen një shifër e caktuar nga jashtë duhet të paguash edhe TVSH-në, mbi TVSH-në që vjen nga jashtë. Dhe çfarë të bëjmë, si do t’i ftojmë të huajt që të vinë këtu? Kjo është më e keqja që mund t’i bëhet thithjes së financimeve të të huajve për të xhiruar për location në Shqipëri”, u shpreh ai duke thënë se financuesit e huaj sapo mësojnë një fakt të tillë më parë zgjedhin të xhirojnë në Honolulu sesa në vendin tonë./shekulli/