Albspirit

Media/News/Publishing

Rudolf Marku: ‘Internimi i Kufomës’

 

 

1.

 

Internimi i Kufomës”,  është vepra e një autori të panjohur për lexusin e gjërë (të paktën deri para pak vitesh më parë). I panjohur, në kuptimin e përjashtimit nga ay mekanizmi mediatik që do të na imponojë emra dhe vepra të shënjtëruara prej kritikëve a studiuesve a botuesve  që duan t’u japin trajtë shijeve tona dhe hierarkisë së vlerave. Emrin e Marçel Hilës e kam ndeshur rastësisht veç një herë të vetme në një shkrim të poetes së talentuar dhe dashamirëse Mimoza Ahmeti, e cila ka dëshmuar dhe më parë  se  vëmendjen e saj e terheqin veprat me vlera ende të pakurorëzuara prej kunorave të kritikës a të shtypit të përditshëm.

Vetë autori e quan vepren ‘Roman’. Në të vertetë, unë do preferoja ta quaja Histori Letrare, ashtu siç e mendojnë postmodernistët trajtimin e historisë si atë formë të letërsisë, ku shkrimi i bukur letrar përfshihet natyrshëm në ligjitimitetin e praktikës historike. Sidomos pas viteve ’70 të shekullit të kaluar, në historiografinë serioze  filluan të shfaqen ca vepra në të cilat zhargonet e fosilizuara sociale dhe historike u zëvendësuan me shkrimësinë e bukur dhe elegante të narratives. Si shembull i kësaj historiografie mund të merren veprat e Simon Schama-s në Anglinë e ditëve të sotme: “Qytetarë- Një kronikë e Revolucionit Francez” dhe vepra e Orlando Figes “Një tragjedi popullore: Revolucioni Rus 1891-1921”. Që nga botimi i këtyre dy veprave prestigjioze,  në historiografi, si të thuash, u legjitimua dhe një formë tjetër e shkrimit të historisë: në vend të trajtimit të temave të mëdha tradicionale të historisë, historianë  të ndryshëm preferojnë të shkruajnë rreth incidenteve personale, njëlloj, të individëve të famshëm dhe individëve aspak të njohur. Si të thuash, tërësia historike tregohet përmes samples, përmes grimcave të vogla, të cilat sillen brenda narratives së gjërë historike… Librat “Kthimi i Martin Guerre” i Natalie Zemon Davis dhe “Masakra e madhe e maces” e   Robert Darnton na e tregojnë historinë përmes narratives së njerëzve a ngjarjeve të panjohura dhe të errëta, në vend të njerëzve a ngjarjeve të famshëm e të njohur.

Vepra e Marçel Hilës  është një vepër që përfshihet në këtë kategori të historiografisë moderne.

2.

Vepra e Marçel Hilës na tregon historinë e vertetë prekëse të një familjeje shqiptare menjëherë pas instalimit të komunistëve në Pushtet : ditën  që i vdes njëri nga të dy djemtë, familja fatkeqe merr urdhrin e internimit. Vila e familjes, që fatalisht ndodhet në atë zonë që do quhej më vonë Bllok,  është lakmuar që t’i jepet shefit të sigurimit të Gardës, një vrasësi që aktualisht ende jetonte në Brataj të Labërisë. Fati i familjes që internohet së bashku me kufomen e pavarrosur, ngase dhe djali i vdekur  është i përfshirë në listen e internimit, dhe kësisoj nuk ka të drejtë që të varroset në Tiranë, dhe fati i vrasësisit profesionist nga Brataj, që i duhet të udhëtojë urgjentisht në Tiranë së bashku me familjen e vet, për të marrë detyrën e re dhe Vilën e  re në Tiranë, ndërthuren herë tragjikisht dhe herë në mënyrë groteske, përmes vizatimit me mjeshtëri të karaktereve të shumtë, që nga Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Muço Mevlanaj dhe, nga ana tjetër, Zoi Xoxa, Eleni, Kostaqi dhe Muzaka, një registër ky i mjaftueshëm për të na dhënë tmerrin e Komunizmit shqiptar. Një historiograf skrupuloz do të më kujtonte fjalët e Robert Finlay-t që “historiani nuk duhet t’i bëjë njerëzit e së shkuarës që të thonë a të bëjnë gjëra që nuk provohen nga faktet a burimet arkivore”. Në të vertetë, Kapitulli i Pestë  është një dialog mes Diktatorit dhe Koçi Xoxës.  Në zyrën e Diktatorit vendoset dhe fati i Zoit, karakterit qëndror të librit. Robert Finlay-t mund t’i përgjjigjeshim se portretet dhe dialogjet e Diktatorit, përshkrimi me detaje i fatit të familjes Xoxa, apo grotesku i Muços, i gruas së tij, Lutfijes, apo i nënë Zyrasë, skena kur Lutfija për herë të parë do që të blejë një palë këpucë grash  në Vlorë,  apo ajo mahnitja e përzier me zili, kurreshtje te fshehur  seksuale dhe me urrejtje, kur Lutfija sheh në sirtarët e shtëpisë për herë të parë në jeten e vet të mbathura grashë apo libra (qitape- i quan ajo dhe Muçua) – të gjitha këto janë të ligjshme në të vërtetën  historike, sepse përputhen besnikërisht me çdo gjë që njohim për Diktatorin apo për gruan  e fshatrave të Labërisë në ato vende të Shqipërisë  së asaj kohe, apo dhe më parë- përshkrime të njëjta na japin dhe burimet e mëparshme për gruan e atyre krahinave  (kam parasysh, psh librin “Ditari i një Peizazhisti” të poetit dhe piktorit të njohur anglez Eduard Lear, një shekull më parë, shkruar dhe botuar nga koha kur zhvillohen ngjarjet e librit të Marçel Hilës). Jo vetëm kaq, por mendoj se vlera më e madhe  e këtij libri  është ajo që  të tjerët mund ta mendojnë si pikën e dobët të këtij libri, raporti i librit me të vertetën historike.  Është një libër ku ndjehet terheqja e parrezistueshme e autorit për të vertetën historike, aq sa duket se autori i  qëndron besnik shkrimtarit Octavio Paz që i atribonte Sollxhenicinit forcën e rrëfimit të së vertetes, tek  thoshte se Në një shekull të mbushur me dëshmi të rreme, një shkrimtar duhet të bëhet dëshmitar i Njeriut!

Një skenë e paharruar e librit  është takimi i Muços me Diktatorin. Ka në këtë skenë diçka nga romani “El señor Presidente”, të Asturias a nga “Vjeshta e një Patriarku”, të Marquez: harmonia e përjetshme e së keqes, tërheqja deri në skllavëri e Mjeshtërit të Madh të torturave dhe vegles së ti; Muço, ky vrasës macho, fjalëpak dhe i heshtur, ka gati –gati një tërheqje  homoseksuale drejt Diktatorit. Kur Lutfija  këmbëngul duke i thenë të shoqit që ai duhet t’i tregojë asaj çdo gjë nga takimi i tij me Diktatorin, ai përgjigjet duke i thënë,  si prej një deliri të thellë, se “ai është i bukur, moj, i bukur, si melek ( engjëll)- njeriu më i bukur që më kanë zënë sitë…”. Një skenë që të mbetet në mend për një kohë të gjatë.  Por edhe kjo skenë  është në harmoni të plotë me të verteten historike, sepse gjithçka  është në përputhje me tipologjinë e Diktatorit shqiptar dhe të veglave të tij.

Ky libër  që vjen si një hirushe e panjohur, modeste, kokulur, pa pretendime hierarkike, e nxjerr padashje të zbuluar keqas një pjesë të mirë të raportit të historiografisë, dhe , pse jo, dhe të letersisë bashkëkohore shqiptare, me të Vërteten.  Nuk  është e rastit që librin e vet Marçel Hila guxon ta mbyllë me një shqetësim për të Vërtetën: “Ai vënd (Blloku-shënim i artikullshkruesit)…të afron material për një sagë gjigante, interesante, origjinale dhe prekëse. Letersia shqipe i detyron një vëmendje të madhe atij skaji.  Është e habitshme që letrarët tanë nuk janë kujtuar ende për këtë! Do Zoti dhe zgjohen një ditë”!

 

3.

Libri i Marçel Hilës na kujton edhe njëherë se Shqipëria  është njëri dy vendet e vetme ish-komuniste që nuk e ka arritur atë që psikiatristët e quajnë Closure. De-stalinizimi i Hrushovit në Rusinë e fundit të  viteve 50’ të shekullit të kaluar dhe De-enverizimi i Shqipërisë  në fundin e viteve ‘90 dhe në dy dhjetëvjecarët e Shekullit XXI  kanë qënë thjesht manovra politike për t’u ngjitur në pushtet me taktiken e manipulimit të shpresave popullore- rezultantet e destalinizmit dhe të de-enverizmit janë  konsolidimi i mëtejshëm i pushtetit komunist, ruajtja e strukturave të dikurshme, prurja në pushtetin politik dhe në atë ekonomik i fëmijëve të kastave të  udhëheqëse komunistë,  përdorimi i leksikut të njëjtë dhe i arrogancës së njëjtë komuniste nga pushtetarët e djeshëm e të e sotëm, falsifikimi i krimeve, falsifikimi i dosjeve, shpifja ndaj kundërshtarëve politikë dhe futja në grindje e ish të përndjekurve dhe e kundërshtarëve të dikurshëm, për ta diskredituar jo vetëm kundërshtarin e sotëm, por dhe atë të djeshmin. Marçel Hila e përfundon librin duke na njoftuar atë që lexuesit e dijnë me kohë, që Kostaq Xoxa, i cili sot  është tetëdhjetë e gjashtë  vjeç, nuk ka arritur ta marrë me rrugë ligjore ish-shtëpinë, pronen e vet të ligjshme, Vilën në Bllok, që u pat  bërë shkak për tragjedinë e jetës së tij: “Ata që ikën të përzënë prej asaj shtëpie, nuk e fituan më të drejtën mbi të. Ata që hynë, nuk e kanë lëshuar ende”- kjo  është një frazë e ftohtë e hedhur diku nga fundi i librit, një frazë që duket e marrë nga një akt-protokoll noterik. Por që të rrëngjeth me të verteten e vet.  Është ky realitet që e bën librin e Marçel Hilës një vepër me një vlerë të jashtëzakonshme. Nuk  është e rastit që ky libër  është i vetë – botuar mga autori. Asnjë Shtëpi Botuese nuk e ka marrë përsipër botimin e këtij libri. Dhe pothuajse asnjë librari nuk ka pranuar të marrë kopjet e këtij libri për t’ia dhënë lexuesit. Duket se armiqësia ndaj së vertetës historike  është e fuqishme dhe e mirë- organizuar në shoqërinë  shqiptare…

Vitet e fundit  tek ne është folur dhe vazhdohet të flitet si kurrë më parë për Historinë. Dhe  është e kuptueshme që, në një vend si ky yni, ku historia, sidomos historia e kohërave moderne,  është konceptuar si  një shkencë e politizuar dhe e ideoligjizuar deri në palcë, kryetema të jetë pikërisht ajo që ka munguar dhe mungon: e verteta historike. Jetojmë në një shoqëri ku,  siç do të thoshte historiani i njohur bashkëkohës anglez,  zoti Donald Rayfied, e verteta e së shkuarës  është  e kyçur në arkiva të fshehura, dhe këto arkiva përherë  e  më  tepër na bëhen të paarritshme. Edhe ato pak gjëra që botohen nga Arkivat, ato janë  të  para-seleksionura me kujdes dhe të retushuara, po ashtu siç ndodhte  gjatë regjimit  komunist, që, tek shihnje një fotografi arkivore a një document,  duhej të mendoje për pjesët që ishin prerë me gërshërë. Tekstet shkollore dhe akademike të Historisë, me përjashtime të rralla, i kalojnë në heshtje, ose i artikulojnë me gjysëm zëri, faktet e krimeve të komunizmit. Duket se “Internimi i Kufomës”  është një libër që do të ngul  këmbë se, derisa historia të jetë treguar deri në fund, dhe derisa komuniteti botëror të ngulë këmbë që legjitimiteti i komunizmit të japë llogari të plotë, Shqipëria dhe vendet e ngjashme si ajo, do të mbesin vende shpirtërisht të sëmura, të ndjekura nga fantazmat e  Enver Hoxhës dhe të kasapëve të tij, dhe,ç’ është  më e keqja, të ndjekur nga ankthi i ringjalljeve së këtyre fantazmave.

Dhe libri i Marçel Hilës është nga ato libra të rrallë që idenë e objektivitetit të historisë moderne shqiptare e sheh si një realitet të së kaluarës, ku e verteta duhet të  korrespondojë  me atë realitet.

Please follow and like us: