DIKTATURA NËPËRMJET TREGIMEVE
(Mbresa nga leximi i vëllimit “Gruaja me të zeza” i Makensen Bungos)
Nga Eugjen MERLIKA/*
“Gruaja me të zeza” është ndihmesa e fundit e prozatorit Makensen Bungo në lëmin e një fushe pak të lëvruar të letrave tona, asaj të kallzimit të krimit komunist në të gjitha çfaqjet e përmasat e tij.
Titulli i librit përkon me atë të tregimit më të gjatë të vëllimthit, duke bartur në vetvete simbolikën e një epoke historike që, në Vendin tonë, shënoi me ngjyrën e zezë shumë nga jetët e familjeve shqiptare. Nuk ishte ngjyra e parapëlqyer e fashizmit, ishte pasoja e triumfit të së kuqes, ngjyrës së gjakut, ngjyrës emblemë të komunizmit që, nëpërmjet veprës së tij shkatërrimtare të “botës së vjetër” dhe ndërtimit të “parajsës së vegjëlisë”, veshi me të zeza shumë gra e vajza shqiptare, duke dërguar mizorisht në botën tjetër bijtë, burrat, vëllezërit e të dashurit e tyre. Ky ishte përfundimi më i dukshëm i asaj sprove të përbindëshme që u çfaq në skenën historike të Evropës lindore në veshjen e fituesit të luftës e që, fatkeqësisht, edhe mbas dhjetëvjeçarësh dështimi e mizorie, edhe mbas fundit të saj tragjikomik, në pjesën më të madhe të opinionit të kontinentit të vjetër, në thelb mbeti e pandëshkuar, e veshur me një aureolë ideali që nuk mund të përdhosej nga “gabimet” e individëve.
Autori e ka jetuar në vetë të parë gjithë harkun kohor të përvojës komuniste në Atdheun e tij, duke pësuar dhunën e saj në shumë drejtime. Si shqiptar, i rritur dhe i formuar në kudhrën atdhetare të mësuesve të shkollës Normale t’Elbasanit, u bë shpejt i vetëdijshëm se interesat kombëtare, të mbrojtura me aq vetmohim nga firmëtarët e aktit të Vlorës, u nëpërkëmbën nga “kryetrimat e Shqipërisë” deri në braktisje, madje ende më keq, deri në bashkëpunimin kriminal me varrmihësit e “çështjes shqiptare”. Si qytetar, ëndërrues i një Vendi të lirë e demokratik, pa se bijtë e tij më të mirë, ata që synonin të sendërtonin demokracinë shqiptare simbas shembëlltyrës perëndimore, përfunduan, në shumicën dërmuese të tyre, në plotonet e ekzekutimit, në qelitë e errta, në dhomat e torturave, në kampet e punës së detyruar apo në varret pa emër. Si njeri kuptoi shpejt se “rendi i ri” ishte i prirur të mos respektonte normat morale të shoqërisë shqiptare, por synonte që t’i zëvendësonte me një sistem rregullash e ligjesh të huazuara nga përvoja e Rusisë bolshevike, fari ndriçues dhe modeli për t’u imituar i komunistëve shqiptarë.
Ky zhgënjim trefish ka shoqëruar autorin e librit në dhjetëvjeçarët e sistemit, duke bërë që të grumbullojë në kujtesën e tij ngjarje dhe episode të shumta, si një lloj filmi dokumentar që, me ndonjë ripunim të çastit, fatmirësisht, sot i serviren lexuesit shqiptar. Vlera e dëshmisë bashkohet me vlerën letrare, për t’i dhënë lexuesit jo novela dashurie me një fund të lumtur, por tregime që të ndalin frymën e të bëjnë të përsiatësh gjatë në vetvete rreth një bote jashtë kontureve të logjikës normale, që fatmirësisht i përket së shkuarës së Shqipërisë, por që mbetet ende e gjallë në pjesë të tjera të botës. Autori nuk huazon nga “realizmi socialist” frymën militante, nuk i kthen tregimet në demagogji sulmuese të sistemit, ruan formën klasike të rrëfenjës, megjithëse ndonjëherë tregimtari i lëshon vendin publiçistit duke dëmtuar linjën e saj.
Vëllimthi “ Gruaja me të zeza” përbëhet nga dhjetë tregime, që kanë për subjekte ngjarje të vërteta, të jetuara ose të kallzuara, në të cilat fantazia e autorit punon pak, duke i lënë vendin më tepër aftësisë vëzhguese e përshkruese të mjediseve e karaktereve të personazheve. I pari titullohet “Xha Thanasi” e përshkruan mjedisin e fshatit jugor të kohës së luftës, me luhatjet e njerëzve për t’u përfshirë në rrymat e ndryshme ushtarake e politike të çastit historik. Tema i referohet kohës “kur hidheshin themelet”, nëse do të parafrazonja titullin e një libri të shumë viteve më vonë të protagonistit kryesor të asaj ndërmarrjeje sipërnjerëzore mashtrimi, që i kushtoi aq shtrenjtë Shqipërisë e banorëve të saj. Në qendër të tregimit është figura e xha Thanasit, shqiptarit autentik, për të cilin interesat e atdheut kushtëzojnë çdo vendim të jetës vetiake. I fundit është “Nusja nga malësia”, një përshkrim rrënqethës i njërës prej tragjedive të gomoneve në detin Adriatik, humnerat ujore të të cilit gëlltitën jetët e shqiptarëve së bashku me ëndrrat e tyre për t’ardhmen jashtë vendlindjes, mbasi shembja e gërmadhës së socializmit të Ramiz Alisë u dha atyre lirinë, por jo shpresën për të jetuar normalisht në Vendin e tyre. Në këtë tregim preket shqetësimi i madh i shkrimtarit atdhetar për fatet e Shqipërisë paskomuniste. “ Ikte rinia e Shqipërisë e mërzitur, e dëshpëruar, e lodhur, e tradhëtuar, shpresëhumbur. Ikte, ikte, ikte. Ndërsa Shqipëria nga dita në ditë plakej dhe thinjej para kohe..”. Është një klithmë e fuqishme zhgënjimi e dëshpërimi që na kujton elegjinë e famshme të Pashko Vasës, një tjetër dëshmi e funksionit prej tribuni të shkrimtarëve shqiptarë.
Të dy tregimet janë në skajet e një parabole të një sistemi shoqëror e politik që filloi me krisma armësh vëllavrasëse në fillimin e viteve 40 e që mbaroi me rrëzimin e një monumenti në qendër të Tiranës në shkurtin e 1991, së bashku me pasojat rrënuese të një dështimi që i shkaktoi Shqipërisë hemoragjinë më të madhe mërgimtare në historinë e saj. Ndërmjet këtyre dy skajeve shtjellohen të tjera subjekte, çfaqje të ndryshme të dhunës së socializmit real të markës shqiptare.
Apostol Gega është personazhi i tregimit me titull “Vdekja e bardhë”. Është një mësues i ri që kundërvepron ndaj prirjes së regjimit për të vendosur diktaturën e për të mohuar vlerat atdhetare të mjedisit shqiptar. Është një nga herojtë e vërtetë, të cilëve nuk i dhimset jeta, nëse ajo vihet në rrezik, kur bëhet fjalë për të shpalosur e mbrojtur idealet, një nga ata që dijnë të rrojnë por edhe të vdesin me dinjitet. Fatkeqësisht ata ende nuk gjejnë vendin e tyre në Panteonin e kujtesës historike të popullit të tyre, mbasi në opinionin zyrtar ende luhaten mes “shkelësve të ligjit” dhe viktimave të dhunës. Një i tillë është edhe Marku i tregimit “Kënga e të burgosurit”, për mendimin tim, një nga më të arrirët jo vetëm të vëllimit por edhe të gjinisë së tregimit shqiptar.
Në të evokohet tradita shqiptare që bie ndesh me “rendin e ri”. Janë dy botë që nuk pajtohen. Personazhi është malsor e fisnik, për të cilin miku është i shenjtë e i paprekshëm. Dorëzimi i tij në qeveri është një sakrilegj, një vdekje morale e papranueshme. Ky është mësimi që i ka përcjellë brez mbas brezi tradita e maleve, është sinonim i nderit vetiak e familjar. Shkelja e tij është e pakonceptueshme për mendësinë e malsorit, është kthyer në një dogmë, të cilën vetëm “bijtë e Stalinit” mundohen t’a thyejnë nëpërmjet dhunës së pashembullt e kultit të vdekjes. Marku dënohet me vdekje mbasi ka strehuar në shtëpi e ka përcjellë jashtë kufirit një mik të familjes të ndjekur nga Sigurimi i Shtetit. Akti i sjell ndër mënd lexuesit qëndresën e gjatë antikomuniste të luftëtarëve të lirisë në malet e veriut dhe rolin aktiv të banorëve t’atyre anëve në mbështetje të saj. Janë faqe të lavdishme që, kur të shkruhet historia e vërtetë, do të përbëjnë një motiv të fortë krenarie të ligjëshme për gjithë kombin tonë.
Fundi i tregimit i ngjan një simfonie madhështore. Kënga e dalë nga thellësitë e birucës së të dënuarit me vdekje e, njëkohësisht, nga thellësitë e një shpirti të vrarë jo aq nga prangat se sa nga malli për nënën, gruan e fëmijët e vegjël, i bën jehonë një litanie që buron nga toka arbërore e shpërndahet mbi të gjithë banorët e saj brënda e jashtë telave me gjemba. Amanetet e këngës të fusin në atmosferën e balladave të lashta, një lloj vazhdimësie tragjike që vjen deri në kohët moderne.
Temës së burgut politik, simbolit më të spikatur të dhunës së “diktaturës së proletariatit” i kushtohet edhe tregimi “Nëna”, që rrok një temë sa të njohur aq dhe të parrahur, atë të rolit, qëndresës dhe sakrificës së gruas shqiptare në kontekstin e vazhdës së gjatë të përndjekjes komuniste. Kanë qenë ato heroinat e vërteta të heshtura të qëndresës ndaj dhunës së regjimit. Ishin ato që përballoheshin me hetuesit e policët nëpër dyert e degëve të punëve të brëndëshme, apo të burgjeve e kampeve të punës, në rolin e grave, të nënave, të motrave, të gatëshme për sakrificat më sublime, të prirura për të mbrojtur skajshmërisht dashurinë e tyre. Nëna e tregimit të Makensen Bungos, para hetuesit barkmadh e të vetëkënaqur, që me cinizëm prej krimineli i komunikon dënimin me vdekje të birit 18-vjeçar, të arrestuar në bangot e gjimnazit, nuk gjen tjetër armë për të luftuar veç pështymës që i a hedh në surrat. Ajo pështymë nuk është thjesht shprehje e urrejtjes deri në përbuzje të një gruaje, që ndihet e goditur në gjënë më të shtrenjtë që ka, birin e vetëm. Ajo pështymë është shprehje e qëndresës, e refuzimit të një sistemi të tërë që mbështetet mbi dhunën, padrejtësinë e mashtrimin. Ajo nuk mbetet vetëm në fytyrën e hetuesit, por i përcillet eprorëvetë tij deri tek organet udhëheqëse të Shtetit.
Mospranimi i sistemit, ndarja morale e qytetare me të është lejtmotiv edhe i tregimeve të tjera e i personazheve të tyre. Kështu spikat figura e mësuese Donikës tek “Fletë lavdërimi” apo i Nënës labe në tregimin me të njëjtin emër. Këto trajtojnë tema më të “lehta”. Personazhet nuk janë hetuesit shpirtkazmë apo rojet e burgut, por mësues që, duke përçuar në shkollë “vijën e partisë”, lënë në klasë fëmijën sepse ka babanë t’arratisur, apo i mohojnë meritën në studim sepse ka patur vëllanë në burg. Në pamje të parë duken marrëzira të vogla që, shpesh, i visheshin njërit apo tjetrit, por sa dhjetra mijra raste të tilla janë vërejtur në gati gjysëm qindvjetin e regjimit. Sa qindra e mijra fëmijë janë rritur nën trysninë e kompleksit të “dallimit klasor”, më i keq se sa ai racial, të getove, të Sovetove, janë rritur të ndrydhur, pa inisjativë, pa konceptin se janë qënie njerëzore të barabarta me të tjerët. Ja dhe një nga motivet sepse shtresa e ish të përndjekurve, me ardhjen e ndryshimeve të shumëpritura, nuk qe në gjëndje, të përfaqësohej denjësisht në luftën politike, veç strategjisë së parapërgatitur nga mbajtësit e pushtetit. A ka njësi matjeje për të përcaktuar dëmet e shkaktuara këtyre krijesave, plagët shpirtërore të majisura në moshën e lodrave? A vret sot ndërgjegja ndonjë nga armata e madhe e arsimtarëve që, në shumë raste, u bënë përçues t’asaj ideologjie që shihte edhe te një fëmijë një “armik klase”, një tabelë qitjeje?
Është e vërtetë se secili duhet të fitonte bukën e gojës nëpërmjet profesionit të tij, por kishte mënyra të ndryshme për të vënë në zbatim urdhëresat edhe pa vrarë moralin e fëmijëve. Nuk di nga do të anonte ballanca në një përllogaritje të “ të mirëvë” e të “të këqijve”, por për përvojë vetiake mendoj se do të anonte nga të parët. Autori, ish mësues, mundohet të jetë objektiv në gjykimin e kolegëve. Mësuese Donika shprehet “S’kanë turp! Merren me një fëmijë.“, ndërsa Nëna labe, që përmbledh në vetvete gjithë urtinë, bujarinë e virtytet e grave të moshuara shqiptare, me keqardhje thotë:”Ç’faj kanë fëmijët e shkretë?”. Janë dëshmi të thjeshta të qëndresës ndaj së keqes e, jo rastësisht, janë figura grash që e personifikojnë atë. Janë pjesë e atij mozaiku femëror që pasurohet në vëllim me figurën e ndritur të Martires, të cilën lexuesi e njeh nëpërmjet përshtypjeve të shoqes së saj malësore. Janë figura që i përkasin brezit të rinisë së kohës së luftës, mbi të cilin ra me shumë tërsëllimë shpata e diktaturës. Portretizimi i tyre është më i lehtë, ato mishërojnë vlerat e traditës konservatore të ndritur qytetare apo asaj patriarkale fshatare, kanë parime të hekurta edukate që u japin një forcë të pazakontë të brëndëshme, e aftë të përballojë çdo situatë, edhe më tragjiken. Por autori nuk e sheh virtytin vetëm në brezin e tij. Në tregimin “Një natë dimri me shi” ai përshkruan bujarinë dhe humanizmin e djemve e vajzave të reja të Tiranës, që kanë rastin të takojnë të burgosurit e liruar nga burgjet politike e, për t’u ndihmuar atyre, nuk ngurrojnë t’i marrin në shtëpitë e tyre. Është gjesti fisnik i “rinisë së Shqipërisë” që nderon ish të dënuarit, më shumë shprehje respekti për viktimat e dhunës se sa mëshirë për njerëz të mbetur në mes të rrugës në një natë me shi.
Martirja është figura e njërës nga vajzat më të shquara të Shqipërisë së viteve 40, e paisur me kulturë të thellë frut i studimeve dhe i diplomës italiane, e brumosur me ide demokratike e përparimtare, armike e diktaturave të çdo ngjyre. Autori frymëzohet nga figura e shkrimtares Musine Kokalari, një nga femrat më të shquara në elitën intelektuale të Shqipërisë s’asaj kohe. Kjo vajzë që simbolizonte më së miri t’ardhmen evropjane të atdheut të saj, përfundoi në qelitë e Sigurimit, në tortura, në dënime e, mbasi mbaruan ato, përfundoi jetën e saj në një qytet të vogël si puntore ndërtimi e kur vdiq u përcoll për në banesën e fundit me një maqinë zhavori… Do të mjaftonte dëshmia e përndjekjes së kësaj gruaje e të tjerave si ajo, për të akuzuar të gjithë sistemin e Enver Hoxhës për “krime kundër njerëzimit”, mbasi asgjësimi i potencialeve intelektuale të një populli është një atentat ndaj vetë qënies së tij.
“Ishte zonjë përmbi zonja, mbi të gjitha ishte fisnike.” shprehet autori nëpërmjet shoqes së saj. Është vlerësimi më i lartë që mund t’i jepet njeriut, vlerësimi i botës shpirtërore, i virtyteve të lindura e të fituara, përballë të cilave diktatura pësoi humbjen më të thellë, sepse megjithë përdorimin e të gjitha mjeteve të mizorisë, atë botë nuk arriti dot t’a përdhosë. Fisniku mbeti i tillë edhe duke nxjerrë vagonat e mineralit në Spaç, edhe duke shtyrë karrocën e llaçit, edhe duke fshirë rrugët, edhe duke gërmuar hendeqe nëpër fusha. Por sa njerëz të tillë vrau e sakatoi komunizmi në Shqipëri, sa veprimtari cilësore njerëzore i u mohuan çështjes së qytetërimit e të përparimit të Vendit tonë…
Sot, mbas gati njëzet vitesh ndrrimi sistemi ende askush nuk përgjigjet, nuk pendohet, nuk kërkon falje për këta krime të përbindëshme. Sa bukur i vunë kapak gjërave idhtarët e “korrektesës politike” brënda e jashtë Shqipërisë, ashtu si dikur n’Evropë, kur për të “ulur tensionin” ishte e ndaluar të flitej për gulagët dhe kampet e vdekjes, paçka se miliona krijesa, në gati gjysmën e botës ishin kthyer në numura të thjeshtë… Sollzhenicini, me përvojën e tij mbas përzënies nga atdheu, mund të dëshmonte, ashtu si qindra ish të përndjekur politikë edhe të Shqipërisë, dëshmitë e të cilëve nuk parapëlqehen në shumë qarqe të Evropës politike e kulturore. Këto ishin disa konsiderata që, vetvetiu, rrjedhin në lumin e arsyetimit i cili buron nga libra si ai që po analizoj.
Në këtë analizë një vend të veçantë zë dhe tregimi më i gjatë, që i jep edhe titullin librit. Është një tregim që i ngjan një tragjedie që fillon me një vdekje normale e mbaron me një vetëvrasje në kufirin e 24 orëve. Dy personat janë burrë e grua, një çift i thyer në moshë, pa fëmijë. Historia e tyre ka diçka të veçantë, është një ndërthurje e jetëve vetiake me ngjarjet historike të Vendit. Në retrospektivën ndërmjet dy çasteve tragjike autori na njeh me jetën e tyre. Burri kishte qënë një bashkëpuntor i Fan Nolit në qeverinë e tij. I dalë në mërgim, mbas rrëzimit të qeverisë, kishte jetuar nëpër vënde të ndryshme t’Evropës bashkë me gruan. Kishin pësuar një tronditje të fortë nga akti i pushtimit italian të Shqipërisë dhe kishin qëndruar jashtë gjatë gjithë periudhës së luftës. Kishin ndjekur me simpati luftën kundër okupatorit dhe, me mbarimin e saj, digjeshin nga dëshira për t’u kthyer n’atdhe e për të dhënë ndihmesën e tyre në rindërtimin e përparimin e tij. Zërat se në Shqipëri punët nuk shkonin mirë i quajtën thjesht propagandë, mbasi “ nuk u mbushej mëndja se në Shqipëri mund të vendosej një diktaturë”. Një konsideratë tepër naive kjo, mbasi ata kishin jetuar në një kontinent që në Lindje e në Perëndim ishte i mbushur me diktatura e nuk kuptohet sepse mund të përjashtohej Shqipëria e fituesve komunistë nga kjo mundësi!
Kthehen në Shqipëri, ku priten edhe zyrtarisht, por entuziazmit të kohëve të para shpejt i a zënë vëndin habia, dyshimet, heshtjet e së fundi frika. Revolucioni, që kishin ëndërruar ata, po hynte në binarët e tij të vërtetë, n’ata të dhunës e t’arbitraritetit, tepër larg iluzioneve noliste që ushqente çifti. Zhgënjimi ishte i plotë e pasojat ishin dhjetë vite burg si agjent anglo-amerikan për burrin e një jetë prej fshesareje rrugësh për bashkëshorten. Pas daljes nga burgu pasojnë internime në fshatra e kooperativa bujqësore, deri sa në pension zënë vënd në një qytet të vogël, në të cilin një ditë vdes burri. Gruaja mbetet vetëm, e ndërgjegjëshme se tashmë në një gjëndje të tillë nuk ka më kuptim jeta. Të nesërmen gjëndet e varur me një kravatë të të shoqit. Tragjedia konsumohet plotësisht e, më duket, se çdo koment rreth saj është i tepërt.
Vlen të theksohet një prirje e shkrimtarit Bungo për të nxjerrë personazhet e tij nga mjediset antifashiste gjatë luftës. Ata, thuajse gjithmonë, kanë luftuar fashizmin, nazizmin e komunizmin, por këtë të fundit mbas zhgënjimit, si pasojë e thyerjes së iluzioneve. Në dukje kemi të bëjmë me një përsosmëri idesh e karakteresh. Çështja ngatërrohet nëse i shohim më me hollësi veprimet. Nacionalizmi antifashist që nga Peza e deri në Mukje ishte në një front të përbashkët me partinë e themeluar nga Dushani e Miladini, por deri këtu mund t’a quajmë diçka normale, mbasi pushtuesi, simbas një ligji të stërlashtë, duhej luftuar. Lufta duhet të kishte një strategji të sajën që lidhej me t’ardhmen e Vendit, rrugët e perspektivat e tij. Nëse mungonte ky lloj projekti, ajo kthehej në një akt të thjeshtë të detyruar moralisht, por me një përfundim krejt të paqartë e të pasigurtë, për pasojë edhe mundësisht të dëmshëm. Mbas Mukjes nuk mbeti më asnjë pikë dyshimi mbi qëllimet e vërteta të komunistëve shqiptarë, të drejtuar nga emisarët serbë. Atëhere, për të gjithë ata që shihnin më larg se hunda e tyre, rreziku që kërcënonte Shqipërinë nuk ishte më pushtuesi gjerman që kërkonte vetëm rrugët e lira të kalimit për ushtrinë, por lëvizja nacional-çlirimtare që do të vendoste në Shqipëri sistemin bolshevik, me të gjitha pasojat e njohura për botën, mbas 1917 në BRSS.
Në largësinë e më shumë se gjashtëdhjetë viteve të shkuara e të përvojës së dhimbëshme të tyre, më duket se përgjegjësia për tragjedinë shqiptare duhet të bjerë edhe mbi ata që nguruan të përdorin të gjitha mjetet për t’a parandaluar atë. Kjo do të ishte një bisedë e gjatë, që nuk hyn në qëllimin e shkrimit, por nëse pasojat e tragjedisë ranë me tërë peshën e tyre edhe mbi ata, sigurisht mjaft prej tyre do të kenë bërë “mea culpa” për zhvillimin e ngjarjeve.
Personazhet e z. Makensen Bungo nuk e bëjnë këtë. Ata pësojnë diktaturën në të gjitha çfaqjet e saj e ngushëllohen me faktin se kanë luftuar fashizmin. Kështu çifti i tregimit “Gruaja me të zeza” vendos të kthehet në Shqipëri mbas 1944 e jo mbas 1939, siç bënë pjesa dërmuese e të mërguarve politikë t’asaj kohe. Në personazhet e autorit nuk bëjnë pjesë ata që e luftuan që në fillim komunizmin, që atëhere kur ai fshihej mbas gjethes së fikut të atdhetarisë kundër pushtuesit, mbas 22 qershorit 1941, kur Hitleri vendoste të sulmonte BRSS. Në këtë drejtim këta personazhe i ngjajnë një aradhe naivësh, të verbuar nga propaganda kundër pushtuesit, por të paaftë për të kuptuar se ku po e çonte Shqipërinë fundi i luftës. Bën përjashtim këtu vetëm nipi i Xha Thanasit në tregimin e parë dhe Martirja në tregimin me të njëjtin emër.
Por, pavarësisht nga ky këndvështrim, që mund të jetë i lidhur me bindjet politike të shkrimtarit, vëllimi i a arrin qëllimit të na japë një vepër arti në gjininë e tregimit, që është një ndihmesë e madhe në pasqyrimin e një kohe tepër të vështirë për Shqipërinë. Pasqyrimi i asaj kohe ka qënë misioni dhe detyra e gjithë artit zyrtar të regjimit, pasqyrim që polli një mashtrim të madh, që mori emrin “realizëm socialist” e që zu rrënjë thellë në humusin mendor të shqiptarëve brënda e jashtë kufijve të Shqipërisë. Pasojat e atij mashtrimi i ndjejmë ende sot, kur ngurohet të rrëzohen “tabutë” e të rishkruhet historia.
Autorë si z. Bungo, që ngrenë në art të vërtetën faktike të Shqipërisë komuniste, i bëjnë një shërbim të madh, jo vetëm artit, por edhe vetë shoqërisë. Ata janë si dielli që shpërndan mjegullën në një mëngjez të turbullt, veçanërisht i dobishëm për brezin e ri që nuk e njeh të shkuarën e kombit të tij. Shërbimi atdhetar e qytetar i këtyre penave, pak të njohura në vorbullën e madhe të larmisë së botimeve të sotme në Shqipëri, të lidhura më shumë me interesa financiare, imazhi apo politike, meriton një vlerësim të veçantë e mirënjohje të përgjithëshme mbasi, fatkeqësisht, stimujt në punën e tyre, janë të pakta, për të mos thënë të paqena. Nëse më lejohet, do t’i propozonja Kryetarit të Shtetit të fillonte dekorimet e atyre që kanë meritat e tyre në “ Shpërndarjen e mjegullnajës komuniste në ndërgjegjet dhe botkuptimet e shqiptarëve kudo në botë.”Jam i bindur se Makensen Bungo do të ishte një nga të parët që do t’a meritonte.
Gusht 2008
- Ribotohet ne Dielli me kerkesen e autorit me rastin e ndarjes nga jeta te shkrimtarit Makesen Bungo,i cili ishte mik me Eugjenin.
Ja shenimi i Eugjenit:
I dashur Dalip,