Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: MIQËSI LIBRI

 
(letër drejtuar të gjithëve dhe askujt)

Më në fund erdhi koha, kur pritja nuk mundet më dhe nis të bëjë diçka që s’e di as vetë pse, të mbushë zbrazësinë e së panjohurës, kohës, që rodhi pa u ndjerë a ndoshta për atë q’i vjen më lehtë: të shkruajë, siç bën rëndom kur në heshtje flet me veten. Sigurisht që kam hyrë tashmë dhe vallen e Osman Takes, po e heq. Behur kam përpjetë, si djalë i ri këmbëflatër, të trokas lart në dyert e korifejve të mëdhej të letrave (aq lart sa mund të hidhem unë) dhe për tokë zvarrë shkelur nën peshën e rëndë të atij premtimdetyrimi ndaj një miku, një të drejte, që veten se pa kurrë, veç të thyer dhe q’askush s’u kujdes ta ndreqë dhe ende nuk e di nëse ish e mjaftë a ka mbetur për të bërë më shumë.
Nuk e di!
As nëse është pjekur koha për të vjelur të gjorat gorica, të veprës q’i ndjeri Besart, iu desh një jetë e tërë dhe një vdekje! Për ç’prisnit dhe prisja,(siç dhe ma keni shkruar e thënë), si më është përsëritur në çdo derë, se për autorin, në Shqipëri, nuk ka asnjë fitim, përkundrazi ndërmarrja e një libri, midis shpenzimeve të botimit dhe atyre të shpërndarjes, del me humbje. Gjithçka, po, të gjitha, për një ndjenjëzë krenarie për veten apo si në rastin e Besartit në emër të një dashurie të dështuar, dhuratë e falur, (në fakt, asnjë dhuratë s’është), veç kur nuk ke c’pret nga i ndjeri, të të kthejë nderin.
Zoti Ilir Adili, dhuratë e një miqësie të vërtetë!
Vjet, në këtë kohë, libri ‘NE’ iu dorëzua, me besim të plotë të mirënjohurës ‘Toena’, që nuk la vend pa e çuar dhe vitrinë pa e nxjerrë në trojet shqiptare, shpesh edhe atje ku nuk i arrinte krahu! Artikuj u shkruan, reçensione për të, në disa gazeta falë miqësive profesionale dhe vleresimit për Besartin, si z. Çerçiz Loloçi, i palodhur në ndihmesë të tij, zotit dhe zonjës Gudha, të dy intelektuale të njohur, si dhe nga zoti Tefa, ashtu siç pati dhe të tjerë që librin e morën pa paguar, me premtimin se do të shkruanin diçka dhe sigurisht bënë sikur harruan! Ç’mund të quhen këta të këtij lloji? Miq jo! Por dhe armiq, për turp s’kanë nder të jenë!
S’di!

Mik, për ne shqipëtarët është fjalë gur, aq e rëndë, sa gjithë piramida mund të shëmbet po të lëvizë nga vendi, edhe pse ka vetëm tre shkronja. Mban një besë dhe premtim përpara Zeusit! Ç’flas dhe unë, në shoqerinë e tregut, guri thuajse s’ka vlerë. Një mik, “friend”, sot në mas-media, që fatëkeqësisht, ngadalë po ngulitet në ndërgjegjen shoqërore, quhet ai, i cili të bën “like”, se zgjedh të të pëlqejë! Por si duket kjo, të shumtëve, nuk u pelqeu për disa arsye, por më e dukshmja ndër to, ajo se u bë e zakonshme, me pak ose aspak vlerë shkëmbimi, ndaj FB, e vëmendshme ndaj statistikës së ndjenjave të masave të gjëra punonjëse, shtoi një mundësi tjetër: “react’, reagim, diçka më shumë se një shikim shkarazi në vrap e sipër. Ndalesë për një çast, si për të parë një flutur, që pushoi të thithë nektarin e fundit. Të gjitha ngecin, se mezi arrijnë tek shkronja e dytë, “mi”, e per rrjedhojë s’mund të shitet për një mal!

Miqësinë ku ndërthurren: pëlqimi, reagimi apo fjala e mirë, sigurisht e ngrenë dhe e farkëtojnë në mënyrë të padiskutueshme, bëmat e ndërsjellta. Janë ato q’e bëjnë të vërtetë dhe e forcojnë, si muret e lashtë, q’edhe pas kaq shumë tërmetesh ende mbahen në këmbë. Megjithatë, artikujt dhe vlerësimet e veprave të shkruara, qysh nga zgjedhja për botim, duhet të bëhen, si kudo, mbi bazën e kritereve të caktuara dhe jo vetem per te fituar a shkëmbim të mirash material dhe as per miqësi. Një vlerësim i pamvarur esthetic ashtu si dhe përshtypja e lexuesve, e matur nëpërmjet internetit apo tregut, ashtu si kritika e mirëfillte profesionale i shërbejnë si autorit, të tjerëve si ai, ashtu dhe shoqërisë. S’ka pse shkrimtarët dhe poetët të detyrohen të shkruajnë për njëri-tjetrin a dhe për vete, për të tërhequr vëmendjen ndaj librave të tyre, por dhe më keq: askush nuk bisedon me ta, si dikur, në Tiranën e vjetër tek Kafe ‘Gjirokastra’, (quhej kështu se kafetë ishin fjalët “falas”, “badihava” dhe se kur uleshe nuk kishe pse të paguaje). Aq i çmuar, për të degdisurit a të ngujuarit politikë mes maleve, si i varfëri Besart, shprehur me gjuhen e legjendari Sadik Bejko:
“…Kisha nevoja të tjera…Më mungonin miqtë e letrave. Në të vërtetë ata m’i largonin…”.
Kohë të tjera.
Sa për konkurset letrare sot, e njëjta gjë. Mungesa e kritereve dhe e kthjelltësisë (“transparenca”) në institucionet shtetërore dhe organizatat e lira profesionale, letrare, të detyron të mendosh, se korrupsion ka aty, si kudo gjetkë. Për shembull, Besart vëlla, të më falësh, që libri yt, “Ne”, të konkurojë për Çmimin Kadare, duhet të jetë me doemos dorëshkrim, dhe ne, te tutë, malukatë të pagdhendur, do të kishim dhënë më shumë shpresë të fitoje, se sa e botuam me kaq andralla, kur diç do kish mbetur dhe për ty, pas fitores! Është njësoj sikur çmimet ‘Oskar’, në kinematografi të jepeshin për filma që nuk i kishte parë askush veç jurisë. Mea culpa!

Kjo letër, donja-mike të Varfit, mëmë e bijë, miq të vjetër dhe të rinj, lexues a mbledhës relikesh, miq të “like” dhe “reakt”, është një përpjekje e thirrje, per t’u treguar historinë e ketij libri pas një viti, ende të pambaruar, si dhe lutje për ndihmë për autorin dhe për mua, nëse doni të ndani me mua barrën, të më mbani mos rrëzohem në vallen që vazhdoj ta heq dhe se sinqerisht dhe thellësisht besoj në miqësinë e vërtetë, me dhe për librin. Pa dyshim që ajo e uruar lidhet me kënaqesinë, ndarjen e mendimeve pa frikë a kufizim, përvojën sado të hidhur shpirtërore a fizike, apo për te zgjidhur diçka në jetën e përditshme, si dhe për zbrazësinë që le kur s’e mban në duar, për kujtimet që sjell, gjuhën e përbashkët a si një plis, ku vë kokën të prehesh. Thjesht nje mik. Dhe s’kam kujt dhe ku të drejtohem tjetër. Korifejtë, asnjëherë të drejtë, janë të zënë duke i shërbyer vetes! Vdektarë, të vdekur a të gjallë, shtrëngoni radhët!

Miq, libra ka plotë të shkruar a të përkthyer, të vjetër të rrahur nga koha dhe të rinj që vinë si veriu, të gjithë janë si ne, me personalitet e tyre dhe nuk është zgjedhja ajo që i bën të vyer a të veçantë, por ç’mbajmë e ndajmë, si për herë të parë. Ai çast fatlum kur vetes i thua:
“Aha, … dhe mua”!
“Aha, … dhe unë”!

Please follow and like us: