Albspirit

Media/News/Publishing

Zamir Mati dhe shoqata e balonave «Kites, Blue, Skay, Albania»

Albert Z. Zholi
Intervista/Flet piktori Zamir Mati, kryetar i grupit të balonistëve «Kites, Blue, Skay, Albania» në Francë
Në qytetin Dieppe të Normandisë do jemi pjesë e festivalit të 20-të ndërkombëtar të balonave
 000002 zamir
Çfarë nënkupton «Kites, Blue, Skay, Albania» dhe kur u krijua?
«Kites, Blue, Skay, Albania» është emri i grupit tonë të balonistëve këtu në Francë që do të marrim pjesë përsëri në takimin ndërkombëtar të balonave, i cili zhvillohet çdo dy vjet në qytetin buzë oqeanit Atllantik të Dieppe në Normandi dhe që njhet si « capital du cerf-volant », kryeqyteti i balonave.
Cili është qëllimi kryesor i «Kites, Blue, Skay, Albania»?
Është vazhdimi i «Shoqatës së Balonave, Tiranë», i lojës së balonave, kësaj loje që për mua është simbol i lirisë, lojë e cila mua më ndjek qysh nga fëmijërija kur banoja në qytetin bregdetar të Durrësit dhe kur im atë oficeri i marinës shqiptare më përgatiste me kujdes balona të bukura dhe luante me ne fëmijtë në baltat, kështu quheshin hapsirat pranë bregut të detit dhe anës portit. Hapsira akoma të pa zëna në atë kohë nga zhvillimi i urbanistikës së qytetit dhe ku natyra të tërhiqte me bukurinë e saj të veçantë dhe flladin e detit. Nuk harrohen bimësia e rrallë e zhukave ( bimë me fije të gjata dhe me majë gjëlpërë të cilat kur kishim etje i këpusnim dhe thithnim fundin e tyre të zbardhur për lëngun e freskët ). Në këto hapsira të baltave vinin ne fëmijtë dhe të rinjtë e qytetit për të luajtur me balona. Një grup luante futboll në terrenin rrafsh midis bimëve, të tjerë me biçikleta dhe plot fëmijë që i mësonin duke futur këmbën midis trupit të biçikletave të mëdha që ne i thoshim të burrave. Këto kujtime të fëmijërisë më ndjekin akoma ashtu si më frymëzuan në fund vitet ‘70 dhe fillim vitet ‘80 të përsërisja këtë lojë me fëmijtë e mij. Kështu duke parë e ndjerë kënaqësinë e tyre dhe fëmijve të tjerë që plot kuriozitet na shoqëronin, të mendoja të organizoja ditën e parë të balonave në kryeqytet dhe shumë shpejt kjo dite balonash të përhapej pothuaj në krejt qytetet e vendit. Kjo lojë dalëngadalë u kthye edhe një preokupim serioz krahas pikturës dhe grafikës aq sa më merrte mjaft kohë për të siguruar materialet për ndërtimin e tyre dhe nuk ishte një punë e lehtë. Duhej menduar që çdo ambalazh plastike që shihja, apo fletë të holla letrash që mund të luanin rolin e fletës së hollë të sipërfaqeve të balonave ti mblidhja duke iu lutur të mi ipnin atyre që i kishin. Po ashtu duhej menduar për të gjitha materialet që mund të shërbenin si skelete strukturash për balonat. Në të njëjtën kohë duhej kërkuar dhe njohur historia e kësaj loje. Histori që fillonte në fillimet e kulturës njerëzore, dhe që dëshmohej 5500 vjet më parë në pikturat primitive të popujve të ishujve të indonezizë. Ashtu si edhe në brigjet e detit mesdhe e në kulturën e imperatorisë romake pjesë e së cilës herë pas here ishin edhe brigjet tona. Qeramikat e gjetura nga kjo periudhë, dëshmojnë me vizatimet e tyre me figura që tërheqin balonat në formën e rombit. Historia në shekuj e balonave ndër popuj të ndryshëm filloi të më tërhiqte. Miqtë e dashamirësit herë, herë më befasonin edhe me ndonjë informacion dhe dëshiroj të kujtoj ing, Genc Çelën profesorin e mekanikës së Universitetit të Tiranës për dhuratën e çmuar të një reviste angleze e cila në dy faqe të saj vendoste foto të balonave. Po ashtu ing. Ilir Matin vëllanë tim teknolog në kantjerin e ndërtimit dhe riparimit të anijeve dhe nëndetseve të Flotës Luftarake Detare në Pashaliman që më solli një balonë e ndërtuar me strukturë tubash të hollë duroalumini e cila palosej lehtë dhe shërbente në paisjet e nëndetseve si ndihmëse e ngritjes lartë prej fluturimit të saj, të antenës së radios në rast nevoje apo edhe si shenjë sinjalizimi. Duket e thjeshtë por pa ndihmën dhe përkrahjen e prindërve të mij të cilët më nxisnin dhe më mbushnin me besim se një fluturim i tillë në Tiranë do të na ipte kënaqësi e sidomos fëmijve tanë e të miqve të cilët i ftova. Po ashtu toleranca e tyre për të kthyer për gati një muaj apartamentin tonë në rrugën e Durrësit në një atelje ndërtim balonash me forma të ndryshme dhe dimensione të konsiderushme. Mungesa e materialeve por edhe mosnjohja dhe eksperienca nuk më lejonte në atë kohë të ndërtoja balona të palosura të cilat nuk zënë vend në rruajtjen e tyre. Në mbrëmje vonë përfitoja nga zbrazësia e mos kalimit të makinave, dilja në rrugë dhe provoja fluturimin e balonave të ndërtuara dhe vendosja e lidhja fijet e ekuilibruesit ose «terezive» siç i quanim ne në Shqipëri. Dalë nga dale të gjitha këto i u bashkuan një ideje dhe qëllimi; Për të organizuar Ditën e parë të fluturimit në grup të balonave në pranverën e vitit 1982. Grupi përbëhej nga miqtë dhe shokët e mij për të cilët kisha ndihmuar të ndërtonim balona me forma të pa para në atë kohë në Shqipëri, Kjo ditë me kënaqësinë që na solli të gjithëve solli ide dhe qëllim për organizimin në pranverën e ardhshme të « Ditës së Balonave » në kryeqytet dhe për të cilën më mbështetën edhe drejtuesit e qytetit Agim Kroi, Xhelil Gjoni, Muharrem Xhafa, Pertef Deveja, etj. Ftesa ishte e thjeshtë: « Ju ftojmë bashkë me balonën tuaj! » Kështu idea dhe qëllimi ishte dhe është loja e balonave, përhapja e kësaj loje, njohja dhe zhvillimi i saj që për mua u kthye edhe një pjesë e krijimtarisë të quajtur instalacione, vepra të vërteta arti të cilat përveç kënaqësisë që japin gjatë fluturimit të tyre fiksohen në imazhe të bukura plot forma dhe ngjyra dhe momente të paharruara. Kjo ka bërë që të kem një koleksion të tërë, të pafund fotosh por edhe veprash arti si vizatime, akuarelle, piktura, të cilat herë pas i ekspozoj në manifestime të ndryshme por edhe në fushën e fluturimit, Qëllimi është të njohim historinë e kësaj loje mijëvjeçarepor edhe të zhvillimit të saj në vendin tonë. Gjithashtu duke kaluar tërë këto vite me fluturime balonash janë shtuar edhe miqtë e dashamirësit balonistë dhe së bashku kemi marrë pjesë në manifestime të ndryshme. Pikërisht është edhe ky qëllimi i grupit tonë « Kites, Blue, Skay » fluturimi i balonave së bashku dhe historia e tyre.
 ooo1
– Ku u prezantuat për herë të parë me « Kites, Blue, Skay, Albania»?
Me grupin dhe emrin « Kites, Blue, Skay, Albania » për herë të parë u prezantuam në Festivalin e balonave të Dieppe të vitit 2012. Prezantimi në grup u vendos sepse me miqtë e mij, studiusin e gjuhëve dhe kulturës së hershme europiane dhe fizkantin Georges Leka dhe Sandra Rokoto me Julien e Maxime disa herë kemi marrë pjesë në takimet ndërkombëtare të balonave si ai i Dieppe, Berck Sur Mer me organizator balonistin Gerard Clement i cili çdo vit bën të emigrojnë në pranverë qindra balonistë dhe balona nga gjithë bota, në Touluse në pjesën e njohur Gloriette prane lumit dhe të organizuar nga piktori Michel Gressier një zot i vërtetë i balonave, erës, ngjyrave, formave dhe spektakleve fantastike. Ashtu siç kam marrë pjesë edhe në takimet e Çervias ku organizator është piktori i shquar italian Claudio Capeli me balonën e tij gjigande të tipit Kody, të ndërtuar me shokët e vet të një grupi, apo me serinë e portreteve realizuar në balonat e tij të tipit japonez Rokako, një galeri fluturuese në qiellin e pafund, e të tjera takime. E veçanta ishte se takimi i Dieppit përkonte me 100 vjetorin pavarësisë së shtetit shqiptar dhe paraqitja sa më mirë për mua dhe shokët e mij balonistë ishte e rëndësishme për këtë përvjetor. Duke qënë një ngjarje mbarëkombëtare ftuam për të marrë pjesë edhe balonistë nga Kosova me të cilët kemi fluturuar së bashku në sheshin Skënderbej të Prishtinës balonat me ngjyrat e flamurit të ri të Kosovës, në pranverën e vitit 2010. Balonistët kosovarë Nita, Lumi, Valdeti dhe piktori i shquar Eshref Qahili morrën kështu pjesë për herë të parë në një manifestim ndërkombëtar së bashku me grupin tonë dhe po ashtu së bashku fluturuam tre balonat me ngjyrat e zgjedhura kuq e zi, të gjata 130 metra të cilat ndërthurreshin me njëra tjetra në fluturimin e tyre vertikale në këtë instalacion gjigand. Krahas këtij instalacioni fluturimi i balonave delta kuq e zi ngrinin në një instalacion tjetër të gjithë flamujt e Europës dhe në krye të tyre flamurin shqiptar me shqiponjën dy krenare dhe flamurin e Kosovës. Ju më pyesni për vlerësimet, por në manifestimet e balonave konkurset dhe çmimet janë të tepërta të rralla dhe në to marrin pjesë një numër i pakët balonistësh, kjo lojë është e veçantë dhe si një spektakël i madh në qiell dhe gjatë gjithë ditës, e ndonjëherë edhe natën të gjitha balonat kanë vlerën e tyre , si ato të mëdhatë apo siç quhen shpesh herë gjigandet, deri te më të voglat dhe si flutura delikate. Në këto spektakle vlerat e tyre janë të barabarta dhe ashtu si në një pikturë a vepër arti ato përbëjnë një të tërë duke u bashkuar si detaje të vyera e plot vlerë. Por ka edhe tendencë për t`a kthyer këtë lojë në një garë apo sport, deri në përpjekjet për ta futur në lojrat olimpike. Këtë tendecë dhe përpjekje e kanë balonistët e një tipi të veçantë balonash të cilat janë të drejtuara nga dy apo katër fije tërheqëse të cilat balonisti i tërheq ose majtas ose djathtas duke drejtuar balonën në drejtimin që dëshiron dhe duke bërë figura e lëvizje të shpejta e rrotulime të saj nga ekspozimi i sipërfaqes ndaj erës. Këto balona quhen akrobatike dhe në fillim të viteve ‘90 morrën një zhvillim të madh duke zmadhuar sipërfaqen e tyre dhe duke imituar formën aerodniamike të krahut të avionit pa strukturë të forte, por me xhepa të cilat lejojnë ajrin të krijojnë formë e nevojshme aerodinamike. Këto balona quhen balona parafoil. Balonat parafoil morrën edhe këto dy drejtime zhvillimi: për hedhjen nga lartësia dhe fluturimin e lirë pothuaj si një fluturim shqiponje krahë hapur e pa lëvizur. Po ashtu në formë dhe mjet të ri të parashutimit. Drejtimi i dytë janë balonat parafoil të cilat kanë forcë tërheqëse të balonistit në sipërfaqen e ujit dhe kohët e fundit edhe në rrëshqitjen mbi dëborë. Kite seurf kanë marë zhvillim të jashtëzakonshëm në brigjet e deteve e sidomos në gjiret e mbrojtur dhe lagunat ku balonistët rrëshqitës kryejnë kërcime dhe rrotullime akrobatike mjaft të vështira por të bukura në ekzekutimin e tyre. Këta bolonistë e kanë shëndruar lojën e fluturimit të balonave në sport të vërtetë dhe tentojnë me aktivitetet e tyre të futen në garat olimpike.
 77777777
Në sa aktivitete keni marrë pjesë dhe si jeni vlerësuar? 
Për pjesmarjen time dhe grupit të balonistëve në vite, në takimet e balonave vlerësimi më i mirë janë shkrimet në gazeta dhe revista për balonat dhe vizatimet e mija. « …ai kalon lehtësisht me balonat e tij muret ideologjikë… » revista « Kites » 1988, Gerard Clement, Apo « …sukses i vizatimeve të Matit.. » gazeta franceze « Journal » 1988. Kopertina e revistës franceze « Le cerf-volante », 1988. Dy faqëshet e revistës italiane « Aquiloni » një bashkëpunim me drejtuesit dhe botuesit e saj balonistët riminez Laura dhe Çiro Sarti. Intervistat në gazetat shqiptare gjatë viteve të cilat tregojnë një interes për këtë lojë por edhe një vlerësim për « Shoqatën e Balonave » të krijuar në Tiranë shumë vite më parë dhe fluturimeve të balonave të saj në ato vite. Dëshira e tyre të botonin vizatimet për balonat dhe thirrjen për pjesëmarrjen në ditën e balonave pothuaj çdo vit.
A njihej ky sport në regjimin komunist? Kush janë nismëtarët dhe përbërësit kryesorë të «Kites, Blue, Skay, Albania»? 

Balonat është një lojë dhe për të luajtur më të duhet shkathtësi, vëmendje, njohuri të natyrës dhe fizikës, forcë, qëndrueshmëri, etj. Në fillim vitet ‘80 u krijua një traditë që në të djelën e fundit të muajit prill ishte Dita e Balonave. Një ditë jashtë aktiviteteve zyrtare të programuara në atë kohë. Studioja ime e pikturës në rrugën « Justin Godar », numër 1 i hapte dyert dhe aty vinin gjithë dashamirësit e kësaj loje me fëmijtë e tyre të cilët me skicën apo idenë fillonin ndërtonin balonën që dëshironin. Në studio do të gjenin edhe materiale apo ngjitësa, ngjyra për zbukurimin për ti ndërtuar balonat apo edhe ndonjë skicë teknike e këshilla për realizimin e tyre. Ishin të pa përtuar piktorët Gut Tafaj, Adrian Dizdari, Sofokli Koci, Harrilla Dhimo, Met Deliu, ing. Ilir Mati. Frida Vokopola, Mirlinda Rusi Kunka, etj për të ndihmuar në realizimin e kësaj dite. Deri sa ne krijuam edhe « Shoqatën e Balonave » e para shoqatë e pavarur në atë kohë. Dhe për krijimin e njohjen e saj duheshin biseda dhe kërkesa të pa fund për të bindur institucionet të cilët na drejtonin ose në Ministrinë e Kulturës dhe të Arsimit, ose në Komitetin e Sporteve për tu varur e kontroplluar prej tyre! Kërkimet tona në njohjen e ligjeve të shtetit dhe këshillat me juristin e shquar Virgjil Karaj dhe Kleanthi Koçi (në atë kohë kryetar i gjykatës së lartë) dhe prezantimi i kërkesës sonë për të qënë të pavarur ngaqë balonat ishin një lojë dhe jo sport që të varej prej ministrive, gjithashtu edhe mbështetja e kërkesës sonë në ligjin e shoqatave të vitit 1955, ligj që lejonte krijimin dhe funksionimin e tyre në mënyrë të pa varur nga shteti bëri që ne të krijonim shoqatën tonë të balonave e cila zgjodhi edhe kryesinë e saj. Në kryesi ishin Rexhep Mejdani fizikant, Met Alla metalurg, Ylli Seriani aviator, Zamir Mati piktor dhe Sali Shijaku piktor i popullit. Zgjedhja Kryetar të “Shoqatës së Balonave” e piktorit të popullit Sali Shijaku ishte edhe për meritën e tij si artist i kërkimeve novatore dhe mbështetës i së resë. Ai ishte kthyer me veprat e tij si simbol i një arti të ri e të vërtetë larg skemave shabllone. Ai i shihte balonat në mundësinë e tyre për të qënë vepra të vërteta arti në një gjini që lejonte vendosjen e tyre në natyrë të lidhura me lëvizjen, dinamikën, format, kohën dhe artet e tjera si fotografinë, filmin, muzikën. Ne morrëm pjesë për herë të parë në festivalin e balonave në Çervia, në Sardenjë, Gubio, etj. Në këto pjesmarrje hapëm ekspozitë me balona dhe vizatime e piktura në “Magazina dei sale”, “Palazo dei console”, “sallën e bashkisë”. Patëm fatin të dilnim me balonat tona dhe me koment vlerësues në gazeta të ndryshme dhe në Rai TV 1. Ishte transmetimi i parë i TV italian që nuk flitej për « specialistët kinezë » që kishin pushtuar Shqipërinë apo kongreset e PPSh ( lajm të përsëritur dhe monoton me theks ekstrem politik duke mos guxuar për vite të tëra të ndiznin një dritë shprese për popullin shqiptar që të vetmet dritare të perëndimit kishin ekranin e TV). Shoqata e Balonave kreu në atë kohë fluturime, kujtoj trenin me dy vargje balonash të vendosura njëra pas tjetrës dymijë pjesë në Tiranë në sheshin Skënderbej. Në Vlorë ku u ftuam nga prof. i fiskulturës dhe dashamirësi i sporteve të ujit Ilirian Kreshpani, në Durrës, Berat, Përmet, etj. Gjithashtu u realizuan në bashkëpunim me TV shqiptar filmi dokumentar për balonat akrobatike të shoqëruara me muzikë « Balonat e tyre » realizuar prej regjizorit Ilir Keko, ashtu si edhe një tjetër dokumentar « një ditë me balonat ». Shoqata e Balonave edhe pse në atë kohë ishte tepër e vështirë botimi, arriti të botojë revistën e saj në qindra kopje ku pasqyronte jetën e shoqatës dhe skica teknike në ndihmë të përhapjes së kësaj loje. Një ditë më takon udhëheqësi i rinisë i kryeqytetit dhe më trgon se ishte kritikuar nga M. E. në mbledhjen e byrosë së KQ të BRPSh për organizimin e ditës së balonave si një lojë jo politike…!!! Ndoshta kjo histori mund të tregojë më shumë për kohën dhe drejtuesit megalloman që sot janë rrjeshtuar e hiqen si demokratë duke mohuar si nihilist çdo gjë të kohës.

 

Aktiviteti që do zhvillohet në Normandi çfarë mesazhi përcjell dhe nga sa vende të botës do të ketë? 

Nga viti 1980, në muajin shtator çdo dy vjet organizohet Festivali ndërkombëtar i balonave në qytetin Dieppe të Normandisë. Ky festival është festivali i 20-të. Në të marrin pjesë balonistë nga mbi 40 vende të botës. E ftuar nderi do të jetë Kamboxhia me balonat e saj tradicionale ( në këtë vend është e njohur loja e balonave për veçantinë e tyre luftarake, balonistët me balonat e tyre ndeshen në qiell se kush të ndërpresë dhe të rrëzojë në tokë balonën e tjetrit dhe kjo lojë ka një ritual të admirueshëm jo vetëm nga përgatitja e balonistëve për këtë ditë feste por edhe për ndërtimin e balonave të njohura me emrin « Çula » që kanë siluete të përkryera dhe janë gjithmonë në dy forma që simbolizojnë vajzën dhe djalin e që në fluturimin e tyre vallzojnë e ndjekin si në një histori dashurie njëri tjetrin.) Festivali indëtkombëtar i balonave në Dieppe ka marrë emrin, kryeqyteti i balonave, për nga pjesëmarrja e një numri të madh balonistësh. Së bashku me Georges Leka kemi hapur në Maison de l’Albanie në 26 place Denfert Rochero, Paris 14 një ekspozitë me fotografi për balonat nga festivali i kaluar dhe në këtë festival përveç fluturimit të balonave nga grupi i ynë « Kites, Blue, Skay, Albania » ne të gjithë së bashku kemi vendosur të « gjuajmë image » sa më të bukura nga balonat e festivalit të këtij viti për të fiksuar nëpërmjet tyre këtë spektakël fantastik dhe të hapim përsëri një ekspozitë apo përgatitur një album bashkarisht. Unë kam filluar të marr pjesë në Dieppe nga festivali i 5të dhe nga viti në vit lista e pjesëmarrësve me balonat e shqiptare është shtuar nga dashamirësit dhe miqtë. Tani është e treta herë që marrim pjesë si grup me emrin « Kite, Blue, Skay, Albania » dhe midis nesh kanë qënë në fluturime edhe të ftuarit tonë të respektuar balonistët nga Kosova, Mira me shkrimtarin Kiço Blushi, doktor Kujtim Drishti dhe Lili me Arbërin dhe Marinin, doktor Adrian Xhuvani me ing. Melën, drejtuesi i La Maison de l’Albanie Gergji Themeli me Armandën, shkrimtari dhe ambasadori Ylljet Aliçka me Linditën, Magda me Gencin, Monika, Nikole, oficeri i aviacionit ushtarak italian Luigi Siakoveli, Teutat, Besa, Rudina Vasilika, Bardhi, Matishi, Valbona, Tea, Sara, Moza, inesi , Bora, përkthyesja Kozeta, ing. Dionisi, Lili dhe Julien, etj dhe nëna ime Zaira.

Si do ti konsideronit balonat akrobatike? 

Unë nuk jam kundër balonave akrobatike në të kundërtën në fund vitet ‘80 fluturoja dhe rreshqisja me to në detin e plazhit të Durrësit apo në gjirin e detit të Bishtit të Pallës. Ashtu si edhe balonat statike( balonat statike quhen balonat të cilat fluturojnë të lidhura me një fill) ato të japin kënaqësinë e një loje plot dinamikë, lëvizje dhe figura. Unë i uroj mbarësi në përpjekjet e tyre balonistëve të balonave akrobatike që të arrijnë ta fusin si sport në lojnat e ardhshme olimpike por loja e balonave do të jetë gjithmonë e tillë siç është prej gati 5500 vjetësh një lojë e lidhur me natyrën, qiellin, pranverën, bregun e detit, erën dhe fëmijërinë e rininë tonë ndërsa për mua dhe shumë të tjerë balonistë të pasionuar një lojë që do më shoqërojë gjithë jetën dhe do më sjellë kujtimet e bukura që kam me tim atë kur luante me mua në baltat e bregdetit të Durrësit dhe kur më ndiqte edhe pse në moshë të thyer, në fluturimet e balonave së bashku me nënën nga një bregore e ngritur lartë në ditën e balonave në fushën e aviacionit, Tiranë.

Please follow and like us: