Ndue Ukaj: Qyteti i mjegullës
Në qytetin e mjegullës çdo gja asht ndryshe.
Mendimet janë nguju si mashtrimi ynë nëpër statuja.
Aty lulet bajnë jetë mes ferrash,
e brenda tyne vallëzojnë lirshëm veç insektet.
Zoti im, qyteti i mjegullës rrugët i ka të ngushta,
edhe mendimet i ka të ngushta e kanga hallelujah s’ndigjohet askund.
Bërlloku aty s’ka vend, nëpër kambët e lodhuna asht pështjellë.
E fjala kot përpiqet me mbrojtë dinjitetin e shkërdhyem.
Merimangat kanë lëshue shtat,
e mbeturinat e mendes janë ba cunga nate, cunga kohe;
që thyejnë dhambët e prishun nga ecja e paqëllim;
që thyejnë gjunjët e randuem nga mëkatet e randa.
Në qytetin e mjegullës dritat e kinemave janë shue-
e ekspozitat bahen nën trysninë e qirinjve që luftojnë me errësinën.
Poezia lexohet skajeve të pikëllimit
ku vetëm qentë e zgjebosun shëtisin t’heshtun.
Aty ku duhma e politikës ka qelb çdo gja:
cicërimën e zogjve e puthjet e dashnorëve.
Në qytetin e mjegullës bërlloku ka mbulue lulet,
e n’mes asht pellgu i padijes, ku liria dhe lufta s’kanë kufi,
ku poezia dhe jopoezia s’ kanë kufi.
Aty shtegtojnë mendimet si nëpër xhepa me bërllok.
Aty grabiten dhimbjet e shumta
që sillen nëpër qiell dhe bahen ushqim
për barkun e uritun t ’politikës.
Si vetmia jonë nëpër kambët e dridhuna
që pengohet trotuaresh të mbytuna
me njerëz që ecin pa fund,
me njerëz që ecin pa fund.
Qyshkur asht fillue me u numrue keq,
qyshkur asht fillue me u shtremnue,
qyshkur asht fillue me u mbrapshtue,
në qytet ndihet mungesa e “Qytetit të Zotit”.
Nga libri, Arka e shpëtimit, 2012.