Albspirit

Media/News/Publishing

Letër Mirit – At Joanit, nga një shok i dikurshëm

 

Robert Thomanikaj

Para dy-tre javësh mua më vdiq plaka.

Miri – më fal që nuk jam mësuar akoma të të thërras me emrin e ri, At Johani, se u bënë dy dekada e kusur që s’jemi parë e takuar, si shumica e shqiptarëve përgjatë tranzicionit të tejzgjatur, e kështu nuk kam patur mundësi ta përdor emrin tënd kishtar.

Them “më fal” sepse kam frikë mos bëj edhe në këtë rast –siç kam bërë gjithnjë– ndonjë gabim politik, sepse dhe ju të kishës keni rregullat tuaja të rrepta, siç i kishim asaj kohe të diktaturës së proletariatit e siç i kemi edhe sot e kësaj dite këtu ku jam në perëndim…Ja dreqi e marrtë, sërish nuk më rri goja rehat, ndaj po dal në temë, në shqetësimin tim… që në fakt duhet të jetë shqetësimi yt, si njeri i fesë, që je.

Ajo e shkreta, për plakën time e kam fjalën, e cila iku e qetë dhe në moshën e duhur të pleqërisë këtu në Gjermani, seç kishte këto dy-tre dekadat e fundit një zjarrmi me librat fetarë, merrte e lexonte gjithnjë bibla dhe ungjillra të shkurtuar, libra për Jezuin, atë socialistin e parë, libra me historitë Çe–gueveriane të Moisiut mitik, revista nga ato të atyre të Jehovait, që i sugjestionojnë njerëzit me dashurinë dhe mirësinë e pakufishme njerëzore.

Ja këto lloj shkrimesh e librash kish qejf dhe lexonte gjithnjë. Punë e saj, mua nuk më prishte punë, as që preokupohesha fare pse nuk besonte në evolucionin e Natyrës, as që merakosesha fare pse kish nisur ta parafytyronte atë Zotin tuaj biblik si ai formuesi i formave në fonderinë tonë të gizës dikur.

Tani problemi është se herë-herë në të gjallë të saj shfaqte ndonjë dëshirë e përkujdesje për kohën e pas-vdekjes së saj. Njëra nga të cilat ishte që, kur të vdiste, ta çonin në kishë ose të vinte prifti e ta përcillte për në banesën e fundit. Pra, donte diçka nga kisha juaj. Dhe unë natyrisht që u përpoqa t’ia plotësoja këto dëshira, duke mos i lënë të gjitha për në ditën e fundit të jetës së saj, por i përgatisja të gjitha dita me ditë me telefon më parë. Gjithçka më dukej se ecte mirë, teorikisht të paktën. Mirëpo tek kisha juaj më ngeci sharra në gozhdë.

A ka qenë e pagëzuar nëna juaj?– më vinin nga përtej receptorit fjalët e para, me cilindo që u lidha nga ata të kishës tuaj ortodokse.

-Nuk e di! – përgjigjesha, se as e kisha pyetur plakën nëse ishte pagëzuar këto tre dekada të fundit, e as më kish thënë diçka, por vazhdoja duke sqaruar se ajo ishte me origjinë nga Vlora, pra një krahinë me shumicë myslimane, siç edhe kishte emrin, Besie, dhe ishte e lidhur vitet e fundit në libra me Krishtin, si dhe kish shprehur dëshirën që pas vdekjes të shoqërohej në kishën tuaj, apo nga një prifti i juaji.

Kjo përgjigje, që në fakt ishte tërësisht brenda kuadrit të së vërtetës, më jepte shpresë se punonjësit dhe priftërinjtë tuaj do të ekzaltoheshin sado pak, do të përmalloheshin, duke menduar se sa me vlerë qenkësh Kisha e tyre, sa fuqi paskësh Jezui i tyre, që edhe njerëz nga fetë e tjera, apo pa fe fare, i afronte tek vetja. Të tillë njerëz –besoj se duhet të mendonin në këtë rast njerëzit e kishës– ne duhet ti shoqërojmë për pak momente drejt banesës së fundit, përderisa kanë shprehur këtë dëshirë!…

Mirëpo s’qe e thënë! Paskësh rregulla të rrepta në kishën tuaj! Plaka ime –duket– nuk kishte teserën e Kishës Ortodokse, që qenkësh pagëzimi! Po si në kohën e Partisë së Punës, biles më keq, se asaj kohe edhe të linin ndonjëherë të merrje pjesë në ndonjë mbledhje të organizatës bazë të partisë të repartit ku punoje, po ta kërkoje diçka të tillë. Por sot ka rregulla të rrepta. Dashuria e njerëzve të thjeshtë për Krishtin dhe Kishën tuaj shpërblehet me rreptësinë e rregullit tuaj! Mbi këtë rregull zhvlerësohet edhe gjithë ajo dashuri që pretendohet se përhapet nga librat dhe kishat e Jezuit. Çfarë ironi e fatit! Fatit të jetës! Fatit të epokave, ku jetojmë!

E them këtë sepse asaj kohe, kur feja ishte e ndaluar, ti si fetar (paçka se jo i hapur), ashtu dhe unë si ateist (paçka se në thonjza më së shumti), nuk kishim rregulla ndarëse në marrëdhëniet tona. Ti me predikime fetare dhe unë me ato evolucioniste të dialektikës së Hegelit dhe Marksit. Rrinim, bisedonim, diskutonim, dhe sërish nuk vumë kufinj ndarës e as iu mërzitëm njëri-tjetrit. Jo vetëm ne të dy, por i gjithë ai kolektiv i punës tënde (Riaftësimit), ku na kalonte një pjesë e ditës.

Si në një film të vjetër, por të ruajtur mirë, më kujtohen sa e sa skena së bashku, me të gjithë kolegët e tjerë; me Sadeten, Presor Kopin, Nikollën, Bardhën, Katin, Mirandën, Benin, Terin, apo edhe me Qamilen, Verën, Vitën tek pavioni i kalamajve përkashi, apo të tjerë më tej si me Afrimin, Pëllumbin, Besimin, etj.. A të kujtohet kur vajtëm si grup tek Sari Salltëku, në malin e Krujës dhe në kthim u dukeshim krutanve si turistë të huaj?! Çfarë kënaqsie! Bëmë dhe fotografi tek vendi fetar. Po ashtu edhe në qytet. Sadetja me dy shoqet-kolege të saj me syze dielli moderne, Terri e ndonjë tjetër me flokë të paqethura, unë me flokë të gjata e i parruar prej javësh. E si mos t’u dukeshim krutanve ne si të huaj!? Duhet të ketë qenë 1987-a ose 1989-a, në mos gaboj.

Po kur ne të dy iu ngjitëm dhe kaluam malin e Dajtit, në disa fshatra të humbur të Qafë Priskës, ti për të kërkuar themele kishash të rrënuara, ndërsa unë thjesht për aventurë, sepse më pëlqente t’u ngjitesha maleve, a të kujtohet? Si ata personazhet e Ismail Kadaresë, që kërkonin fshehurazi sinoret e tokave të tyre të shtetëzuara. Vetëm se ne të dy ndryshonim nga këto personazhe, pasi nuk shkonim natën dhe fshehurazi, por shkonim hapur ditën me diell dhe pyesnim ata pak fshatarë që takonim. Të shkretët ata thuaj, të habitur, ndoshta na merrnin edhe si të zbritur nga qielli, sepse ti i rruar dhe i qethur si kinez, me veshje të rregullt e të pastër, ndërsa unë me flokë të gjata e pa rruajtur, me pantallona të grisura tek xhepat dhe në gjunj, si pantallona mode të huaj, përballë tyre e ata na tregonin jo vetëm themele kishash të rrënuara, por edhe historikun e tyre. Në fillim të ndrojtur e më pas më të çliruar. Duhet të ketë qenë 1986-a ose 1987-a, apo 1989-a, nuk më kujtohet mirë! Pak rëndësi ka, sepse kohët kishin ndryshuar disi pas vdekjes së xhaxhit. Nuk është për t’u mburrur. Rëndësi ka që ti u kënaqe me ato rezultate të vogla që arritëm, unë u kënaqa thjesht nga bredhja me këmbë nëpër malin e Dajtit. Ti fetari dhe unë ateisti. Dhe më e rëndësishmja ishte ajo borë me flokë të mëdha që na zuri në zbritje.

–Ja, shpërblimi i Zotit, – the ti pak a shumë.

–Ndoshta! – nuk kundërshtova dhe aq unë dhe vazhduam të bisedonim dhe diskutonim për atë borë aq fisnike, pa u puqur –si gjithnjë– me njëri-tjetrin.

Vazhduam zbritjen (sa figurë simbolike që është) pa u zënë dhe grindur për problemet e qiellit, për t’u takuar tani pas 30 e ca vjetësh përmes linjës elektronike të internetit, (e ndoshta edhe nuk të bie në sy kjo letër e sotmja), të zbritur tashmë në skaje rregullash ndarës, por të vetëdijshëm të dy, si atëhere edhe sot, se Qielli atje lart është aq madhështor e i pakufishëm në punët/ ligjësitë e veta, sa çdo grindje njerëzore për ‘Të do t’i shkaktonte këtij Qielli një buzëqeshje të lehtë habie e ironie.

Kështu edhe unë në ditët e sotme, pasi u përpoqa t’ia plotësoj dëshirën plakës time dhe u përlasa me ca rregulla absurde të Kishës tënde, vetëm sa nënqesha pak me ironi, i bindur se njeriu e merr shpërblimin Qiellor – nëse vërtet ai ka një shpirt – pavarësisht disa rregullave fetare të këtij apo atij institucioni fetar, pavarësisht kësaj e asaj feje. Unë e bëra punën time, i thoja me mëndje plakës time, qysh kur ishte gjallë në ditët e fundit të saj. Në fakt i drejtohesha më tepër atij Universit tonë të pafundëm e të mistershëm. Dhe u përpoqa deri në momentet e fundit para varrimit të saj në Tiranë më kot. Nuk arrija ta kuptoja se përse dashuria e predikuar kristiane, ku besonte dekadat e fundit edhe plaka ime, paskësh të tillë rregulla rreptësie!

Mirëpo ja që për fat Shqipëria dhe shqiptarët i kanë caktuar Qiellit rregulla të tjera, e ndoshta bëjnë mirë se i thyejnë disa rregulla kishtare, që i vendosin njerëzit dhe jo Qielli. Mirë bëjnë në këtë rast të paktën! Njëri prej kushërinjve të mi, i cili – më duhet ta pohoj – i zgjidh një shumicë të punëve të tij përmes njohjeve dhe miqësive, (gjë që unë nuk di ta bëj, ti më njeh), gjeti një prift për t’ia plotësuar plakës time atë dëshirë të saj të shfaqur qysh në të gjallë të saj.

Dhe erdhi i shkreti prift, çfarë ia di për nder, erdhi pa shpërblim, ndonëse pa diçka të vogël unë nuk mund ta lija të ikte më vonë. Erdhi jo zyrtarisht, por miqësisht, siç është e zakonshme në Shqipëri; (duket sepse shumë nga ligjet e reja janë thjesht kopje e keqe e disa ligjeve të ardhura dekadat e fundit nga jashtë). Bëri ato ritet e tij e tha ato psallmet e librit fetar, e zgjati pak më shumë nga sa e kisha menduar, por nejse, në këto raste jemi të duruar dhe ndoshta shpirti i plakës time – nëse vërtet ne njerëzit kemi një shpirt, siç dua ta besoj me gjithë shpirt– duhet të ketë ngelur e kënaqur nga atje lart, nga ku e ka parë. (Emrin e priftit nuk po ta them, se kam frikë mos e dënoni për shkelje të rregullave tuaja të rrepta kishtare.) Kjo qe historia që nuk munda të rri pa ta treguar.

Po e mbyll këtë letër Miri, duke të uruar gjithë të mirat, paçka se unë nuk i kam kuptuar shumë nga rregullat tuaja fetare e kishtare, duke i konsideruar absurde dhe të vendosura nga koka e njeriut të vockël të planetit tonë!

Po e mbyll këtë letër Miri duke të kërkuar falje që po ta prish sado pak biografinë, sepse unë kam mbetur edhe sot e kësaj dite këtu në perëndim po ai bisht qeni politik i asaj kohe diktature të “proletariatit”, e biles ca më keq sot, ca më i shtrembëruar nga atëhere – që ta besosh këtë mjafton të më shohësh mjekrën si më është zbardhur prej vitesh, e ta kuptosh se sa peripeci kam kaluar tek e ashtuquajtura demokraci perëndimore, ndërkohë ti me disa vjet më i madh nga unë – me sa të kam vënë re në ndonjë lajm gazetash online – e ke mjekrën akoma të pazbardhur!

Po e mbyll këtë letër Miri, e njëkohësisht At Johani, duke të falenderuar për lutjet që mund të kesh bërë edhe për mua ateistin përgjatë gjithë këtyre viteve, siç edhe ke bërë më parë, sepse ndonëse unë nuk puqem me asnjë lloj feje të njerëzve dhe aq më pak me rregullat e tyre, besoj se Energjia e Universit tonë prek pak apo shumë cilindo njeri në botë!

Please follow and like us: