Albspirit

Media/News/Publishing

Lucia Nadin dhe Aurel Plasari, veprat më të mira për Skënderbeun

Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, Akademia e Shkencave ndau ditën e djeshme dy çmimet për veprat më të mira shkencore ose dokumentare kushtuar figurës së heroit tonë kombëtar. “Shqipëria e Rigjetur”, ndër tre autorë të huaj nominuar shpalli fituese profesoreshën Lucia Nadin. Vepra e saj, mundi të triumfojë ndaj Oliver Schmitt dhe Jose Manuel Floristan, si një vepër me karakter evropian që certifikon tipologjinë evropiane të qytetërimit arbër, duke provuar shkallën sinkronike të zhvillimit lëndor e shpirtëror të botës shqiptare në shekuj të humanizmit me dukuritë dhe prirjet zotëruese nga arealien adriatike mesjetare. Profesor Mateo Mandala përmendi gjithashtu gjatë shpalljes së çmimit edhe meritat jetësore të autores, e cila ka mundur të krijojë një model të kërkuesit pasionant e ngulmues për brezat e studiuesve të rinj. Nga autorët shqiptarë, ai që kryesoi ishte studiuesi Aurel Plasari. “Skënderbeu, një histori politike” bindi anëtarët e jurisë si një vepër me origjinalitet shkencor dhe me rëndësi metodologjike kushtuar heroit tonë kombëtar dhe epokës së tij. Kjo vepër, ndër të tjera u konsiderua si një model për zgjerimin e pikëvështrimeve, e cila ka mundur të bëjë trajtime të munguara ndaj figurës së Skënderbeut njëkohësisht duke nxjerrë në pah përmasat arbërore dhe evropiane të tij. Përpos të tjerave vepra e Plasarit, sipas jurisë, ka mundur të vendosë veprimtarinë historike të heroit në kontekstin e shekujve të humanizmit të Rilindjes Evropiane.

Gjatë ceremonisë, akademiku dhe anëtari i jurisë Shaban Sinani, bëri me dije edhe disa veprimtari të tjera të rëndësishme të Akademisë së Shkencave. Kështu, gjatë sesionit të dytë u prezantua Libri i Artë i Meritës në Albanologji, në të cilin do të përfshihen profilet e studiuesve më të shquar për Gjergj Kastriotin dhe epokën e tij, si për Kostandino Thanos (Greqi), Franz Babinger (Gjermani), Halil Inalçik (Turqi), Francis Pall (Rumani), Allain Ducellier (Franc), Aleks Buda (Shaipëri), Kristo Frashëri (Shqipëri). Për këtë libër ka lënë shënimin e tij edhe shkrimtari dhe akademiku Ismail Kadare. “Do të jetë një amzë e më të shquarve, më të merituarve me kontribute në Albanologji”. Dje, u njoftua gjithashtu pjesëmarrja në konferencën ndërakademike dhe ndëruniversitare që do të zhvillohet në fillim të muajit nëntor. Lidhur me këtë veprimtari profesor Sinani u shpreh se Akademia ka mbajtur një peshë serioze në ligjëratat magjistrale, pra në dy fazat paraardhëse. “Shpresoj edhe në fazën përfundimtare”, shtoi ai. Veprimtaria e tretë e rëndësishme, për të cilën Akademia e Shkencave njoftoi dje publikun është ajo e botimeve të dhjetë vëllimeve me burime të panjohura të përgatitura nga historiani i ndjerë, Kristo Frashëri. “Dhjetë vëllime në shërbim të ndriçimit të shekujve të humanizmit dhe të historisë së Skënderbeut dhe të epokës së tij. Dhjetë vëllime, ku ka dokumente në trembëdhjetë gjuhë, prej arabishtes tek spanjishtja dhe shpresojmë se do të ndryshojmë pamjen e burimologjisë për këtë epokë”, u shpreh profesor Sinani. Juria që vendosi për çmimet e akorduara për nder të 550-vjetorit të Gjergj Kastriot Skënderbeut, përbëhej nga profesor Pëllumb Xhufi, njëkohësisht edhe kryetari i jurisë, si dhe nga Luan Starova (anëtar), Shaban Sinani, akademik i asociuar (anëtar), akademik Rezvan Teodorescu (anëtar), profesor Matteo Mandala (anëtar).

Lucia Nadin: Krenare që çoj kulturën shqiptare drejt Italisë

Nëse studiuesi Aurel Plasari zgjodhi të mos mbajë fjalim gjatë ceremonisë së marrjes së çmimit, autorja e huaj Lucia Nadin, e emocionuar dhe me zërin që i dridhej falënderoi disa herë në shqip dhe italisht. “Jam krenare që çoj kulturën shqiptare, Shqipërinë e historisë, atë të bukurën drejt Italisë, në Venezia në veçanti, ku ka shumë kujtime të vendit tuaj. Gjithmonë e kam konsideruar punën time si një punë që rikthen kujtesën. Ndoshta kjo ngaqë vijoj të punoj për emigracionin e shumë shekujve më parë dhe kësisoj shumë shqiptarë që janë transferuar në rastin konkret në Italinë e Veriut dhe që kanë shkruar faqet të rëndësishme, duke e shfaqur që nuk vijnë vetëm nga një vend që nuk kishte kulturë, por përkundrazi ishin dëshmitarë të një vendi të madh, të ngarkuar me histori dhe kulturë”. Nadin, duke folur për shqiptarët që kaluan detin për të jetuar në Venecia, u shpreh se ajo po bënte rrugën e anasjelltë, për t’i risjellë Shqipërisë, për aq sa është e mundur shenja të historisë së tyre dhe të asaj që ata kanë shkruar.

Nominimet, autorë shqiptarë dhe të huaj

Për veprën më të mirë shkencore ose dokumentare autorët shqiptarë më garë ishin Aurel Plasari për veprën “Skënderbeu, një histori politike”, Kasem Biçoku me veprën “Toponimet mesjetare për studimet historike”, Petrika Thëngjilli me veprën “Skënderbeu, arritje, mangësi pikëpamje të ndryshme. Për veprën me të mirë shkencore ose dokumentare shkruar nga autorë të huaj, shqip ose në gjuhë ishin përzgjedhur tre autorët;  Jose Manuel Floristan, me veprën “Marrëdhëniet mes Mbretërisë së Napolit me Shqipërinë”, Lucia Nadin (Luçia Nadin) me veprën “Shqipëria e rigjetur” dhe Oliver Schmitt (Oliver Shmid) me veprën “Shqipëria venedikase” sjell në shqip nga Adrian Klosi. Këto vepra ishin selektuar nga 30 të tilla, që u paraqitën në këtë konkurs të organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Për secilin çminim vlera është 500 000 lekë.

Mungesat, Rama këmbëngul për fondet evropiane

I pranishëm gjatë ceremonisë, kryeministri Edi Rama ditën e djeshme bëri me dije se vendi ynë është i fundit në aksesin e fondeve evropiane në kërkimin shkencor. Ai u shpreh gjithashtu lidhur me reformën që do të bëhet nën drejtimin e Skënder Gjinushit, por edhe përballë një reforme të propozuar nga Artan Fuga. “Ajo që ne na duket më e arsyeshme është që të ndalemi edhe të nxisim një ballafaqim mes këtyre dy alternativave”, u shpreh kryeministri. Ndërkaq, ai u tregua kritik edhe ndaj ndryshimit që duhet të bëjë “akademia e së nesërmes” në rrugën e dijes.

Kadare për Librin e Artë për Merita Albanologjike

“Libri i artë i Albanologjisë do të jetë amza e më të shquarve në shkencën shqiptare që prej themelimit të saj e deri më sot”, ka shkruar Kadare në shënimin e tij. Në këtë libër do të jenë profilet e studiuesve më të njohur për Skënderbeun, po njësoj si për Kostandino Thanos (Greqi), Franz Babinger (Gjermani), Halil Inalçik (Turqi), Francis Pall (Rumani), Allain Ducellier (Franc), Aleks Buda (Shaipëri), Kristo Frashëri (Shqipëri)./shekulli/

Please follow and like us: