Poezia e Aleksandros Papadhiamandis nën shqipërimin e Arqile Garos
Pejsazh i mrekulluar
Agoi orë e haresë dhe e gëzimit˙
aroma lulesh tërë freski shpërndan
natyra, që në mrekullinë e zgjimit,
feston ringjalljen, jetën anë më anë.
Dhe zogjtë që nëpër degë po cicërojnë,
neraidat me kurora pranverore,
e rendin vashat, trimat të kërkojnë,
me erosin gazmor të luajnë prore.
Nuk gjen në k’të pejzazh të mrekulluar,
boshllëk, në harmoninë q’ e ka mbuluar.
Agoi çast i hareshëm fytyrëqeshur˙
por ti, e zbehtë e në të zeza veshur,
porsi qiri mortor fytyra jote,
një epitaf mermeri larë në mote,
fytyrë e ëmbël, një rrënojë shkretimi
q’ u tret nga dhembja kob e pikëllimi
Dhe syri yt i bukur i çngjyrosur,
në turbullirë të pellgut i varrosur.
E nuk je më krijesë rreze qarkuar,
por, mbetesh një pejsazh i mrekulluar.
Agoi orë e haresë, shpërthen gëzimi,
neraidat me kurora nëpër duar˙
për ty një maji s’ është veç ditë vajtimi,
një lule në homazhin e trishtuar.
Për ty sivjet shkëlqim nuk paska jeta˙
si plumb qielli, vrenjtaz hedh vështrimin,
bari i nxirë dhe fushat krejt të shkreta
pranverë pa ngjyra që zhgënjen zhgënjimin.
Dhe fryn veriu, ulërin vajtueshëm
të ritë e tu, pejsazh i mrekullueshëm.
Agoi agimi ëmbëlsisht malluar,
të shoh e më dhëmb shpirti, drithëruar.
Mos më mundo e mos më hidh vështrime,
shikimi yt më bën copë e thërrime.
Më mirë një skllav të isha e pranë teje,
se sa një mbret në k’të shkretim rrufeje,
pranë teje, Zot, le t’ isha i varrosur,
se sa n’ odanë e qiellit i marrosur.
Oh, po! mjerë ti, krijesë e adhuruar,
qan shpirti im, pejsazh i mrekulluar!
Shqipëroi: Arqile Garo, Janinë, shtator 2013.
Nënës
Oj nënë, unë qënkam i pafat, trumcak në mugëtirë,
që e rreh era me tërbim e shiu pa mëshirë.
I gjori! ngado që të vejë, kudo nga kokën kthen,
nuk gjen një gur ku të qëndrojë, një degë të flejë nuk gjen.
Varkë e vetmuar qënkam nënë, një varkëz e mjeruar
në det të hapur, në stuhi, mbi valë të shkumëzuar,
luftoj me dallgët pa timon, pa busullë, pa pëlhurë
e tjetër veç bekimit tënd nuk kam një shpresë, ogur.
Në prehrin tënd të ëmbël shumë do doja, nënë, të vija,
para se deti të më tretë, të prehesha, të rrija.
Do doja nënë, të ikja larg, kurbetit t’ i marr erën
e prej së largu shortit tim ti shihja pragun, derën.
Në mbretërinë e fateve mbushur me pikëllim,
të gjeja e t’ i lutesha përgjunjur shansit tim.
Ti them: mbi shpinë ti më ke shtënë mundime e derte shumë,
porsi një rrjetë që mbledh, zvarrit lëmyshqe, rërë e llum˙
ndaj kam një fat të poshtër pis, të ndyrë, të lemeritur,
që ka mohuar Shënmërinë, një ters të neveritur.
Ai u ul edhe m’ u gjegj, ai përgjigjen gjeti:
“Dita, fatzi, që linde ti ishte një ditë rrëmeti˙
të tjerët morën lulëzat e ti veç rrënjët more˙
kur Perëndia të latoi nuk ish dhe fort gaztore”.
Shqipëroi: Arqile Garo, Janinë, korrik 2014.
Lutje
Duart drejt teje po i ngrë, dhe syri i përgjëruar,
me lotët përvëluese që t’ i blaton malluar
zemër e shkretë, porsi qiri që mbeti pa firomë˙
oh, më dëgjo o Zoti im, o Zot, ti mëshiromë!
Je oqeani madhështor plot dhëmbshuri sublime,
në tempujt e shënjtorëve jehon veç lutja ime˙
ti, në debat me robin tënd nuk ke pse ngatërrohesh,
para apo pas faljeve mbi dhé kur lartësohesh.
Lavdia jote e pamatë, qiell pa anë, pa brigje˙
përpara teje, Zot i madh, vdektari nuk ka shtigje˙
pse emri yt pafundësisht sundon tërë hapësirën˙
çliroma shpirtin, fali Zot, rehatin dhe mëshirën.
Gjithë qënia ime u shkërmoq, po shkoj drejt errësimit˙
u katandisa gogozhel, kukudh i njerëzimit˙
të afërmit veç më mallkojnë e miqtë me mua tallen,
i tundin kokat me përçmim, pa le kur lëshojnë pallën.
E gjithë ç’ gëlojnë mbi këtë dhé më çmendin me akuza,
e me shigjeta ngjyer helm, me thika e topuza˙
gjer kur, po kur, o Zot i madh, do zbutësh mëninë tënde?
unë, që sa gdhin, të falem ty me fjalë, zemër e mënde.
Përpara teje si lëtyre po shklet gjithë jeta ime˙
çdo frymëzim e çdo ide mbytet në ngashërime˙
dua të jem dhe unë një gur në tempull t’ amëshuar,
a një qiri, që thjesht ndriçon altarin e bekuar.
Qiejt gjëmojnë e pa pushim himne për ty veç thurrin˙
buzët e mia drithërojnë, veprat e tua mburrin˙
por mundet një violinë e çarë të luajë harmonira?
dhe qysh një gjoks mbushur trishtim të psalli melodira?!
Në marramendje shpirti im, o Ndërtimtar i jetës,
lotët m’ u shterën, më nuk kam, për hir të së vërtetës˙
siç than rrezja e diellit, terr vesën mëngjesore,
mëshira jote kur mbërrin, shkëlqim e dritë hyjnore.
Ty, o Krijues, të drejtoj një britëm stentorjane,
Unë, një krimb plehu i pështirë, një pjellë e ndyrë, mjerane˙
prapsht mos e kthe lutjen kur del nga kraharor i bluar,
kurrë mos iu shmang, ti Zoti im, një shpirti të dërrmuar.
O Zot, veç teje cili zot, cila fuqi madhore,
e cila qënie mundet vallë të më mbërthejë prej dore?
në qoftë se lutjen time ti s’ e qas si të kulluar,
të bëhet shpirti im burim, plot lotë të turbulluar.
Duart drejt teje po i ngrë, dhe syri i përgjëruar,
me lotët përvëluese që t’ i blaton malluar
zemër e shkretë, porsi qiri që mbeti pa firomë˙
oh, më dëgjo o Zoti im, o Zot, ti mëshiromë!
Shqipëroi: Arqile Garo, Janinë, korrik 2014.