Albspirit

Media/News/Publishing

Romani “Ne” i Besart Varfit, botimet Toena

Fragment

 

DITËLINDJE

I

Ndjeva që jeta ime s’kish kuptim, bile edhe atëherë kur kujtoja se diç po bëja, si ai dikushi me të ardhme, s’isha aq entuziast. Se mos vetëm e imja. Këtë e mendova për ta marrë veten me të mirë, mjafton të hidhje sytë përreth, gjithë ato fytyra që e kishin të pamundur të qeshnin, ata sy të vagullt, në atë dritë të venitur, që mekej e dridhej herë pas here, duke menduar se, gjithsesi, më i mirë qe, se kandili i bërë me vaj e fitil pambuku, fije leshi nga mbulesa të vjetra ushtrie, sesa dikur. Kur ishte ajo dikur? Kur fillonte dhe mbaronte? Ajo gjysmë ngërdheshje, që buzëqeshjen s’e linte të dilte, me dhembje, flokët pak më të gjatë se një gisht nën bregun e veshit, pantallonat e qepura me porosi nga një dok i trashë dhe fare i zakontë, që të rrinin pas trupit, përpara dhe mbrapa, si të ishin të një toreadori, poshtë pak më të gjera se ato që vinin drejt, sa të mbulonin më shumë se gjysmën e këpucës dhe ajo muzikë që çirrej nga një kitarë elektrike, me një përzierje të përçudnuar nga një valle popullore me ritmin dhe melodinë e një grupi të kohës, të përtejdetit, duke mbërritur në bregun tonë, si mbeturinat e një anijeje të shkatërruar, përplasur në shkëmbinjtë e ishullit të përgatitur për luftë. Të gjithë e këndonin nën zë, e përgjonim dhe e kërkonim si të ish erë lirie! Unë, si të mbijetoja atë trysni të brendshme, përpiqesha ta gjeja veten diku tjetër, doja të krijoja diçka timen, pa e parë askush tjetër; ta prekja, ta kuptoja, dhe ashtu pa ngjallur dyshim tek askush, ta lija të më pushtonte të tërin, me lumturinë e asaj arritjeje, profesionin tim. Ashtu do ta shihja të rritej, pa shprehje fytyre, pa ndryshime të ngjyrës së zërit, pa atë veshje përsosmërie, që i vesh çdo marrëzie ngazëllimi dhe dashuria, e aq më pak t’i përgjigjej shpërthimeve të mia për një përdëllim kënaqësie nën rrezet e disa dritave të largëta si yje, që binin mbi numra magjikë, ndryshe nga fjalët, më të vështirë për t’u kuptuar. Bukuria e ritmit, melodia, shfaqeshin në fund, në atë kuti të vogël ku mbyllej perla që u ngjiz në përllogaritje 16 të vështira e të provuara në çdo mundësi. Ata do t’i dukeshin kujtdo të zymtë, të pajetë, të ngurtë, muzgje vjeshte me shi shifrash, që binin në zbritje e ngriheshin fluturim në shumëzime, me asgjë më shumë se e vërteta. Ajo forcë e mbinatyrshme, që mizorisht mund të ndryshonte jetë njerëzish nga një podium nderi në një qeli të fëlliqur vetmie, një arrati ku s’të pranonte as vetja, braktisur nga të gjithë dhe nga ç’mendoje të ish synimi i jetës tënde, nëse i tillë do të quhej të bëje të njëjtën gjë, derisa të vdisje. Besomëni, për të u rreka t’i përkushtohesha, me një ide të ngulur në mendje, ku trupi bindej verbërisht dhe i bashkohej me përkushtim, aq sa ndalja veten para pasqyrës, ta shihja me krenari, si ai, prej të cilit pritej diçka e rëndësishme dhe që këmbëngulës ecën drejt atij fati të pashmangshëm. Thashethemet për veten më kishin ardhur në vesh për këtë “dashuri të padëgjuar” dhe të dyshimtë, si për çdo gjë që i shpëtonte të zakonshmes a të njëtrajtshmes, sa çonte në rrëfime vullnetare, edhe në vetakuzime, për t’i dalë së keqes përpara, lëre pastaj të tjerët, ata që emrin, veç emrin kishin ndryshe. Ky veçim, apo qelimbyllje, e shtonte më shumë mosbesimin, si të ishte një tjetër fytyrë komedie për të mbuluar të vërtetën, një vend ku pushteti i olimpsave vendoste çdo gjë për të “poshtmit”. Eh, kush donte të ish atje, të paktën një shkallë më lart. As u dhashë rëndësi, e i lashë të më kalonin përbri; kokën e mbështolla në vete dhe pak te xhaxhai im, që ish shumë më i ditur e më me përvojë se unë, në këto punëra njerëzish, dëshirash të rrezikshme të çfarëdolloj dhe, siç ishte me duar dhe mendje të aftë, i zbërthente pjesë-pjesë, i pastronte e i vinte të punonin përsëri pa kërcitje e pa frikën se do të pengoheshin dhe do të bënin dëm. Ai, orakulli im, më tregonte se çfarë duhej të prisja, çdo të vinte më parë e çfarë më pas. Para syve kisha historitë e hidhura, se s’duhej t’i besoja, se më e pakta që mund të ndodhte do të ish një zhgënjim pa marrë asnjë shpërblim nga gjithë ç’ish “investuar” për të. Ndoshta kërkonte një fli. Fatin, më shpaloste para syve, si mjeku të sëmurit hap pas hapi, se çfarë do t’i ndodhë nëse nuk dëgjon këshillat e tij, pa harruar t’i thotë, më së pari, që ai vetë, mjek i mirënjohur e plot përvojë, është shpesh i pafuqishëm në atë që fati e nxjerr 17 nga thesi për ta çuar te të shumtit dhe në harresën e tyre. Një zgjedhje aspak e veçantë, tërësisht e rastësishme. Është për t’u çuditur, po ta vësh re me vëmendje në historinë e njohur, e sidomos atë të shkruar, pavarësisht nga kush, që në çdo shekull diku, ka një rizgjim, i cili s’ish ai që pritej nga dialektika, kushtet shoqërore, niveli i deriatëhershëm i njohjes dhe faktorë të tjerë (udhëheqësit e lavdishëm), e kushedi se çfarë. Si ithtar i Da Vinçit, s’mund të lë pa përmendur epokën e tij, q’erdh, siç thonë, nga shfarosja e popullsisë, nga ethet bubonike, te shekulli i Rusoit, sipas mësimeve të së cilit u mundua të më rriste ime gjyshe, e plot shembuj të njohur. Në kohën time, nëse mund ta quaj kështu, në të fundit është tregimi im, gjërat ishin përzier në atë farë feje sa nuk kuptohej më ç’po ndodhte: plogështia që vidhte jetë, merrej për dinakëri; pavendosmëria, si zgjedhje urtie, e më shpesh për besnikëri ndaj mendërisë së përgjithshme dhe të predikuar, ndërthurje interesash në shkallën e pushtetit; dhe të menduarit logjik, në një dogmë me kufij ngurtësisht të përcaktuar, sa s’arrinte të depërtonte asnjë vështrim vdekatarësh, shkruar enkas për këtë popull të përzgjedhur. Instinktet e bishave të uritura, për të ngrënë më mirë, më shumë sesa turma, në dhunti mbijetese, me më shumë pasardhës të njëllojtë për nga egërsia e mizoria. E, prapëseprapë, në mes të kësaj ngatërrese, ne, si të na kish mahisur një virus a insekt kryeneç, bënim të ngjiteshim diku lart e më lart, në një botë mbi re përrallash, në një kullë të fildishtë për nga bukuria, asaj që i kënduan poetët shekuj më parë, që i lëçisnim, kokëmbuluar nga frika se mos dhe hëna na shihte kur shkruanim ndonjë poezi për të, si dhe për ato shkëndija ndjenjash, që lindnin papritur aty-këtu si xixëllonja, se prisnin t’i vriste vjeshta. Ishte kjo rrekje së bashku me dëshirën për të qenë vetvetja që na ndryshoi, na bëri të ndihemi të veçantë. Brenda nesh, tashmë, ish dikush tjetër. Gjasat ishin që kjo dashuri së shpejti do të mbaronte, dhe pse me ngjyra rinie, faqepjeshkë, kthjelltësi si të ajrit, ndaj dhe duhej të mbyllej, të kyçej brenda atyre mureve, në atë rrethinë muresh të bënte, si çdo orendi, detyrën e saj, një ingranazh që s’di tjetër të 18 bëjë, veç për çfarë u krijua. Ato që lexonim, që shihnin përtej, jo vetëm i morëm për të vërteta, por dhe si një mësim që duhej të shkundte këtë përgjumje bosh, qoftë dhe sikur të kërkonte një vetëflijim romantik, kalorësiak, për të vluarën, që ndërronte formë a rrëshqiste nga një trup vdekatar te tjetri. I lodhur nga këto mendime, kisha shkuar në shtëpinë ku festohej ditëlindja e një shoqeje të gjimnazit. Siç ishte zakoni i kohës, edhe për brezin tim, tashmë të pjekur e jashtë bankave të shkollës, kjo ndodhi ishte një shpërthim dëshirash, por edhe një shfrim të mbyste brengat e ditës, ose të shmangte zhgënjimin e një pritjeje të gjatë, për ta shndërruar në një ngazëllim të pafre dhe në një zgjuarsi tallëse ndaj çdo gjëje të “ndaluar”, apo duke përmendur pjesë librash, që qarkullonin dorë pas dore brenda një rrethi të ngushtë, “të helmëtat”, pjesët që vinin në lojë qeverisjen perandorake, otomane, mesjetare dhe aspak ashtu siç shitej, sa dhe vetë s’e besonin. Aty lexoheshin poezi dhe disa bejte nga njëfarë autori, emri i të cilit ngjante me fjalën “kthe”, me mbiemrin “shpirt”, lojë kjo e fatit, por edhe e stisur. “E njeh atë?”, më pyeti dikush, një siluetë e zbehtë, humbur në tymin e duhanit, që pinte i shkujdesur dhe më tregonte me kokë në drejtimin për andej ku rrinte ulur. Ajo! Me krahët mbështetur mbi gjunjë, me duart që mbanin peshën e atyre flokëve ngjyrë të thellë toke, dhe ata sy që herë silleshin pa kërkuar në turmën e zhurmshme dhe herë përdhe mendueshëm, sikur të mos ish fare aty, por diku gjetkë. “Ku?”, pyeta. Aty ku çdo gjë nxitonte të vërtitej për të fundit herë në atë dhomë “pritjeje” dhe korridor, duke lënë takime, shkëmbim numrash telefoni, adresa a ndoshta premtime për t’u parë përsëri. Të gjitha ç’duheshin mbaruar, pijet dhe ajo copë ëmbëlsirë, ishin zhdukur me kohë dhe tani dilnin me frymën që i merrej goja dhe me bulëzat e djersës që vraponin nën sqetulla, në shpinë dhe në ballin e lodhur me një ndjenjë të pakuptimtë çlirimi… Nxitimthi, u nisa drejt saj.

Please follow and like us: