Albspirit

Media/News/Publishing

Lule Velo, lule Majko partizani

Enriketa Papa

Hegel, në leksionet e tij mbi “Filozofinë e Historisë konkludon se, “pa kujtesën e së kaluarës, nuk mund të ketë histori” dhe “pa histori, nuk ka shtet”!, në kuptimin e ngjarjeve që janë domethënëse mbi eventet e përbashkëta të përjetuara nga një komunitet kolektiv i ndërgjegjshëm për ato ngjarje që kanë ndodhur në të kaluarën. Por cilat ngjarje përbëjnë histori? Cilët personazhe kanë domethënie dhe i mbijetojnë kohës për t’u ngurtësuar në kujtesën kolektive të njerëzve?

Kujtesa është një veprim mendor vetjak i ndërgjegjshëm, qoftë kur ka lidhje me ngjarje personale, qoftë me ngjarje të përbashkëta me shoqërinë ku jeton. Por ama, në gjithë procesin personal të të mbajturit mend, kujtesa mbi ngjarjet e së shkuarës nuk mund të shkëputet nga konteksti social, pasi identiteti personal i individit është ndërtuar mbi identitetin kolektiv social të komunitetit, etnisë, kombit, të cilit i përket. Unë si person nuk jam i/e shkëputur nga komuniteti kolektiv, të cilit i përkas dhe i gjithë identiteti im personal është i ndikuar nga institucionet sociale, shtetërore, kolektive dhe eventet, simbolet e përbashkëta që jam hasur në të qenit tim pjesëtar i një komuniteti të caktuar social. Ndërgjegjësimi im mbi të shkuarën ka lidhje me ndërgjegjësimin tim si anëtar/e i/e komunitetit social e kolektiv ku jam pjesë.

Por kujtesa individuale dhe lidhja e saj me ndërgjegjësimin kolektiv mbi të kaluarën sot në një periudhë post-nacionaliste dhe multikulturore duket se nuk është e patjetër e njëjtë. Prandaj, dhe Pierre Nora e ngre problemin e kujtesës kolektive në varësi të periudhës dhe vendit, ku identiti kolektiv, sipas tij, nuk është më aq i qartë siç ka qenë më parë. Kjo merr kuptim, sidomos për ato shoqëri postautoritare dhe postdiktatoriale, ku kujtesa nga monovokale, gjatë periudhave autoritariste, në një shoqëri postdiktatoriale është multivokale. Aq më tepër problematike bëhet lidhja mes kujtesës mbi të kaluarën dhe realitetit social ku jetojmë, në rastin kur kemi të bëjmë me demonstrime dhe përkujtime ngjarjesh dhe personazhesh të së kaluarës ndaj brezit të ri dhe fëmijëve, të cilët ndikohen direkt nga ajo që shohin, nga ato që u demonstrohen apo injektohen në ambientet publike ku ata rrinë e frekuentojnë.

Shkolla luan një rol të rëndësishëm në formimin e kujtesës kolektive, pasi ajo është vendi i parë ku fëmijët mësojnë mbi ngjarjet kryesore historike. Shkolla kthehet në një instrument zyrtar të shtetit për të shpalosur programin “kombëtar” përmes teksteve shkollore dhe eventeve edukativo-kulturore dhe edukativo-sociale. Tekstet zyrtare shkollore janë një burim i pasur me materiale për të kuptuar efektet që ka shkolla dhe edukimi në përgjithësi, mbi mënyrën sesi e kaluara perceptohet apo pasqyrohet në rrafshin kombëtar. Tekstet pasqyrojnë njohuritë zyrtare që një shoqëri dëshiron t’ua transmetojë fëmijëve, njohuri këto të pasqyruara në forma faktesh, figurash, datash, ngjarjesh kryesore. Po ashtu, tekstet përkufizojnë në një rrafsh më të gjerë faktet, figurat, datat dhe ngjarjet, duke formuar narrativa, të cilat shpjegojnë se çfarë ndodhi dhe sesi ndodhi historia deri në momentin aktual, si u ngjiz identiteti kolektiv a kombëtar. Përveç teksteve, edhe eventet edukative që organizohen në shkollë në plotësim të programit kurrikular apo ekstra kurrikular, kanë karakter plotësues dhe formësues të identitetit individual përmes edukimit në shkollë.

Nga ky këndvështrim, si duhet kuptuar “mirëseardhja” e nxënësve të një shkolle 9- vjeçare në Tiranë, në ditën e parë të fillimit të vitit shkollor me këngën “Lule Velo partizani”, një prodhim dhe kompozim gjatë periudhës diktatoriale në Shqipëri, që për nga teksti evokon pjesëmarrjen në Luftën e Dytë Botërore të fëmijëve përkrah çetave partizane në luftë për çlirimin e atdheut? Një këngë patriotike, një këngë ideologjike, por që s’ka lidhje me shkollën dhe aq më shumë fillimin e saj dhe transmetimin kësisoj në ditën e parë të shkollës. Kjo ngjarje bëri aq bujë, sidomos në rrjetet sociale, sa dhe ministri për Diasporën dhe deputet i PS. Pandeli Majko bëri një status deklarativo-legjitimues në profilin e tij publik në “Facebook” pro transmetimit të “këngës partizane”, pasi “Çfarë të keqe paska kjo këngë dhe kë fyen ajo?! Bravo i qoftë asaj shkolle që ka vënë këngë partizane për ditën e parë të shkollës. Ajo është kënga e atyre që rrëmbyen armët kur atdheun ua pushtuan të huajt. Ky quhet patriotizëm, jo komunizëm”.

Nuk kam ndërmend të diskutoj pse u transmetua kjo këngë dhe cili ishte qëllimi i saj dhe aq më tepër statusin e një politikani, i cili duke qenë thjesht politikan, ka një të vërtetë subjektive mbi të kaluarën. Thjesht dua të vë në pah se sfondi politik, social e mbi të gjitha kulturor i vitit 2018, ndryshon komplet nga ai i 1945-1991. T’u transmetosh sot fëmijëve dhe të mbrosh një version monovokal mbi të kaluarën, aq më tepër kur bëhet fjalë për një të kaluar sensibile dhe të dhimbshme për një pjesë të shoqërisë shqiptare, të dalë nga postdiktatura është problematike. Ndokujt mund t’i duket që 27 vjet “demokraci” janë të mjaftueshme për të ridalë me simbolet e komunizmit, të këndohen këngë partizane në ditën e parë të shkollës apo në “Peza n’Fest”, qoftë dhe t’i këndohet Enver Hoxhës nga një kryebashkiak në një drekë publike dhe të dilet me foton e diktatorit dhe parullat pro diktaturës në evente publike o shtetërore.

Jo! 27 vjet “demokraci” nuk janë shumë, kur vjen puna te dënimi i krimeve dhe simboleve të komunizmit. Por aq më problematike është transmetimi i “këngës partizane” në ditën e parë të shkollës, fëmijëve, kur fëmijët nuk janë të ndërgjegjshëm për atë që dëgjojnë dhe përjetojnë, pasi ajo u injektohet nga strukturat edukative, të cilave u besojnë automatikisht identitetin e tyre. Pikërisht përfaqësimi i së kaluarës së grupit kolektiv lidhet edhe me identitetin e grupit – cilët jemi ne? (“partizanët e vegjël”, “ Velo”). Cilët janë të tjerët? (armiqtë, pushtuesit, ballistët, zogistët, antikomunistët). Ndaj, dhe siç ka pohuar Anderson (2006), identifikimi individual me kombin dhe shtetin nuk është automatik, por kultivohet me kujdes në mënyra të ndryshme, ku një ndër to është edhe shkolla. Si ndërhyn shteti në edukim? Pikërisht duke ndërmarrë herë pas here nisma për të rishikuar tekstet dhe kurrikulat mësimore apo organizuar evente edukative me qëllimin për t’i përditësuar apo kontekstualizuar me realitetin. Ky rishikim, aktualizim i teksteve dhe konceptualizim i eventeve, sidomos atyre historike, bën që shpeshherë shteti të fshijë, eklipsojë a ndriçojë ndodhi të caktuara të së kaluarës, të cilat legjitimojnë identitetin kolektiv apo “historinë kombëtare/kolektive” nga këndvështrimi publik e politik.

Kësisoj, në rastin e transmetimit të këngës “Lule Velo”, shkolla nuk bëri gjë tjetër veçse u paraqiti nxënësve një variant të së kaluarës historike, atë të periudhës diktatoriale. Statusi legjitimues i një politikani po në këtë vijë është thjesht lgjitimim i së kaluarës diktatoriale, kur një këngë e tillë u hartua dhe u lançua sot më 2018. Pikërisht sot, ajo fyen së pari viktimat e komunizmit, ata që u vranë nga “Velot” e rritur, sepse nuk iu bashkuan PKSH-së dhe çetave partizane në luftën kundra pushtuesve, por iu bashkëngjitën çetave nacionaliste në luftën kundra pushtuesit.

Më 2006, Parlamenti shqiptar ka miratuar Rezolutën e Këshillit të Europës “Mbi dënimin e krimeve të regjimeve totalitare komuniste”, që nënkupton marrjen e masave për çrrënjosjen e trashëgimisë së sistemit totalitar komunist në Shqipëri. Kështu, transmetimi i këngës “Lule Velo” e prodhuar gjatë atij regjimi me një qëllim të qartë ideologjik dhe indoktrinues për të legjitimuar një të vërtetë mbi luftën çlirimtare, shkon ndesh me parimet e lirisë dhe demokracisë, aq më tepër është simbol se çrrënjosja e trashëgimisë komuniste, pak është kryer./Panorama

*Pedagoge, UT

Please follow and like us: