Albspirit

Media/News/Publishing

Flamur Çani: KONSIDERATA PER FISIN SHEHAJ DHE PER ISMAIL GOLEMIN

 

Shehajt janë të ardhur nga Lekdushi i Tepelenës. Babai i Saliut ishte sheh Kadriu. Ai kish mekam në Lekdush dhe në Golem. Thonë se mekami i Golemit dhe vet sheh Kadriu qenë shumë të fortë si nga ana jetike e gjithçka. Ai qe njeri i zgjuar i ndershëm dhe i miqësisë me njerëzit e me shumë miq e shokë përreth vetes. Jo vetëm kaq por ishte dhe i pasur ekonomikisht.

Thonë se në vitin 1938, kur Ismail Golemi shoqëronte grekët, kur vajti në Golem, dy ushtarë grekë hipën mbi çatinë e mekamit të sheh Kadriut, por ra çatia dhe ata u vranë e vdiqën. Po kështu thonë se në 1966 në aksionin e madh për prishjen e institucioneve fetare, vajti në mekamin e sheh Kadriut në Golëm një grua nga fisi Komemaj, ku ngacmoi një gur dallues nga të mekamit dhe të nesërmen u çmend e doli pa çitjane nëpër rrugët e fshatit. Këto shembuj kanë bërë që të tregohen edhe ngjarje të tjera nga mekami e sheh Kadriu në tërë kohët.

Sheh Kadriu ka qenë i martuar me vajzën e sheh Hysenit e motrën e sheh Mersinit nga Erindi, me nënë Sulltanën. Sulltana qe motër me Zuron, gruan e Dajlan Haskës nga Mashkullora. Ata kishin vajzë, Mamudien, gjyshen time, që u martua tek Feti Çani. Kishin vajzë Sabon, që u martua me djalin e Merko Çipit nga Kardhiqi, me Ahmetin me prona të mëdha në Filipiadhë të Greqisë dhe vajzën tjetër, Memishen, të martuar me Aziz Çarçanin në Fushëbardhë. Zurua me Dajlanin kishin edhe djalë, Mursin Haskën, që u martua me Neslinë nga fisi i Shehaje të Erindit. Sali Shehu qe djalë i sheh Kadriut. Saliu e vlerësonte shumë babanë.

Sali Shehu vazhdimisht i thoshte sheh Kadriut: “Me ty unë dy gjëra do veçoja; që më njohe dhe më lidhe me njerëz të mirë e të kulturuar dhe së dyti që më le të pasur me prona e me para. Ai e merrte prapa Saliun në takimet e ngjarjet që kishte me miqtë e tij. Me pasurinë e tyre Shehajt blenë çifliqe te tyre në Çepunë, blenë bregun e Shehajve si kullotë dhe sheshin e Levenishtës, ku mbillnin duhan për tregti, kishin dhe shumë pemë frutore.

Saliu kishte vëlla Ibrahimin, babanë e Çajup Shehut si dhe i Havasë me nënë tjetër. Kadriu e Sulltana kishte dhe vajzën, Hidejen që lindi Bakijen.

Djali tjetër i sheh Kadriut ishte Rezmi Shehu, që kishte djem Mediun dhe Surja Shehun. Që të dy, Rezmiu dhe Mediu shkuan me Ballin. Sheh Kadriu me Sulltanën kishin vajzë, Aishenë, që e kishin martuar tek Riza Runa, vëllai i Vehip Runës, prefekt i Vlorës e më vonë prefekt i Gjirokastrës. Vehip Runa kishte djalë Perlat Runën që në Gjirokastër u bë Komandant i Ballit dhe vrau me duart e tij, Shyqyri Çanin, babanë tim, më 24 mars 1944.

Ne me Shehajt kemi pasur shumë vajtje dhe ardhje më parë, por edhe më vonë, pavarësisht nga kohët si qenë, bëheshim pak e larg e larg.

Saliu kishte djalë Mufitin, Qemalin, Iliazin, Muhametin dhe Hiqmetin.

Vëllai tjetër i Saliut dhe djali i sheh Kadriut, ishte Vitja që bëri djalë Hysenin, i cili u martua me Xhexhenë nga Plesati, vajzë e Iliaz Mehmetit dhe Hazbies nga Picari që ishte shumë mikpritëse e udhëheqësve, sidomos Shefqet Peçit dhe Bedri Spahiut. Hazbija qe vajzë nga Picari. Hyseni kishte nënë Xhemilenë, të urtë dhe mikpritëse. Shtëpia e Ilaz Memetit dhe e Hazbies, qe bazë e lëvizjes në Plesat, ajo qe në gjendje ekonomike dhe e shkriu ekonominë për lëvizjen. Ilazi ishte patriot i madh, ndaj u veçua Hysen Sheu me gruan e tij, Xhexhenë, nga Shehajt dhe nuk u trazuan kurrë gjatë luftës dhe më vonë. Më vonë Hyseni u morr me një lopë prej dore, deri sa vdiq, se doli në pension. Ndërsa Xhexheja punonte në rrobaqepësi. Ata rritën 6 fëmijë, 3 vajza dhe 3 djem. Elveheja u martua në Plesat me një burrë që ishte oficer në Durrës. Unë e ndihmova për djalin që vajti peshkatar në Durrës, Astritin, për djalin tjetër në ndërtim Dautin, për Sulltanën, të cilën e vendosa në laborator të ekonomisë, për Sadeten që punoi shitëse në librari, e më vonë për Fadilin që punoi në elektrik. Vajzën tjetër të Iliaz Memetit, Rebian Shehu, pasi u martua me Syrja Shehun, djalin e Rezmi Shehut, unë e vendosa disa vjet llogaritare në qendër, ku ajo punonte shumë mirë. Surjanë në zdrukthtari, Iliazin dhe Luanin shofer në ekonomi. Muhametin në karvanin që shpinin bukë në Çepunë në Zenelaj, Qemalin me kafshët e brigadës, kurse Kujtimin në stacionin e zooteknikës. Të gjithë kanë punuar mirë. Kam ndihmuar Iliazin për shkollën e dy vajzave për violinë. Kurse Çajupi me ekskavator në ujëra.

Motra tjetër e Saliut ishte Lulja, vajzë e sheh Kadriut. Ajo u martua me Ahmet Dacin nga Progonati. Medi Shehu ishte elektricist i zoti, prandaj e vura elektricist të kooperativës. Ishte në gjendje ekonomike të keqe. Gruaja nuk punonte dhe ishte bërë problem. Atëhere kishte një broshur të Komitetit Qendror për pjesëmarrjen në punë. Ajo qe vajzë nga Xheliajt e Mavrovës në Vlorë, kushërirë e Rrapo Dervishit dhe e Kadri Hasbiut. Një ditë të bukur i vete në shtëpi Rrapos, dhe i thotë: “Më ke kritikuar që mora Medinë burrë. Tani kam vendosur të iki nga burri e të rri këtu”. Rrapua kur dëgjoi këto fjalë u zverdh në fytyrë dhe u revoltua. Menjëherë më mori në telefon. Kur mbërrita në shtëpi tek ai, më thotë: “Merre, shpjere në Çepunë, e mos i kërko më llogari. Le të bëjë si të dojë”. E mora dhe me të qetë gjatë rrugës, i thashë se do ta ndihmoja me punë dhe me lekë nga fondi i ndihmës. Por ajo nuk doli në punë. Vetë Mediu punonte mirë. Nga projektet e tij u realizua elektrifikimi i krahinës. Por nga fshatrat, pyetesh: “Pse mbahet ai në punë?”.

Një ditë i bie muri i shtëpisë. Ai u vu në sëkëlldi. Ishte lidhur me Elmaz Skëndon që i binte qerestenë. Mirëpo ajo qe kontrabandë. Një njeriu i tij kishte kallëzuar te shokët e degës, dhe një natë që Elmazi do t’i binte qerestenë, i kishin ngritur pritë për t’i kapur dhe do t’i arrestonin që të dy, Elmazin dhe Mediun. Duke ardhur nga Fushë Bardha pashë Elmazin në buce me tre mushka me qereste. Tek Ura e Kardhiqit  gjeta punonjësit e degës dhe të afërmit e tij, që prisnin Elmazin. I rashë hiles dhe dërgova shoferin t’i thoshte Elmazit: ”Shpjeri ku të duash, por tek Mediu mos guxo t’i shpiesh qereste sonte”.

Një herë e kisha Mediun në tharësen e misrit. Ai punonte atje bashkë me diversantët rreth katër muaj. Mediu ishte keq ekonomikisht dhe jo pak herë më thoshte magazinierja se gjithë asaj kohe, prej katër muajsh, hante vetëm grurë të pazier. Por çoç kishte thënë me diversantin dhe ai e kishte informuar degën. Një natë vonë vajti Stefan Kulua me Besim Stafën, nënkryetarët e degës, të cilët do t’i ballafaqonin dhe do ta arrestonin. I pash rastësisht kur po veja për në shtëpi dhe u ktheva nga rruga. Më thanë problemin dhe ndërhyra për të mos ta arrestuar pasi ai ishte keq ekonomikisht. Siç u duk ato fjalë duhet t’ia u kishte thënë dhe diversanti. Më besuan dhe e lanë pasi bënë ballafaqimin. Kështu shpëtoi Mediu. Kaq kisha në dorë dhe kaq bëra. Ai dhe Shehajt besoj se e dinë dhe e vlerësojnë.

Saliu në luftë qëndroi neutral, megjithëse tentuan të dy palët ta aktivizonin për meritat që ka pasur ai, në të kaluarën. Saliu kishte shumë merita: Ai më 1911-1914 ka luftuar në Cepo kundër andartëve grekë me Sulo Beqirin e Çobo Golemin në krye. Më 1912 mori pjesë në Vlorë, në ditën e Pavarësisë. Ai kishte mik Mufit Libohovën. Mufitit i tha ta vinte komandant të policisë së Gjirokastrës, por ai nuk e pranoi ofertën, duke i thënë: “Nuk dua të të kem ty mbi kokë. Unë nuk dua njeri mbi krye.” Gjatë viteve 1914-1919 Saliu ka luftuar edhe në Delvinë me andartët grekë krah për krah me trimin tjetër nga Konispoli, Alush Taka, po kështu me Idriz Dhimën nga Zhulati në luftën e Lëkurësit, në Qafën e Gjashtës. Në 1912 ishte përfaqësues i Gjirokastrës në Kuvendin e Vlorës. Po kështu, më 1920, ai qe përfaqësues i Gjirokastrës në Lushnje së bashku me Asim Babameton dhe Hasan Xhikun. Saliu së bashku edhe me përfaqësuesit e Gjirokastrës ka qenë edhe pranë Princ Vidit në Durrës.

Më 1927 Mbreti Zog i dha gradën Kapiten në rezervë Saliut dhe Alush Takës nga Konispoli, ndërsa Sulo Beqirit i dha gradën nëntoger. Këto gradime ishin për luftën kundër andartëve grekë. Gradimi që i bëri Zogu Saliut bëri përshtypje se Saliu nuk ishte zogist, por fanolist, meqë kishte mik Mufit Libohovën, që e përmenda më lart.

Këto janë fakte, por me vajtjen te Ballin të Rezmiut, Mediut dhe Mufitit, u rëndua pozita e Saliut. Më 1947 kur bëhej inagurimi i shkollës në Çepunë, ku vajti dhe Haki Toska, ai pa Saliun dhe e thirri. E mori përkrahu, duke i thënë: “Hajde ti, se e ke vendin këtu!”. Në kohën kur kishte aktivitet në zonë banda e Manxhar Hoxhës, i vanë në shtëpi Saliut, por ai nuk i qasi, ata duke u thënë se ishte plak e nuk merrej me të tilla gjëra. Fuat Bajua nga Golemi i shpuri pjesëtarët e bandës së Manxharit edhe tek Rezmi Shehu, por edhe ai nuk i pranoi, duke u thënë, se sapo kish dalë nga burgu.

Kur u vra babai im, erdhi për të ngushëlluar gjyshen dhe nënën time, Mahmudenë dhe Fetienë, Sali Shehu dhe Ismail Golemi më 8 prill 1944 mbasdite. Atje rastësisht u takuan me Bedri Spahiun, gruan e tij dhe Kristo Themelkon, që kishin ardhur po për të njëjtën arsye, ngushëllimet. Ata u takuan se në fillim ishin në të njëjtin pozicion, por më vonë Ismaili kish kaluar me Ballin e disa herë ja kanë hapur rrugën njëri-tjetrit, pa pasoja, si miq që ishin.

Me meritat e Sali Shehut jam njohur nga bisedat që kam bërë me Abaz Çanin, Vehip Myrten nga Mashkullora, me Sulo Hodon nga Plesati, me Enverin më 28 Nëntor 1972, në takimin me Vehip Myrten, me Mehmet Shehun më 22 qershor 1972. Ai më pyeti për Myfit Shehun, me të cilin ka qenë në një klasë e në një bankë në shkollën e Fullcit; më pyeti për Shehajt e tjerë e më tha t’i aktivizoja si zanatçinj të mirë që janë. Mufiti ka qenë agronom i mirë, por nuk të linin ta shfrytëzoje si duhej. Ai në kohën e luftës kaloi me Ballin, por qe ideolog dhe nuk i kish lyer duart me gjak kundërshtarësh. Për nxjerrjen e tij nga burgu ishte interesuar vetë Mehmet Shehu. Prandaj më 1 gusht 1972 në zyrën time, krijova mundësinë dhe u bë një takim midis Mehmet Shehu me Mufitin në prezencën time. Mehmeti më dha porosi ta aktivizoja Mufitin, se kishte mësuar shumë, por e djallosi që vajti me Ballin. Llafe ka pasur dhe llafe ka bërë, por ai e porositi që të rrinte urtë.

Shehajt e tjerë, të mëdhenj e të vegjël kanë punuar mirë e më vonë pas 1991 nuk u treguan hakmarrës. Kanë punuar mirë dhe janë sjellë mirë sidomos Qemali, Iljazi, Hiqmeti, Muhameti, Kujtimi e Fadili.

Ismail Golemi ishte kuadër me Akademinë e kavalerisë, mbaruar në Bolonjë të Italisë. Më vonë ishte oficer në Himarë, në Shkodër, në Tiranë e në Fier. Ishte i aftë dhe trim. Në revoltën e Fierit mori pjesë në grupin e oficerëve kundër mbretit Zog. Ishte në krah të Riza Cerovës e Fan Nolit. Qe mik me Mufit Libohovën. Por është fakt, se megjithëse kishte studiuar në Itali, ai në luftën italo-greke përkrahu dhe shoqëronte grekët dhe jo italianët. Prandaj italianët e futën në burg 6 muaj. Ai në zonën e Kardhiqit qe bashkë me forcat greke me qendër në Jergucat. Kur doli nga burgu, ai rrinte në pronat e veta në Derven të Picarit dhe shpesh organizonte grupe gjuetarësh me Sali Shehun, Ahmet Docin, Abaz Çanin, Rezmi Shehun e doktor Vasil Labovitin. Vrisnin derra të egër, lepuj e thëllëza, madje edhe sorkadhe. I piqnin dhe i hanin bashkë; shpinin dhe në shtëpi. Ismali qëllonte shumë mirë. Bënin dhe gara në qitje. Të gjithë ishin shënues të zotë, vinin baste dhe bënin gara. Ismail Golemi në momentet e para rrinte sa më afër Qarkorit dhe forcave përparimtare.

Ai kishte grua Merushen, motrën e Ali Peçit nga Picari që ishte dhe mbesa e Shefqetit. Bëri djalë Barjamin e dy vajza, Merjeme Bizhgën dhe Gjenovefa Bellon. Gruaja e parë iu sëmur dhe e ndau e mori grua të dytë, Hava Shehun, vajzë e Rezmi Shehut, mbesën e Saliut, kushërirë e jona, por u martua për herë të dytë, pa vdekur gruaja e parë. Havaja kishte lidhje me ne dhe me Musin Haskën në Mashkullorë. Dhe herë pas here vinte tek ne bashke me Ismailin, duke shfrytëzuar dhe miqësinë me Abazin. Ai në Derven, në pronat e tij pranë Çepunës si dhe gjahu që bënte me Shehajt, me Abazin, me Ahmet Dacin dhe me doktor Vasil Labovitin. I lidhi ata me Shehajt dhe mori grua të dytë, Havanë.

Ai ka ardhur disa herë në Mashkullorë, për tu hedhur me Lëvizjen Nacionalçlirimtare fillimisht. Ishte aktivizuar së bashku me Lato Brahon. Pas kësaj dhe pikërisht kur ai u takua me Ali Këlcyrën si dhe për disa keqkuptime me Qarkorin, që nuk e mbajtën afër, ai kaloi me Ballin. Kështu një ditë të bukur, dhe pikërisht më 12 shkurt 1943, Ismail Golemi erdhi me forca balliste në Mashkullorë. Më parë ballistët u futën në fshat te hajati i shkollës, filluan të bisedonin me burra të fshatit për t’i bindur e hedhur në krahun e tij. Por në moment u ngrit Vehip Rukia dhe i tha: “Ismail, para se të flasësh, dil e mblidh njerëzit e tu që të shoqërojnë, se s’lanë gjë pa vjedhur e po kërcënojnë gratë dhe vajzat e fshatit”. Dhe Ismaili veproi menjëherë; doli dhe i mblodhi ata e filloi të fliste prapë. Po përsëri Veip Rukia, u ngrit e foli: “More Ismail, si të të kuptojmë ty? Deri dje na ke ardhur dhe ke folur, për të na lidhur me Nacionalçlirimtaren, kurse tani na vjen, për të na lidhur me krahun tjetër?! Mos do vish prapë, për të na treguar tjetër rrugë?…”

“Po, – i tha Ismaili, – Fillimisht Nacionalja më dha një byrek, kurse Balli më dha një revani. Si thua të ha revaninë apo byrekun? Them të ha revaninë.”

Ndërsa xha Vehipi ia ktheu: – “Ti Ismail, nuk hëngre byrekun e Nacionales, por ne kemi dhënë fjalën e nuk e kthejmë atë. Sikur m… të jetë dhe s’e kthejmë.”

“A, të të them, xha Veip, – i tha Ismaili, – e di që më the një fjalë të madhe, prandaj ta dini që unë nuk do vij më në Mashkullorë dhe nuk do bëj dëm këtu me forcat e mia në asnjë rrethanë…”

Dhe realiteti tregoi, se ai e mbajti fjalën e thënë e nuk shkeli më në Mashkullorë e zonë. Ai bëri dëme në vende të tjera, deri në Shkodër, ku e kapën dhe e burgosën e më pas e pushkatuan. Ai me Bedri Spahiun duheshin dhe i hapnin rrugën njëri-tjetrit. Pa vrasjes së Asim Zenelit ai shkoi së bashku me Neshet Kolonjën (Shehun) për të ngushëlluar babanë e Asim Zenelit. Atje shkoi njëkohësisht dhe Bedri Spahiu dhe Mustafa Matohiti për të ngushëlluar babanë e Asim Zenelit. Kur u kthye Bedriu nuk e lejuan ballistët e Golëmit për tre ditë rresht të kalonte dhe erdhi Ismaili dhe i mundësoi kalimin. Kurse në Zhulat në 12 shtator 1943 u takua Ismaili me Bedriun dhe kur diskutonin, mes të tjerave, Ismaili i thotë Bedriut: “Po është e vërtetë që luftën do ta fitoni ju. Por siç e the dhe vetë, zoti Bedri, çdo gjë do ta kini në radhë për ta blerë në dyqan. I pari dhe i dyti do marrin, por të fundit do mbeten pa marrë”. Më vonë I hapën rrugë njëri-tjetrit sipas rrugës që kishin marrë. Me 8 Prill 1944 Ismail Golemi dhe Sali Shehu erdhën në Mashkullorë të ngushëllonin gjyshen tonë, për djalin e vrarë dëshmor, por më pas erdhi dhe Bedri Spahiu me gruan dhe Kristo Themelkon dhe aty ja dhanë dorën njëri-tjetrit. Ata e respektonin shumë njëri-tjetrin.(B.S)

Shefqeti ia kish bërë benë, qysh kur i la kushërirën. I kishte thënë: “Unë do të të gjej edhe sikur nën bishtin e pelës të futesh e do të të vras…” Dhe ashtu ndodhi. Ai u kap dhe pastaj u dënua, kurse fëmijët e tij janë trajtuar mirë si rezultat edhe i kujdesit të Shefqetit. Havaja, gruaja e dytë e Ismailit, kur Shefqeti qe Komandant Divizioni, i vajti atij në shtëpi me dy bomba në pëqi, për ta vrarë e për të marrë kështu hakun e burrit. Kaloi rojen (ushtarin), por në korridor i ranë bombat nga pëqiri kështu që e kapën dhe e arrestuan. Në burg punoi si rrobaqepëse e dalluar dhe iu ulën vitet e dënimit. Kur doli, u sistemua me punë dhe e mbylli pleqërinë tek nipërit e saj. Qe në gjendje të keqe ekonomike dhe shpesh herë më lutej ta ndihmoja.

Një ditë i kishte bërë një letër Shefqet Peçit dhe ai në shënimin e tij, më thoshte, ta shihja e ta ndihmoja. E vendosa në pulari. Punonte e shërbente mirë dhe ruante prodhimin. Ishte bashkë me Muhametin që i shpinte hirrë nga baxhua, mbeturina e jonxhë të njomë. Atëherë unë zija planin e vezëve dhe furnizoja kopshtet dhe çerdhet e fëmijëve nga hiç që merrnim më parë. Dhe këto ishin në saje të kujdesit të Havasë. Unë veja disa herë për të parë pulat, së bashku me Malon, dhe shpesh ajo na tregonte kujtime nga jeta e saj e me Ismailin, deri në mbrëmjet edhe kërcimet që bënte me italianët. Tregonte dhe nga jeta në burg, për mundësitë e mëdha që kishte, për të prerë e qepur modele të ndryshme edhe për gra edhe për burra e sidomos njerëz të preferuar të kohës. Ndonjëherë kërcente me Malon fans dhe kërcenin shumë bukur, ndaj unë kënaqesha duke i parë. E mbajta punëtore në në pulari, deri sa doli në pension më 5 gusht 1985.

Një mbasdite erdhi Shefqet Peçi te Ura e Kardhiqit  dhe më mori të shkonim tok në Çepunë për të parë kushëririn e tij, Abil Bizhgën nga Kaparieli. Ata duheshin shumë. Te kryqëzimi që merr për Çepunë dhe për kodër, kalonte Havaja. Ajo na pa dhe ndërroi rrugën.

– Ç’është kjo? – më pyeti Shefqeti.

– Ajo që desh të vrau ty me bomba, për të marrë hakën e Ismailit. – iu përgjigja aty për aty.

– Është nga sua i fismë. – tha Shefqeti dhe pa përfunduar mirë fjalën, i foli asaj, – Hava, o Hava! Hajde të takohemi!

Ajo u kthye nga rruga dhe erdhi tek ne. Dorën nuk ia dhanë njëri-tjetrit, por folën.

– Si je, xha Shefqet? – i foli Havaja.

– Mirë jam, – ia ktheu ai, – Po ti si je?

– Çka, mirë, – u përgjigj ajo.

– Po ky djali të ndihmon ndopak, se këtë kini tani këtu – e pyeti ai, duke parë nga unë.

– Këtë e kemi djalin tonë, po ç’të bëjë dhe ky më tepër?! S’e lënë rehat, se gjen belanë nga ne. Ama edhe ti më ke ndihmuar. Të faleminderit, o burrë i Labërisë! I sojmi, po i sojmë mbetet. – i tha Havaja.

– Edhe ti e sojme je, sua trimash, – ia priti Shefqeti menjëherë. – Por ç’e do, u lidhët me ata…

Nuk e vazhduan më bisedën, por u ndanë me një përshëndetje me të tundur të kokës që të dy. Kur u largua Havaja, Shefqeti më tha: “Ka qenë derre e derrit Havaja! Ka qenë trime në atë kohë. Vajzë labe. Si burrë qe fare”. Ajo më vonë vdiq dhe nipërit ia bënë të gjitha nderimet.

Kur shkuam tek Abili, e gjetëm shtrirë të sëmurë. Siç dukej qe në vitet e fundit të jetës. U takuan. Shefqeti uli kokën e puthën në buzë e nga sytë e atyre trimave dolën pika loti. U puthën gjatë, si duket, për të fundit herë. Shefqeti nxori dy pesëqindshe dhe ia dha Abilit, kushëritit të tij dhe një tjetër kartmonedhë nuses së djalit të tij, që i bënte shërbime xha Abilit. Shefqeti foli: “Abili ka qenë trim dhe bujar. Në operacionin e dimrit në shtëpinë e tij, atje në Kapariel, ku rrinte Abili, rrija jo vetëm unë, por dhe Hysni Kapua dhe partizanë të tjerë, që hanim e pinim dhe flinim atje. Më porositi Shefqeti, t’u gjenim ndonjë hyrje që të fusnin kokën, Abili me djalin e tij, me gjithë fëmijët e Dilaverit. Si u mendova pak, i thashë të shkonim te apartamentet që kishim bërë për kuadrot që do vinin nga qyteti (dy plus një). Ju bë shumë qejfi dhe tha: “T’i rrosh asaj nënë, mor djalë, që hodhi të ritë e saj të të rriste e të të mësonte”. Pas atyre fjalëve u ndamë me xha Abilin.

Shkuam në shtëpinë e pritjes, ku qe shoku Adil e si biseduan për shtëpinë, të dy mbetën të kënaqur. Të nesërmen në drekë kur do ikte për në Tiranë, Shefqeti ndaloi në Urë të Kardhiqit, më mori mua për ta shoqëruar dhe më tha: “Hajde të vemi te Abil Bizhga, se si duket nuk do takohemi më”. Abili qe vendosur në hyrjen e re në katin e dytë. Ata të dy, Shefqeti e Abili u takuan për të fundit herë, se ai pas një muaj vdiq. Kur u takua Shefqeti me Dilaverin, ky i fundit i tha: “Xha Shefqet, thuaj Flamurit të vete në katin e parë, se kam shumë fëmijë dhe dua të zgjerohem. Mirë që u ktheve shoku Shefqet, se do të kishte vajtur më parë letra nga Dilaveri për tu ankuar në Tiranë. Dhe Shefqeti me të qeshur i tha: “Të falin gomarin dhe e shikon nga dhëmbët”. “Mirë more mirë. Shko, – i thashë unë, – se dhe ajo bosh është.”

Më 24 shtator 1976 erdhi tek Ura e Kardhiqit  Kadri Hazbiu si i deleguar në Konferencën e Rrethit. Pamë së bashku parcelën e misrit në Panovllak që ishte nën kujdesin e Pavli Kajtazit. Prej andej shkuam në parcelën e Plesatit, ku shërbente Levend Minxha. Tek të dyja mbeti i kënaqur. Kur po ktheheshim me makinë mbrapa të dy, më pyeti: – E di kush është varrosur aty në anë të xhades?

– Më duket se Manxhar Hoxha, – i thashë unë.

Ai ma aprovoi përgjigjen dhe shtoi: – Kur e qëlloi Xhebrua, punonjësi i degës, fillimisht e plagosi. Ne kishim dhënë urdhër të kapej i gjallë, të punonim me të e ta shfrytëzonim; por ai rrojti deri sa erdhi në këtë vend dhe vdiq. U nisa urgjent nga Tirana dhe e gjeta të vdekur. Ai në Kolonjë shkonte te gruaja, por shkonte edhe te dashnorja, ku hipte nga dega e fikut nga dritarja i futej në dhomë. Atje te fiku e qëlloi Xhebrua.

Manxhari ishte trim. Ai me të tjerë thonë se vranë Alush Alikon, Destar Norën e plagosi dy të tjerë, por kjo nuk është e vërtetë. Sepse Manxhari u vra dy vjet më parë, ndërsa Alush Alikua u vra në vitin 1950 te hauri i Destan Norës, nga Musa Rexhua e Memo Rekua. Manxhari strehohej në Levenisht te Zekatë. Dhe atje, ai vrau një prongjiot që bënte dru për në Gjirokastër se i pa dhe i njohu. U mendua që atë e kishin vrarë Rezmi Shehu, Haziz Lazua e Kaman Bistri, prandaj i burgosën dhe dolën tre herë në gjyq, por nuk pranuan. Gjatë rrugës kur u plagos vdiq Manxhari, – tha, – dhe për këtë vrasje. Ndaj u lëshuan ata nga burgu dhe u tha se e lëshuan se Hariz Lazua e ka Shefqeti kushëri. Manxhari, pati thënë që kishin vajtur dhe 3 herë të tjera të vrisnim Abazin e Vehipin në Mashkullorë, por s’i kishte lënë Dino Haska, se e kishte mik Abazin e nuk donte vrasje në Mashkullorë.

Shkuam pas kësaj vizite në shtëpinë e Pritjes, ku unë vazhdova: – Një pjesë të këtyre që thoni ju, unë i di, se m’i thanë veteranët. Një ditë më 1969 aty nga maji zbrisja nga Mashkullora për në punë. Rreth orës 9.00, kalova nga rruga e Çepunës e në avlli mbi një sënduk qe ulur e ngrohej Sali Shehu. Ishte një burrë i gjatë, i shëndoshë, i verdhë nga fytyra e me flokë të verdhë. Ishte i plakur e me një sy të vënë prej porcelani. E përshëndeta dhe ma ktheu duke pyetur:

– Ç’je ti, more djalë?

– Jam nga Mashkullora, nga Çanajt, i thashë.

– U.. po ne jemi tanët, – më tha. – Ti je ai agronomi i ardhur tani?

Siç dukej e kish marrë vesh edhe pse ishte mbi 90 vjeç.

– Po ne të kemi djalin tonë. Unë me babanë tënd jemi kushërinj.

– Edhe unë çoç di, – i thashë. – Më ka thënë xhaxha Abazi.

– Po Abazi me ne gjuante, e rrinte, – vazhdoi Saliu, – dhe kur u plagos babai yt, këtu erdhi për të marrë një dyfek dhe ne e morën pas për të marrë hakun. Ne jemi të sho-shoqit, por na ndau jeta. Ki kujdes, se mos të bëjnë dëm, po u takove me ne… Nuk di pse na kanë marrë ters shumë, por unë kam meritat e mia dhe çdo berr varet nga këmbët e tij. Unë nuk jam trazuar me këtë luftë me të tjerët. Në 1911-1914 kam luftuar me Sulo Beqirin e me Alush Takën në Delvinë kundër grekëve më 1914-1919. Kam qenë së bashku me gjirokastritët e tjerë në 1912 në Vlorë, në qeverinë e Lushnjës e pranë Princ Vidit,… etj.”

Unë tunda kokën, i dhashë dorën dhe u ndamë. Më nuk u takuam, pasi ai vdiq në shtator të 1969-ës.

Please follow and like us: