Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Shqiptarët dhe përvjetori i Skënderbeut

Viti kushtuar Gjergj Kastriotit, shqiptarët i ka gjetur të trullosur, politikisht, kulturalisht dhe shpirtërisht.
Pa ndonjë busull orientimi, ata vërtiten nëpër kriza të gjithfarshme dhe nuk dinë ka t’ia mbajnë.
Në këtë atmosferë të tendosur, ku idetë qarkullojnë vështirë, për shkak të llumit dhe betonimit të padijes, natyrisht, ngjarjet e pakta me vlerë, mbesin në hije të marrëzirave të shumta, të cilave, çuditërisht, shoqëria jonë, shpeshherë di t’iu jap krah.

Sot, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” të Kosovës, u hap një ekspozitë shumë e rëndësishme, me titull “Jeta dhe Kohërat e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Heroit Kombëtar Shqiptar”, koleksion i Librave Antikuar të koleksionistes së njohur britanike, Patricia Nugee, e cila, ndonëse në moshë të shtyrë, mori pjesë në këtë aktivitet.
Mbeta i fascionuar nga përkushtimi i saj për heroin tonë dhe vlera që përfaqëson kjo figurë shembullore.

Patricia Nuge, në koleksionin e saj i kishte rreth 500 ekzemplarë, të cilët i kishte prezantuar në shumë kryeqytete të Europës.

Në këtë ekspozitë, të realizuar në Prishtinë, u paraqitën 37 libra të botuara në mes të shekujve XVI dhe XVIII, në Romë, Augsburg, Strasburg, Venedig, Frankufurt, Londër, Lisbonë, Madrid, Paris, Amsterdam, Brecia, Edinbur, Napoli, Stokholm dhe Danimarkë.

Kjo shtirje kaq e gjerë dhe kaq thelbësore e figurës së Gjergj Kastriotit, në një kohë kur, në trojet shqiptare kishte ra terri osman, tregon qartë ç’domethënie kishte emri dhe vepra e tij atëbotë për botën e artit dhe të kulturës. Po, kjo ekspozitë tregon ç‘fuqi reprezentotne emri dhe vepra e tij në atë shekuj.
Në fakt, bëmat e Gjergj Kastriotit u përjetësuan në kulturën dhe artin perëndimor, në zhanre e forma të ndryshëm, shumë kohë para se ne të shkruanim për të.

Kohëve të fundit, tokat shqiptare, janë tejet të pëlleshme për gjithfarë gjithologësh, që nuk prajnë së sajuari teoriçka të mbështetura në hiçgjë, për gjoja mitin e Skënderbeut, si prodhim të Rilindës Kombëtare. Këto broçkolla i dëgjojmë kurdo e kudo. Madje, si pasojë e kësaj mendësie, para disa vitesh, pati filluar beteja për çmitizimin e figurës së tij.
Soji i këtyre gjithologëve, u orvatën dhe orvatën t’iu mbushin mendjen shqiptarëve se, Gjergj Kastriotit është një mit koti, si krejt mitet dhe “harrojnë” të gërmojnë pak më shumë në histori dhe të gjejnë Skënderbeun real, të thadruar në ndërgjegjen perëndimore, disa shekuj para se të vinte në hapësirat shqiptare, përmes Rilindjes Kombëtare.
Ç’është e vërteta, Skënderbeun dhe përmasën e tij, e ka ruajtur perëndimi, ndërkaq ne e kemi marrë fal arbëreshëve dhe korifenjve tjetë, patriotë të zellshëm, që u bënë dishepuj të rëndësishëm të Rilindjes Kombëtare. Po, ne e morëm dhe natyrisht e vumë në themelet e rikthyen Skënderhuen në gjirin tonë dhe e bëmë shtyllë të platformës kombëtare e kulturore të Rilindjes. Sepse, historia e kulturës shqiptare dhe e kombit shqiptar, pa Skënderbeun mbetet një hiçgjë, prandaj, siç ka thënë më te drejtë Ismail Kadare, “Gjergj Kastrioti i duhet Shqipërisë, jo si luks, por si gur i themelit. Koha e kishte treguar se pa Shqipërinë ai jetonte, kurse Shqipëria s’bënte dot pa të”.

Fotografia e Ndue Ukaj

Fotografia e Ndue Ukaj

Fotografia e Ndue Ukaj

Fotografia e Ndue Ukaj

Fotografia e Ndue Ukaj

Fotografia e Ndue Ukaj

Fotografia e Ndue Ukaj

Please follow and like us: