Albspirit

Media/News/Publishing

Rrëfimi i shkrimtarit Enrique Vila-Matas: Si e njoha Ornela Vorpsin!

Shkrimtari spanjoll, fitues i disa çmimeve të rëndësishëm rrëfen se si shkrimtarja me origjinë shqiptare trokiti në derën e tij. Ai tregon si u njoh me krijimtarinë e Vorpsit dhe bën një prolog për veprën “Vendi ku askush nuk vdes kurrë”

Enrique Vila-Matas

Ishte tetori i vitit 1977 kur papritur fillova të ndiej një interes të pazakontë për Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë. E kujtoj, e kujtoj! “Je me souviens”, thoshte Perec në librin ku fliste për kujtimet e tij mesa duket më banale. Ishin të shumtë njerëzit e brezit tim që në revistën “El Viejo Topo”  flisnin për Shqipërinë dhe e prezantonin këtë vend si shembullin perfekt të një shoqërie maoiste ideale. Vetëm një vit më parë kisha kërkuar në Fjalorin “Shpatë” të të mive, dhe në një artikull të vitit 1933 thuhej, lidhur me Tiranën, se ishte një qytet i vogël i agrar me shumë xhami, ku shënohej një “boom” i fabrikave të sapunit. Mbeta pak i surprizuar, mirëpo shumë pak vite më vonë do të më hutonin edhe më shumë  librat e panumërta, në të cilat Enver Hoxha paraqitej si më i miri i qytetarëve të botës. Dhe kur gjatë viteve pasardhës, në vitin 1978, Kina maioiste ndërpret marrëdhëniet me Shqipërinë, duke e bërë të zhytet pothuajse në një mizerje absolute, i kuptova edhe më pak dëshirat kurioze të ideologëve të së majtës ekstreme spanjolle. Ajo çka për mua ishte shumë e çuditshme, duke qenë se në vendin tonë kishim duruar 40 vite të frikshme të diktaturës dhe nuk kishte kuptim ishte, që me vdekjen e tiranit, të rinjtë e brezit tim të propozonin një model të ri vrasësi si udhëheqës shteti. (…)Ajo që neve sot na duket thjesht groteske, për Ornela Vorpsin, e lindur në vitin 1968 në Tiranë, ishte një makth i madh, një tmerr gjigant që, i përshkruar në “Vendi ku askush nuk vdes kurrë”, e bëri të qesh nëpërmjet rrugës së lotëve më të pastër dhe më të dendur.

Është një trajtim i mrekullueshëm, dhe më duhet të them se mbetem gjithmonë i magjepsur nga pelegrini dhe sensi tragjik i humorizmit të kësaj shkrimtareje që ndoshta për ngjashmërinë e saj fizike dhe veçanërisht shpirtërore me Audrey Hepburn, më kujtonte vazhdimisht diçka që thoshte vetë Hepburn: “I adhuroj njerëzit që bëjnë për të qeshur. Besoj sinqerisht se e qeshura është ajo çka më pëlqen më shumë. Mund të kurojë shumë të këqija. Ndoshta, është gjëja më e rëndësishme tek një njeri”. Ornela e ka kaluar të gjithë fëmijërinë dhe adoleshencën, duke ëndërruar të largohej jashtë vendit. Si ishte e mundur të bëje diçka të tillë në një vend ku askush nuk mund të vdiste duke qenë se askush nuk ishte i gjallë? Kjo ëndërr drithëruese prej të vdekure të gjallë është një nga aset e këtij romani, e këtij libri të paharrueshëm në të cilin i jepet fjala një zëri ironik, zërit më të rrezikshëm mes tipeve të ndryshme të sarkazmës: satira femërore është realizuar më së miri. Nuk e di se kush e ka thënë se nuk ka asgjë më të rrezikshme se sa të kesh një grua kundër. Mirëpo, “Vendi ku askush nuk vdes kurrë” është një provë e mirë e kësaj. Në libër të gjithë të vdekurit vdesin akoma më shumë. Dhe Vorpsi kap gjithmonë objektivin, si të kishte me vete një gjeni të vogël që e ndihmon të marr në shenjë me një precizion të jashtëzakonshëm.

Ky gjeni është mjaft i dukshëm në çdo moment, në të njëjtën mënyrë në të cilën mund të shikosh autoren, si kur flet me delikatesë për historinë e mjerueshme morale të Shqipërisë, si kur diskuton për  spiralet e hekurta të një sobe në shkollën e saj. Mund të dallohet edhe kur flet për historinë e asaj “bordelloje” të Tiranës si forma e vetme e mundshme e të rinjve shqiptarë, po ashtu edhe kur rrëfen për të atin e burgosur nga Hoxha pas asnjë motiv, veç në mos qëllimi të ketë qenë që të martohej për herë të dytë. A mund të dallohet autorja? Drama mund të rindërtohet fizikisht nëpërmjet historisë Elona-Ornela-Eva, një treshe dhe në të njëjtën kohë heroinë e vetme e një përralle brilante rreth diktaturës shqiptare. Rrëfimtarja qesh me gjithçka, por e bën me dëshpërim, ç’ka na lejon më me lehtësi që të zbavitemi, duke lexuar këtë libër të thellë, e në të njëjtën kohë të perceptojmë horrorin e një jete, si ajo e Elona-Ornela-Eva, që mundte të ëndërronte dhe të kërcente në mes të vdekjes. Jo më kot gjyshi i saj e thërriste Mata Hari, balerinë dhe spiune.

Elona-Ornela-Eva kërcente në mes të vdekjes, dhe njëra nga ato, për shembull, ishte shoqja e profesoreshës Dhoksi, që një ditë, duke u përpjekur ta rrihte, kishte lejuar që dora e saj të fluturonte, “si një balet i ëndërruar shumë kohë më parë”. Ishte ndoshta, ky dansi “tirana”?. “Tirana” ishte një balet mesjetar spanjoll shumë i diskutuar. Dhe mund të thuhej se Ornela, autorja, në këtë roman nuk resht kurrë së kërcyeri atë. “Tirana” ishte një kërcim i qetë, i shtruar, por i aftë të helmonte në mënyrë të fshehtë kujtimet e atij që e kërcente. Ditët e sotme pothuajse nuk kërcehet më, por Ornela duket se njeh mirë, dhe në këtë libër mund ta lërë veten të lirë në një kërcim që dallon nga të tjerët pasi krijon një hapësirë të përshtatshme për të kujtuar, me zemërim dhe humor, atë që është lënë pas: “…vendi në të cilin dielli djeg deri në atë pikë sa gjethet e vreshtave oksidohen dhe arsyeja nis të lëngëzohet”. Kështu gjërat, në çdo kapitull të këtij libri, janë një “Tiranë”.

Shumë vite pasi të arrinte të largohej jashtë vendit, diçka kaq shumë e idealizuar nga Ornela Vorpsi mbërriti në Barcelonë, dhe pa më njohur personalisht si dhe pa më shkruar, si dhe pa dijeninë time për ekzistencën mahnitëse artistike të saj, u paraqit në shtëpinë time sikur të ishte duke ia mbathur ende nga Shqipëria dhe të udhëtonte me personazhet e ëndrrave të saj. Trokiti në derë dhe nuk e di pse kam menduar gjithmonë se e ka bërë diçka të tillë pa përdorur zilen. Dhe unë, atë ditë kisha fjetur keq dhe ndihesha si një leckë, u fsheha në kuzhinë dhe pyeta Paula de Parman që të verifikonte kush ishte pas dere dhe të më shpëtonte sa më  parë nga ajo vizitë e papritur. Në kuzhinë nuk kisha ndonjë gjë të madhe për të bërë, ndaj edhe më humbi durimi, duke dëgjuar kuptova se biseda e ëmbël ishte në italisht- përse në italisht? – me të huajën zgjatej dhe zgjatej, dhe nuk mund ta ndërprisja sepse i isha lutur Paula de Parmas, që me siguri e kishte bërë në mënyrë mjaft bindëse, t’i thoshte se nuk isha. Ndërkohë që po bëja disa ecejake gjatë strehimit në kuzhinë, dëgjoja fjalët Tirana dhe Shqipëria, që tingëllonin rëndë si lot të mëdhenj të dalë nga poezia e Luis Cernuda-s.

Dhe më duhet ta rrëfej se kjo më shtonte edhe më shumë dyshimet. Pa dyshim që atë ditë mu rikthye interesi i çuditshëm i provuar në një epokë tjetër për Tiranën dhe Shqipërinë. E kujtoj, e kujtoj! “Je me soviens” do të thoshte Perec. Tashmë nuk kishte më askënd të brezit tim që ta diktonte Shqipërinë, si shembullin ideal të një shoqërie ideale. E kujtoj, e kujtoj! Kur vizitorja që fliste italisht u largua, dola pa bërë zhurmë nga kuzhina dhe pyeta se ç’kishte ndodhur, dhe Paula de Parma më përmblodhi gjithçka me të njëjtin hir dhe elasticitet që Vorpsi tregon episodet e jetës së saj, dhe përfundoi kështu: “Pa dyshim që është shumë e bukur”.  “Një herë shkrova se isha e bukur”, lexova disa muaj më vonë në një nga faqet e para të “Vendi ku askush nuk vdes kurrë”, librin që, të përkthyer nga italishtja, Ornela sapo e kishte publikuar në Francë dhe na kishte ftuar me një dedikim për mua dhe një për Paula de Parma-n. “ …që më hapi me mirësjellje një ditë derën në Barcelonë!”. Ishte 1 tetori i vitit 2004 kur ky libër mbërriti në shtëpi, dhe menjëherë pasi u njoha me të dhe nisa ta lexoja, u mahnita prej tij. Ndoshta një ditë, mendova, se dhe unë do të shkruaj se Ornela është e bukur.

Dhe më vonë pasi përfundova librin dhe rashë në gjumë prej gati dy orësh, kohë gjatë së cilës u ndërgjegjësova për atë që kisha lexuar: historinë e një ëndrre të një të reje shqiptare që do të arratiset nga makthi i fëmijërisë dhe i adoleshencës; historinë e tmerrit e të jetuarit në Shqipëri; historinë e një drame vetmie që më kujtoi atë të Ingrid Bergman në “Stromboli, historia e një gruaje inteligjente të torturuar nga budallallëku i përgjithshëm i bashkëpatriotëve të saj; historinë e një gruaje që kishte qenë një fëmijë, të cilës çdo 1 maj, për festën e punëtorëve, i blinin sandale dhe çorape të reja; historinë e një gruaje, që në fund të fundit, atje poshtë në Tiranë, ndërsa familjarët e saj hanin groshë, ndalonte të lexonte yjet me sytë e gozhduar në qiell, dhe kur i mbyllte shikonte universin e pafund (në shkollën maoiste i kishin thënë se qielli ishte i pafund), dhe diçka brenda saj rebelohej, diçka që e çonte të ndiqte intuitën që i thoshte se e gjitha kjo nuk ishte e mundur, se duhej të mbaronte.  Dje kam ëndërruar se e gjitha kjo kishte një fund, dhe se kisha mundur të flas me Ornelën. Gjendesha brenda  një librarie në Paris të quajtur “Compagnie”, dhe fshihesha si të isha në kuzhinën e shtëpisë. Ajo më shikonte dhe me një buzëqeshje të gëzuar alla Hepburn më thoshte se ndihej si ai kinezi i Kafkës. Isha gati duke i thënë se nuk e dija se për çfarë po më fliste kur ajo më thotë duke buzëqeshur: “Ndihem si ai kinezi që në fund rikthehet në shtëpi”.

Enrique Vila-Matas, biografia 

Enrique Vila-Matas  është një shkrimtar dhe eseist spanjoll, fitues i çmimit “Romulo Gallegos” në vitin 2001 për romanin “El viaje vertical”. Në vitin 2002 ka fituar çmimin “Herralde”  dhe në vitin 2003 është vlerësuar me “Medicis stranger” për “Le Mal de Montano”. Viti 2012 do t’i dhuronte çmimin “Gregor von Rezzori” për “Exploradores del abismo “ dhe 5 vite më vonë do të vlerësohej me çmimin e “Feronia-Città di Fiano”. Kritikë të ndryshëm letrarë e kanë cilësuar si shkrimtarin më të madh spanjollë të ditëve të sotme. I apasionuar pas veprave të James Joyce dhe në veçanti me “Uliksin” e tij, ka kontribuuar për të themeluar “Order of Finnegans”, në të cilin merr pjesë pothuajse çdo vit…/Përshtati Anila Dedaj, shekulli/

https://www.minimumfax.com/blog/magazine-1/post/enrique-vila-matas-su-il-paese-dove-non-si-muore-mai-1401

 

Please follow and like us: