Albspirit

Media/News/Publishing

Foto V. MALO: GJIROKASTRA NË SYRIN E KADARESË (7)

RINGRITJA E SHTËPISË SË SHKRIMTARIT

 

Historiku i ringritjes së shtëpisë së shkrimtarit është plot peripeci dhe vuajtje. Dëshira dhe pritja e ankthshme e arkitekt Agronit dhe kryetarit të shoqatës “Miqtë e Kadaresë”, shkrimtarit dhe publicistit Thanas Dino, dhe e gjithë dashamirëve, u fashit nga zvarritjet e ndërprerjet, si në lojën e vjetër “Ngriva-shkriva”. U deshën pesëmbëdhjetë vite për të ngritur muraturën dhe hedhur çatinë e shtëpisë. Në vitin 2.000 qeveria Meta akordoi 34 milionë lekë për rindërtimin e saj 34 milionë lekë. Por nga fondi u livruan vetëm 5 milionë, sa për të pastruar kërnditë. Më 2004 Ministri Ylli Pango, deklaroi se për rindërtimin e shtëpisë së shkrimtarit shteti vuri në dispozicion 100 milionë lekë të reja.

Në vitet 2.000   Bashkia e qytetit dha për shtëpinë e shkrimtarit 2 milionë lekë (“Gjirokastër. Ringritja e madhe, 2004 – 2006”, f. 48).

Mësojmë se edhe Ambasada amerikane në Tiranë ka dhënë për këtë shtëpi 50.000 dollarë. Në dhjetor 2011 u dëgjua se UNESKO do të japë fonde për mirëmbajtjen e qytetit të Beratit dhe qytetit të Gjirokastrës, një lloj reagimi ky edhe për moskujdesin ndaj vlerave arkitektonike. U bë shkas edhe injeksioni i ndonjë shkrimtari gjirokastrit, që kryetari Bashkisë, z. F. Bime, të ndërhyjë edhe një herë me një letër drejtuar personalisht kryeministrit Sali Berisha, që çështja e “ngrirë” e shtëpisë të marrë shtytjen drejt zgjidhjes së plotë dhe përfundimtare.

E përsëri pati pauza. Deri edhe ngërçe. Sipas gazetës “Telegraf”, mësojmë se në mbledhjen e qeverisë të dt. 13 mars 2013 u vendos shpronësimi i një pjese të shtëpisë dhe trollit të familjes Rrapo, kundrejt një shume të konsiderueshme, të cilën do ta paguajë Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në vazhdim, gjatë vizitës në Gjirokastër, prill 2013, kryeministri Berisha deklaroi se shtëpia e shkrimtarit ka një peshë të veçantë për Gjirokastrën dhe se shteti posedon fonde të për Gjirokastrën muzeale.

Me vendimin e qeverisë Berisha për shpronësimin e pjesës së shtëpisë fqinje të Rapove, që bllokoi vazhdimin e punimeve dhe dëmshpërblimin material të saj vështirësitë u kapërcyen përfundimisht. Por u pritën fonde të reja nga UNESKO-ja dhe disa milionë lekë nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, firmosja e fondit d.v. nga ish kryeministri dhe…reflektimi në bazë! Mësojmë se, me fondin e pritmë për mësymjen përfundimtare, fondet e livruara për rindërtimin e shtëpisë së shkrimtari prekin shifrën 250 mijë euro.

Në maj 2014 qeveria Rama akordoi i një paketë financiare për disa vepra në shërbim të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë dhe turizmin në qytetin e Gjirokastrës. Midis objektivave të saj dhe me afat të shkurtër ishte restaurimi i rrugës që shpie drejt shtëpisë së shkrimtatarit, pjesa e rrugës “Fato Berberi”, duke nisur nga rruga “Doktor Vasil Laboviti”, rreth 200 m., ura përpara shtëpisë së Ficove dhe muri rrethues i shtëpisë së Kadareve. Fondi i caktuar për këtë qëllim arrin në 27 milionë lekë të reja. Ky projekt e vendim gjeti miratimin e banorëve, të cilët shprehen se nuk është gjë e këndshme të shkohet tek shtëpia e shkrimtarit përmes një rruge në gjendje aq të keqe.

Dhe ja, në verën e nxehtë të vitit 2014 u shpall lajmi se qeveria Rama akordoi i një paketë financiare për disa vepra në shërbim të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë dhe turizmin në qytetin e Gjirokastrës. Fondi i ri do të mbulojë rishtrimin me kalldrëm të rrugës, duke nisur nga rruga “Doktor Vasil Laboviti”, këndi i banesës së kirurgut të famshëm, e vazhduar me rrugën “Fato Berberi”, e cila   shpie tek shtëpia e shkrimtarit, urën përpara shtëpisë së Ficove, murin rrethues të shtëpisë së Kadareve dhe disa punime në mjediset brenda mureve. Fondi i caktuar për këtë qëllim: 27 milionë lekë shqiptare, që konvertohen në 193.000 euro.

Ky projekt e vendim gjeti miratimin e banorëve, të cilët shprehen se nuk është gjë e këndshme të shkohet tek shtëpia e shkrimtarit përmes një rruge në gjendje aq të keqe. Banorët dhe dashamirët u gëzuan për këtë lajm dhe aksion, duke besuar se do të marrë fund edhe marrëzia e zvarritjes dhe sabotimit të restaurimit të plotë dhe përurimit të kësaj shtëpie historike. Puna nisi me vrull në korrik, u shqep kalldrëmi gati njëqind e gjashtëdhjetë metra i gjatë, por në shtator ranë ritmet e fillimit ranë.

Zvarritja u bë pengesë për vizitorët. Këtë pësoi në fund të gushtit 2014 edhe shkrimtari Bashkim Shehu, djali i vogël i ish kryeministrit shqiptar, kur u nis enkas ta vizitojë shtëpinë, bashkë me bashkëshorten dhe dy vajzat e vogla. Erdhi nga larg, nga Barcelona e Tirana, por nuk mundi t’i afrohej shtëpisë. Këtë pësuan atë ditë edhe disa gra të tjera turiste, që ishin si punë grupi. Bashkimi, që në moshë të re ka qenë mik i shkrimtarit të shquar, adhurues i tij; bëri emër si krijues në Spanjë, Ballkan e më gjerë, por u largua me një peng nga Gjirokastra: pamundësinë ta shikonte nga afër e nga brenda shtëpinë ku lindi dhe jetoi deri në mbarimin e shkollës së mesme autori i Kronikës së Gurtë dhe sa e sa krijime të tjera të famshme.

Shtëpia e shkrimtarit tërheq interesin e dashamirëve dhe lexuesve ende pa u përuruar e kthimit në identitet sa më plotë. Pas përurimit dhe kthimit në identitet, vizitorët do të shtohen. Nga kjo shtëpi e rindërtuar dhe e kthyer në muze do të ketë përfitim qyteti dhe banorët, jeta kulturore dhe shpirtërore e qytetit. Pasi në fillim deklaroi se shtëpinë ua ka falur bashkëqytetarëve, tani, së fundi, u uroi ta gëzojnë këtë shtëpi.

Kthimi i saj në identitet është çështje komplekse, por kryesorja është të ngjajë sa më shumë me shtëpinë e vjetër; të ngjajë me një shtëpi ku kanë banuar breza, familja e shkrimtarit, prindërit, motra dhe vëllai, ka patur një gjirmë, dhomë gjumi, për miqtë, çilte të rehatshme për vizitorët, mundësisht edhe një palë dylbi në dritare. Pra, rikrijimi i atmosferës familjare dhe intime. Do të jenë në mjediset e saj dhoma e zjarrit, gjirma me një zjarr simbolik, oda e miqve, minderet, pusi në avlli, por nuk e di a do të jetë si mjedis edhe burgu shtëpiak (hapsana).

“Kur kthehesha nga Liceu, një moment kaloja Urën e Lumit natën dhe Gjirokastra më dukej sikur hapej si sepet me gurë xhevahiri…ishin dritat e natës. Tani nuk shikon asgjë natën, sepse janë bërë ndërtesa të mëdhaja, që e mbysin pamjen e Gjirokastrës. Ishte një xhevahir kur e shikoje…shtrirja monumentale që kishte Palortoja, Hazmurati me Çetemelin, ishin gjëra që tani   nuk i ke më…”, (“Muntaz Dhrami – malli për Gjirokastrën”, gazeta “Gjirokastra kulturore”, nr. 6, dhjetor 2014, f. 10, autor   Stefan Papamihali).

Gjirokastrën, gjë që nuk u respektua nga “liberalët” e sotëm. Gjirokastrës po ia ze frymën betoni, sidomos tek zona rreth stadiumit të futbollit. Rreth 300 ndërtime pa leje janë bërë nëpër vite vetëm në zonën muzeale të qytetit. Dhe deri në vitin 2015, lidhur me kundërvajtjet nuk ndodhi asnjë prishje e shembje, sikundër u bënë në mënyrë demonstrative në Bbregdet ose në disa qytete e zona të vendit.

Shqetësuese është mëkëmbja apo shembja?

“Që të mbahet në këmbë Gjirokastra, thotë skulptori i shquar Mumtas Dhrami, duhet një shtet i fuqishëm “liberalët”. Bien shtëpitë e vjetra njera pas tjetrës, madje njera afër tjetrës. Janë me dhjetra të bëra gërmadhë ose që rrezikohne të bien. Në kuadrin e braktisjes nga shteti ose nga bashkia, mjaft qytetarë i kanë braktisur shtëpitë e veta, kanë hequr dorë nga zotërimi mbi to, ose i luten shtetit t’i marrë e t’i mirëmbajë. E keqja mund të nisë nga një pikë në çati, pastaj kalon te kalbja e trarëve dhe tavanit, tek rënia e rrasave dhe gurëve e mutve, me pasojë që për rindërtimin e shtëpive të nevojiten shumëfish, deri njëqindfish e të hollave dhe materialeve.

Lind pyetja, kur nuk përballohet një dëm i vogël fillestar, si e ku gjenden pastaj forca dhe fonde të mëdha për të ndrequr e mëkëmbur një ndërtesë të tillë, shpesh që nga themelet? Si gjenden pastaj grupe e shtabe të tëra për restaurim të specializuar, kur nuk ishte gjendur më parë një dorë që të ndreqte një pikë në çati?

Më të fuqishëm se shteti janë ata që qeverisin fatin e qytetit të gurtë dhe manipulojnë fondet e caktuara me destinacion mirëmbajtjen e tij. Ndërkohë lartohen pallatet shumëkatëshe të pushtetarëve, dhe këtu është çelsi për të shpjeguar atë që duket si diçka absurde. Shtëpitë e vjetra, karakteristike, dëmtohen e rrëzohen, por bëhen përpjekje që, pas kazinosë së parë, të hapet e edhe një e dyte e ndoshta dhe e treta, në qytetin me mijra të papunë, ku por rritet skamja, korrupsioni dhe prostitucioni, e ndihen ende në ajër avujt e hashashit që prodhonte me tonelata fshati Lazarat, tre kilometra larg qytetit. Bëhet edhe ndonjë vepër si pedonalja që lidh qytetin me parkun e Viroit, hapen edhe disa dhjetra vende pune për fason, por këto janë fare kundrejt papunësisë, nevojave dhe problemeve që ka patur dhe ka edhe Gjirokastra. Statistikat e fundit thonë se niveli mesatar i jetesës e banorëve gjirokastritë është pothuajse sa ai i kryeqytetit, por jo pak i besojnë   facadës dhe manipulimeve zyrtare.

Shkrimtari i shquar as në të kaluarën nuk ndërhyri në punët e Gjirokastrës. Dha ndonjë mendim kur iu kërkua, gjë që ndodhi rrallë ose nuk ndodhi fare. Edhe në zhblokimin e çështjes së rindërtimit të shtëpisë së familjes ai hasi vështirësi të papërfytyrueshme. Ai është ambasador i Shqipërisë në botë, por jo edhe ministër fuqiplot në Shqipëri. Por le ta lemë këtë kapitull të hidhur dhe të rikthehemi tek vepra letrare e I. Kadaresë. Ai punoi për Gjirokastrën, solli UNESCO-n dhe, kryesorja, e bëri të njohur në Europë e më gjerë.

Do të bëhej një listë e gjatë me emra gjirokastritësh që shkrimtari i pati bashkënxënës e plot të tjerë që ishin ose thonë që kanë qenë shokë e miq të tij. Gjenden larg, në Amerikë e gjetiu, bashkëmoshatarët, shokët e fëmijërisë dhe miqtë e jetës: Agron Fico, Adem Harxhi, e ndonjë tjetër. Ata e kujtojnë, dërgojnë edhe ndonjë mesazh, por mundësia e takimit me shkrimtarin është mjaft e kufizuar. Ai që lëviz më tepër nëpër botë, duke shkuar disa herë edhe në SHBA, është shkrimtari, të cilin bashkësia e emigruar atje kryesisht pas vitetev 1990, një koloni e re me përmasa shumëfish nga e para, e vlerëson dhe e nderon. Në vjeshtën e vitit 2015 inxhinieri Bardhyl Bozgo erdhi nga Amerika për disa ditë në qytet, dhe përpara largimit e fotografoi shtëpinë e shkrimtarit).

Miqësi me shkrimtarin kishin edhe gjirokastritët Baftjar Dobi e Rustem Dobi, që, nga mbiemri, ngjan se kishin edhe lidhje gjirie.   Përmes lidhjeve e bisedave me ta, shkrimtari jo vetëm merrte informacion, por edhe shprehte shqetësimin për gjendjen. Kështu, nga një takim në Tiranë shumë e shumë vite më parë, mësojmë se Rustemi “takon Κadarenë dhe, pasi i flet për veprën e tij të fundit, e pyet se ç’ ka në dorë. Kadareja, pik e vrer, ia kthen:   – Ç’ të duhet ty ç’do të shkruaj unë? Ιk, o Rustem, e na prodhoni qumësht, se po ngrihemi në mesnatë e nuk po marrim një shishe qumësht. Lëre mishin… E merr vesh? Shko e bëj detyrën tënde, se unë timen e bëj…Κa të drejtë, na thotë, kur kthehet në Gjirokastër”. (Sadik Bejko, “Një kafe me Rustem Dobin”, gazeta“Dita”, 22 maj 2014, f. 11).

E ja ku na del përpara emri i Reiz Çiços, asistent operator në Kinostudio, i rrahur dhe i keqpërdorur nga organet e Punëve të Brendshme pa asnjë faj, dhunim të cilin shkrimtari e denoncoi në letrën drejtuar presidentit Ramiz Alia në 3 maj 1990 (Ismail Kadare, “Letërkëmbim me presidentin”,Botimet Onufri 2005, f. 15 -16). Na vjen mirë për këtë veprim të guximshëm qytetar, që shkrimtari e ka bërë dhe për të tjerë, të panjohur e jo nga qyteti i lindjes.

Ja ku na del edhe arratimadhi Arshi Pipa, që kishte jetuar gjatë në Shkodër dhe punoi si pedagog i letërsisë dhe i gjuhës. Në vazhdim, i përndjekur, pasi shkoi në SHBΑ. Arshi Pipa përktheu në anglisht dhe botoi i cili, në Angli të romanit “Kronikë në gur”, (Ismail Kadare, “Letërkëmbim me presidentin”, Botimet Onufri 2005, f.35 – 36 e 63-64). Në atë botim, në parathënin e librit, duke dashur të denoncojë regjimin komunist dhe denigrojë personin e E. Hoxhës, Arshiu për pak sa nuk i bëri dëm autorit, sepse e shpallte I.Kadarenë, disident. Por nuk u kuptua mirë përse në vitin 1990, tek “Zëri i Amerikës” Arshiu ndryshoi qëndrim, duke pohuar se Kadareja paskish penguar për demokratizimin e Shqipërisë (Pozicion ky i R. Alisë). Më pas kjo parathënie, studim, u vendos në serinë e veprës së Kadaresë botuar nga “Onufri”.

Një shoku të Gjimnazit, sigurims, pas kthimit të shkrimtarit nga studimet jashtë shtetit, iu caktua detyra ta psikologjiste në intimitet dhe të informonte organin special nëse shkrimtari ishte pro ose kundër regjimit. Dhe shoku i shkollës e mbrojti talentin, duke dhënë garanci për “bindjet e shëndosha të shkrimtarit”. Me diferencë të madhe moshe me shkrimtarin, historiani Prof. Arben Puto, nga Gjirokastra, në letrën e dt. 27 gusht 1990 dërguar Elez Biberajt, atëherë drejtor i emisionit shqip të “Zëri i Amerikës”, i thotë se Kadareja nuk duhet sulmuar, se ai nuk është hero, por është talent i madh, se, megjithëse regjimi e ka marrë me të mirë, ai nuk është identifikuar me regjimin (“Gazeta shqiptare”, 3 mars 2014, sipas librit “Sfidat e të drejtave të njeriut në Shqipëri”).

Por ngjarjet rrodhën në mënyrë të tillë që shkrimtari, me kërkimin e azilit politik në Francë, doli në rolin e një katalizatori për procesin që kishte nisur, përmbysjen e regjimit komunist, duke flakur edhe pandehmat për R. Alinë.

Studentet dhe rinia e Tiranës, në manifestimet regjim – përmbysëse, tok me pankartat mbante edhe portretin e shkrimtarit.

Shkrimtarit iu desh të përballojë pabesi shokësh e “jagosh”, që e ndiqnin si hije në çdo hap ose orvateshin të uleshin këmbëkryq në vatrën e tij. Nuk nguroi t’ u mbyllë derën të dyshimtëve dhe të padëshiruarve. Na vjen në ndihmë edhe thënia e Hajnes: “Armiqtë janë lavdia ime”, që Ismaili kishte të drejtë ta përdorte, por nuk e përdori.

***

Gjirokastra që rikrijoi artistikisht I. Kadareja përbën tashmë një arketip figurativ dhe shpirtëror. Pa penën e tij, Gjirokastra nuk do të ishte ajo që njohim dhe na është fiksuar. Në penën e tij qyteti është bërë më interesant edhe për vetë banorët tradicionalë. Se, edhe po të shembej (larg qoftë!), do të mund ta rindërtonim këtë qytet sipas dëshmive dhe modelit   artistik që krijoi I. Kadareja. Veprat e tij letrare që marrin shkas nga Gjirokastra janë një guidë e pazëvendësueshme për vizitorin e huaj e jo vetëm atë.

Përvoja e letërsisë botërore dëshmon se vepra e disa shkimtarëve të shquar është e lidhur intimisht me vendlindjen, me temat dhe personazhet që ajo u ofron. E tillë është Firencja për Danten, Dublini për Xhejms Xhojsin, Milanoja për Dino Buzatin, Stambolli për Orhan Pamukun, etj.

“Vizioni i parë” dhe jo vetëm, Gjirokastra, është oda më e hijshme, më mbresëlënëse e ngrehinës letrare kadareane. Nga Gjirokastra nis mirëfilli “Pashallëku” letrar që ai e shestoi dhe e ndërtoi me pasion, këmbëngulje, mundim, mjeshtëri, harmoni dhe dashuri. “Vizioni i parë i botës” u shtri dhe e ndoqi pas si hija e trupit, nga e cila njeriu nuk mund të shkëputet, as ta dëbojë, as ta zhbëjë, madje, nuk mund të bëjë pa të. Odës iu shtuan hapësira të tjera shqiptare, ballkanike, kontinentale, bota. Ato janë edhe brenda vendlindjes, si kuadër dhe element përbërës.

Me Gjirokastrën, shkrimtari i vuri një themel e taban të fortë veprës së tij. Në një shkrim botuar në gazetën “Drita” nga mesi i viteve 1970, shkrimtari fliste për një kuzhinier që shkruante poezi dhe e ndjente veten ngushtë sepse mendonte që gatimi dhe poezia nuk mund të shkojnë bashkë. “Brumi prej guri” e ka quajtur Thanas Dino një libër të tij për Gjirokastrën. Vetëm me një brumë të tillë mund të shkruhen vepra të qëndrueshme për të. Edhe kur nuk “gatuan” gjë të re, shkrimtari i vërtit në duar gurët, lexon damarët e gurtë, i laton atje ku mendon se ka vend për më tepër përkryerje. Ndaj guri duhet shkruar me G e jo me g. Nuk mungon g-ja në fjalorin e shkrimtarit, por as në emrat e personazheve: Guri, Gurgaj, Gurameto. Përtej kësaj, të gjitha personazhet letrare të tij kanë diçka nga pesha dhe fortësia e gurit. Përsërisim se, pa Gjirokastërn e Gurtë, vepra e tij letrare nuk do të kishte peshën dhe fortësinë që ka.

Kadareja i Gjirokastrës dhe Gjirokastra e Kadaresë. Gjirokastra e jetës dhe e veprës së tij letrare. Gjirokastra e Kadaresë. “Gjirokastra e Kadaresë” thonë më tepër të huajt dhe ata që nuk janë gjirokastritë. Shtohen ata që e njohën Gjirokastrën përmes veprës së tij e sidomos përmes Kronikës së Gurtë, ata që dëshirojnë të vinë dhe nisem posaçërisht nga afër vendlindjen dhe shtëpinë e tij të lindjes. Dhe mbeten të befasuar nga arkitektura, rrugët e mjediset dhe të kënaqur nga mikpritja e qytetarëve dhe mirëpritja si turistë e bujtës në hotele dhe në shtëpitë-hotele që gjithashtu janë shtuar.

Zakonisht është borxhli fëmija ndaj nënës, por mund të themi se qyteti i Gjirokastrës i mbetet boxhli Ismail Kadaresë, sepse e ngriti në art, e bëri mjaft të njohur nëpër botë, u bë ambasadori më i mirë kulturor i Shqipërisë dhe në veçanti i Gjirokastrës. E kjo nuk mund të shpërblehet, pavarësisht se një pjesë e banorëve kanë rezerva e kritika. Ndonjë të thotë se Gjirokastra nuk është vetëm e Kadaresë, sepse nëpër shekuj ka nxjerrë një varg figura të shquara, në fusha të ndryshme dhe ka vlera historike e kulturore që nuk kanë dalë në dritë siç e meritojnë.

Mund të qortohet shkrimtari se shkroi pak për Gjirokastrën, apo e kundërta, se shkroi shumë? Ka shkruar mjaft e në çdo periudhë. Po t’i mbledhësh, do të bëheshin shumë qindra faqe, një korpus më vete. Vijon të shkruajë për Gjirokastrën dhe të kërkojë në krijimtarinë e hershme, gjen ndonjë krijim me interes, edhe pse thotë që gjithë sa shkroi (botoi) nga Gjirokastra, nuk kanë ndonjë vlerë. Tek intervista dhënë Frederic Fernezit, në Revue shkurt 2013, I. Kadareja pohon se në një fare mënyre ai nuk është larguar kurrë nga Gjirokastra.

Një mendim të ngjashëm ka shprehur edhe Helena Kadare në kujtimet e saj. Ngjan se shkrimtari nuk mund të ndahet nga vendlindja, por edhe ajo nuk e le të qetë. “Kudo që shkoj atdheun e mbart si plagë” thotë nobelisti grek Jorgos Seferis. Nuk besojmë se e tepërojmë po të themi se kjo “plagë” për I. Kadarenë është Gjirokastra. Dhe si elefanti plak që nuk harron vendlindjen, ai kthehet atje sa e kur mund, por më tepër i rikthehet përmes krijimeve të reja.

Sa herë kemi kujtuar se shkrimtari e mbylli kapitullin e Gjirokastrës, u lodh me të apo nuk ka ç’ të thotë tjetër, ai ka dalë nga një shteg i ri dhe ka befasuar lexuesit. Vokacioni i vendlindjes jeton brenda tij si “kushtrimi i të parëve”. Edhe kur po mbush tetëdhjetë vjeç kujtesa e tij është e freskët, i riprodhon ngjarjet dhe i nxjer në spikamë hollësitë sikur kanë ndodhur dje. Libër pas libri, pa përmendur intervista e shkrime të ndryshme, i ka ofruar lexuesit një material të pasur e të larmishëm gjithëdituror. E vetmja vështirësi është radhitja e tyre dhe kompozimi në një tablo të madhe murale a mozaik.

Mjaft libra me kujtime e dokumenta të ndryshme, por edhe të mirëfilltë letrarë, kanë shkruar e botuar këtë çerek shekulli një varg autorësh gjirokastritë, që përpiqen të shtojnë nga një gur në mozaikun kulturor të qytetit, në rrugën që çeli tradita dhe zgjsroi kryemjeshtri I. Kadare.

Askush deri më sot nuk ka mundur të flasë për Gjirokastrën më befasueshmërisht, zbulueshmërisht dhe më tejpashëm se I. Κadareja.

 

SHTESË NGA BURIME TË TJERA

 

Shahin Kadare, intervistë dhënë Agim Gashit, nëntor 2011:

–  Si e priti vëllai juaj vendimin për të vazhduar profesionin e mjekut, profesion ky krejt i kundërt me atë të shkrimtarit?

– Në atë kohë ai ishte shkrimtar i njohur në Shqipëri po ende jo në botë pasi veprat e tij nuk lejoheshin të botoheshin në vendet e huaja. Ai vazhdonte studimet në Moskë në atë kohë dhe është kthyer në vitin 1960 tamam viti kur unë u caktova në fakultet. Natyrisht që e priti mirë këtë vendim duke thënë se ishte e rëndësishme që të kishim të paktën një mjek në familje për të zgjidhur problemet shëndetësore që mund të krijoheshin. Por nuk ka ndikuar në këtë vendim.

– Profesionin e mjekut apo të shkrimtarit e keni të trashëguar nga ndonjë i afërm?

– Jo, në fakt unë nuk di asnjë të afërm që të ketë qenë mjek madje as shkrimtar përveç zotit Kadare. Di që të afërmit e mi më shumë kanë qenë juristë apo kanë punuar në sistemin e drejtësisë me çfarë më kanë thënë prindërit. Me sa di unë Ismaili është i vetmi shkrimtar në fisin tonë.

– Fakti që jeni vëllai i një personaliteti të njohur jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë dhe mbani të njëjtin mbiemër, a ju ndihmon dhe a ju pyesin njerëz që nuk iu njohin nëse keni lidhje me zotin Ismail Kadare?

– Po, në fakt, sapo më dëgjojnë mbiemrin njerëzit pyesin nëse kam ndonjë lidhje me zotin Kadare. Por nuk mendoj se ka ndonjë ndikim të veçantë në punën që unë bëj. Në mjekësi nëse nuk ke seriozitet dhe përkushtim dhe nëse nuk e bind të sëmurin që ti i jep atij atë shërbim që ai ka nevojë asnjë faktor tjetër nuk të ndihmon që ai të ketë respekt ndaj teje. Në ndonjë punë tjetër si p.sh gazetar, spiker apo profesion tjetër edhe mund të ndikojë mbiemri por në mjekësi jo pasi duhet të mbështetesh në aftësitë e tua personale për të fituar autoritet dhe respekt ndaj të sëmurëve.

Cilët shkrimtarë lexoni konkretisht?

– Lexoj të gjithë librat e Ismailit

– Cila është vepra nga Ismail Kadare që keni më për zemër?

– Mua të gjitha veprat e tij më pëlqejnë, por atë që kam më për zemër është “Kronikë në gur”, sepse në një farë mënyre aty përshkruhet edhe jeta e familjes time në Gjirokastër, aty përshkruhen prindërit e mi, të afërmit tanë, jeta jonë. Është një libër shumë i vërtetë dhe i sinqertë dhe mua më ringjall shumë e shumë kujtime nga fëmijëria e hershme që kam kaluar në Gjirokastër, e cila natyrisht është një qytet i veçantë dhe ndiej shumë nostalgji.

– Përveç vëllait tuaj kë lexoni tjetër?

– Të them tani se nga shkrimtarët shqiptarë lexoj vetëm Ismailin nuk është e vërtete, pasi lexoj edhe Dritëroin. Më pëlqen shumë edhe Dritëroi. Dikur shkrimtar shumë i dashur për mua ka qenë edhe Mitrush Kuteli.

– E dinë njerëzit që nuk ju njohin se zoti Ismail Kadare ka edhe një vëlla mjek?

– Besoj se shumë e dinë.   Ne kemi një aktivitet që është i shtrirë në gjithë vendin.

– Po kujtimi më i veçantë që ju është ngulitur në mendje me familjarët dhe sidomos me vëllain tuaj?

– Njeriu ka plot momente të bukura ne jete sidomos me familjarët, por zakonisht ato që lënë gjurmë janë momente të hidhura dhe të vështira. Ka shumë, por nuk më kujtohet ndonjë moment i veçantë.

– Në kohën e komunizmit motra juaj Kadrie Kadare e arsimuar në Rusi u dyshua nga sistemi se bashkëpunonte me rusët, për shkak të shoqërisë që kishte me ruset. A ju shkaktoi probleme në atë kohë?

– Në kohën e komunizmit gjithnjë ishe i kërcënuar. Më i kërcënuar unë isha nga fakti i librave të Ismailit se sa nga çdo gjë tjetër. Edhe fati i Kadries lidhej me librat e Ismailit. Nëse ai do binte, do rrëzohej, do goditej nga sistemi, edhe ne do goditeshim si ai. Kështu funksiononte në atë kohë. Ose ai do kursehej nga shteti qoftë për interesat e veta, qoftë edhe për faktin se u bë i njohur në botë. Mund të kujtoj se momente të vështira kanë qenë kur u botua libri “Dimri i Vetmisë së Madhe” i cili pati një reagim shumë të ashpër nga njerëzit e pushtetit dhe partisë, duke e cilësuar si një vepër që donte të godiste në mënyrë të kamufluar pushtetin dhe ta diskreditonte atë. Për ne ka qenë një periudhë e vështirë e cila erdhi duke u qetësuar me kohën.

– Në familjen tuaj vihet re që asnjëri nuk ka ndjekur rrugën e tjetrit dhe jeni të specializuar në fusha të ndryshme. Pak e habitshme!

– Në fakt keni të drejtë. Ka secili një pavarësi të veten dhe nuk ndikohet aspak se çfarë janë familjarët. Secili bën atë që pëlqen dhe di të bëjë. Kjo besoj se është e mirë pasi kemi një mozaik profesionesh në familje.

***

Nga kujtimet e Helena Kadaresë

Kadareja ka pohuar se nuk ka qenë i shquar për të bërë himne për familjen, për njerëzit e tij, siç ndodh zakonisht në Ballkan. “Sidomos në Ballkan, çdo njeri kur shkruan, thotë sa fisnik e kisha gjyshin, sa e mirë ishte nëna, sa i mençur babai, a thua se njerëzit s’gabonin kurrë.. .”. Këtë skemë vjen e thyen bashkëshortja Helena Kadare   me librin “Kohë e pamjaftueshme”, nga i cili mësojmë mjaft gjëra dhe hollësi për jetën, karakterin, krijimtarinë letrare, veprimtarinë shoqërore dhe politike të shkrimtarit. – Sa i përket fjalëve që libri mund të jetë shkruar nga vetë Ismaili, ajo qesh dhe thotë se ky është një fat që e ndjek qysh kur ishte 20 vjeçe.

“Unë jam si dita me natën me Ismailin. Ku ta gjeja të shkruaja si ai!” Me gjithë sensin kritik të Ismailit, ajo thotë se atij i ka pëlqyer ky libër. “Ai është shumë i kënaqur. E ka aprovuar plotësisht, ndryshe nuk mund ta bëja. Si do mundesha pa pasur aprovimin e tij? Helena pohon se Ismaili i thoshte: “Nëse do të jesh e besueshme, shkruaji gjërat siç janë, sepse, po bëre marifete, në qoftë se fsheh gjëra, lexuesi e kupton menjëherë”. Ndaj, edhe nuk pendohet pse i ka shkruar ato pjesë dhe nuk e mendon që t’i heqë, nëse do ta rishikonte librin. Ka marrë kaq shumë dashuri nga lexuesit dhe kaq shumë mesazhe të bukura, saqë kjo i duket e kotë. “Por as Ismaili s’do të më linte. Më thotë: Ç’janë këto budallallëqe?!”. Thotë se nuk ka mbajtur sekrete, se i ka thënë të gjitha. “Nuk kam lënë asgjë pa thënë, të mirat e të këqijat. Duket e kam zbrazur gjithë shpirtin tim. Nuk kam fshehur gjëra”, thotë Helena, e cila nuk e ndan buzëqeshjen për asnjë moment.

 

 

Jemi në vitin 1962 – 1963: Mbartja e plaçkave nga Gjirokastra në Tiranë u bë me vështirësi. Vështirësi për gjetjen e një kamioni, rrugë e gjatë e paasfaltuar, mobilje e sende shtëpiake që vinin nga një shtëpi e madhe në një apartament gjithsesi të pamjaftueshëm. Dhe “shumica e orendive të shtëpisë shekullore ishin krejt të papërshtatshme për apartamentin e Tiranës, gjë që prindërit e tij e kishin të pamundur ta kuptonin” (Helena Kadare, “Kohë e pamjaftueshme”, f. 44).

Në librin me kujtime “Mëngjeset në Kafe Rostand” (bot. 2104) dhe “Kukulla”, 2015, shkrimtari kujton se si shkau dhe u rrokulls tepsia e madhe e bakllavasë në një nga kthesat e vështira (Përmendet dy herë Gryka e Këlcyrës). Rrëzimi nga kamjoni dhe rrokullisja e tepsisë së madhe të bakllavasë ka diçka simbolike, kumtin e ndarjes me mjedisin nga vinte, dhe si një, sfidë që tregonte se ëmbëlsia do të ishte diçka e rrallë në vazhdim. Por në kryeqytet flakja tej e disa enëve prej bakri, “rrangulla e drangulla”, ndeshi në reagimin e tyre mosaprovues. Dhe më e madhja ishte se “Në apartamentin e tyre në Tiranë, Kadarenjtë dukej se ishin përpjekur të mbartnin shtëpinë e tyre të gurtë shekullore”, (Po aty, f.69). Kështu që, në ankthin e rrëmujën e mbartjes së plaçkave, u mbajtën gjëra që nuk duheshin dhe u hodhën tej të tjera, që duheshin, thotë nga ana e vet autori.

Largimi nga mjegulla e Gjirokastrës u pasua nga “Mjegullat e Tiranës”, ku autori duhej të ishte syçelët e me nuhatje më të mprehtë. Nga konservatorizmi provincial, kaloi në një mjedis gjithsesi liberal, por kurrë me lirinë dhe frymëmarrjen që dëshironte.

Vitet 1959-1960. Vajta në Moskë dhe kthimi nga Moska.

Në Moskë, në zemrën dhe kryekështjellën e Blokut Lindor, shkrimtari i ri, krahas prirjes ndaj letërsisë bashkëkohore dhe moderniste perëndimore, e vendoste veten shpirtërisht dhe virtualisht në botën e qytetërimit europian. Dhe në atë kthim e dhe autoblokadën që u vendos, poeti thirri: “Mos m’i mbyll kurrë dyert, o botë e madhe!”.

Sipas Helena Kadaresë:

“Moska e atyre viteve, siç më shpjegoi, ishte në kulmin e liberalizmit të saj, në krahasim me zymtësinë komuniste të gjeratëhershme. Djemtë dhe vajzat kishin maninë të ndërronin sa më shumë partnerë, ngaqë kjo, dhe jo lidhja e dashurisë, quhej e modës. Po të mbaje gjatë një lidhje, shokët talleshin, më shpjegoi ai. Kështu që nën tiraninë e kësaj mode të egër prisheshin lidhje të mrekullueshme, për t’u zëvendësuar nga histori jetëshkurtra njëjavëshe”. “Is kishte një cilësi që qysh në fillim ia vura re dhe ia çmova sa s’thuhet: nuk mbaj mend kurrë që ai të ketë folur keq për ndonjërën nga të njohurat e tij”, (Po aty, f.56).

Në intervistën dhënë Blendi Fevziut, shkrimtari kujton: “Zakonisht, për studentët që shkonin jashtë, misteri kryesor ishte vetë jeta. Ajo që mungonte në Shqipëri. Çdo vend ishte më liberal se Shqipëria. Ti je i huaj, je në një vend shumë më të zhvilluar se Shqipëria.

– Ishin vërtetë të gjitha vendet më të zhvilluara se Shqipëria?

-Të gjitha vendet komuniste, ishin më të lirshme se Shqipëria. Pa asnjë diskutim.

-Edhe jeta erotike, marrëdhëniet mashkull-femër ishin më të çlirëta?

-Τepër më e çlirët se në Shqipëri.

-Në Shqipëri ishte tabu?

-Nuk ishte tabu, por ishte e pazhvilluar, vetë ngushtësia e vendit, ashpërsia e njerëzve që krijohej prej halleve të jetës e zbehte.

– Ishin femrat ruse më të disponueshme apo tërhiqeshin më shumë nga të huajt?

-Vajzat ruse kanë namin e vajzave për dy gjëra, shumë të bukura përgjithësisht dhe kryesisht ishin shumë të ëmbla dhe shumë femërore.

-Edhe mendjehapura?

– Pa diskutim edhe të emancipuara. Ishte pjesa më e emancipuar e shoqërisë. Ishin më të çlirëta nga ana psikologjike. Kishin disa vlera të padiskutueshme universale.

– A keni qenë një koleksionist femrash në atë kohë?

– Jo, nuk është e vërtetë. Unë nuk jam koleksionist. Kjo përshtypje është krijuar nga ky film. Se, të japësh 3-4 vajza rresht, duket si koleksion”.

Për nismën e Helenës shkrimtari thotë: “Zakonisht shkruajnë gratë për burrat, kurse burrat për gratë ndodh shumë rrallë. Kjo është universale dhe po vazhdon. Një model është që burri del si model i virtytit, mençurisë, moralitetit etj. Është një model pothuajse i diskretituar, sepse është skematik. Çfarë janë këto familje që jetojnë si në parajsë? Që çdo gjë shkon vaj, ose tregojnë vetëm vuajtje politike. Modeli i kundërt është që burri është një horr i madh, aventurier që i ka dalë emri në 50 gjyqe, 3 divorce   etj. Ky ndodh sot dhe po është aq i mjerueshëm sa tjetri, sepse shfrytëzohet skandali për njohje. Është edhe një zgjedhje e mesme që është më e besueshme, realiste dhe tregon atmosferë të vërtetë dhe të besueshme. Nuk ka familje që të mos ketë acarime, dyshime, keqkuptime. Nuk ka të tilla”.

Dhe Helena kujton:

“Ky njeri, me të cilin kisha jetuar tridhjetë vjet, ishte i lexueshëm qysh në takimin e parë, po aq sa ç’ ishte i ndërlikuar”. Herë i butë dhe herë i ashpër, i drejtë dhe i padrejtë, aty shpërfillës e gjakftohtë, e befas i papërballueshëm e plot trille të rrezikshme, më bënte që të ndihesha e çorientuar” (Po aty, f.11). “Por pastaj, duke parë se ai s’ çante kryet për asnjeri, e sidomos, duke u mësuar dalengadalë me zakonet e çuditshme të shtëpisë së Kadarenjve, ndrojtja sikur po më dilte”. (Po aty, f.49).

“Në të vërtetë, e kisha mbledhur mendjen se me këtë njeri ishtee pamundur të bëja plane për jetën. Doja të kisha vetëm një fëmijë me të, të cilin do ta rrisnim bashkë me Meri L…”. (f.50). Duke mos kuptuar shkaqet e gjendjeve shpesh nervoze të bashkëshortit të ardhshëm, ajo thotë se: “Në këtë sfond plot nervozizëm dhe ankth pasditet tona të dashurisë në apartamentin e tij më bëheshin edhe më të ëmbla. Atje zbulova se të qetësoje njerriun e dashur me përkëdhelje në një kohë të vështirë, kur atij nuk i venin punët mirë, kishte një shije të veçantë, tepër të veçantë”. (Po aty, f.51). Pra, kjo ofertë ngrohtësie ngjante me ata brezat antisizmikë prej druri në mesin e shtëpive gjirokastrite prej guri.

“S’ishte vetëm formimi im moral, por më dukej se diçka nuk shkonte me natyrën e tij përgjithësisht të rëndë”. (Po aty, f.55). E megjithatë, “Is ishte përherë i etur për situata paradoksale.” (Po aty, f. 155). Κjo dëshmon jo thjesht prirjen e tij për shtrembërsinë e botës dhe të njeriut, por edhe dëshirën për gëzim dhe humor, që, padashur, shfaqej më tepër si sarkazëm.

Duke folur për qëndrimin mosaprovues deri në refuzim të familjes së saj ndaj kandidatit për dhëndër, I. Kadarenë, Helena shënon:

“Kishte gjëra që nuk i falte lehtë dhe kjo, me sa dukej, hynte në to. Shpërfillja e tij e tepruar, që shpesh kalonte çdo kufi, ishte një burim dhimbjeje i vazhdueshëm për mua. Aq më tepër që, në një farë mënyre, e kisha shkaktuar unë vetë me naivitetin tim”. (Po aty, f. 59).   Edhe më pas ai s’ kishte harruar asgjë nga ato akuzat e tyre dhe, i paepur dhe kryeneç siç ishte në pezmatimin e tij, nuk ia fali kurrë rrethit tim familjar. Ftohtësia e tij proverbiale u bë burim i kaq e kaq   dhimbjeve për prindërit e mi, sidomos për nënën, e cila, me plot kujdesje për të, bëri diçka për ta zbutur, por më kot”. (Po aty, f.66).

Në një rast tjetër: “Is i ra zemërimi aty për aty. Kjo i ndodhte sa herë që te pala tjetër vërente sinqeritetin. Për fat të keq, nuk ndodhte gjithmonë kështu dhe mëria e tij, sipas traditës së fisit, apo qytetit të Gjirokastrës, që ai vetë e ka përshkruar, mund të zgjaste me vite të tëra, ose përgjithmonë”. (Po aty,  f. 340).

Një ditë, pasi e kishte dëgjuar të bërtiste në gjumë, thotë Helena: “Pyeta me kujdes nënën e tij dhe ajo më tregoi, midis të tjerash, se Is kishte qenë fëmijë i qetë”. (Po aty, f.88). Nga njerëzit e familjes dhe të afërmit, mësojmë se “të gjithë pa përjashtim jepnin të njëjtin mendim: Në familjen e Kadarenjve ai kishte qenë gjithmonë i rrethuar me dashuri më shumë se kushdo. Të gjithë e donin, tregonte motra, nëna, gjyshja, babai, tezet dhe ai e dinte këtë, ndaj sipas saj, ishte bërë ashtu, i sertë”. (Po aty, f.99).

Në shtëpinë e Kadarenjve në Tiranë, në atmosferën e përgjithshme të moskomunikimit total, më dukej e pamundur të bëja diçka për ta thyer në një farë mënyre akullin”. (Po aty, f. 108). Ky moskomunikim relativ ka ndikuar dukshëm në atë që shkrimtari e ka parë letërsinë dhe krijimtarinë si një mjet të pazëvendësueshëm për të komunikuar me mjedisin dhe me botën në tërësi.

“Shpeshherë e kap veten në mendime, për të kuptuar e për t’i hyrë disi më mirë psikologjisë së këtyre njerëzve, që jo rrallë më kanë befasuar me sjelljet e tyre, që dilnin jashtë gjesteve dhe zakoneve me të cilat isha mësuar në shtëpinë time. Ishte një lloj fryme që s’ di si ta quash, një lloj sui generis i paparë, që mund të quhej shqiptarizëm, ballkanizëm, otomanizëm e europianizëm, përzier e bërë një nga koha”. (Po aty, f. 115 – f.116).

“Tallja me veten ishte një hobi e tij që për një kohë të gjatë nuk ia kuptoja dot. Në “Çështje të marrëzisë” fisin nga nëna e quante gjysëm të çmendur. Kurse fisin e vet të çmendur krejtësisht. Në romanin “Darka e gabuar” ai shkoi edhe më larg. Nuk po iu besoja syve kur, tek po ia shtypja në kompjuter dorëshkrimin e sapo mbaruar, lexova radhët ku shkruhej se shtëpia e Kadarenjve do të nxirrte së shpejti turpin e kombit shqiptar, d.m.th. atë vetë”. (Po aty, f. 176).

“Këtu asnjeri s’ fliste, dhe moskomunikimi ishte total. I ati, burrë i gjatë, i drejtë, me fytyrë të ngrirë, lëshoi një psherëtimë, si të thoshte ç’ bëhet në këtë shtëpi. Pastaj u ngrit nga tryeza dhe pa thënë asgjë, për t’u mbyllur në dhomën e tij.

Is iu drejtua së motrës me ton të hidhët:

-Ke arritur të hedhësh ndonjë helm kundër kësaj?

-Ua, – ia bëri e trembur. – Unë as e njoh fare.

-U, ç’ është ajo fjalë! – tha edhe nëna.

Flisnin për mua si të mos isha aty.

Is u ngrit nga tryeza dhe më bëri shenjë edhe mua të ngriheshim.

A e pe që janë të marrë? – më tha, ndërsa hynim në dhomën e tij. (Po aty, f. 68).

“Ai e kapi, siç duket, dilemën time dhe u tregua më i dashur se çdo herë tjetër. Nuk e di pse, por, në vend që të më largohej sadopak nga ajo drekë e fandaksur, m’u bë më i afërt. Më dukej se diçka po kapja nga ajo që më ishte dukur ana e pakuptimshme, si prej sfinksi e tij”. (Po aty, f.68). Edhe të huajt e kuptuan shpejt se “ai, siç e dini, s’ para i tregon ndjenjat”. (Po aty, f.361).

Në librin “Kronikë në gur”, që ai e shkroi disa vite pas martesës sonë, shpjegohen jo pak gjëra nga ajo atmosferë groteske, që zotëronte jo vetëm në familjen e tij, por në një pjesë të shtëpive të Gjirokastrës. Në atë libër, duke përshkruar shtëpitë e gurta që “vrisnin mishin e butë të jetës”, ai kishte shkruar se “ishte vështirë të ishe fëmijë në atë qytet.

“Nëna e tij, e patrazuar më prej meje, kishte rivendosur zakonet dhe stilin e saj gjirokastrit, babai mospërfillës për të tjerët, priste me padurim “buletinet e verdha” që Is ia sillte nga Lidhja dhe mbyllej me çelës në dhomë për t’i lexuar”. (Po aty, f. 209).

“I pëlqente të më thoshte se shtëpia e prindërve të mi në Elbasan kishte atmosferën e një operete sentimentale, kurse këtu kishte epizëm të mirëfilltë”. (Po aty, f.109). Dukej sikur ai, qysh në ardhjen e parë, kishte sjellë në shtëpinë tonë ftohtësinë dhe memecllëkun proverbial të Kadarenjve”. (Po aty, f.79). Νë Elbasan, tek prindërit e Helenës, “Is, që ishte ulur përbri meje, më fliste herë pas here me zë të ulët, sikur ata të mos ndodheshin aty. Ndonëse e njihja tashmë, kjo sjellje e tij cinike më dukej se po e kalonte çdo kufi. S’dija vërtet se ç’mund të bëja. T’ia thoshja me njëfarë mënyre, kisha frikë se prishja gjithçka. Prej tij mund të pritej çdo gjë”. (Po aty, f.77).

“Duke perifrazuar tim shoq, unë do të kisha qejf të thoshja: “Është vështirë të jesh nuse në këtë shtëpi”. (Po aty, f.69).

Një herë tjetër, “bashkë me dashurinë, një ndjenjë dhemshurie e thellë më pushtoi. Ky njeri, ndonëse ngjante i pathyeshëm në ashpërsinë e vet, kishte diçka që e fshihte”. (Po aty, f.76). “Is jepte përshtypjen e një njeriu të ashpër, shpesh të zymtë, të pakomunikueshëm. Ashtu ishte vërtet në shumë raste. Por, për ata që e njihnin, me miqtë e tij e natyrisht me mua, ishte fare tjetër. Humori në veprën e tij, mu në mes të pjesëve tragjike, e vërteton më së miri këtë”. (Po aty, f.312).

Blendi Fevziu: – Një nga pjesët interesante të kujtimeve të bashkëshortes suaj është   presioni që i bënte familja që të mos martohej me ju. Pse ky mosbesim?

– Shumica e familjeve do të kishin këtë mentalitet. Një shkrimtar i ri, një poet i ri, në një farë mënyre quhej një njeri joserioz. Shkrimtar, firifiu, poet.

– A ishit ju joserioz?

– Nuk kam qenë më shumë joserioz se të tjerët, sa një pjesë e të rinjve. Ishte një joseriozitet pozitiv. Një i ri e ka gjithnjë këtë përmasë joserioziteti.

– E kishit problem këtë qëndrim të familjes?

– Fare, hiç. Unë e mendoja: ku marrin vesh ata. Në atë kohë, moda ishte që kërkonin dy profesione, inxhinierë dhe mjekë. Dhëndurët e tjerë quheshin joseriozë. Sidomos ne të artit ishim të humbur”.

Dhe Helena vazhdon:

“I thashë tezes se e doja atë njeri me gjithçka: me pamjen, me shpirtin, me trupin, me talentin, me mençurinë, madje edhe me marrëzinë e tij. Dhe do ta doja gjithë jetën dhe nuk do të mendoja dikë tjetër të ma zëvendësonte” flet Helena me gjuhën e Penelopës klasike. “Is, që zakonisht ishte i paafrueshëm me njerëzit e çdo lloj farefisi, për çudi i pëlqeu shumë tezja ime”. (Po aty, f.70).

“Kisha vënë re se shumë shprehje gjirokastrite, që i kisha mësuar te Kadarenjtë, por edhe tek hallat e mia, kishin një saktësi të veçantë”. (Po aty, f.543).

“Më bënë përshtypje sytë jashtëzakonisht të ndritshëm, për të mos thënë të ekzaltuar të mikut të tij. Ishte hera e parë që po shihja një shkrimtar student që kishte qenë në burg. Tani po vija re që Is e donin të gjithë shokët e vjetër, qofshin ata me të cilët fati ishte sjellë mirë, e qofshin të tjerët, që ishin rrëzuar”. (Po aty, f.137).

Ismaili i shkoi në dasëm në Ersekë poetit Dhori Qiriazi, kur ndonjë tjetër që mëtonte se e kishte mik nuk i shkoi. Kujtojmë pohimin e Helenës për ndihmat ushqimore që Ismaili i dërgonte dramaturgut Ibrahim Uruçi internuar në Memaliaj, ushqime që i përcillte tek ai shkrimtarja Myzejen Velça.

Ismaili kishte shokë besnikë që nuk e tradhtuan dhe as ai ata. Midis tyre ishte Dhori, të cilit i besoi idenë e arratisjes në rini dhe Dhori e mbështeti, dhe Drago Siliqin, anëtar i K. Q. të P.P. Sh., por demokrat dhe mbrojtës i talenteve, tha se një ditë Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu do t’i hanin kokën njeri – tjetrit. Dhe ai besonte në një ndërhyrje ushtarake të jashtme ose në një puç nga oficerët shqiptarë me akademi, për të rrëzuar Diktatorin dhe dhënë fund tiranisë së tejzgjatur, (Po aty, f. 102). Duke folur për qëndrimin ndaj disa shkrimtarëve dhe intelektualëve të vjetër, të lënë mënjanë nga politika zyrtare, ajo shprehet se “Më habiste sidomos që Is, i shquar për moskujdesje në të sjellë, për të mos thënë dhe arrogant disa herë ndaj të tjerëve, për këtë kategori shkrimtarësh shfaqte një nderim të veçantë. Nuk ishte e vështirë të kuptohej se nderimi i tij nuk kishte lidhje aq fort me veprat e tyre, sesa me ata vetë, si zotërinj të fundit të një bote që kishte perënduar”. (Po aty, f.117).

Në apartamentin në kryeqytet nëna e shkrimtarit e të tjetër synonin të ruanin zakonet dhe stilin e vjetër të jetesës. “Frika e prishjes së stilit në atë shtëpi zotëronte mbi mbi çdo gjë tjetër”. Përkundër kësaj prirje, autori synonte ta prishte statuscuonë dhe kjo duket hapur në orvajtjet e mundimshme të tij për ndryshime dhe përshtatje të herë pas herëshme në apartamentin e vet, në banesën që e ndërroi disa herë, për kushte sa më të mira pune dhe ca komoditet. Dhe në dy dhoma e korridorin e shtëpisë në Tiranë dhe tavanin e vilës në Malin e Robit në Golem të Durrësit, ai   i veshi me tavane me qiellzane, rozeta të gdhendura, që i kujtonin shtëpinë e madhe e të vjetër në Gjirokastër. Sepse atje “gjer në moshë tetëmbëdhjetë vjeç ishte mësuar të zgjohej në mëngjes në një dhomë me tavan druri të gdhendur”. (Po aty, f.112).

“Honoraret, që në atë kohë ishin ende të mëdha, na mjaftonin plotësisht për harxhimet tona si çift. Prej honorareve, ai paguante gjithashtu shpenzimet e studimeve të të vëllait si dhe gjithë blerjet e rëndësishme në shtëpi”. (Po aty, f.109).

“Brenda farefisnive, edhe në tonat, njerëzit përgjithësisht ishin të ndarë përgjithësisht në dy grupe: të afërt me shtetin dhe fare të mënjanuar prej tij”. (Po aty, f.117).

Nëse arratisej, “Gjithmonë e më tepër bindej se ikja në atë kohë do të ishte baras me vdekjen. Pothuajse krejt vepra e tij nuk kishte për të ekzistuar. Do të humbte i harruar midis Rusisë së pafundme. Brenga e dëshpërimi që u shkaktoi fatkeqësi të tjerëve do ta rrënonin para kohe”. (Po aty, f.89).

Në Vietnam, “Sipas Is, poshtë tryezës së drekës ishte strehimi në formë hendeku të gërryer, kështu që me të rënë alarmi, nga ndenjëset, ashtu siç ishin, me pirunë e thika ndër duar, rrëshkisnin pëlltumb në hendek”. (Po aty, f. 190 e librit). Kështu etja e tij për peripeci dhe rreziqe po kënaqej me gjendje e prova të reja.

Ende i parritur, Ismaili u regjistrua në rrethin e boksit në Shtëpinë e Pionierit të qytetit, duke dëshiruar të kishte një grusht të fuqishëm. Nuk çuditemi kur mësojmë se bija e tij Gresa, fëmijë, në dhjetor 1972, i shfaqi babait dëshirën të bëhej boksiere! (Po aty, f. 305).

Ι. Kadareja është shkrimtari shqiptar që si rrallëkush ka folur për atdheun dhe lirinë, për luftën dhe armët. Nga Helena mësojmë se shkrimtari, falë stërvitjes ushtarake në shkollë, dinte t’i përdorte armët, i donte ato dhe mbante në shtëpi dy revolverë, një me leje dhe tjetrën pa leje. Shtojmë se I. Kadareja nuk tha “Lamtumirë armë!” dhe nuk i dorëzoi armët. “Asnjë nga parashikimet e mia të këqia nuk doli. Jo vetëm që ai nuk u thye, siç u duk në fillim, por ndodhi e pabesueshmja: pas goditjes që i bëri shteti, ai u bë më i fortë në gjithçka”. (Po aty, f.353).

I përqëndruar në punën e vet krijuese, “Is. u bë prapë ai që kishte qenë. Atij iu kthye prapë arroganca dhe nervozizmi, kapriçiot e tepruara e gjithçka tjetër. Me fjalë të tjera, u bë përsëri prapë ai, “i keqi”. (Po aty, f.355).

Lidhur me konceptimin e realitetit në rrethana të tjera të hamendësuara dhe me ritmin e të menduarit, shkrimtari beson se “shumë gjëra ishin “çështje ritmi” dhe se keqkuptimet e tij me shumë njerëz vinin pikërisht ngaqë ai s’ kishte përputhje me ritmin e të menduarit me ta. Thoshte se ai vetë do të donte ta ngadalësonte atë, por kjo gjë s’varej prej tij”. (Po aty, f. 489). E “ndërsa Is vazhdonte jetën e tij të përditshme, një jetë tjetër, me   tjetër ritëm dhe tjetër ngarkesë, rridhte në trurin e tij. Sa më shumë kalonte koha, aq më qartë e kuptoja se kjo e dyta, ishte, siç këmbëngulte ai, jeta e tij e vërtetë”. (Po aty, f. 92).

“Ndonëse nuk shpresonte aspak se ne do ta arrinim rënien e komunizmit, ishte i sigurt se Shqipëria do të përfundonte një ditë si vend antikomunist”. (Po aty, f. 366). “Me njëfarë optimizmi a naivitet të habitshëm, ai besonte apo i kishte mbushur mendjen vetes, ashtu sikurse dhe shumë të tjerë, se prishja me Bashkimin Sovjetik ishte prishje me komunizmin”. (Po aty, f. 358).

Shkrimtari kujtonte shtëpinë prindërore në Gjirokastër, “brenda së cilës familja zhvendosej nga njëri kat në tjetrin, për të kaluar stinën e ftohtë apo të ngrohtë…”. (Po aty, f. 489).

Në kuadrin e vajtjes së Helenës jashtë shtetit përkrah bashkëshortit, të dy të ftuar e të lejuar, Helena thotë se “Ajo që atij i dukej e papranueshme ishte psikologjia prej skllavi e shumë njerëzve, të cilëve, ndërsa udhëtimet e familjeve të udhëheqësve, me soj e sorrollop, iu dukeshin të drejta, bëheshin si të çmendur po të ndodhte kjo me njerëzit e kulturës”. (Po aty, f. 364).

Në korrik 1978, kur merrej me shikimin paraprak të romanit “Dimri i madh” në frëngjisht, I. Kadare në letrën drejtuar Helenës në Shqipëri, njofton se dorëzoi zyrtarisht tek botuesi Albin Michel romanin “Njeriu me top” të Dritëro Agollit dhe kërkonte që kjo t’i bëhet e ditur autorit. (Po aty, f. 363).

Lidhur me lëshimet e E. Hoxhës ndaj tij për botimin e veprave letrare në Francë, mësojmë se Enver Hoxhës i vetëtinte në kokë ideja se shtëpia botuese “Fayard”, që botonte veprat e Kadaresë, mund të bοtonte edhe librat politike të diktatorit komunist (Po aty, f. 369).

Lidhur me vendimin për të shkruar romanin “Koncert në fund të dimrit” dhe kërkesën për të t’u njohur me dokumentat partiake, “Një kërkesë për të parë arkivat i ishte refuzuar në mënyrë të prerë, duke i dhënë të kuptojë se një roman i tillë ishte i padëshirueshëm.   Por kjo nuk ndikoi aspak në planet e tij. Ai ishte i bindur se romani për raportet shqiptaro – kineze ishte i domosdoshëm për të kuptuar ‘Dimrin e vetmisë’, pra, tablonë e plotë të asaj që quhej “kohë e partisë”. (Po aty, f. 367).

Romani në fjalë u dorëzua për botim vetëm pak javë përpara vdekjes së kryeministrit   shqiptar Mehmet Shehu. “Mirëpo, në roman flitej pikërisht për diçka tepër të ngjashme: vrasjen e paraardhësit të Maos. Dhe puna s’mbaronte me kaq. Νë roman trajtoheshin përshpërimat dhe dyshimet se vdekja e trashëgimtarit të Maos ishte një aksident, siç u tha zyrtarisht, apo si një vrasje e bërë pas krahëve. Me një fjalë, vetëvrasje apo vrasje në versionin shqiptar, aksident ajror apo vrasje në versionin kinez. Përqasje më e rrezikshme as që mund të mendohej”. (Po aty, f. 381 – 382).

Pra, së paku dhjetë vjet ne kemi jetuar me këtë tmerr mbi krye! Të dish se ata të quajnë “agjent të Perëndimit” dhe të vazhdosh jetën normale, të shkruash njëlloj si më parë e të tjera e të tjera, kjo kërkonte më shumë se nerva të hekurta”. (Po aty, f. 182) Dhe është absurde që, teksa Mehmet Shehu e kishte cilësuar shkrimtarin “agjent të Perëndimit”, disa të tjerë më pas e cilësuan si agjent të Mehmet Shehut në shërbim të Perëndimit! Po aq absurde, trashanike dhe djallëzore tingëllon deklarata e R. Alisë se demokratizimin e vendit e pengokeshin intelektualët shqiptarë dhe, së pari, shkrimtari Ismail Kadare! Pas kërkimit të azilit politik, I. Kadareja i dërgoi R. Alisë – President një letër, ku i kërkonte praktikisht atij dhe klanit të vet, dorëheqjen nga pushteti, për të mirën e vendit, për demokratizimin e Shqipërisë. Por u zhgënjye rëndshëm. “I mësuar që ta akuzonin për revizionist,   dekadent, reaksionar, megaloman, antipopullor e të tjera si këto, atij jo vetëm nuk i bënin më përshtypje, por, duke i thënë edhe vetë këto fjalë, disa prej tyre i merrte si elozhe. Dhe jo vetëm kaq. Nuk i vinte keq kur i thoshin se ai ishte i prapë, cinik, i shkalluar, arrogant, satana etj., kështu që me po atë lehtësi i përdorte këto fjalë për të tjerët”. (Po aty,, f.340). “E vërteta ishte se Is qëllonte që ishte i pakujdesshëm dhe fare pa takt në përdorimin e fjalëve. Shokët që e njihnin dhe e donin nuk ia merrnin për të keq, por me shumë të tjerë kishte probleme. Kisha vënë re se aty për aty edhe këta të fundit dukej sikur nuk ia vinin re, por më pas kujtoheshin dhe atëherë më duhej mua të ndreqja dëmet”. (Po aty, f.431).

Ismaili, sipas Helenës, ishte tepër radikal në pozicionimet e tij dhe kjo u shpreh edhe në mospajtimin me thënien e Engelsit për Balzakun, se informacioni ekonomik qenkish i jashtëzakonshëm në veprën e tij letrare. (Po aty, f. 185).

“Ç’qe kjo që ndodhi, more Ismail, më thotë. Kaq i keq na doli ky Enver Hoxha, adashi im?” “E pra, i përgjigjem”. Ai tund kryet: “Ç’ është e vërteta, ca shenja i kishte dhënë që atëherë kur kemi qenë bashkë në gjimnaz. Mbaj mend, më kërkoi për ta lexuar “Dashnori i Lady Chatterley” dhe nuk ma ktheu më”. (Po aty, f. 542).

Me Javer Malon, gazetar i “Z. Popullit” dhe më pas ambasador i Shqipërisë në Francë:

“Is kishte pasur marrëdhënie të mira me të, aq më tepër që artikullin e vetëm pozitiv për “Gjeneralin” e kishte shkruar ai, duke parashikuar madje edhe një sukses të mundshëm të romanit në botën e jashtme…Në rrethin e të afërmve Javer Malo nuk e fshihte se modeli i tij i ngjante Ilia Erenburgut, të cilin edhe përpiqej ta imitonte”. (Po aty, f. 229). Në bisedën e shkurtër me Sabri Godon, Javer Malo ishte shprehur se tashmë Is ishte një “kartë e djegur”! “E vetmja rrethanë lehtësuese për ambasadorin shqiptar në Paris mund të ishte një kritikë që, me sa dukej, ia kishin bërë, duke e akuzuar se shumë ngjazëllim e mburrje kishte treguar për botimin e këtij romani në Francë. Mburrja e ambasadorit shqiptar për një botim libri, në fund të fundit, ishte një gjë pozitive. Por qëndrimi i tij i kundërt më pas, ishte vërtet për t’u çuditur”. (Po aty, f.131).

Nefo Myftiu, nga Putot e Gjirokastrës, me prona të shumta në Gjirokastër e Sarandë, “gruaja e njërit prej anëtarëve më të rëndësishëm të Byrosë Politike”, më pasaniku i të gjithëve dhe me studime të shkëlqyera për mjekësi në Itali”. (Po aty, f. 241 – 242). Djali i tyre, Gim Myftiu, ishte mik i ngushtë dhe besnik i shkrimtarit dhe i përcillte informacion që brenda Bllokut, një pjesë të të cilave Gimi e merrte nga nëna. “Nefoja dinte çdo gjë që bëhej në Bllok, përgatitjen e furtunave politike, intrigat, xhelozitë midis klaneve, ankthin me të cilin jetonin shumica e udhëheqjes, ata që bota i quante të lumtur. Ajo dinte gjer te historitë tepër të rralla erotike apo marrëdhëniet nuse – vjehrrë, e me dhjetra hollësi të tjera, të gjitha të vlefshme për të kuptuar se ç’ po ndodhte në atë që quhej Bllok misterioz”. (Po aty, f. 243).

Νefua ishte “Liberale e pakorrigjueshme, krejt e zhgënjyer nga socializmi, gjithë jetën e saj e kaloi duke pritur përmbysjen e regjimit, megjithëse e dinte se bashkë me regjimin do të përmbysej ajo vetë dhe familja e saj”. (Po aty, f. 242). Mjeku dentist Çerçiz Mingomataj i pati thënë Nefos: “Ai burri yt duhet të bëjë ndonjë gjë, ndryshe do të përfundoni të gjithë në kanal…”. Por të njëjtën gjë i tha edhe Helenës, që t’ia përcillte Ismailit: “Ky regjim i egër na e mori shpirtin, por besoj se ai burri yt (pra, I. Kadare) e ka kuptuar mirë këtë punë, mendja më thotë se ai diçka duhet të bëjë”. (Po aty, f.245).

Agim Mero, dikur sekretar i parë i KQ të Rinisë dhe anëtar i KQ të PPSH i kishte thënë shkrimtarit, në një shtëtitje: “Ti Ismail nuk e do partinë, përse kërkon të futesh në parti?”. Dhe ishte Agimi që i plotësoi Ismailit dëshirën të shkonte në Amerikë, të shikonte sallën e OKB, ku Hrushovi ngriti (thonë edhe se përplasi në tribunë) këpucën e tij të famshme. Ajo vajtje që ndihmoi për një përfytyrim më të plotë të tij mbi botën perëndimore dhe skenat e romanit “Dimri i vetmisë së madhe”.

Në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të Ballkanit, në Tiranë, tetor 1990, lidhur me arratisjen e shkrimtarit, “Ministri shqiptar Reiz Malile, ishte përpjekur ta quante ngjarjen krejt të parëndësishme. Kryeministri Çarçani bëhej nervoz ndaj çdo pyetje të këtij lloji, gjë që ia rrëzonte dhe atë pak autoritet që i kishte mbetur”. (Po aty, f. 542).

Doktor Skënder Dauti, me të cilin familja e shkrimtarit kishte miqësi të vjetër: “ishte një tip krejt i veçantë. Ai kishte një humor të jashtëzakonshëm dhe ngaqë ishte nga Gjirokastra përdorte fjalë të vjetra gjirokastrite, thjesht përe t’i hedhur pak piper muhabetit”. (Po aty, f. 303). Ai vlerësoi përparimin e Helenës në drejtim të mësimit të fjalëve tipike gjirokastrite, vizitoi nënën e shkrimtarit dhe, pas vizitës mjekësore në shtëpi, porosit që nëna të shtrohej në spitalin onkologjik ku edhe u operua.

Shkrimtari dhe politikani lindën në një qytet, në një lagjet, dhe shtëpitë nuk ishin larg njera tjetërs. Por i ndante mosha dhe formimi, synimet në jetë dhe rruga që zgjodhi secili për realizimin e tyre. Ata patën lidhje, diku edhe bashklpunim, dhe politikani mori përsipër rolin e mecenatit e të tutorit, por duke i kufizuar lirinë.

“Me Is. ndodhnin gjëra që nuk ndodhnin me asnjë shkrimtar tjetër. Qëndrimi i dyzuar i shtetit ndaj tij, ndihej qartë. Merrej me mend se dikush nga lart e ndiqte çdo hap të tij. Ky dikush s’ mund të ishte veçse Enver Hoxha. Kështu që legjenda e mbrojtjes së tij kishte një bazë dhe Is vetë nuk e ka mohuar këtë asnjëherë”. (H. Kadare, “Kohë e pamjaftueshme”, f. 343).

Përqasja e shkrimtarit me Enver Hoxhën çalon në disa drejtim e ndoshta shkakton alergji. Në biografinë “Enver Hoxha – sulltani i kuq”, hungarezi Thomas Skreiber e cilëson djaloshin ambicioz Enver Hoxha si “kopjues adresash”. Djaloshi I. Kadare e shumta ndoqi modelet e njohura të letërsisë botërore dhe pastaj u përpoq për sa më tepër origjinalitet. Ai iu shkëput dukshëm dhe u distancua nga bashkëqytetari politikan, duke kaluar përfundimisht e me vendosmëri në anën e popullit, për përmbushjen e aspiratave demokratike dhe afrimi me vlerat e botës së qytetëruar.

Shkrimtari krijoi e lartoi nëpër vite një ansambël artistik – letrar të papërsëritshëm, duke gdhendur emrin e vet në gur, bronz e mermer. Dhe, më e rëndësishmja, me yllin e ndritur të   shumëpritur të lirisë “përmbi varr të tiranisë/do të gdhenden emrat tanë” thotë Pushkini në vjershën kushtuar Çaadajevit të internuar.

***

Shkroi shumë dhe shumicën i botoi, disa me mjaft vonesë. Të tjera nuk i botoi, sepse nuk i pëlqenin. Kurse disa krijime, edhe libra të fillimit, nuk i quan vlera krijuese. Eci, pra, edhe duke mohuar veten, një pjesë të saj.

Disa libra mbeten vetëm projekte, për arsye të ndryshme nuk u shkruan ose nuk u përfunduan. Por ka të tilla që autori nuk dëshiroi t’i shkruajë. Sepse prishja e disa veprave ishte një nga punët më të rëndësishme dhe serioze të shkrimtarit, “domethënë shkatërrimi i veprave që nuk duhen shkruar, është puna kryesore për një shkrimtar”! (Po aty, f. 267) Sa mirë kur shkrimtari e di cilat janë ato dhe ka vendosmërinë t’i abortojë! “Në kokë më vërtiteshin gjithë metaforat e tij të guximshme, që kishin të bënin me dashurinë dhe me gratë. Midis thatësirës së realizmit socialist ishte një nga të rrallët që kishte shkruar për dashurinë në mënyrë sensuale, disa herë me një erotizëm tronditës”. (Po aty, f.46). Kadare ka folur shpesh për procesin krijues në tërësi, për laboratorin e vet krijues, praktikën e krijimit dhe psikologjinë e shkrimtarit. Ka patur interpretime të ndryshme për refuzimin e karrierës shtetërore prej tij, edhe të postit të Presidentit të Republikës. “Ishte shkrimtar, pra ishte mësuar të punonte i vetmuar, pa dëgjuar askënd dhe pa u këshilluar me askënd. Shkurt, ishte natyrë jo tolerante, pra fare i papërshtatshëm për demokracinë”! (Po aty,, f. 183). Koha dhe energjitë i nevojiteshin për krijimtarinë letrare. Ishte kalorës i Urdhërit të Letërsisë, punoi me program, sistematikisht, pa e shpërdoruar kohën vetiake dhe energjitë mendore për gjëra joproduktive. Nga ky përkushtim përfitoi shkrimtari, letërsia, kultura mbarëshqiptare dhe më gjerë.

Në vitet 1970 shprehjet kritike: “Ai shkruan jo për lexuesin shqiptar, por për atë perëndimor” u bënë të zakonshme. Por këto nuk e acaronin aspak atë, madje thoshte: kanë të drejtë. Sipas tij, duhej korrigjuar vetëm një gjë: “lexuesi perëndimor” ishte në të vërtetë një lexues i lirë, i të gjitha kohërave”. (Po aty, f. 281). “Tani është koha e analizës në gjerësi e thellësi të veprës së tij letrare, sidomos brenda vendit. Kryesore dhe mbi të gjitha ishte fakti që, në një vend tiranik si Shqipëria, vend ku nuk mund të prodhohej gjë tjetër veçse mjerim, shtypje dhe turp, ai kishte krijuar një vepër të lirë, me frymë dhe përmasa europiane”. (Po aty,  f. 495).

Në Gjirokastrën konservatore frynte përpara Çlirimit një erë europiane, e cila dukej në elitën intelektuale studjuar në Europë, në hyrjen e disa zakoneve të reja nga Perëndimi, në frymën kritike të shtypit dhe protesta qytetare, ndonëse të rralla. I. Kadareja e rimori dhe zhvilloi atë traditë.

Një nga shërbimet e vyera të I. Kadaresë në të kaluarën moniste është se i mësoi dhe nxiti shqiptarët të mendojnë ndryshe, si të venë në dyshim sistemin diktatorial dhe të aspirojnë rikthimin në gjirin e popujve evropianë. Largimi i tij demonstrativ shërbeu si katalizator në masën e rinisë e më gjerë, për demokratizimin e jetës së vendit dhe orientimin Perëndimor.

Koha dhe jeta bënë të sajën. “Tani gjithë ai fis që kam njohur ndodhet nën dhe. Një brez i ri e ka zëvendësuar e vazhdon ta zëvendësojë ende. Edhe unë vetëm tani po vë re se jam bërë e vëmendshme për të kapur te filizat e rinj tipare të njohura, shenja të para zakonesh e manish që shfaqen te të vegjëlit, te fëmijët e Afërditës, Shahinit, Genti, Jorina, Besniku, Petriti, te mbesa jonë Doruntina nëntëvjeçare, madje edhe te më i riu mes tyre, Adriani i vogël, te mënyra e vështrimit të tij, te gjestet që bën kur kërkon me çdo kusht diçka…”. (Po aty, f.116).

Në paraqitjen në publik I. Kadare shfaqte një anë karakteristike të gjirokastritëve, vetëpërmbajtjen, të qenit i hapur e i kujdeshëm. (Po aty,. f. 240).

Them se ia vlen të theksohet se shkrimtari i ka ngjarë gjyshit të vet me të njëjtin emër, nga shija e hollë dhe të veshurit hijshëm. Binte në sy për këtë në kryeqytet. Shkrimtari ishte nga të paktët njerëz e intelektualë që i kushtonte rëndësi veshjes, paraqitjes si pjesë e integritetit intelektual, e frymës bashkëkohore. Paraqitja përmes veshjes e bënte atë më tërheqës. Edhe pse vendi kishte mungesa të shumta edhe në këtë drejtim, Ismaili gjente mundësi të vishej mirë e me shije.

“Is nuk ka pasur asnjëherë për zemër proverbat, sidomos ato që jepnin këshilla si, bie fjala, “i duruari, i fituari” etj. si këto. Në përgjithësi ai bënte pjesë te njerëzit e paduruar, madje shumë të paduruar”. (Po aty, f.358).

Në librin “Viti i mbrapshtë”, Botimet Onufri”, 2003) gjenden një varg fjalësh të urta krijuar prej tij, të cilat rrezatojnë përvojën dhe mençurinë gjirokastrite, si:

– Lajthiti, zëre se vdiq.

– Nuk bëhet hasha nëna ngaqë është plakë.

– Rakia ndryshe rri në shishe e ndryshe në bark.

– Kur qelbet kripa, ç’ pret nga peshku.

– Lufta është si lakrori, mishin e do në mes.

– Punë e Shqipërisë është mbill e mos korr.

– Toka na mban, toka na han.

– Kujt s’i mjafton bota, i mjafton varri.

– Perëndia i faltë, mortja i marrtë!

– Dimë edhe ne diçka, kemi pirë lëngun e gjarprit.

– Po iu afrove pamjes që pe në ëndërr, prishet.

***

Është e natyrshme që lexuesit të duan të dinë më tepër për jetën e shkrimtarit, karakterin, mënyrën e tij të jetesës. Kjo edhe për faktin se dikur në Shqipëri jeta e personaliteteve politike dhe edhe të kulturës mbulohej me heshtje dhe me një fasadë pothuajse refraktare. I. Kadareja u hap përpara lexuesve, duke treguar jetën e vet, mënyrën si i konceptoi dhe përballoi problemet e letërsisë, botimit, reagimet miratuese apo frenuese, shijet dhe pëlqimet, pranoi edhe dobësi e mëkate.

Është mëtuar deri edhe për kurnaci të shkrimtarit. Se kur merrte honorare për ndonjë botim të ri nuk falte asnjë qindarkë. Përmend edhe shkrimin “Ryshfeti i Kadaresë në Paris” (“Kujtime me buzë në gaz”, Tiranë, 2014), ku autori, Shpëtim A. Emiri, me shije dhe humor të hollë, na jep një anekdotë në atmosferën dashamirëse, gati himnizuese për I. Kadarenë: Kamarieri i lokalit me famë Bar-Kafe Rostand në Paris, megjithëse shërbente atje prej vitesh, nuk e njihte klientin e përditshëm që punonte me orë të tëra aty. shkrimtarin shqiptar disa herë rresht kandidat për Çmimin Nobel në Letërsi, me sa duket, ngaqë shkrimtari, si gjirokastrit puro, (i thekur), me rrënjë, nuk do t’i kishte dhënë asnjëherë purbuar! Por shkrimtari “gjirokastrit” dinte të priste në shtëpi në Tiranë të afërm e miq dhe disa vizitorë kohëbjerrës që nguleshin në sallon, kur ai duhej të ishte në dhomën e punës duke shkruar ose lexuar. Përmend këtu edhe pohimin e vonuar të shkrimtarit Nasho Jorgaqi se, në rini, kur ishte student, ai qëndroi afro një vit e gjysëm me I.Kadarenë në shtëpinë e tezes së këtij në Tiranë.

Dhe ky njeri dorështrënguar me emrin Ismal Kadare, sipas disave, që mori honorare minimale në krahasim me të ardhurat që i solli shtetit me librat e tij brenda e jashtë vendit, ia ktheu bankës së shtetit 500 dollarët që i dha Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve e Shqipërisë, për udhëtimin drejt Francës. Ky akt qytetar korrektësie dhe dinjiteti ishte si të shkëpuste rrënjësisht lidhjet me sistemin e vjetër politik e modelin e djeshëm social shqiptar.

Është rrëqethëse përmendja e faktit se E. Hoxha e shikonte si të rrezikshme dëshirën e shqiptarëve të zakonshëm për të mobiluar me kursimet e tyre apartamentet e banimit (I. Kadare, “Letërkëmbim me presidentin”, Botimet Onufri, 2005, f. 66). Ishte një varfërim i programuar. Dhe erdhi koha që dëshira për pak komoditet të jetë ndër objektivat minimale të shumicës së shqiptarëve. Me hapjen drejt Europës, shkrimtari i dëshiroi dhe uroi mbrothësi dhe prosperitet popullit të vet.

Gjirokastriti ishte kursimtar, por dinte të bënte edhe zakonet. Nuk munguan rastet e solidarësisë në ditë të vështira, respekti ndaj të ardhurit, jabanxhiut, hapja e shtëpisë fqinje për nevojat e një rasti vdekje tek tjetra. Në ditët e festivaleve kombëtare organizuar në Gjirokastër kishte raste që banorët ziheshin midis tyre kush e kush të merrte dhe mirëpriste në shtëpi një festivalist, këngëtar, valltar apo instrumentist, ardhur nga krahina të tjera.

Ja edhe dimri i vështirë 2014-2015: Një grup sipërmarrësish gjirokastritë, disa edhe të ardhur nga krahina të tjera, nuk u kursyen për të dhënë ndihma për të dëmtuarit nga përmbytjet e mëdha të dimrit, përmbytje që nuk isha parë prej afro gjysëm shekulli. Kështu, gojëdhëna e kopracisë gjirokastrite sfidohet rëndshëm edhe në ditët tona, kur interesi për fitimin ka arritur caqe të reja.

***

Nuk kërkuam posaçërisht fakte të panjohura, por u përqendruam kryesisht në ato që pohon vetë shkrimtari ose të tjerët për të. Por është tunduese e ndoshta me interes të mësonim diçka më tepër për lidhjet, simpatitë apo antipatitë e tij për shkrimtarë gjirokastritë si, Zihni Sako, Muzafer Xhaxhiu, Vedat Kokona, studjuesin Nexhip Gami, (Arshi Pipën, Dalan Shapllon, Jorgo Bulon, Agron Ficon) e të tjerë më të hershëm si Xhevat Kallajxhi, për jogjirokastritë tradicionalë si, Agim Shehu, Resul Bedo, Shefqet Peçi, në aspektin letrar, për të mos përmendur të tjerë nga krahinat e rrethit.

Jeta e shkrimtarit ka patur përmasa jo të zakonshme për kushtet e vendit tonë, ka patur njohje e takime, ndeshje dhe përplasje edhe me ngjyrë e theks politik. U takua dhe ballafaqua me politikanë e drejtues shteti, si E. Hoxha e R. Alia. Kishte njohje e ndoshta edhe pikëtakime me politikanë gjirokastritë si, Bedri Spahiu, Haki Toska, ushtarakë si Tahir Kadareja, Hulusi Spahiu e ndonjë tjetër, për shumicën e të cilëve pothuajse nuk flet. (Bedri Spahiu ishte Ministër i Arsimit, kur I. Kadaresë iu dha e drejta e studimit për në   Insitutin e Lartë në Tiranë. Nuk e dimë a u muarr ai personalisht, por shkrimtari i ri e kishte afirmuar veten dhe vështirë të dilte dikush ta kundërshtonte). Shkrimtari ka qenë i përmbajtur e i kujdeshëm që të mos përzihej me elitën pushtetore, ndoshta dhe nën ndikimin e faktit se disa, edhe gjirokastritë,   patën peripeci e pësime në karrierën dhe jetën e tyre.

Shkrimtari dha mendime për procesin shoqëror të kohës, sidomos për zhvillimet e mëpasme politike e shoqërore. u takua me figura e autoritete të politikës shqiptare, u vlerësua nga Presidentët e Republikës shqiptare; por refuzoi të vihet ngushtësisht në shërbim të individëve me pushtet, aq më pak të kthehet në trofe të ndonjë force politike brenda vendit.

Ismail Kadare njohu nga afër politikanë dhe personalitete të kulturës botërore, mori vlerësime dhe çmime si ai nga Presidenti francez Fransua Miteran. Dhe: “Prej disa ditësh Ismail Kadare gjendet në vendin e shenjtë, me ftesë të personaliteteve të larta të vendit, për të marrë pjesë në një manifestim të madh letrar me shkrimtarë dhe personalitete të tjera nga bota. Fillimisht ai është takuar me presidentin Shimon Perez.

Gjatë takimit presidenti dhe shkrimtari shkëmbyen mendime filozofike ne tema te ndryshme, për gjerat e përbashkëta qe ka Izraeli me Shqipërinë dhe për lidhjen e dy popujve. Ky ishte takimi i dytë i tyre, pasi herën e parë ata janë takuar në vitin 2.000 dhe atëherë ata kanë biseduar për librin “Piramida” dhe sot ata diskutuan për librin “Prilli i thyer”. Presidenti izraelit Peres u interesua për shkrimin e tij te tanishëm. Gjatë vizitës së tij shkrimtari do vizitojë “Weizmann”, Insitutin e Shkencave,   muzeun e Izraelit etj. Ai do marrë pjesë dhe në ndezjen e qirinjve të festës “Hannukah”, si dhe do të vizitojë Jeruzalemin, Tel-Aviv-in, Haifa. Gjithashtu gjatë vizitës ai do të takohet me shkrimtarët izraelitë”.

Dikur lajme të tilla do të na dukeshin se vinin nga një planet tjetër. Të tilla ngjarje janë thyerje tabuje edhe në pikëpamje fetare. Shkrimtari ndjek me vemendje zhvillimet e reja, “antenat” e tij janë natë e ditë të ngritura e në veprim. Intervistat, deklaratat dhe pozicionimet e tij ndjekin njeri-tjetrin. E tillë është edhe deklarata për aktet terroriste të ekstemistëve islamikë në Paris, me ç’rast që autori, duke iu drejtuar shqiptarëve,  tha se ata nuk janë pjesë e problemit, e palës destruktive, dhe se atdheu i tij është evuropian dhe i takon botës së qytetëruar.

Ja dhe një hollësi nga libri i Helenës, që tregon se shqetësimet   lindin edhe atje kur e kur nuk e pret.   Prill 1994: “…Drejtori i një gazete të pavarur, “Dita informacion”, më pëshpëriti se ka diçka për të njoftuar. Hiqemi pak mënjanë dhe më thotë se ka një informacion se shërbimi i fshehtë grek dëshiron të vrasë peshkopin grek Janullatos në Tiranë, për të shkaktuar luftë midis Shqipërisë dhe Greqisë. Nuk e besoj, ai ngul këmbë.” (Helena Kadare, “Kohë e pamjaftueshme”, f. 260). Në faqet e shtypit shqiptar prania e tij është vazhdueshme. Në anketat për “Njeriu i Vitit”, është shpallur fitues dy herë. Kurse në një anketë të para disa viteve politikani Enver Hoxha u shpall “Νjeriu i shekullit të XX”, ndoshta nga koha e gjatë e qëndrimit në krye të shtetit. Tani jemi në shekullin XXI.

 

NË VEND TË MBYLLJES

 

U orvata të jap një Gjirokastër përmes librave dhe kujtimeve të I. Kadaresë, që e pasqyrojnë ose marrin shkas prej saj. Nga materiali i i këtij Vështrimi, qyteti del i lidhur ngushtë edhe me jetën e autorit e të familjes së tij, dhe anasjelltas. Të dhënat kryesore për këtë vështrim na i ofroi shkrimtari me krijimtarinë e mirëfilltë, me intervistat, pohimet e përshkrimet në periudha të ndryshme,   në vazhdimësi. Në këtë kuadër e krahasuar me to, nuk mëtojmë se kemi bërë ndonjë zbulim.

Më tepër, lehtësojmë lexuesin përmes qëmtimit, vjeljes dhe mbarështrimit të tyre. Μëtojmë se mbushim një zbrazëti e përmbushim një nevojë.

Kam shkruar disa herë në shtypin letrar për krijimtarinë e tij dhe kam dhënë disa leksione kushtuar posaçërisht veprës së tij, duke bërë për këtë shkak, ndryshime që nuk i parashikonte programi zyrtar i mësimdhëniers.

Përpara kësaj, përtej faktit që ai ishte një mësues i veçantë për talentet e reja të brezit tonë, I. Kadareja ishte edhe pedagog, me një cikël leksionesh shumë interesante për letërsisë bashkëkëkohore evropiane, të ashtuquajtur “dekadente”, për një periudhë, duke nisur nga viti 1970.   Për këtë përvojë e ndihmesë është shkruar nga publicisti Vasil Qesari, por ajo që dua të theksoj është se, në auditor, pas kritikës në dukje, mund të kuptohej lehtë vlerësimi i tij për atë letrësi dhe përfaqësuesit e saj.

Ajo letërsi e anatemuar komunistërisht u bë pikëmbështjetje e fuqishme dhe burim përtëritës për krijimtarinë e tij, ndërkohë që metoda e realizmnit socialist që servirnin edhe dogmatikët e Institutit “Gorki” në Moskë, kishte synim “ varrosjen e letërsisë së vërtetë”.

Në nëntor 2005 në “Gazeta e Athinës”, në mërgim, botova në tre numra rresht një pjesë nga studimi “Vështrim mbi Gjirokastrën”, me nëntitull “Pashallëku letrar i Ismail Kadaresë”, që ishte bërthama e këtij libri.

Nuk mëtojmë se bëjmë biografinë e shkrimtarit, se e ndriçojmë mjaftueshëm personalitetin e tij, por ndriçojmë gjurmë të jetës dhe disa fakte domethënëse.

Nuk mëtojmë se bëjmë historinë e qytetit, por vetëm të reflektojmë disa veçori dhe atmosferën e mjedisit gjirokastrit të cilat i përgjigjen këndvështrimit dhe përjetimeve te shkrimtarit. Ajo që flet më tepër është fjala, syri, “tejqyra” dhe kamera e shkrimtarit, peneli dhe stili i papërsëritshëm i tij. Nuk jemi as në pozicionin e kritikut të mirëfilltë letrar apo të studjuesit skrupuloz të historisë së letërsisë. Ky vështrim është një trajtim i lirshëm letrar dhe jetëshkrimor, me dozën e natyrshme dhe të pashmangshme subjektive.

Ansambli letrar i I. Kadaresë, që lidhet me Gjirokastrën është një enciklopedi e vogël me ngjyrë historike, gjuhësore, deri dhe etnografike, me ngjyrë lokale; me vlerë njohëse dhe me interes sidomos për brezin e ri, edhe të Gjirokastrës.

Vepra letrare e I. Kadaresë ka tërhequr që herët vëmendjen si dukuri novatore, dhe këtu, qoftë edhe tërthorazi, ka pjesën dhe meritën e Gjirokastra që i ofroi motivet dhe nxitjen për një pjesë të mirë të krijimtarisë së tij, Gjirokastra “konservatore”, që edhe sot nuk qëndron në krye të zhvillimeve të vendit. Sjellim këtu mendimin e I. Kdaresë se veprat e shquar nuk kushtëzohen nga sistemi politik e shoqëror, sepse shumë prej tyre janë krijuar në periudha errësire dhe në diktatura. Perifrazojmë se letërsia e madhe nuk është e thënë të lindë doemos në mjedise, qytete apo shtete të mëdha. Dhe Gjirokastra me individualitetin e saj e vërteton më së miri këtë.

 

 

POST SCRIPTUM

 

Në mjedisin gjirokastrit kam thënë fjalën time për shkrimtarin Ismail Kadare, por pak kam shprehur mendime se si të bëhet kjo apo ajo punë lidhur me të. Përjashtim bën një rast, me dy fjalë, për kthimin në identitet të shtëpisë së rehabilituar, në një kalal televiziv lokal. Është rasti të bëj disa sugjerime për mbarëvajtjen e punëve në vazhdim.

Për veprën dhe vlerat letrare-estetike të krijimtarisë së shkrimtzarit, mendojmë se së pari duhet të jenë të interesuar të rinjtë dhe të rejat që banojnë në këtë qytet. Kemi përshtypjen se lidhja shpirtërore e tyre me botën e shkrimtarit, me tablon e larmishme që ai pasqyroi e mishëroi është e pamjaftueshme.

Natyrisht, brezi i ri e pëlqen veprën letrare të I. Kadaresë, edhe të rinjtë e të rejat e Gjirokastrës, sidomos nxënësit e shkollave, bëjnë edhe tema hartimi e diskutimesh. E me rastin e 1 Qershorit, viti 2015, në rrugicën që shpie drejt shtëpisë së shkrimtarit, u hap një ekspozitë, edhe me plot vizatime të nxënësve të shkollave të qytetit, ku midis krijimeve spikasnin edhe disa portrete të tij. Por duhet dalë nga rutina e deritanishme për ndonjë veprimtari simbolike e ceremoniale, duke shtuar larminë e formave të ndriçimit të veprave letrare dhe vlerave të tyre. Janë të rrallë mësuesit dhe pedagogët që punojnë me pasion dhe dalin nga guaska e mësidhënies.

Dhe banorët tradicionalë, që përjetuan ngjarje dhe emocione, të përforcuara dhe amplifikuara nga pena e shkrimtarit, ose janë të pakët, ose janë larguar nuk jetojnë më, ose nuk jetojnë.

Dyndja e banorëve të ardhur rishtas, shumë prej tyre pa interesa kulturore, ka bërë që edhe simpatizantët entuziastë të pakësohen.

Është e nevojshme të propagandohet më mirë vepra e tij, nga bibliotekat dhe libraritë e qytetit. Deri më sot dëmtoi jo pak zvarritja e punimeve për rehabilitimin e plotë të shtëpisë së shkrimtarit dhe klima e ambjentimit me zvarritjen dhe përgjegjësinë e pamjaftueshme të kompetentëve për kthimin e banesës në identitetin e vet, nga jashtë dhe sidomos nga brenda.

Mendoj të gjallërohet veprimtaria e shoqatës “Miqtë e Kadaresë” dhe të rritet roli i saj në mjedisin e qytetit e më gjerë. Mund të punohet e bëhet më shumë nga kuadri pedagogjik i specializuar i universitetit të Gjirokastrës. Të krijohet një bërthamë e përhershme studjuesish të përkushtuar ndaj veprës dhe jetëshkrimit të shkrimtarit.

U krijua në Shqipëri, përpara dhjetë vitesh dhe përsëri në vitin 2015, tashmë edhe si fondacion, çmimi “Kadare”, për nxitjen e krijimtarisë letrare në përgjithësi. Po çfarë stimuli ka për nxitjen e krijimtarisë letrare brenda në Gjirokastër, për talentet e reja?

Dëgjojmë të flitet për “Kadare-tur”, me vizitorë nga brenda dhe jashtë Shqipërisë. Këtij turi (tour në frëngjisht)   i paraprin turri në veprat e tij, sidomos i ansamblit letrar që merr shkas e jetë nga Gjirokastra.

Përpara gjysëm shekulli në Gjimnazin e Gjirokastrës u hap klasa-muze, ku ishte ulur dhe kishte nxënë Enver Hoxha. Dhe ajo bangë ku ishte ulur, e dyta, në mos gaboj, megjithëse e vendosnin edhe në rreshtin e fundit, përdorej si stimul për nxënësit më të dalluar, të shkëlqyerit. Mbaj mend dy prej tyre: Shpëtim Emiri dhe Sotirulla Dilo. Nuk them të bëhet e njëjta gjë me letrarët e rinj, por, të paktën, nxënësit e sotëm të dinë në cilën klasë është ulur dikur shkrimtari, megjithëse nëpër vite e edhe brenda ditës, mund të ndryshonte klasa ku zhvillohej mësimi, një lëndë e caktuar, edhe sipas numrit të nxënësve. Dhe, natyrisht, bangat nuk janë të asaj kohe.

Shtator 2004 – Janar 2016

 

 

 

SHPJEGIME PLOTËSUESE

 

Shënim 1. Emri i qytetit Gjirokastër lidhet me konceptin e kështjellës. Argjiro-kastro, në greqisht, do të thotë kështjella e Argjirosë. Ka mendime se emri i qytetit prejvjen nga shkëlqimi i argjendtë që marrin çatitë e shtëpive si dhe pllakat shkëmbore mbi qytet pas shiut e daljes së diellit, ose në një natë me hënë të plotë. Në lashtësi Gjirokastrën e gjejmë me emrin Argjirini (Αρχαία Αργυρίνη) por edhe Aργυρουπολέος (Argjiropoleos). Në tekstet e Krishterimit e gjejmë me emrin Angjelokastro (Αγγελόκαστρο) = kështjella e engjëllit ose engjëllore. Emri i qytetit mund mund të ketë lidhje me sundimtarin Gjin. Në Jugë ekziston emri Gjin dhe trajta Gjino. (Balada e Gjino Vakut). Veriorët e kanë thirrur qytetin: Gjinokastër. Vetë gjirokastriti qytetit i thoshte Gjirokastrë, për: Gjirokastër.

Shënim 2. Ismaili, sipas Biblës, ishte një profet i shquar hebraik, biri i Abrahamit dhe i Sarës, vëlla i Isakut.   Në gjuhën hebraike Ismael i thonë njeriut të pranuar e të ndier prej perëndisë. Ky gjendet si emër edhe në kalendarin e Ortodoksisë në Greqi. Në Gjirokastër emri Ismail shkurtohet në: Mail dhe Malo. Në librin e saj me kujtime Helena e bën Is.

Shënim 3. Mendoj se mbiemri Kadare vjen nga arabishtja kadar, që i thonë rrobës së gjatë, të lirshme e me çmim të lirë, që veshin burrat në ato vise. Ndoshta, dikush nga parardhësit e shkrimtarit ishte karakterizuar përmes kësaj veshje. Kjo bëhet më e besueshme, po të kujtojmë hollësinë që përmend autori në poemën “Shqipëria dhe tri Romat” ku shamia a kokës e grave gjirokastrite quhej jemenί, për shkak të prejardhjes së saj nga Jemeni. Po ashtu mbiemri Çelebi (Evliya), i kronikanit dhe shëtitësit të njohur, prejvjen nga qelebija, një lloj pelerine e kushtueshme orientale. Fjala arabe kadir, do të thotë i shenjtë. Mësojmë se Gadare ishte vendi ku së pari Jesu Krishti, sipas Biblës, bëri mrekullinë e shërimit të disa personave.Historianët shkruajnë se një nga ushtarët që ngriti flamurin mbi Rajshtang, kishte mbiemrin: Kadarian.

Shënim 4. Një shpjegim të toponimit Palorto e jep urbanisti Thanas Kamberi: Palo + orto (gr.) = ndërtim i vjetër. Mendoj se fjala Palorto ka lidhje me fjalën greqisht palió, d.m.th. diçka e vjetër, por edhe me fjalën paliuri (παλιούρι) = drizë, palurotό = vend me driza, siç edhe ka qenë.

Shënim 5. Në Gjirokastër egziston mbiemri Dunavi. Dunav i thonë greqisht lumit të Danubit. Nga fjala Dunav (që i thonë Danubit) e fjala dunë (diçka e ngritur si kodër, kodër prej rëre) prejvjen emri i lagjes Dunavat.

Shënim 6. Emri i lagjes Varosh prejvjen nga varre-varreza. Në Korçë e gjejmë Katavarrosh. E gjejmë dhe në shtete të tjera të Ballkanit, prej nga edhe ka ardhur.

Shënim 7. Toponimi Manalat, lagje e qytetit, vjen nga Manal, një toponim në masivin e Himalajeve. Manale – manale thonë zagoritët për rrugën me bërryle e të përpjeta, por edhe për shkrimin e keq, shkarravinat.

Shënim 8. Jashtë kalasë ka qenë dikur lagja Martallo, me dhjetë shtëpi, ku banonin mirëmbajtësit e kështjellës, që quheshin martallozë.

Shënim 9. Fjala Grehot prejvjen nga fjala sllave grehota (gjëmim). Disa e thonë Gërhot. Në librin “Çështje të marrëzisë” e gjejmë Grihot.

Shënim 10. Toponimi Granica, vend me pemë mbi Palorto e më gjerë. Toponimi vjen nga fjala sllave kufi.

Shënim 11. Sopot, mali (edhe emër njeriu) vjen nga sllavishtja. Sopot ka edhe në Elbasan. (Në Kukës e gjejmë: Zapod).

Shënim 12. Në lartësitë e Malit të Gjerë është toponimi Gjorkanë. Mendoj se kjo fjalë nuk lidhet me jorganin, por me emrin Gjorg. Këtë na e përforcon fakti që në rrethin e Elbasanit fjala Sopot dhe Gjorg shkojnë bashkë.

Shënim 13. Fjala Drino, emër i lumit, vjen nga fjala greke δρύς, shqip: drënjë, dushk. Dikur e gjithë lugina ishte e pyllëzuar me dushqe, të cilat u prenë për të ndërtuar dervenin prej druri që urdhëruan pushtuesit otomanë.

Shënim 14.   Dullga, kodra prej shtufi në perëndim të kështjellës, nën muret e saj, prejvjen nga emri i një perëndi indiane.

Shënim 15. Mbiemri Budo na kujton Budën. Në Gjirokaster ekziston emri Budin, që tingëllon si Putin.

Shënim 16. Emri i Malit të Lunxhërisë, që i jep emrin edhe krahinës Lunxhëri prejvjen nga latinishtja, luongo, i gjatë, por ka lidhje edhe me fjalën linzë, një shtuf i butë ngjyrë gri e i rrëshkitshëm. Në Gjirokastër, në anën perëndimore të kalasë gjejmë: Lizma- t.

Shënim 17. Fjala Këcullë (Kucullë) mund të jetë e ardhur nga kësulë, por edhe nga fjala greqishte kuçulia, (κουτσουλιά) = diçka si kukumale. (Kuptimi më i drejpërdrejtë i kësaj fjale në greqishte është…glasë). Trajta “Kërcullë” e afron toponimin me kërcurin dhe e largon nga rrënja e vërtetë.

Shënim 18. Në listën emërore të banorëve të Gjirokastrës gjenden mjaft emra të huaj, të lashtë e të rinj, ndikime kulturore ose tregue i një prejardhje tejtër, të lashtë. Në Itali gjenden edhe sot mbiemrat Fino, Zani, Çeli (ο), Çiço, Rizo, etj. që i mbajnë edhe familje gjirokastrite. Rizo e gjejmë edhe në Korfuz. Në Shqipëri e Kosovë gjejmë mbiemrin Riza. Kotroçi vjen nga italishtja kuatroçi, = tre të katërtat. Dhe midis mbajtësve të këtij mbiemri gjejmë edhe ndonjë me shtat të shkurtër.

Shënim 19. I. Kadare në novelën e vet përdor mbiemrin Hankonatë. Në të vërtetë,   ka egzistuar dhe ekziston vetëm mbiemri Angonatë. Mundet që autori i shtoi kësaj përpara një H., për arsye të eufonisë ose etikës letrare. Prejardhja e Angonatë është nga angonas   (άγγονας) – bërryl ose αγγονάρι, që greqisht i thonë trarit të çatisë. Dhe nuk ishte zakon për gjirokastritët që mbiemri i familjeve të prejvinte nga gratë, nga hanko në këtë rast.

Shënimi 20. Virua ka kuptimin e burimit. Trajta e dikurshme e Virua mund të ketë qenë vriua. Ka lidhje me foljen vrijon, ujët që del nga toka. Në shqipe dhe në greqishte gjejmë mbiemrin Vrioni. Greqishtja ka fjalën vrisi (βρύση) = burim (Vrisera) etj. Kurse në Tropojë gjejmë fjalën vrellë, për ujin që del nga toka me vrull…

Shënim 21. Në një këngë popullore gjirokastrite është vargu “Te porta, te hajsomeri”, ku fjalën hajsomer(i) e shqiptojnë Haso Imeri. Ky ështe tjetërsim i trajtës hajsomer, që vjen nga greqishtja dhe do të thotë vend ku njeriu i ngeshëm rri e sodit, bën sehir, hajsomero (χαϊσομερώ)= kaloj kohën në mënyrë pasive.

Shënimi 22. Në novelën “Ura me tri harqe” vargun e këngës popullore “Mora rrugën për Janinë”- që është: “Bashkë me arabaxhinë”, (arabaxhi = karrocier) I. Kadareja e citon: me arap Haxhinë…

Shënim 23. E folura gjirokastrite është binjake me atë të Kurveleshit e të Labërisë, por ka afërsi edhe me të folurën e çamërishtes (klumësht – qumësht, bilë – bijë, etj.).

Shënim 24. Në Gjirokastër shqiptohet me vështirësi zanorja e hapur y, që bëhej i (tym/ tim/, ylli/ illi, jo dy, por di, jo: i shkëlqyer, por: i shkëlqier. Y-ja bëhet i. Është bërë gati proverbiale shprehja “Na mbiti timi sitë”. Po ashtu, shqiptimi i bashkëtingëllores dh si ll (pra, jo ulli, por udhi, këshillë/ këshidhë). Është kjo arsyeja që, sipas kujtimeve të Vahid Lamajt, Enver Hoxha i porosiste bashkëpunëtorët të bënin shumë kujdes kur shqiptonin fjalën pyll…  Ll-ja bëhej l, ose anasjelltas: I tillë/ I tilë.

Shënim 25. Shprehjen Ç’qe ata?” disa e kuptojnë ose e paraqesin si “ç’qe hata?!”. Por gjirokastriti pyeste ashtu i befasuar, duke shprehur habinë si ndodhi që X apo Y erdhi, e jo se u bë vërtet ndonjë hata. Për: e keqe, në Gjirokastër thuhej: të keqtë. Po ashtu: djathët, gjalpët, vajtë, ujët, për: djathi, gjalpi, vaji, ujët. Trajta e mëparshme është thjeshtëzuar e zëvendësuar me trajtën e njëjësit. Shkrimtari ka vërejtur se, me vendosjen e normës letrare, rregullave zyrtare, e folura shqipe dhe ajo gjirokastrite në disa raste kanë dalë me humbje. Është i admirueshëm fakti se në të folurën vetiake të I. Kadaresë disa provincializma dhe defekte u shmangën herët dhe shfaqen vetëm për efekt stilistik.

Shënim 26. Në vend të kokërr, gjirokastriti thoshte koqe.

Shënim 27. Shprehja gjirokastrite gorrica pikëla lidhet me fjalën italisht piccolo (i, e vogël), pra, fryte të papjekura dhe të tharta.

Shënim 28. Nën ndikimin e logjikës së mëpasme gjuhësore, u mënjanua trajta e vjetër i sjellur (u bë i sjellshëm) i tmerruar, që e gjejmë edhe tek F. Noli (u bë i tmerrshëm) etj.

Shënim 29. U mënjanua ndonjë mënyrë fjalëformimi e ndikuar nga turqishtja apo greqishtja: hekuraxhi u bë: hekurpunues, lipinjar u bë: lipës, etj.

Shënim 30. Thoropullë, deriçkë në avlli a që shpie te kopshti, prejvjen nga greqishtja thiropulla (θηρόπουλα).

Shënim 31. Dhjakonar vjen nga greqishtja provinciale dhe do të thotë lypës. Dhjaku është një shërbestar i shkallës së ulët i kishës. Në Gjirokastër e gjejmë si mbiemër Dhjakoni.

Shënim 32. Duket se fjala kolaq ka lidhje me fjalën greke kόllaka (κόλακα), që i thonë lajkatarit. Shënim 33. Sqafill. Është pasqyrim i shtrembëruar i fjalës fjasidh, që në në Dropull dhe në Gjirokastër i thonë një lloj ngjyruesi zbukurues që venë nuset e grate, mejkap. Flokët lyheshin e nxiheshin me këna, që në Veri i thonë mazi. Për të kuq në mollëza e faqe ose në buzë përdorej koqinadhi. Kjo mënyrë tjetërsimi, metatezë,   vërehet edhe në rastin gërqele, për gëlqere.

Shënim 34. Në shkrimet e autorit gjejmë toponime të largëta si, Stamboll, Arabistan, Çanakala, Jemen, e të tjera, që janë pjesë e kujtesës dhe mitologjisë gjirokastrite.

Shënim 35. Kinës gjirokastritët i thoshnin Çinmaçin, kurse “fundit të botës” (ndoshta Filipineve) i thoshnin Filipistun, pra, një vend “në fund të dynjasë” e “prapa diellit”.

Shënim 36. Ksodh i thoshnin hapjes së shtëpisë për të pritur ngushëllime. Ngjan se ka lidhje me fjalën kasolle.

Shënim 37. Dobro (fjalë sllave) dëgjohet të thonë edhe sot në Gjirokastër për njeriun e mirë. Ngjan se me të ka lidhje mbiemri Dobi. Pra, i mirë, i dobishëm.

Shënim 38. Fjala Omer gjendet edhe në Eposin poetik të Kreshnikëve, në Tropojë, Elbasan, Berat, Gjirokastër. E gjejmë emër personazhi, punëtor, në   romanin “Kronikë në gur”.

Shënim 39. Kako Pino do të thotë hallë Pino. Kako në greqishte është gruaja e dajës. Pino vjen nga emri Dhespina.

Shënim 40. Χivo-gavo është të shkruarit keq, po ashtu: gadra- budra, që ka edhe kuptimin e të ngatërruarit.

Shënim 41. Allasoj (allo soi) do të thotë tjetër lloj dhe përdoret për njeri apo diçka të çuditshme a të pangjashme.

Shënim 42. Një allai – thuhet për diçka në sasi të madhe dhe mbresëlënëse.

Shënim 43. Kaurçe, fjalë që e gjejmë në një vjershë të hershme të autorit, do të thotë diçka që rri shtrembër ose kithtas.

Shënim 44. Zdrukthtarit në Gjirokastër i thonë marangoz, por edhe marjanak (me prejardhje nga fshati Marjan i Korçës).

Shënim 45. Skamí në Gjirokastër i thonë stolit prej druri. Ka lidhje me shkami-n, që në zonat veriore i thonë trungut të prerë ku ulen njerëzit. Pra, fjala skamí ka lidhje me…shkambin, shkëmbin.

Shënim 46. Emir në gjuhën arabe do të thotë njeri prej hekuri.

Shënim 47. Zerzebili mendojmë se vjen nga zerzevul, që i thonë shejtanit.

Shënim 48. Ekziston toponimi “Xhamia e Teqesë”, emërtim ku ka diçka kundërthënëse, sepse xhamia është objekt kulti i besimtarëve muhamedanë, kurse teqeja është objekt kulti i sektit bektashian. Ngjan se toponimi ka dalë nga që xhamia gjendet në lagjen Teqe. Sekti Bektashi është themeluar në Azi   në shek. XII nga Abdylkaderr Gejlani.

Shënim 49. Brenda në kalanë e qytetit   ka qenë një kishë, ndërtesa e së cilës është edhe sot, me çati të re, pranë Kullës së Sahatit, ku vitet e fundit u bë edhe një meshë. Ka të thëna se ishte edhe një kishë tjetër në pjesën qendrore.

Shënim 50. Në vitet 1926-1927 dhe 1929 në Gjirokastër ishte prefekt Zef Kadarja, nga veriu i Shqipërisë.

Shënim 51. Kandja që përmend Evliya Çelebia, është në ishullin e Kretës. Betejën e madhe atje e përmend Bajroni tek poema “Çajld Harold”: “Eja, poet, se Kandia të thërret!”, poemë e përkthyer në gjuhën shqipe nga Skënder Luarasi.

Shënim 52. Sternë – depua shtëpiake e ujit të shiut.

Shënim 53. Bimcë = bodrum, mjedis i errët në katin e nëndheshëm, ku mund ta mbyllnin një pjesëtar të familjes, zakonisht fëmijë, i cili, sipas të rriturve a kryetarit të saj, kishte bërë faj që duhej ndëshkuar me izolim.

Shënim 54.   Hapsanë. Kështu quhej ndryshe burgu i shtëpisë ose burgu në përgjithësi.

Shënim 55. Dhipato – një dhomëzë brenda shtëpisë, në gjysëmlartësi të odës, me një dritarezë e me kafaz druri, e cila shërbente që gratë të vështronin çfarë bëhej në dhomën ku mblidheshin burrat, pa u parë ato prej tyre.

Shënim 56. Odajashtë – një shtëpizë, pjesë e banueshme pranë banesës kryesore.

Shënim 57. Vasilikua – varrezat e qytetit

Shënim 58. Emri i Lagjes Meçite ngjan se vjen nga mexhidja, monedhë turke. Por ka lidhje edhe me Meçita, emër spanjoll.

Shënim 59. Xhuxhulle i thoshnin flakës së madhe.

Shënim 60. Në Gjirokastër gurit të madh, zakonisht pa cepa, i thonë popël.   I thonë edhe pepezhinë e prazamak.

Shënimi 61. Fjala bragaç (gjym prej bakri) vjen nga bakëraç.

Shënim 62. Në të folmen gjirokastrite fjala bule përdorej në kuptimin e prapanicës.

Shënim 63. Në mjedisin gjirokastrit janë përdorur shumë fjalë turke, greke, arabe, sllave, etj, gjurmë të ndikimeve apo këmbimeve kulturore. Gjirokastriti deri dje përdorte rëndom fjalët ané (nënë), dadá (gjyshe), abllá (motër e gjyshes), kondoxhup (xhup i shkurtër), thoropullë (deriçkë), zigaré (peshore), qollopitë (byrek me qull) thjamë (diçka e përçunuar) etj.

Shënim 64. Fjalët mangall e dylbi janë bërë elemente me një domethënie më të gjerë se kuptimi i tyre në praktikë, sikundër pisqollë e kobure, që përdoren edhe për të karakterizuar një tip të caktuar.

Shënim 65. Në Gjirokastër gjejmë fjalën skuth, që ngjan se ka lidhje me skithët. Autori në vargjet e veta përmend Skithinë e Kaukazit.

Shënim 66. Mjaft mbiemra gjirokastritë janë me një tingull kërcitës. Po rreshtojmë mbi njëqint e ca prej tyre: Aloçi, Baboçi, Bebeçi, Biçaku, Çabej, Çabiri, Çanaj, Çano, Çani, Çuçani, Çarçani, Çali, Çiço, Çeço, Çeçi, Çiçi, Çipi,  Çuçi, Çulli, Çuni, Çela, Çeli, Çeliku, Çuberi, Çene, Çabeli, Çavidhi, Çomo, Çanole, Çami, Çali, Çokllani, Çenko, Çingo, Çelibashi, Çoçoli, Çobani, Çekani, Çikani, Çetri, Çavo, Çati, Çulli, Demçe, Deçka, Duçka, Koçi, Koçiu, Kotroçi, Govaçi, Kaçi, Taçi, Çaçi, Naçi, Kënaçi, Koçi, Koça, Koçollari, Koçomandi, Kuçi, Içi, Çiçi, Kriçi, Loloçi, Lloçko, Sulçe, Lamçe, Çomo, Gjonçaj, Muço, Noçka, Paço, Paçeli, Poçoli, Çokllani, Çiraku, Çumaku, Çapullari, Çoni, Çelemengo, Çarka, Nurçe, Sulçe, Çollaqi, Çekrezi, Çuka, Çuklla, Çikolla, Çavo, Çaro, Çati, Çarka, Çakalli, Çipa, Noçka, Muçi, Miço, Miçi, Liço, Boçi, Poçi, Doçi, Peçi, Peçuni, Çapullari, Meçollari, Guçe, Goçi, Graçi. E përbashkët për mbiemrat e mësipërm është efekti akustik që krijohet nga shqiptimi. Disa prej tyre ose të ngjashëm gjenden edhe tek personazhet e shkrimtarit. Mund të ketë edhe të tjerë me këtë tingull kërcitës e po aq me tingullin c. Mbiemrat e mësipërm janë qëmtuar deri në të vitit 1975, nga të gjitha lagjet, kur Gjirokastra kishte rreth 20.000 banorë, kurse sot ka tejkaluar shifrën 52.000. Mbajtësit e tyre janë gjirokastritë tradicionalë por edhe mjaft të ardhur nga krahinat, edhe nga rrethe të ndryshme.

Prirja e gjirokastrit drejt bashkëtingëlloreve kërcitëse duket edhe në rastin “O ta piç kafenë”, për: “Do ta pish kafenë”.

Shënim 67. Fjala bangë e shkollës shqiptohet bango, për ta veçuar kuptimisht prej bankës ku depozitohen apo tërhiqen të hollat.

Shënim 68. Vjersha me stil rapsodik për vajtjen dhe misionin e shkrimtarit në Paris, është hartuar prej meje si një gjest miqësor. Ajo rivjen me ndryshime nga varianti i parë si pjesë e një shkrimi të gjatë botuar në disa numra   tek “Gazeta e Athinës”, në nëntor 2005.

VEPRA TË KADARESË MBI GJIROKASTRËN OSE MARRIN SHKAS PREJ SAJ

  1. “Ëndërrimet”, (1957) – poezi, pjesërisht.
  2. “Princesha Argjiro” (1958, 1968) -– poemë.
  3. “Qyteti pa reklama” (1959) -– roman.
  4. “Ditë kafenesh” (1963) -– roman.
  5. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1962 – 1964)
  6. “Qyteti i Jugut” (1967) – proza letrare.
  7. “Kronikë në gur” (1968) -– roman.
  8. “Gjëmojnë kontinentet” (1968) – përmbledhje me përkthime nga poezia e popujve të botës.
  9. “Kështjella” (1970) -– roman.
  10. “Breznia e Hankonatëve” (1977) – novelë
  11. “Kështjella dhe helmi” 1977 – dramë për fëmijë.
  12. “Aeroporti” (1978) -– radiodramë.
  13. “Në Muzeun e aArmëve” (1978) – poemë
  14. “Poezi të zgjedhura” (1979) – poezi dhe poema, pjesërisht.
  15. “Autobiografia e popullit në vargje” (1980) -– studim.
  16. “Koha e shkrimeve” – tregimi “Koha e parasë” etj. (1986).
  17. “Ftesë në studio”, Tir. 1989.
  18. “Çështje të marrëzisë” (2006) – roman
  19. “Darka e Gabuar” (2008) -– roman.
  20. “Bisedë për brilantet në pasditen e dhjetorit”, (2013) – tregim, pjesërisht.
  21. “Mëngjeset në kafe Rostand” (2014) – kujtime dhe ese.
  22. “Kukulla”, (2105) roman.

Një varg krijime, tregime, vjersha, kujtime, intervista marrin shkas prej Gjirokastrës ose lidhen me të.

Please follow and like us: