Kongresmenët e SHBA, letër Pompeos: Garanto dialogun Kosovë-Serbi
Tetë kongresmenë amerikanë kanë kërkuar nga sekretari i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mike Pompeo të ofrojë mbështetje për përpjekjet e Serbisë në arritje të paqes, nëpërmjet bisedimeve në kërkim të përmirësimit të raporteve me Prishtinën. Kongresmenët në letrën e tyre dërguar Pompeos kanë theksuar se një veprim i tillë diplomatik jo vetëm se do të ofrojë mundësinë për arritjen e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në Ballkan, por edhe njëherë do të dëshmojë vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për siguri transatlantike. “Iniciativa e Serbisë për pajtim me Kosovën jo vetëm se është dëshmi se marrëveshja është në ardhje, por edhe ofron mundësinë për sigurimin e integritetit në komplet regjionin e Ballkanit dhe shtetet perëndimore”, thuhet në letrën e kongresmenëve të dërguar tek Pompeo. Ata po ashtu apelojnë nga Pompeo të vazhdojë të ofrojë mbështetje për përpjekjet e tilla, që sipas tyre, janë dëshmi e punës për arritjen e paqes dhe sigurisë në komplet regjionin e Ballkanit. Kongresmenët amerikanë theksojnë se është në interes nacional të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të përkujdeset që bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës të kenë sukses dhe shtojnë se është imperativ për SHBA-të të mbikëqyrin marrëveshjet mes të dyja palëve në mënyrë që të arrihet një pajtim i plotë në përputhje me procesin e Brukselit. Por nga ana tjetër, kongresmenët mbështesin edhe deklaratën e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, John Bolton mbi mundësitë e një ndryshimi kufitar mes tyre.
Letra e plotë
Ne po ju shkruajmë juve, duke ju kërkuar një mbështetje të vazhdueshme për përpjekjet e Serbisë, për të kërkuar një zgjidhje paqësore në marrëdhëniet e saj me Kosovën. Një diplomaci e tillë nuk do të arrijë vetëm paqen dhe stabilitetin në Ballkan por në të njëjtën kohë do të afirmojë përpjekjet e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të arritur siguri në këtë pjesë të rajonit. Serbia dhe Shtetet e Bashkuara kanë një lidhej të fortë mes tyre dhe ndajnë një pikëpamje dhe vizion të njëjtë strategjik me Evropën. Duke përfshirë çështjen e Ballkanit Perëndimor, kërkohet që Serbia dhe Kosova të arrijnë një mirëkuptim midis tyre. Të dyja palët duhet të përfitojnë nga realiteti i tanishëm dhe të marrin përgjegjësitë e tyre. Situata aktuale ka arritur në një konflikt të ngrirë mes këtyre dy vendeve, midis Kosovës dhe Serbisë, kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të diplomacisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Perëndimi dhe Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin dialogun dhe kompromisin midis Prishtinës dhe Beogradit. Ne e mirëpresim deklaratën e fundit të dhënë nga ana e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare John Bolton, i cili thotë se: “Ne nuk do të qëndrojmë në rrugën e tyre, dhe nuk mendoj se askush në Evropë, do të mund të hyjë mes Prishtinës dhe Beogradit, nëse të dyja palët janë në gjendje të rregullojnë vetë marrëdhëniet e tyre”. çdo qasje për këtë zgjidhje duhet të respektojë legjitimitetin e të dyja vendeve në fjalë. Ne besojmë se, një qasje e tillë bazuar në diskutimet e hapura dhe të sinqerta mes të dy palëve, dhe mundësinë për arritjen e një kompromisi mes tyre, nuk do të jetë vetëm një hap drejt zgjidhjes përfundimtare mes tyre, por mund të merret edhe si shembull mes vendeve të tjera të rajonit, të cilat kanë mosmarrëveshje mes tyre. është në interesat e Shteteve të Bashkuara që të inkurajojnë një njohje midis Beogradit dhe Prishtinës. Por në të njëjtën kohë Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të inkurajojnë edhe marrëveshjen e Brukselit, i cili mbështetet nga pjesa më e madhe e vendeve të Bashkimit Evropian. Ne kërkojmë që ky dokument të hyjë në fuqi dhe të merret në konsideratë për ta arritur paqen në Ballkanin Perëndimor.