Lefter Andonyadis, legjenda e futbollit turk: Nuk jam grek, jam shqiptar
Shqiptarët ortodoksë të Stambollit! Lefter Andonyadis, legjenda e futbollit turk me origjinë shqiptare dhe pastiçerët e shquar shqiptarë të metropolit dykontinentësh
Nga Elvi Sidheri
Duke shëtitur mes gjelbërimit në Stamboll, në parkun Yoğurtçu pranë stadiumit Şükrü Saraçoğlu të ekipit të njohur turk Fenerbahçe (me emrin nga lagja e dikurshme piktoreske e krishterë e Fanarit, në zonën europiane të megalopolisit turk), gjëja e vetme që të bie në sy, është se në këtë statujë lartësohet figura e një të krishteri simbol i këtij klubi legjendar futbollistik.
Duke ditur se në Turqi të krishterët mezi bëhen nja 125 mijë frymë mes një popullsie rreth 80 milionëshe, atëherë misteri shtohet menjëherë.
Për vite të tëra, pas vizitave të mia të para në Stamboll, ndër të tjera, në të treja stadiumet e ekipeve historike më të njohura të qytetit, të Gallatasarajit (klub të themeluar nga i biri i Sami Frashërit), të Beshiktashit, i skalitur në shkëmb buzë Bosforit, poshtë lagjeve më trendy të qytetit, sheshit Taksim e Beyoğlu-t, e sigurisht stadiumit të Fenerbahçes, ky emër i habitshëm për rrethanat turke, do të më mbetej në mendje gjatë.
Për ta shuar kërshërinë, kisha arritur të informohesha nga miq vendas e të dhëna të cekta historike, duke mundur të zbuloj veç faktin se lojtari atipik që qëndronte krenar në atë statujë, ishte një “Rum” (siç turqit i quajnë të krishterët ortodoksë) nga Ishujt e Princit, disa ishuj turistikë pranë Stambollit, dikur të banuar nga popullsi të krishtera, greke e armene, si dhe nga paria bizantine para vërshimit osman, e ajo turke paskëtaj, me një qëndrim disa vjeçar edhe të politikanit të madh rus Lev Trotsky në vitet 30 të shekullit të shkuar, pas ekzilit nga Bashkimi Sovjetik.
Sidoqoftë, duke ditur faktin se shumica dërrmuese e popullsive të krishtera në Turqi, ishin larguar nga vendi si pasojë e shkëmbimit të popullsive nga Traktati i Lozanës nënshkruar me Greqinë, nga i cili qenë kursyer veç grekët e Stambollit dhe pak ishujve në Egje (të përzënë edhe ata më vonë në vitet 1960, për shkak të trazirave të ndryshme), atëherë shkëlqimi i këtij futbollisti të krishterë, të ngritur gjer në mit në Turqinë monofetare, ndonëse laike, për disa dhjetëvjeçarë, e gjer në frymën e tij të fundit, në vitin 2012, tingëllonte padyshim diçka fort e pazakontë.
Për t’i rënë shkurt, Lefter (Küçük)Andonyadis, në karrierën e tij futbollistike, kryesisht të kaluar në radhët e klubit Fenerbahçe (por edhe në Itali me Fiorentinën, në Francë me ekipin Nice, e në Greqi me AEK të Athinës), do të shënonte plot 506 gola në 726 ndeshje, kurse me përfaqësuesen e Turqisë, do të shënonte 21 gola në 46 ndeshje, rekord absolut ky, që do të thyhej shumë vite më pas, veç nga një tjetër futbollist turk me orgjinë shqiptare, Hakan Şükür.
Nëntë herë kapiten i kombëtares së Turqisë, Lefter Andonyadis do të luante dhe në Botërorin e Futbollit të vitit 1954 në Zvicër, ku do të shënojë edhe 2 gola.
Fitues i tre kampionateve të Turqisë me Fenerbahçen, pas mbarimit të karrierës në fushë, do të punonte si trajner nga Greqia në Afrikën e Jugut, e në Turqi.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në futbollin turk, do të nderohej me titullin më të lartë “Ordinaryüs” (Profesor i profesorëve). Kjo sa i përket karrierës.
Kthehemi te thelbi i këtij shkrimi sakaq: duke shqyrtuar artikujt mediatikë, kujtimet e dëshmitë e miqve, të njohurve, apo familjarëve të të ndjerit Lefter Andonyadis, një tjetër e dhënë tejet interesante bëhet e qartë.
Sipas të gjitha gjasave, një nga golshënuesit më të madhenj të historisë së futbollit turk, ka qenë shqiptar.
Sipas të gjitha burimeve përkatëse, për familjen e tij (nga ana atërore) thuhet se ishin të ardhur në Büyükada (ose Prinkipo), ishullin kryesor të Ishujve të Princit pranë Stambollit, nga Shqipëria në fillim të shekullit XX.
Por, duke dashur të thellohemi edhe më tepër, për shembull, shkrimtari Ahmet Tanrıverdi, mik i vjetër i futbollistit të madh, i lindur gjithaq si ai në të njëjtin ishull, dhe njohës i historisë së të krishterëve të këtij ishulli, thotë tekstualisht:
“Babai i Lefterit, që quhej Hristo, ishte Shqiptar Ortodoks, ndërsa e ëma e Krishterë Ortodokse. Gjithësesi, në çdo rast Lefteri veten nuk e quante “Rum” (pra Grek), por thoshte se ishte Shqiptar” (sipas artikullit të datës 23.12.2010, në gazetën turke Hürriyet me titull: “Babası Arnavut, annesi Rum”, që domethënë: “Babai Shqiptar, nëna Greke”).
Gjithashtu, edhe mbesa e Lefter Andonyadis, e quajtur Özlem Katmer më 25.02.2012, në shkrimin me titull: “Kitabımı dedem Lefter’e ithaf ediyorum”, që domethënë: “Librin ia kushtoj gjyshit tim Lefterit”, ndër të tjera, në intervistën e saj për portalin “posta.com.tr “, ndaj pyetjes tekstuale: “Lefter Küçükandonyadis Yunanistanlı mı? (A ishte grek Lefter Andonyadis?), përgjigjet:
-Shikoni, njerëzit gjithmonë e kanë kuptuar gabim këtë. Nëna dhe gjyshi nga nëna i gjyshit tim Lefterit, janë të krishtërë të vjetër qysh nga koha e Bizantit, kurse nga ana e babait ishin Shqiptarë të ardhur”.
Të tilla të dhëna ka me shumicë, por, për ta mbyllur për këtë shkrim, po shtoj edhe një detaj të fundit.
Në një shkrim me titullin: Lefter’e Dürüst Bir Veda (“Një Lamtumirë e Ndershme për Lefterin”) nga Pınar Dinç, i datës 23 Janar 2012, tregohet edhe një episod tjetër fort domethënës për origjinën e këtij futbollisti legjendar.
Si pasojë e një ligji të vitit 1974 që i ndalonte të krishterët të shisnin prona (si rrjedhojë e konfliktit në Qipro mes grekëve e turqve), Lefter Andonyadis do të dërgohej në komisariatin e policisë të ishullit të tij Büyükada, ku do të keqtrajtohej për shkak të një procesi shitje prone, tanimë të ndaluar për jo-turqit.
Siç raportohet në disa gazeta të kohës (Hürriyet, 21 Shtator, 1974, faqe 8), debati mes oficerit të policisë dhe Lefter Andonyadis do të zhvillohej pak a shumë kështu:
Kur polici do t’i thoshte (duke e goditur në fytyrë): “Do t’ju dëbojmë nga Anadolli në Izmir, ku do t’ju hedhim në det”, duke i kujtuar ndërkaq se ai ishte një qytetar turk që ka luajtur shumë herë për kombëtaren e këtij vendi, Lefteri i përgjigjet:
-Unë nuk jam Grek, por Shqiptar. Jam gjithaq një qytetar turk. Kam lindur në Büyükada. Kam bërë katër vite shërbim ushtarak në Dijarbakër. Kam luajtur dy herë kundër përfaqësueses greke. Pas një ndeshje në Athinë, tifozët grekë më patën gërthitur që t’i dëgjoja e të më vinte turp nga vetja!
Pas daljes së këtij lajmi, vetë kryeminstri turk i kohës, Ecevit, do të ndërhynte për sqarimin e këtij rasti.
Nga plot të dhëna të tjera që kam arritur të gjej e lexoj, flitet se Lefter Andonyadis fliste gjithashtu shqip dhe e bënte gjithnjë publike origjinën e tij shqiptare.
Ndërkohë në Stamboll, të tjerë shqiptarë ortodoksë kanë bërë prokopi e kanë spikatur.
Dy shembuj të tillë kanë të bëjnë me dy ndër pastiçeritë historike më të njohura në Stamboll, “Inci Pastanesi”, në shqip “Pastiçeria Perla” (e mbyllur në vitin 2012) në Bulevardin Istiklal në qendër të Stambollit dhe pastiçerinë tjetër tejet të njohur Baylan, në lagjen Kadiköy.
Sipas të gjitha burimeve, pronarët e të dyja këtyre pastiçerive janë shqiptarë ortodoksë.
Luka Zigoridis, ose Luka Zigori (i mërguar nga Shqipëria si 15 vjeçar në Stamboll në vitin 1944), që bashkë me Lefter Ilyadis, janë pronarët e Inci Pastanesi, ndërsa Filip Lenas, i pasuar nga i biri Harry Lenas (që ndërron jetë në vitin 2016), janë pronarët e pastiçerisë tjetër historike “Baylan”.
Njëlloj si Luka Zigoridis, edhe Filip Lenas, do të mërgojë në Stamboll pa i mbushur akoma të pesëmbëdhjetat, ku do t’i kushtohet pastiçerisë dhe do të hapë pastiçerinë L’Orient në vitin 1923, emrin e të cilës detyrohet ta ndryshojë në vitin 1934 si pasojë e një ligji që imponon përdorimin e emërtimeve turke për sipërmarrjet si hotele dhe dyqane, në “Baylan”.
Origjina shqiptare e familjes Lena(s), fare lehtë mund të verifikohet në plot mënyra, por mjafton një fakt dhe një dëshmi e thjeshtë për të na sqaruar në këtë këndvështrim.
Djali që akoma jeton i të ndjerit Filip Lenas, themeluesit të pastiçerisë Baylan, i quajtur Leandros, tregon se për shkak të trazirave të viteve 1960, Filip Lenas, që kishte pasaportë greke, me një dekret të vitit 1964, detyrohet të largohet nga Stambolli dhe Turqia bashkë me bashkëshorten e tij, Marikën. Të njëjtin trajtim kanë edhe tërë anëtarët e tjerë të familjes që kanë pasaportë greke, të cilët mërgojnë në Athinë, por kur Harry dhe djali tjetër i Filipit, Mihali arrijnë të dëshmojnë se rrjedhin nga një familje mërgimtarësh shqiptarë, ata lejohen të mbajnë nënshtetësinë turke.
Këto janë disa prej historive të shqiptarëve ortodoksë që kanë bërë historinë në Stamboll e Turqi.