Albspirit

Media/News/Publishing

Casus belli – A ndërtohet shteti duke ngritur flamuj të rrejshëm?

LETËR E HAPUR KRYEMINISTRIT TË MAQEDONISË, z. ZORAN ZAEV

 

I nderuari, z. Zoran Zaev,
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, paralajmëroi këto ditë për organizimin e një forumi ndërkombëtar që do të mbahet së shpejti diku në Europë, me qëllim të theksimit të rolit qendror të institucioneve multilaterale në qeverisjen globale. Ai bëri apel deri tek shoqëria civile e 42 shteteve pjesëmarrëse, si forcë e çmuar e shoqërisë demokratike, që të jep kontributin e saj në afrimin e shoqërive dhe popujve në një debat që nuk duhet të mbetet i kufizuar vetëm në nivel shtetesh, por të marrë dimensionin universal, ashtu siç është edhe vet misioni i OKB.
Këto ditë bota e civilizuar shënoi 100 vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Për aq sa ishte ky Forum i Paqes një manifestim dinjitoz, po aq dinjitoze ishin mesazhet që përcolli Presidenti françez, Emanuel Makron, që mund të përmblidhet në pak fjalë: “Ejani ti bashkojmë shpresat tona, në vend që t’i kundërshtojmë njëri tjetrit, frikat tona”.
Kancelarja gjermane Angjela Merker, ishte decide në mesazhin e saj: “Ajo luftë na tregoi se ku na dërgojnë arrogancat e popujve”.
Merkel e Makron, janë me bindje, shpirt e vizion europian dhe të vendosur të mbrojnë pikëpamjet e tyre për paqën dhe stabilitetin në Europë, janë rezultat i procesit të pajtimit mes dy popujve, të cilën pas katastrofës së luftës së dytë botërore, e filluan vizionarët e paqës, De Gol e Adenauer.
Bashkimi Europian vendosi themelet e saj mbi këtë vizion, duke promovuar politikan të paqës, me përgjegjësi të lartë shtetëformuese,vizionar me empati të theksuar. Lider me vetëdije historike për shoqëritë e reja europiane të cilat do të ndërtohen duke sendërtuar bashkarisht paqën dhe duke theksuar qëllimet e përbashkëta.
I nderuari Kryeministër Zaev,
Shteti ynë i përbashkët, ka hyrë në një fazë te re të jetës së tij, falë angazhimit Tuaj dhe përkrahjes së madhe të të gjitha partive politike shqiptare, por edhe të shoqërisë shqiptare, që rezultoi me një përcaktim definitiv për ti thanë qytetarët e saj një Po përcaktimeve euroatlantike. Jo pse janë të bindur që kjo do t’iu sjell me automatizëm një jetë më të mirë në një të ardhme të afërt, por pse ata shpresojnë për një siguri më të madhe ndërkombëtare të ofruar nga NATO, në njërën anë, dhe për ta larguar frikën nga fqinjët që si mjegull ka ngulfatur dinjitetin tonë gjithë këto vite, në anën tjetër.
Për faktorin ndërkombëtar, siguria e jashtme e këtij shteti si do që do të quhet ai, edhe Maqedoni e Veriut, do të konsiderohej si sukses, ndërsa për raportet e saj brenda për brenda, nuk do të brengoset, sepse politika e saj është sferë e forcës, interesit e ndikimit dhe sa më shpejtë ta kuptojmë ne optimistët naiv të Ballkanit aq më seriozisht do ti kthehemi jetës sonë të përditshme.
Z. Zaev, realisht a jemi të përgatitur si shoqëri për Europë dhe standardet që ajo i kërkon dhe cili është vizioni dhe përgjegjësia e Qeverisë suaj që jeta jonë të europianizohet, në të gjitha aspektet ? Që Europën ta vizatojmë në zemrat tona, me dashuri e respekt për njeri tjetrin.
Cili është vizioni dhe përgjegjësia e Qeverisë suaj, bashkë me aletatë tuaj politikë, që shoqëria jonë të jetë e hapur brendapërbrenda, edhe atëherë kur ka kontradikta e mospajtime.
Nuk mbaj mend që këto 28 vite të kemi biseduar hapur mes nesh, intelektualët maqedonas, me ata shqiptarë, turqë, vllehë, boshnjakë, romë, kroatë, serbë dhe me gjithë të tjerët, për atë se çfarë shteti duam të ndërtojmë, për një stabilitet të brendshëm ku ka harmoni e tolerancë, ku mirëkuptimi ndëretnik dhe ndërfetar do të kuptohej si respektim të diversiteti kulturor, gjuhësor e fetar, dhe si mbrojtje e të drejtave e lirive njerëzore, si udhërrëfim për një shtet ligjor mbi baza të definuara mirë, me të gjitha standardet e konventat ndërkombëtare.
Sigurisht që edhe ju z. Kryeministër do të pajtoheni se politika në Maqedoni krijoi alanca partish, por jo edhe ura të mirëfillta bashkëpunimi, prandaj për një kohë të gjatë tensionet këtu ishin të kontrolluara politikisht, kurse roli i shoqërisë civile dhe i intelektualëve të pavarur ishte tepër margjinal, sepse mungonte një interaksion i brendshëm që do të prodhonte më tepër kohezion ndëretnik e ndërfetar dhe do të luftonte stereotipet që i kishte krijuar politika konfliktuoze në këto dekada të tranzicionit të stërgjatur tek ne.
Patëm bashkëpunim politik-partiak, por jo edhe intelektual e profesional dhe për rrjedhojë jetës sonë të përditshme i mungoi fryma e tolerancës dhe mirëbesimit. I mungoi hallka kryesore që do të lidhte të ardhmen tonë të përbashkët me fatet tona që patën një histori të dhimbshme në të kaluarën.
Pikërisht ky mosbashkëpunim prodhoi edhe mosbesim ndaj shteti dhe mosrespekt ndaj pushtetit, kurse pasojat ndikuan që të injorojmë realitetin, të harrojmë historinë. Me fjalë të tjera ne jemi larguar aq shumë nga njeri tjetri sa që mashtrimi e gënjeshtra e ka zënë vendin e sinqeritetit, dhe pazaret politike-partiake e kanë zënë vendin e marrëveshjes historike në mes të popujve që jetojnë në këtë hapësirë.

Sot a mjafton vetëm sigurimi i kufijve nga jashtë, kur brenda përbrenda nesh kufijtë janë ngritur edhe më shumë? Pajtimi në kuptimin filozofik, psikologjik, etnik e religjioz është konsideruar si një mision i pamundur. Besimi është humbur, nuk ka empati e tolerancë dhe frika nga njëri tjetri ka marrë një dimension frustrues.
Është e vërtetë që Referendumi i dha pak shpresë jetës tonë, por sfida jonë më e vështirë peshon rëndë mbi ne, se sa e si do të mund të ndërtojmë një shtet të qëndrueshëm e stabil. Prandaj, ky momentum kërkon nga të gjithë ne që të reflektojmë dritë e vizion, gatishmëri e sakrifica për një të ardhme më të ndritur. Për një kushtetutë që përcakton qartë konceptin e shtetit qytetar me të gjitha të drejtat e saj. Një Kushtetutë që do të shprehte qartë edhe orientimin properendimor të shqiptarëve (jo si shifra por si komb i lashtë), sepse ata ishin dhe mbeten një prej garantuesve më stabil të vokacionit euroatlantik të shtetit tonë.
Qytetarët e Maqedonisë, i ka kapluar një gjendje shpirtërore që po i dhemb deri në palcë dhe në këtë gjendje nuk mund ti kontribuojnë racionalisht shoqërisë në këto ditë vendimtare kur duhet të merren dhe vendime të rëndësishme historike për shtetin.
Rinia maqedonase është thellë e prekur nga loja me identitetin e saj – emrin, ajo u rritë duke u
mohuar si qenie njerëzore nga fqinjët e saj dhe sot, fatkeqësisht, shpëtim po kërkon në ikja sa më larg nga vendlindja e saj, ngase ka humbur besimin në vlerat e kësaj shoqërie.
I riu shqiptar, në anën tjetër, është në gjendje edhe më të keqe, u rritë si qytetar i rendit të dytë në vendlindjen e tij, duke iu mohuar gjuha, identiteti historik e kulturor dhe zhvillimi normal ekonomik e social. Jeta e tij i ngjan një aventure, pa rrënjë e ardhmëri të sigurt, ka mbetur në mëshirën e fatit. Meka e Medina e rinisë shqiptare janë bërë selitë e partive politike, ndërkohë që grupe të ndryshme të interesit, të infiltruara nga shtete të ndryshme të botës, për qëllime të caktuara, po ia shpërlajnë trurin një pjese të rinisë sonë. Po prishin balanset e natyrshme civilizuese dhe etnike të kësaj shoqërie para syve tanë e ne si prind të këtyre fëmijëve me injorancë apo indifirencë deri në skajshmëri, po heshtim para kësaj dukurie që ka marrë përmasa shqetësuese. Edhe gjendja e të rinjëve të nacionaliteteve të tjera nuk është aspak më e mirë dhe s’na mbetet gjë tjetër pos të bashkëndjejmë me frikën dhe dhimbjen e tyre.
Z. Kryeministër, ndërtuam sistem mosbesimi, nihilist ndaj njëri tjetrit, në vend të një sistemi të pajtimit, njohjes e rindërtimit të vlerave të përbashkëta, nuk u përpoqëm për gati 30 vjet ta njohim e respektojmë njëri tjetrin, ta ndërrojmë mentalitetin parahistorik të dalë nga organizimi farefisnor shoqëror në organizim shtetëror. Nuk afirmuam sistemin e ri të vlerave, si rezultat i një procesi historik e sociologjik, por u ngutëm të ndërtojmë shtet pa sistem të definuar e të bazuar në parimet më elementare njerëzore që është alfa dhe omega e funksionimit të një shteti demokratik. Në vend që ti çmojmë vlerat multietnike të shoqërisë si parime universale, si pasuri natyrale, sofër e dhuruar dhe bekuar nga provanija dhe bujaria e Zotit, ne u dorëzuam dhe bëmë një gabim historik, e pranuam ndërtimin e një shoqërie artificiale, njënacionale, ekskluzive, nga frika për të folur haptas për realitetin ekzistues dhe nga ky mossinqeritet mes nesh, si pasojë kemi sot një shoqëri ku askush nuk është i kënaqur dhe në çdo moment këtij tensioni i duhet vetëm një xixë për të ndezur një konflikt çfarë do dimensioni, qoftë etnik a fetar.
Në vend se të ulemi e të bisedojmë siç tha edhe z. Makron këto ditë: “Ejani t’i bashkojmë shpresat tona, në vend që ti kundërshtojmë njëri tjetrit, frikat tona”.

Casus Belli – A ndërtohet shtet duke ngritur Flamuj të rrejshëm!?
Krijimi i shteteve është rezultat i një procesi historik dhe sociologjik. Ne si duket viteve 90 shpejtuam të krijojmë një shtet të pavarur, por si shoqëri mbetëm në nivel farefisnor dhe nuk arritëm në gjendje të rregullojmë marrëdhëniet e reja midis nesh dhe brenda nesh në një organizim shtetëror. Këto mbeturina të sistemit farefisnor na penguan në ndërtimin dhe afirmimin e një sistemi të ri demokratik të qytetarëve me të drejta të barabarta.
Gjenerata e jonë, duhet të mbajë përgjegjësinë kryesore që ndërtoi dhe përkrahi një sistem të pavlerë, të kriminalizuar, makineri votimi, pa moral, duke i detyruar fëmijët tanë të bëhen pa dëshirën e tyre bashkëpjesëmarrës të krimit e jetës që as nuk e dëshirojnë e as nuk e ëndërrojnë. Ne duhet të kërkojmë falje, të japim llogari secili veç e veç, dhe si shoqëri në përgjithësi, të jemi të sinqertë e ti pranojmë gabimet e dështimet tona, para rinisë sonë, ndryshe nuk mund të ecim para si shoqëri.
Çka na mungon ne që të mos jemi si europianët tjerë, pyeste frati françeskan shqiptar nga Shkodra, At Zef Pllumi dhe përgjigjej: “Toka, jo, dielli, jo – na mungon vullneti e trimëria për me thanë të vërtetën. Na mungon mendja e mentaliteti, e mbi të gjitha dashunia”.
Ne kemi një shtet të vogël, të përbashkët, që quhet Maqedoni (në të ardhmen Maqedonia e Veriu). Ajo është pronë e qytetarëve të saj të barabartë të cilët e duan e respektojnë dhe posedojnë njësoj, prandaj ndarjet në përqindje e numra, për kombe e gra, janë llogari ksenofobiste dhe le ti mbeten parahistorisë. Nëse një popull donë ta fyesh deri në palcë, vendosja një numër në xhaketë dhe kjo do të mjaftonte të na kthej në retrospektivën e errët të getove të Varshavës së dikurshme. Kjo është njësoj sikurse filozofia nihiliste e politikave antimaqedonase në Ballkan, e cila u ushqye me idenë e mosnjohjes së këtij populli fisnik e bujar, me të gjitha komponentat e tij etnike, gjuhësore e kishtare.
Prandaj, hajde ta ndërtojmë bashkërisht historinë e Maqedonisë së Re. Ta ndërtojnë të gjithë qytetarët e saj, si shtet ligjor, të barabartë e demokratik.
Kjo shoqëri ka intelektualë me vizion që mendojnë për ardhmërinë dhe stabilitetin e këtij vendi, për Rilindjen e tij që të rritet e zhvillohet me empati, si një kapacitet për të menduar dhe ndjerë dritën e tjetrit e posaçërisht duke njohur e vlerësuar shembujt pozitiv të njëri tjetrit.
Unë, si një ndër intelektualet shqiptare në Maqedoni, po jap vetëm dy shembujt më pozitiv të historisë sonë më te re, që mund të na shërbejnë si nxitje të interaksionit ndëretnik dhe dialogut intelektual midis nesh.
Për një Maqedoni të RE!
Shën Nëna Tereza, fituese e Çmimit Nobël për Paqë dhe Dr. Ferid Murad, fitues i Çmimit Nobël për Shkencë.
Një shoqëri do të jetë më funksionale, vetëm atëherë kur kultivon te brezat e rijë kulturën e afirmimit të modeleve pozitivë, që i bashkojnë kombet e gjuhët./ylliriapress/

Please follow and like us: