Albspirit

Media/News/Publishing

Ermira Mitre: PËRTEJ PERDES

Tregim

 

 

1.

Marga kishte vite që punonte si pedagoge në Fakultetin e Psikologjisë së universitetit Kolumbia, në Manhattan, Nju Jork dhe një pjesë të ditës e kalonte duke studjuar në bibliotekën Low Memorial. Ndonëse koha e studimit i jepte kënaqësi të madhe në kërkimet e saj shkencore, ndodhte ndonjëherë që ndjehej e lodhur. Bashkëjetesa me librat, kërkimet shkencore, bibliotekat kishte nisur si një idil dashurie që herët, i cili e ruante të fortë pulsin e marrëdhënies me dijen, por që më vonë ishte shndërruar në një pëlhurë të mëndafshtë argjendi, e endur me shumë mund, që vazhdonte ta mbështillte besnikërisht tërë qënien e saj. Megjithatë, kjo bibliotekë i pëlqente më shumë se të tjerat në këtë universitet. Përveç që kishte një koleksion shumë të pasur dhe një staf të specializuar, godina e saj krijonte një atmosferë disi të veçantë me stilin e saj arkitekturor që e joshte Margën deri në mrekulli. E ndërtuar sipas Triadës Vitruviane, ajo i ndillte Margës mallin për vendin e saj, ku qyteterimi greko-romak kishte lënë gjurmët e tij që nga lashtësia. E kishte bërë zakon që në kohën e drekës të shëtiste në korridoret solide të kësaj ndërtese dizenjuar në stilin e antikitetit klasik, ku zbukurimet prej stukoje i jepnin atyre një hijeshi helene. Prania në këtë ambjent e ndillte të ndjehej në retrospektivë si pjesë e qytetërimit të lashtë greko-romak, në kohët moderne. Gjatë ecjeve rutinë në ato koridore, Marga mahnitej dhe përhumbte prej bukurisë së tyre, aq sa harronte se ku ndodhej, dhe jo pak herë në imagjinatën e saj, i dukej sikur rivizitonte vendlindjen.

Ndërsa jashte dëbora kishte dy ditë që binte pareshtur, duke e shndërruar gjithshka në art, Marga ishte përhumbur midis dy bukurive, asaj të natyrës që shfaqej si film bardhë e zi, përtej dritareve të larta të godinës, dhe asaj brenda koridoreve pafund që shndrisnin përmes shandanëve dhe kombinimit të ngjyrave mondane vishnje dhe floriri, të krijuara nga inteligjenca njerëzore. Tek hidhte hapat sipas drejtimit që i impononin koridoret e gjatë dhe pa fund, papritur, një zë i ëmbël femëror, që i vinte nga mbrapa e përmendi nga kjo përhumbje. Zëri kishte një tingëllim të veçantë dhe në ato koridore me tavane të larta, fjalët kumbonin me një intonacion të panjohur për ambjentin, por që për Margën ishte shumë i afërt dhe që i zgjoi brenda vehtes një ndjenjë të ngrohtë, si drita e diellit që të ngroh shpirtin sapo hap sytë në mëngjes. Gruaja prapa Margës fliste shqip, një shqipe në dialektin verior të gegërishtes.

Kureshtja po e ngacmonte për disa momente. Kishte shumë vite që jetonte në Amerikë dhe tashmë ishte ambjentuar pak a shumë me kulturën amerikane, dhe e njihte etikën e ftohtë njujorkeze sidomos ndaj një të panjohuri, të cilit jo vetëm nuk duhet t’i flasësh por as nuk duhet ta shikosh në sy. Të qenit në korridoret e universitetit Kolumbia i krijoi një ndjesi sigurie që e sfidoi tundimin për diferencat midis dy kulturave. Thonë që gjaku therret dhe mesa duket në këtë moment ishte pikërisht ajo thirrja prej shqiptareje që nuk po e lente rehat dhe po e shtynte për ta njohur bashkëkombasen e saj. Pak nga pak geni po dominonte mbi etikën dhe arësyen. Kështu, në mendjen e saj vendosi të prezantohej vetë në mënyrën shqiptare, pavaresisht se nuk e njihte personalisht femrën me zë të veçantë, që tashmë po i afrohej disa hapa larg prapa kurrizit të saj.

Pa ngurruar Marga ktheu kokën prapa dhe pa një grua të re, në të tridhjetat, bjonde me flokë të mbledhurra topuz prapa kokës, me sy në një ngjyrë të bukur bojëqielli të thellë, si thellësia e detit, me një shikim të mprehtë, e cila me njërën dorë mbante telefonin në vesh dhe vazhdonte bisedën, ndërsa tjetrën e kish vendosur lehtazi mbi barkun e saj, tashmë ndoshta në muajt e fundit të shtatzanisë. E ngadalësoi hapin dhe kur shqiptarja po afrohej, meqë e kish mbaruar bisedën e saj, e përshëndeti në shqip:

-Mirdita, si jeni? -iu afrua, i zgjati dorën dhe u prezantua me emër.

-Mirdita, -iu përgjigj tjetra. Drita,-u prezantua. A jeni shqiptare edhe ju, a? – pyeti me habi.

-Nga dialekti po kuptoj që jeni nga Kosova, -i tha Marga. -Nga cila krahinë?

-Jam nga Vuçiterna, – iu pergjigj.

-Uau, unë kam farefis në Vuçiternë dhe në Prishtinë, – ja priti menjëherë Marga. A e njeh Naxhi Vuçiternin? Është kushërira ime.

-Posi, si nuk e njoh Naxhi Vuçiternin. –E çfarë lidhje ke me Naxhin?

-Gjyshja ime dhe mama e Naxhit ishin motra.

-Posi, moj, Naxhi asht një gru si thona na n’Kosovë, burrneshë, një grue me karakter të fortë. Asht’ përpjek bajagi për të mbrojt të drejtat e grave kosovare, që një pjesë e mirë janë të vujtuna e të dhunume. Naxhi ka luftu që ato të shkojnë në shkollë, bile edhe për gratë që jetojnë nëpër katune. Ajo njifet në tan Kosovën për gjithshka ka ba me i ndihmue gratë. E për qat shpesh e kanë thirr dhe feministe.

-Sa e vogël është bota,- ja priti Marga. -Ju jeni nga Kosova dhe njihni kushërirën time atje. Unë jam nga Tirana dhe ne tani u takuam bashkë këtu në zemër të New York-ut. Zoti e ka dashur që ne të shkulemi nga dy trojet e ndara të botës së ashpër shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës, të shkulemi nga Ballkani i trazirave, e të vijme të gjejmë strehë paqësore këtu në trojet e Indianëve të Amerikës dhe të Kristofor Kolombit, këtu nën një çati të përbashkët të universitetit të Kolumbias. Unë ndjej lumturi dhe dhimbje njëkohësisht që ne na bashkoi toka e shenjtë e Amerikës, a thua se jemi pa atdhe. –Eh, si jemi degdisur nga vendi ynë, sikur djalli ta kish matur atë copë të vogël toke me lëkurën e tij, e të na kish mallkuar me pushtime, luftra, konflikte brenda llojit e sojit, e për më shumë me largime, emigrime, arratisje, si në të kaluarën ashtu edhe sot. Po, po, sot ne për t’i shpëtuar mallkimit dhe luftrave, veç i ikim atij vendi. Ikim për t’i shpetuar të keqes, që as vetë nuk e dimë nëse na vjen nga vetvetja apo nga të tjerët,-përfundoi Marga.

-Ç’ka me ba tjetër, edhe unë prej luftës kam ikë, si shumë gra e vajza kosovare që u larguen për me shpetu jetën e me mbajt gjakun shqiptar gjallë. E tash që ku jam, këtu në universitetin ma prestigjioz të botës e punoj si këshilltare pranë dekanit të Fakultetit të Drejtësisë. E unë jam po ajo që kam qenë para disa viteve në Kosovë, e jam shqiptare. Askush nuk munet me ma fshi identitetin tim kombëtar.

Menjëherë u krijua një atmosferë miqësore midis Margës dhe Dritës. Duket se një lidhje e brendshme, e padukshme, mori formë në ato pak çaste bisede të hapur. Ishte pikërisht ajo lidhje që ndodh natyrshëm midis dy femrave, dy bashkë patriotëve për shkak të disa elementëve thelbësorë që i afrojnë, gjuha e njëjtë amtare, zakonet, traditat, historia e të njëjtit komb. Ndoshta ndodhi ajo që thuhet shpesh në gjuhen e popullit “I ngjiti shpirti shqiptar”. Pasi biseduan, në ecje e sipër, edhe për pak kohë, papritur ra zilja e telefonit të Margës, që e ndërpreu kërshërine e sapozgjuar të bisedës e tyre. Ndërsa në fytyrat e tyre lexohej një ndjenjë e ngrohtë miqësore, ato u përshëndetën me njera-tjetrën për tu takuar përsëri kur të ishte e mundur…

 

2.

 

Pasi u nda me Dritën, Marga ndjeu krenari për kushërirën e saj, që jetonte në Kosovë me të cilën kishte patur rast të takohej vetëm njëherë në jetën e saj. Naxhi bashkë me bashkëshortin, profesor në universitetin e Prishtinës, kishin ardhur ti takonin familjarët e tyre pas shumë vitesh që kufijtë midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë ishin mbyllur. Ishte një ngjarje jo e zakontë kjo vizitë. Kishin ndenjur vetëm një natë dhe festa e mirëseardhjes kishte vazhduar deri në mëngjes, me humor, këngë e vallëzim, në atë bodrumin me tavane të ulët të gjyshes së Margës, ku qeveria e atëhershme i kishte detyruar të jetonin, pasi ia kishin zaptuar me dhunë të gjitha shtëpitë e ia kishin shpronësuar të gjithë pasurinë që kishin patur. Bodrumi, kati përdhes i një shtëpie tre katëshe, që përmbytej nga shirat ne dimër, e ku rrezet e diellit ishin privuar të depërtonin, i ngjante pak a shumë qelive të burgut pa hekura e zinxhirë në të përditshmen e tij. Por megjithatë këto kushte të vështira, nuk e kishin tunduar gjyshe Xhinën të përvishte mëngët për të gatuar gjellët më të mira e për t’i bërë Naxhit një pritje të bukur, ashtu siç dinte vetëm ajo me i shtru tavolinat e darkave me një stil mondan.

Lora, mamaja e Margës dhe dy motrat e saj më të rritura, Kristina dhe Antoneta, kishin ardhur më shpejt për ta ndihmuar gjyshe Xhinën që jetonte vetëm me djemtë e saj beqarë.

-Nanë çfarë po përgatit për darkën e Naxhit?-e pyeti Lora të ëmën që po gatuante në guzhinë.

-Zefi ka ble do lloje peshqish qefull, merluc, barbun, lojb, e fruta deti, karkaleca, kallamarë, e unë po i gatuaj të ndryshme. Me kokat e peshkut qefull kam ba supë me oriz, koper dhe limon. Ka dalë shumë e shijshme. Provoje po ta kanë, me e shiqu.

-Hmm …boll e mirë nanë. Unë po shtroj tavolinën bashkë me varzat.

-Po, mirë do bash, se kalon ora. Prit ta marr çelësin e ta hap sepetin e t’ nxjerri kompletin e lugëve të sermit, e kompletin e pjatave e pjatancave të mira.

Gjyshe Xhina, kishte gatuar gjithshka të shijshme me peshq të ndryshëm e fruta deti. Tre tavolina ishin shtruar shik përgjatë korridorit të gjatë, ku të binin në sy mbulesat prej linoje të qëndisura nga duart e arta të murgeshave italiane. Gjyshi i Margës i kish blerë ato në Itali. Pjatancat e medha me kompletin e pjatave në ngjyrën e të bardhës së vezës, prej porcelani japonez, me një vijë floriri në buzë dhe me pak reliev, ndërthureshin me mjaft elegancë me gotat kristali të verës dhe takëmin prej sermi të lugëve, pirunjve dhe thikave të të gjitha madhësive që vezullonin e i jepnin akoma më shumë shkëlqim tavolinës. Marga e dashuronte këtë takëm lugësh. Sa herë hapej ai sepet, e rrëmbente menjëherë ai vezullim i lugëve dhe i dukej sikur ai mbante brenda të fshehur një thesar shumë të çmuar, si në përrallat e Aladinit. Vërtet, gjyshe Xhina e ruante atë si sytë e ballit. Jo aq për vlerën monetare. Ishte një kujtim nga bashkëshorti i saj, gjysh Martini, që ia kish bërë dhuratë në përvjetorin e parë të martesës. Sa herë e kish dëgjuar Marga atë histori nga goja e gjyshes kur ajo me nostalgji dhe nderim sillte në kujtime bashkëshortin e saj.

-Xhina, – i pat thanë Martini atë të djelë në mëngjes, para se të shkonte në dyqanin e tij.

-Kam sjellë diçka që të pëlqen ty nga Italia, – dhe vuri në tavolinë një valixhe të zezë e të rëndë. E hapi me kujdes dhe pasi ngriti mbulesën prej mëndafshi bezhë u zbulua takëmi prej sermi i lugëve. Xhina sapo e pa vuri dorën mbi gojë dhe një “aaaahhhh” e fortë i shpëtoi nga kënaqësia.

-Sa i bukur, kenka! Po m’a kande shumë! E paske zgjedh ashtu si e dojshe unë!

Bashkëshorti e kish adhuruar Xhinën, jo vetëm për bukurinë e saj, por më shumë për fisnikërinë, mençurinë, urtësinë, bardhësinë e shpirtit, pastërtinë, dhe virtyte të tjera të saj, që e bënin vërtet shumë të veçantë në të gjithë farefisin, por edhe në rrethin shoqëror. Prezenca e saj ia mbushte jo vetëm shtëpinë, por gjithë jetën e tij bashkëshortore dhe familjare. Ai e respektonte dhe kujdesej për të si të ishte një princeshë.

Pak nga pak shtëpia u mbush me të ftuarit e tjerë. Erdhën tezet e tjera të Margës me fëmijët e tyre, me nuse e dhëndurë e u bënë afër tridhjetë vetë.

Naxhit i shkëlqenin sytë dhe fytyra. Ulur në dhomën e ndenjes bashkë me teze Xhinën, gjyshen e Margës dhe pjesëtarët e tjerë, ajo i mbante vazhdimisht të dyja krahët hapur të hedhura mbi supin e tezes dhe të kushërinjve të saj. Dukej sikur donte të kompensonte tërë atë mall të madh jo vetëm të sajin por të të gjithë familjes përtej kufirit. Teze Xhina dhe mamaja e Naxhit ishin motra, por kishin kaluar shume vite që nuk ishin parë dhe nuk dukej ndonjë shpresë e largët në horizontin e të dy vendeve fqinje se ato do ta kishin këtë mundësi të takoheshin përsëri. Ndaj Naxhi dukej sikur kishte sjellë me vehte dhe po e mbushte dhomën me gjithë dashurinë e shpirtin e familjes përtej kufirit dhe me sytë e saj dukej sikur donte të fotografonte çdo çast, e të shkruante në kujtesë çdo fjalë, që më pas t’i tregonte ato kur të kthehej përsëri në Kosovë. Kjo ndarje e familjes ishte si ajo zemra e çarë përgjysëm nga e cila rridhte papushim një dhimbje e kuqe.

Gjyshe Xhina ishta një grua e urtë, fjalëpakë, e mençur dhe me një autoritet që ia impononte të tjerëve me personalitetin e virtytet e saj. Kishte qenë shumë e bukur në moshë të re, me dy sy blu të thellë, që bënin një kontrast të dukshëm me fytyrën e saj të bardhë, me një lëkurë të hollë dhe dy mollëza të kuqe që ngriheshin dukshëm e formonin një fytyrë me nuancat e bukura si të një pjeshke të arrirë, por më tepër të ndillnin ndjesinë e një hijeshie hyjnore. Ajo dallonte në familjen e saj për një komunikim mjaft shprehës me sytë, sidomos kur donte të kursente ndonjë fjalë që mund të shkaktonte lëndim. Naxhi e kujtonte ashtu shumë të bukur e të fisme, shumë vite përpara, kur jeta e saj rridhte normal e kur gëzonin mundin e punës së tyre. Kur kishte qenë e vogël dhe kufijtë ishin akoma të hapur ajo vinte t’i vizitonte gjatë verës dhe kalonte kohë bashkë me të gjithë kushërinjtë në shtëpinë e tyre verore në plazhin e Durrësit. Por vitet kishin fluturuar e tashmë ajo ishte bërë vetë grua, ndërsa shikonte që shumë gjëra kishin ndryshuar në jetën e familjarëve të saj dhe papritur ajo prekte mjerimin e të dashurve të saj. E lexonte dhimbjen në sytë e teze Xhinës, ku ngjyrën blu të detit e kishin zbehur trazirat e jetës, ndonëse shkëlqimin dhe mprehtësinë nuk ia kishin zhbërë dot. Edhe mbi lëkurën e saj dikur të shndërritshme si një perlë ngjyrë rozë, tashmë rrudhat kishin bërë vend mirë, si të ishin prerjet e faqeve të një libri të lodhur nga të shfletuarit, të cilin ajo nuk kishte dëshirë t’ia lexonte më askujt…

Please follow and like us: