Albspirit

Media/News/Publishing

Kur protestat i bëjnë njerëzit dhe i prishin partitë

Esmeralda Meçe

Sa term i bukur “Protestë Studentore”.

Për të parën herë në 28 vite “demokraci” është protesta e parë masive e bërë nga studentët pa qëndruar pas një parti politike, pa patur në thelb një stimul financiar, ku studentët dolën lum në shesh për të ngritur zërin rreth asaj katrahure të gatuar në 28 e kusur vite. Nuk mundeshin më, tejskaje të lodhur, duke menduar që po harxhojmë kohën, paratë por nuk po marrim në këmbim dijet, pra pa shpresë vendosën ta ngjallnin vetë atë, duke u grupuar brenda një kohe të shkurtër e duke u shndërruar në një uragan force. Uragan që kërkonte ndryshim në arsim.

Deri këtu jemi ok. Fjala ndryshim gjithmonë ngjall shpresë, sado mirë të jemi ndryshimi gjithmonë kërkohet për më mirë.

Në radhë të parë ajo protestë spontane e nisur nga një urdhër fantazmë e Rektorit të UT-se, një zot e di se me çfarë qëllimi, bëri që studentët të zienin e të nxirnin në pah gjithë çka kishin parë, hequr e akumuluar  në kaq shumë vite tranzicion. E nuk lanë më pa thënë dhe në fakt mirë bënë, por sigurisht si një grup rinor erërat e pamëshirshme të politikës do të tentonin t’i tërhiqnin pas vetes. E në fakt nuk ndodhi ndryshe, frika më e madhe shumë shpejt u realizua. Secila parti vrapoi ta kapte e ta partizonte këtë protestë të jashtëzakonshme.

Tanimë qëllimi nuk ishte të arrihej një rritje cilësore shkollore, tani kërkohej të përdorej si një mashë për të dobësuar e rrjedhojë për të rrëzuar qeverinë. Te njerëz të ndryshëm të cilët rastësisht i kam takuar këtë  periudhë, ngjalli shpresë jo për ndryshim në cilësinë e mësimdhënies por ngjalli shpresë se shumë shpejt ndoshta do të gëzonin pak pushtet. Por studentët u treguan të mençur, jo ata të katapultuarit por ata të vërtetët, që kishin dalë aty se kishin pas probleme me shkollën e nuk e lejuan veten të përdoren.
E unë dua të besoj vërtetë në ditët e para të asaj proteste, ku uragani i jashtëzakonshëm i studentëve nuk thirri një herë të vetme kundër ministres apo kryeministrit (pasi ishin të vetdijshëm se ky problem ishte i trashëguar prej shumë vitesh e shumë pushtetesh). Ata ishin të qartë e dinin se çfarë donin dhe si mund ta arrinin. U bënë grup për të tejçuar një mesazh dhe për të tëhequr vëmendjen.

E për herë të parë në një protestë nuk u injoruan por u dëgjuan dhe u ftuan, as u nëpërkëmbën, as u përbuzën, por u përkrahën dhe u mbështetën. Madje edhe u falenderuan sepse bënë që vëmendja të rikthehej andej nga buron çdo intelektual i këtij vendi.

Për herë të parë nuk shanë, nuk ndotën por folën, madje në fund edhe pastruan, e për herë të parë sigurisht nuk u shanë, e as u rrahën jo më të vriteshin por u mbështetën e madje u përgëzuan. Kjo ka ndodhur në vendin tim, në vendin tënd. Tanimë kam filluar të ndjehem pakëz me mentalitet europiani, por ritmin, pritshmëritë, entuziazmin ma vranë shumë shpejt. Dukej sikur një forcë e errët e padukshme kërkonte të prishte gjithçka që u arrit, sepse ne ishim duke u bërë lektorët më të mëdhenj të demokracisë në këto momente. Por jo, dolën disa që duan ta mbajnë gjallë atë protestë me hir a me pahir, duke i ndarë studentët në ca të njerkës e ca të nënës, duke i fyer e denigruar figurën e gjithesecilit prej atyre që pas kësaj arritje të demokracisë duan të shënojnë edhe arritje cilesore në arsim. Duan ta finalizojnë atë që me zemër e filluan.

Duan të dialogojnë e të reformojnë edhe njëherë sistemin. 8 pikat janë mirë por jo të mjaftueshme për mua. Ka më shumë problematika të mbartuara në universitete të cilat duan me të vërtetë një zgjidhje definitive dhe jo zvarritje për plaçkitje pushteti. E ndaj është një forcë e errët që nuk do arritje, do thjesht destabilitet.

Boll më, unë dua të kthehem në shkollë, të studioj e ta mbyll ciklin shkollor kur duhet e jo të vazhdojë më pas mësimi deri në gusht, nuk duhet të humbasim gjithçka për kapriço të dy apo 3 studentëve dhe as për kredo politike të 2 apo 3 kryetarëve partish që e kanë pasur në dorë mundësinë ta bënin këtë që thonë se nuk është bërë shumë kohë më përpara, i kanë pasur edhe mjetet edhe pushtetin, por mesa duket nuk kanë dashur punën dhe nuk kanë pasur vullnetin.

Është koha ti themi pro dialogut megjithëse një pjesë e mirë e studentëve e kanë kuptuar dhe e kanë përqafuar këtë nismë. E tani është pikërisht koha të ndalim edhe sjelljet kapricoze në dëm të qytetarëve të Tiranës, të cilët me shumë mirësjellje na kanë mirëpritur kur kemi ardhur, na mbështetën kur u ngritëm njezëri por nuk na e kanë për borxh t’ua kthejmë jetën në makth për kapriçot tona kur na është propozuar që të spostohemi nga rruga të shkojmë në kryeministri e ti përmbledhim të gjitha ato çfarë duam. Thuaj pro dialogut dhe liro rrugët. Je student nuk je marionetë. Dialogo, bëhu pjesë e ndryshimit dhe ndjehu krenar për atë që ke bërë që nesër kur ta rikujtosh të mos ndjehesh i përdorur. Me përzemërsi ju përshëndet një ndër jush, bashkëudhetare në rrugën e dijes.

Please follow and like us: